Një cicërimë zogu shtang shqiponjën!
Libri i Shpëtim Emirit, “Çmimi i kurajës” shfaq vlera emocionale të një qytetarie që realiteti ynë ka shumë etje
Nga Pëllumb Kulla
NJË CICËRIMË ZOGU SHTANG SHQIPONJËN!
Shënimi im hyrës, (P.K.)
Tregimi që kam zgjedhur për të postuar në fejsbuk bëhet me lejen e autorit, të cilin e kam mik fort të vjetër, qyshkur ai, i ngarkuar me detyra të rëndësishme në drejtimin e punimeve në vepra madhore në rrethin e Fierit as e kishte ndërmend te mësynte në territoret e letërsisë.
Tani, nuk e themi me zë të lartë, por nga mik , na është shndërruar edhe në rival!
Gjithsesi, përtej shakave ky libri i fundit e vlente ta revidentoja, se në këtë, më shumë se tek të tjerët, Shpëtimi shfaq vlera emocionale të një qytetarie që realiteti ynë ka shumë etje.I tillë është tregimi i kondensuar që unë u propozoj ju, miqve të fejsbukut.
Të them të drejtën e pata pak vështirë nga që nevoja e kondensatit më bënte të shkurtoj edhe përshkrime të këndëshme dhe elegante. Megjithatë libri është në librari dhe pjesët e hequra nuk janë fshirë aspak përjetësisht.
Më poshtë, tregimi. Lexim të mbarë!
Gjithë klasa jonë brohoriti kur mësuesi kujdestar na njoftoi: “Sipas programit mësimor, sot pasdite, ora …, do të grumbullohemi tek sheshi i kalasë për të parë muzeun.”
Unë, si shumica e nxënësve të Palortosë së sipërme, nga ku dukej krejt kalaja, bashkëjetoja me pamjen magjepsëse, aq sa nuk më bënte përshtypje, por përmendesha sa herë përcilleshin mysafirët, gdhirë tek ne, të cilët patakseshin në mëngjes, sa dilnin jashtë, në krye të kameriésë. Ç’të shikoje?! Një përrallë! Përballë, në lindje, mali i pafund i Lunxhërisë me lartësi rreth 1500 metër përgjatë luginës së gjerë të lumit Drino dhe në jug kalaja madhështore. Gjithçka mahnitëse! Miqtë, mbetur gojëhapur, nuk rrinin dot pa e shprehur habinë, teksa shijonin mrekullinë e natyrës, por edhe atë të dorës së njeriut.
Orën e nisjes prej shtëpive e lamë me fjalë me shokët e lagjes dhe shoqet, të cilat kishim detyrë t’i shoqëronim dhe t’i mbronim. Rrugës për në kala, kush e kush më shumë, do të bënim çmos t’i argëtonim dhe të qeshurat e vajzave ishin çmime OSKAR për ne, çunat. Por nuk ishte e lehtë. Të binte bretku për një çmim … . Ndërsa mbrojtja e tyre nga rreziqet nuk u vu në provë asnjëherë. Kjo falë autoritetit absolut të shtetit të kohës, kur nuk pipëtinte miza. Por, nëse do të shfaqej rastësisht ndonjë “rrezik”, kuptohet e shumta mund të qe thjesht ndonjë fjalë e kurrsesi prekje nga ndokush. Se po të ndodhte, besoj, ne shokët u bëheshim vëllezër e mund të vriteshim për to. Sidoqoftë, shyqyr që jeta nuk na e kërkoi këtë sakrificë, se ndryshe ky tregim vështirë t’ju binte në dorë…!
Kaluam në gjysmë errësirë nën arkadat madhështore disa katshe prej guri të kështjellës mesjetare, deri sa dolëm në dritë. Ishte sheshi i vogël i saj, ku të mëdhenj dhe të vegjël nxitonin të rreshtoheshin përgjatë kokës së murit të trupit të kalasë, ku linin mendjen vizitorët para panoramës së jashtëzakonshme, pamjes nga lart të qytetit dhe të gjithë luginës së Drinos, rrethuar me male deri në grykën e Tepelenës.
Ne, fëmijë që nuk dinim ç’ishte lufta, për të cilën ishte ndërtuar dhe shfrytëzuar në shekuj kjo kala, mburreshin kush kish parë aty, në atë shesh, cirkun e Tiranës me pehlivanin Ali Xhixha, që ecte me biçikletë mbi litarin në lartësi të frikshme; dikush kujtonte shfaqjen e ansamblit të ushtrisë, pa i shpëtuar të përshkruajë dirigjentin pasionant tejet impulsiv që kërcente me këmbë e duar para korit, “Atë mo, ç’e thoshin?” “Gaqo, Gaqo Avrazi, ku harrohet ai?!” “Po ansamblin rus kush e ka parë? Uaaa, s’e keni parë? Kot që rroni! Po kinezin? Ç’të shihje, ç’të shihje, lije mënden?! …”
Unë, “i bredhuri”, mund të mburresha edhe për ngjarje të tjera, por jo çdo gjë që lidhej me atë kala mund të të bënte krenar. Mjaft i vogël, diku tek katër vjeçët, i mbajtur në krahë nga ime më, para portës me hekura të trasha të burgut, i jam gëzuar zarikosë (sheqerkës), që një burrë pas hekurave, im atë që nuk e kisha parë kurrë, ma dha…
Në pritje për tu hapur muzeu, nxënësit ishin përhapur dhe shumica luanin, ndaj zhurma dhe thirrjet e gëzueshme sa vinte e shtoheshin. Dalluam se nuk ishte vetëm klasa jonë, por disa klasa, e madje disa shkolla njëkohësisht të shoqëruara nga mësuesit e mësueset kujdestare.
