BRICS grupimi ekonomik më i rëndësishëm në nivel global

Si grup, vendet e BRICS formojnë bllokun ekonomik më të rëndësishëm, pasi ato së bashku përfaqësojnë rreth 24.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në nivel global dhe aktualisht zënë rreth 41 për qind të popullsisë së botës


Nga Prof. Dr. Petraq Milo

Me ftesë të presidentit të Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, presidenti kinez Xi Jinping ka marrë pjesë në Samitin e 15-të të BRICS në Johannesburg, nga data 21 deri më 24 Gusht. Samiti do të fuqizojë më tej bashkëpunimin e vendeve të BRICS dhe do të hapë një fazë të re të lidhjeve Kinë-Afrikë Jugore si dhe Kinë-Afrikë. Si grup, vendet e BRICS formojnë bllokun ekonomik më të rëndësishëm, pasi ato së bashku përfaqësojnë rreth 24.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në nivel global dhe aktualisht zënë rreth 41 për qind të popullsisë së botës, Katër nga pesë vendet BRICS janë tani në pesëmbëdhjetë ekonomitë më të mëdha në botë: Kina është e dyta, India është e gjashta, Rusia është e njëmbëdhjeta dhe Brazili është vendi i dymbëdhjetë. Nga kriza financiare e vitit 2007, ekonomitë e vendeve të BRICS në tërësi kontribuan në rreth 45 për qind të rritjes ekonomike globale. Në mënyrë domethënëse, BRICS ka rritur ndikimin ekonomik gjatë dekadave të fundit, duke u shndërruar në një nxitës të rëndësishëm të rritjes globale, tregtisë dhe investimeve. Një arsye e rëndësishme për këtë prirje rritëse është rritja e Kinës, e cila përbënte 69.5 për qind të PBB-së së BRICS. Sipas raportit të UNCTAD 2022, vendet e BRICS përfaqësojnë 18 përqind të eksporteve në rang global.


Burimi : Të dhënat nga World Economic Outlook dhe analiza e autorit

Karakteristika kryesore që kanë të përbashkët BRICS është statusi i tyre si fuqi ekonomike në zhvillim dhe ideja e tyre e përbashkët se ato janë fuqi të rëndësishme në rritje që duhet të luajnë një rol më të spikatur në çështjet globale. Ata ndajnë gjerësisht një botëkuptim të ngjashëm dhe besimin se zëri i tyre dhe interesat e vendeve në zhvillim janë të nën përfaqësuara në rendin ndërkombëtar. Vendet e BRICS kanë përqafuar frymën e hapjes, duke nxitur bashkëpunimin e ngushtë, forcimin dhe reformimin e qeverisjes globale, promovimin e rimëkëmbjes ekonomike, ruajtjen e paqes dhe sigurisë, përshpejtimin për zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030, maksimizimin e mundësive të krijuara nga epoka digjitale, rritjen e bashkëpunimit në ndryshimet klimatike dhe thellimin e shkëmbimeve ndërmjet komuniteteve.


Xinhua

Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet vendeve, është karakterizuar me iniciativa të ndryshme të cilat kanë ndikuar në rendin ekonomik botëror. Vendet e BRICS janë zotuar të ristrukturojnë arkitekturën globale politike dhe financiare për të qenë më gjithëpërfshirëse, më e drejtë, më përfaqësuese dhe më demokratike, me pjesëmarrje domethënëse dhe më të madhe të vendeve në zhvillim. Vizioni dhe fryma e BRICS shfaq respekt dhe mirëkuptim reciprok, barazi, solidaritet, çiltërsi, gjithëpërfshirje dhe konsensus. Ajo përputhet me vizionin e Kinës që synon të mbështesë multilateralizmin e vërtetë dhe të ndjekë solidaritetin dhe bashkëpunimin.


