Një kafe me Zamira Kolecin dhe tetë homazhe për shokët tanë të gazetarisë
Në tetor do të takohemi pas 50 vitesh, kemi mbetur vetëm 15 nga 23.
Nga Bujar Qesja, “Mjeshtër i Madh”
Jemi të gazetarisë së vitit 1973. Një brez i artë i publiçistikës shqiptare, që mbeten deri në fund skllav i idealizmit dhe profesionalizmit të pakompromis. “Vogëlushja” e kursit, tiranasja e thekur, Zamira Koleci ishte “nënemadhja” e jonë. Shpirt i ndjeshëm. Ajo na i mbante dhe na i qante të gjitha hallet. Hallet?! Ja ato të kohës së rinisë tonë, aq të bukur, lyer me sentiment dhe ëndërrime.
Të gjithë ne, të 23 gazetarët e ardhshëm të shtypit shqiptar, e dinim që pak vite do të ishim së bashku. Emërimet do të na ndanin dhe do të qendronim kështu 50 vite, pa e parë njëri tjetrin. Madje as të gjallë. Kohë e gjatë. Ngarkesa të mëdha. Beteja pa fund me këtë jetë tonën dhe mbijetesa, do të ishte mundësia më fatbardhë për secilin.
Zamira, e mira e jonë, motra jonë e respektuar, eci në atë që quhet gazetaria radiofonike. Zëri i vetëm femër, që vendosi histori në të folurën profesioniste, duke mbetur edhe tash që smundet të mos harrohet nga dëgjuesit. Ka gati 5 vite, që pushon me të motrën në Voskopojë. Pak më shumë se kaq, jam edhe unë me familjen time po në këtë Voskopojën lozonjare, aq të bukur, ku në kurriz të saj, kanë rrënjët e tyre kurora e pishave nga më tërheqëset në Shqipëri.
E kishim planifikuar, të uleshim në këtë mëngjes të 24 gushtit të vitit 2023 për një kafe. Të uleshim ja si dikur në vitet e rinisë dhe të rrufitnim kafenë madein Voskopoja. Kisha marrë me vete dhe do gram raki, nga ajo e mira, jeshilja e Boboshticës, që nuk i ikën rrethi i lidhur i rruazave. Kështu i bie të jetë diku tek 22-23 gradë. Me Kostandinën time, u ulëm në lokalin që shërben kamarieri, me emrin e futbollistit të njohur brazilian Rivaldo.
U vendosëm në një kënd, ku u mbuluam nga hijet e pishave dhe rrezeve të diellit iu mbyllën të gjitha portat. Zamira, e ëmbla e miqësisë tonë 50 e ca vjeçare. Shikonim njëri tjetrin dhe nuk mund të na shkonte kurrë në mëndje, se do të vinte një ditë ja si kjo, për të pirë kafenë në Voskopojën e lartë, ku ligjin e bëjnë vetëm pishat.
-E kemi lënë motër, iu drejtova Zamirës, të pijmë kafenë e Demokratit, i fundit që shkëputet nga të gjallët tanë.
-Sigurisht që po, shoku im i ngushtë i gazetarisë, ma ktheu butë Zamira.
Eh Demokrat Anastasi! Lot për ty. U bashkuan dy të hershëm të zanatit dhe të kujtojnë. Kanë puqur mallin, duke i përplasur dhimbjet, e nxjerrë ofshama nga shpirti. Por ky rast na e shtriu kujtesën dhe u ndalëm, tek të gjithë shokët që nuk jetojnë. Do ti kujtojmë, pasi detyrimi mbaron, atëherë kur zemra ndalet, e rrahjet e saj të mos dëgjohen më.
Ja ta bëjmë adetin. Nuk i kemi dhe qajmë për to, Hysni Milloshin, Skënder Haskon, Tonin Shtjefnin, Tomor Jolldashin, Jamarbër Markon, Shpëtim Ginën, Demokrat Anastasin dhe Apostol Dukën. Kemi mbetur Zamira Koleci, Irma Titani, Mira Bregu, Ana Nimali, Violeta Peçuni, Donika Demirazi, Donika Ndile, Shirma Minga, Liliana Branica, Dilaver Baxhaku, Skënder Vaqarri, Arqile Ndini, Nexhati Tafa, Elmaz Leci dhe unë.
-Bujar! më përmënd nga kujtimet Zamira. Të takohemi në tetor, tani, në këtë vit. Bëjmë 50 vite nga mbarimi i studimeve për gazetarinë. Këtu në Tiranë, pasi janë shumica. Ta marrim përsipër ne të dy organizimin. Do të jetë takim i prekshëm, takim malli. Kujtimet do të na e vrasin zemrën, pasi nuk është e lehtë që tetë prej nesh na mungojnë, duke na lënduar e brengosur.
Sot një kafe dhe pak “Boboshticë” me Zamira Kolecin. Pranë kisha edhe thesarin e jetës time, Kostandinën. E ndjeshme edhe ajo për ato që dëgjonte. Kafeja jonë zgjati mbi kohën e zakonshme. Po bënim homazh për të larguarit nga jeta. Dhe kishim të drejtë.
Mirutakofshim në tetor Zamira! Kemi mbetur 15, duke na munguar 8. Oh çfarë takimi do të jetë!
____________________________________________
Voskopojë: 24 gusht 2023
Në pamje, nga e djathta: Zamira Koleci, Bujar Qesja dhe Kostandina Ngresi.