Në të njëjtën godinë njëkatëshe ku ndodhej muzeu, në pjesën mbrapa, ishin ambientet e policisë së shtetit. Para tyre kish gjithmonë policë të armatosur, veshur me uniformën blu të thellë, ku dallonte rripi i gjerë me tokëzën e madhe gjithë shkëlqim ari.
Në afërsi të ambienteve të policisë, nën hijen e një fiku të madh me degë të hallakatura, ashtu siç dinë fiqtë, ndodhej e vetmja çezmë në gjithë atë shesh. Një polic i armatosur me pushkë në krah, që qëndronte më këmbë mbi murin përreth çezmës, nuk do t’i bënte përshtypje askujt, po të mos ndalonte nxënësit të pinin ujë.
Turma do ta merrte vesh më vonë arsyen. Çezma ishte e zënë. Të përkulur mbi enët që po mbushnin me ujë, dy njerëz nuk dalloheshin hiç, derisa kokat e tyre u ngritën dhe më pas iu dallua shtati. Sikur mbinë nga dheu me pamje krejtësisht të veçantë, pa të ngjashme. Ishin dy të burgosur me të njëjtat petka të rëndomta, tejet të vjetëruara, dalëboje nga dielli, që të reja duhet të kishin qenë ngjyrë balte.
Dy të burgosurit që nisën të ecnin mes për mes grumbullit të nxënësve dhe mësuesve ishin pa pranga. Siiii?! Po, po. Pa pranga, por nuk ishin të lirë, sepse që të dyja duart i kishin të zëna. Me njërin krah të dy mbanin një alamet kazani, mbushur plot me ujë, dhe në dorën tjetër mbanin secili nga një gjym të madh llamarine. Kalonin të tendosur e të sforcuar nga pesha e madhe, po edhe me kujdesin të mos derdhej uji nga kazani, që ishte ena më e papërshtatshme për transport në distancë të madhe.
Po ecnin drejt burgut.
Do përshkonin gjithë atë rrugë që kishim bërë ne nxënësit dhe do ngjiteshin lart në majë të ndërtesës qendrore të kalasë tek “shtatë penxheret”, sikundër e quante qyteti burgun. Polici i armatosur i shoqëronte disa hapa mbrapa. Fëmijët e ndodhur në drejtimin që po përshkonin ata, hapeshin anash të heshtur. Gjithë lojërat ishin ndërprerë vetiu. Ishte pamje shumë e rrallë për sytë e fëmijëve.
– Baba!
U dëgjua kjo piskamë gati ulëritëse, ndonëse zë fëminor. Dhe u pa të sulet me vrap drejt të burgosurve një vajzë e vogël që njohu të atin mes atij shpërfytyrimi mjeran. Të gjithë ngrinë! Sa u afrua, ajo uli vrapin si e turpëruar dhe u ndal disa metra larg tyre.
Një mëdyshje fëminore. Habia me të cilën po e ndiqnin shikimet përreth i kujtuan se ajo ishte ndryshe nga gjithë nxënësit në atë shesh. Po ndihej e turpëruar para shoqeve dhe shokëve të klasës, para mësueses. Thirrja e saj “Baba!” u këput në mes. Ndofta ngurroi nga shikimi i egër i policit që ktheu kokën andej nga erdhi thirrja, ndofta e përmbajti pamja e vajtueshme e të atit, pamje krejt e ndryshme nga sa e njihte; fytyrë qelie ngjyrë limoni me një lloj zverdhjeje të vrarë, përzier me grinë e zbehtë, çehre vdekjeje …! Madje jo çdo i vdekur mund të arrinte atë lloj ngjyre para se të futej në arkëmort!
Pamja ishte e dhimbshme, por dhe e frikshme! … Gjithë kalaja s’merrte frymë! Edhe vetëm një herë në jetë të shikoje fytyrë të burgosurish të sapodalë nga qelitë e kalasë së Gjirokastrës, nuk të fshihej kurrë nga kujtesa.