Xinhua

Për sa i përket forcimit dhe reformimit të qeverisjes globale përpjekjet e vendeve të BRICS kanë konsistuar për t’i kthyer vendet në zhvillim nga ndjekës në promovues të qeverisjes globale. Kina ka kërkuar që vendet e BRICS të punojnë në bashkëpunim të gjerë me ekonomitë e tjera në zhvillim dhe të forcojnë koordinimin brenda kuadrit të G20, Organizatës Botërore të Tregtisë, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, për të bërë përpjekje të përbashkëta për të përmirësuar qeverisjen ekonomike globale. BRICS I ka bërë thirrje vendeve të G7-ës për t’i dhënë një rol më të madh grupimit G20-ës, i cili përfshin të gjitha vendet e BRICS dhe për rritjen e të drejtave të votës për vendet e nënpërfaqësuara në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Gjithashtu vendet e BRICS mbështesin nevojën për t’i dhënë fund monopolit të dollarit si monedha kryesore rezervë në botë dhe vazhdimisht kërkuan një diversifikim të rezervave globale drejt një monedhe globale SDR e Fondit Monetar Ndërkombëtar, si eksperimentimin për përdorimin e monedhave të tyre lokale për tregtinë rajonale. Kina gjithashtu është e përkushtuar të punojë me ekonomitë e këtyre vendeve për të promovuar zbatimin e Iniciativës Globale të Sigurisë dhe Nismës një Brez një Rrugë, për të përshpejtuar zhvillimin global, për të përmirësuar qeverisjen globale të sigurisë dhe për të mbrojtur paqen dhe qetësinë botërore.

Vendet e BRICS janë angazhuar ne promovimin e rimëkëmbjes ekonomike duke forcuar koordinimin mbi politikat makroekonomike dhe bashkëpunimin ekonomik shumëpalësh. Gjithashtu vendet e BRICS kanë inkurajuar ekonomitë e tjera në zhvillim që të miratojnë politika të përgjegjshme fiskale dhe monetare, në mënyrë që të shmangen pasojat negative ekonomike në vendet në zhvillim. Vendet e BRICS kanë mbështetur funksionimin e shëndoshë të sistemit ekonomik dhe financiar ndërkombëtar. Për ruajtjen e paqes dhe sigurisë globale, vendet e BRICS vazhdojnë të flasin me një zë për çështjet që lidhen me paqen, sigurinë dhe zhvillimin ndërkombëtar, për të promovuar një rend më të drejtë dhe më të arsyeshëm. Pesë vendet janë të angazhuara së bashku për të respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha vendeve, theksuan përkushtimin e tyre për zgjidhjen paqësore të dallimeve dhe mosmarrëveshjeve ndërmjet vendeve përmes dialogut dhe konsultimit, dhe për të mbështetur të gjitha përpjekjet e favorshme për zgjidhje paqësore të krizave.


Xinhua

Vendet e BRICS janë angazhuar për përshpejtimin për zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030. Pandemia COVID-19 ndërpreu përpjekjet për të arritur Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm duke ngadalësuar vitet e progresit për zbutjen e varfërisë, avancimin e arsimit, ndryshimet klimatike, aksesin në ujë të pastër, si dhe mbrojtjen e mjedisit. Vendet e BRICS u angazhuan kolektivisht për zbatimin e Agjendës 2030 në të tre dimensionet e saj, përkatësisht në atë ekonomik, social dhe mjedisor, në mënyrë të balancuar dhe të integruar. Vendet kanë rënë dakord të nxisin bashkëpunimin pragmatik në sigurinë ushqimore, të përmirësojnë kapacitetin në sigurimin e furnizimit me ushqim dhe prodhime të tjera kryesore bujqësore nëpërmjet sistemit të zgjeruar të Shkëmbimit të Informacionit Bujqësor. Duke pasur parasysh përvojën e saj në zbutjen e varfërisë dhe përmirësimin e sigurisë ushqimore, Kina është angazhuar gjithashtu të sigurojë burimet e nevojshme në kuadrin e vendeve të BRICS, për të luftuar varfërinë dhe pasigurinë ushqimore dhe për të rritur kontributin e saj për zhvillimin e qëndrueshëm.

Maksimizimi i mundësive të krijuara nga epoka digjitale mbetet një strategji për të mbështetur në mënyrë aktive inovacionin me qëllim te forcimit te partneritetit në energjinë e gjelbër, teknologjinë e internetit dhe shkëmbimin e njohurive midis shkencëtarëve dhe ekspertëve të teknologjisë. Si grup, pesë vendet e BRICS filluan partneritetin në Qendrën e Inovacionit të Revolucionit të Ri Industrial në 2021 për të gjeneruar zhvillim dhe një impuls të ri në teknologji, shkencë, inovacion dhe transformim digjital. Gjatë vitit 2022 vendet BRICS u angazhuan të punojnë së bashku për të zbatuar Planin e Veprimit për Bashkëpunimin e Inovacionit dhe për të ndërtuar Rrjetin e Qendrave të Transferimit të Teknologjisë. Vendet e mbështesin gjithashtu rëndësinë e kryerjes së aktiviteteve të tilla si Thirrja e Përbashkët e BRICS për projektet kërkimore dhe Forumi i Shkencëtarëve të Rinj.