Ama, e habitshme! Ç’ishte ajo shkëndijë që ndezi në kujtesën e vajzës gjurmët e pamjes së vërtetë të të atit, ndërsa vështrimi binte mbi dy fytyra burrash, hequr, kockë e lëkurë, të vlefshme për mësimin e anatomisë, të cilat tundeshin mbi qafa trupa njerëzish me veshjet turpëronjëse?! Ndofta sytë … . Sigurisht! E çfarë tjetër, veç syve të tij me shkëlqim lotësh?!
Polici i armatosur ngriu para asaj vogëlusheje. Gjithçka që po ndodhte nën hijen e tij, takim i të dënuarit me familjen, ishte i paparashikuar, i pamiratuar, i kundërligjshëm! Të dy të dënuarit, të shtangur me duar që iu dridheshin, ulën me terezi të madhe kazanin plot me ujë pa i shkëputur pëllëmbët nga veshët e kazanit dhe bishtgjymave. Si nuk iu shpëtoi nga dora kazani?!
Të atit të burgosur i shkriu shikimi i përgjëruar kthyer nga vajza, nxënëse në shkollën fillore. Thirrja e saj, tingulli më i dashur e i munguar për të, ia kish shpuar tejpërtej zemrën. Sytë e djegur e të dëshiruar për të bijën, të ndriçuar vetëtimthi nga pamja e papritur e saj në territorin e burgut, ndiqnin afrimin e vrullshëm të përmalluar të saj dhe e ftonin, e nxisnin të bijën. I burgosuri tjetër me sy lutës, kthyer nga polici, si të kërkonte mëshirë për këtë ndalesë të pamiratuar. Vetëtimë shikimesh të kryqëzuara midis vajzës së vogël, babait të dënuar, policit të armatosur, të burgosurit tjetër dhe dhjetëra e dhjetëra shikime nxënësish e mësuesish, ngurosur, të përqendruara në një pikë!
Kalaja vazhdonte të mbante frymën!
– Babaaaaa! – zëri i saj i hollë, drithërues si teh thike, përshkoi përsëdyti tejpërtej heshtjen e pllakosur në shesh. Ishte shpërthim nga gjoksi i vogël, si gjoks zogu i rrezikuar. Çfarë rrahjesh ka përballuar ajo zemër e vogël ku ndeshej dëshira e papërmbajtur të përqafonte të atin me pamundësinë, syvranësinë e policit të armatosur.
Ç’ishte ajo klithmë pafajësie, ndjekur nga gulçe ngashëryese? Frika, aq e rëndë në diktaturë, humbi peshën, mbeti pezull e frikësuar ato çaste nga më njerëzorja, dashuria e një fëmije.
Stepja e vajzës nga Uuuuu!!! – ja e habisë së nxënësve, që jehoi në atë shesh, nuk zgjati veç ca çaste. Si një kaproll kërceu ajo para me të drejtën e natyrshme të fëmijës të dojë dhe ta shprehë dashurinë, lëshuar krahëhapur drejt të atit, të rënë në gjunjë.
Morën fund ligjet e shtetit, nenet e rregullores së burgut po ashtu! Ligjet e jetës rimorën pushtetin. Atë e bijë ishin bërë njësh. Shtrënguar fort në gjoks, e mbuloi me të puthura, njomur me lot dënesje të ndrydhur atë karthje të njomë, flokët e verdhë të së cilës fshehën maskën e zverdhur, shfytyrimin e të atit. Me kokën ngjeshur në trupin e tij ndihej më e fortë dhe e sigurt, shtrënguar krahësh, njësuar në rrahje zemrash.
Ashtu e trimëruar ajo nuk e lëshonte, edhe pse babai filloi ta shtyjë nën vështrimin e rreptë ngulur shtizash mbi kokë.
Polici sakaq, pa nxjerrë asnjë fjalë, pa nga mësuesit. Nuk e hapi gojën, nuk u muar as me të atin e burgosur, as me të bijën. Me armën në krah dhe revolverin në brez, heshturazi, pa cenuar aspak detyrën shtetërore, ishte bërë prind.
Dikush lëvizi në atë mospipëtitmë. Mësuesja e klasës shkoi drejt tek të burgosurit dhe, qetësisht, e mori përdore vajzën, sjellja e çiltër fëminore e së cilës vuri në provë sjelljen njerëzore përballë indoktrinimit masiv në diktaturë nga gjëmëmadhja “Lufta e klasave”. Ndodhur në ambient publik, para dhjetëra e dhjetëra nxënësve dhe mësuesve, në provë ishin sidomos anëtarët e partisë, por në këtë rast si polici dhe mësuesja u treguan të matur dhe dinjitozë.
Të burgosurit kokulur rrëmbyen enët me ujë dhe morën rrugën pa kthyer kokën. Shikimet tona i ndoqën deri sa humbën nga sytë. U duk sikur u shtensionua situata, por jo! Ishte venitur krejt gjallëria, mungonin zërat e gëzuar, shuar temperamenti shpërthyes i nxënësve dhe heshtja nuk dëgjonte të zgjohej.
Asnjë pipëtimë, aq sa flladit po i dëgjohej vërshëllima e lehtë e vallëzimit mbi kështjellën e mekur…