Xinhua

Për rritjen e bashkëpunimit në ndryshimet klimatike, Kina ka theksuar nevojën që vendet e BRICS të punojnë me komunitetin ndërkombëtar në mënyrë që të qëndrojnë të përkushtuara ndaj zbatimit të plotë dhe efektiv të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike dhe Marrëveshjes së Parisit. Për thellimin e shkëmbimeve njerëzore vendet e BRICS janë të përkushtuara për të promovuar ndërveprimet ndërmjet partive politike, grupeve të mendimit dhe organizatave të shoqërisë civile dhe për të përdorur plotësisht mekanizmat e teknologjisë për bashkëpunimin kulturor. Grupi BRICS ka shfrytëzuar Këshillin e Biznesit, Aleancën e Grave të Biznesit dhe Forumin e Biznesit BRICS për të intensifikuar përpjekjet në forcimin e lidhjeve të biznesit dhe promovimin e marrëdhënieve praktike dhe të frytshme midis vendeve. Përveç kësaj, vendet e BRICS janë angazhuar të përdorin plotësisht Ligën e Universiteteve BRICS dhe Universitetin e Rrjetit BRICS për të nxitur shkëmbimet dhe ndërveprimet midis studentëve dhe studiuesve dhe së bashku të kultivojnë talente të nivelit të lartë. Pesë vendet si grup kanë krijuar aleancën BRICS për arsimin profesional dhe u angazhuan për të mbajtur konkurse të aftësive profesionale për të ndërtuar një platformë bashkëpunimi midis instituteve të arsimit profesional dhe ndërmarrjeve.

Kina ka propozuar mekanizmin “BRICS” Plus” gjatë samitit të BRICS në vitin 2017. Një fokus qendror i samitit do të jetë zgjerimi i mundshëm i BRICS, me më shumë se 40 vende që shprehin interes për t’u bashkuar, duke përfshirë qendrat kryesore ekonomike dhe fuqitë gjeopolitike në zhvillim si Nigeria, Arabia Saudite dhe Irani. Gjithsej 23 vende kanë aplikuar zyrtarisht për t’u bërë anëtarë të rinj të BRICS, duke përfshirë Arabinë Saudite, Iranin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Argjentinën, Indonezinë, Egjiptin dhe Etiopinë, ndërsa lojtarët kryesorë afrikanë si Nigeria dhe Gana kanë shprehur interes, por deri më tani nuk kanë arritur të një aplikim zyrtar. Drejtuesit e grupit BRICS kanë vendosur të ftojnë gjashtë vende të tjera për t’u bashkuar me aleancën e tyre. Argjentina, Egjipti, Etiopia, Irani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë ftuar që të bëhen anëtarë të BRICS, ka deklaruar Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa.


Xinhua

Kina ka mbështetur në mënyrë aktive fillimin e procesit të zgjerimit të anëtarësimit të BRICS për të rritur bashkëpunimi. Zgjerimi mund të jetë një mundësi për të rritur me shpejtësi forcën dhe ndikimin ndërkombëtar të BRICS. Propozimi i Kinës për të zgjeruar BRICS është në interes të të gjitha vendeve në zhvillim dhe synon të ndihmojë në përmirësimin e qeverisjes globale duke rritur bashkëpunimin Jug-Jug. Zgjerimi është gjithashtu një shembull të shkëlqyer për vendet në zhvillim që të bashkëpunojnë dhe të fitojnë forcë përmes unitetit. Kina në këtë Samit do të angazhohet gjithashtu për forcimin e bashkëpunimit Kinë-Afrikë. Kina do të shpallë nisma praktike në mbështetje të industrializimit të Afrikës, modernizimit të bujqësisë dhe trajnimit të talenteve. Kina është gjithashtu e angazhuar për të ndihmuar në lehtësimin e barrës së borxhit të vendeve të Afrikës, duke u bashkuar me Iniciativën e Pezullimit të Shërbimit të Borxhit të Grupit të 20.

Lexo më shumë nga

Uldedaj sërish kampion, Balla: Mes 15 më të mirëve në botën e boksit profesionist

Suksesi i Uldedajt është një arritje historike për sportin shqiptar dhe një tjetër hap i madh për boksierin e talentuar…

Global 360

Armenia njeh pasaportat e Kosovës

Armenia nga sot njeh zyrtarisht të gjitha pasaportat e Kosovës, duke përfshirë ato të zakonshme, diplomatike dhe zyrtare.

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Uldedaj sërish kampion, Balla: Mes 15 më të mirëve në botën e boksit profesionist

Suksesi i Uldedajt është një arritje historike për sportin shqiptar dhe një tjetër hap i madh për boksierin e talentuar…