“Venusi i Urbinos”, kryevepra e Ticianit!

Me rastin e 447-vjetorit të vdekjes së mjeshtrit të madh të artit


Nga Dr. Bledar Kurti

Me 27 gusht 1576 u nda nga jeta Ticiani, mjeshtri i madh i artit. Ndër veprat e tij madhështore më e njohura është tabloja Venusi i Urbinos, e cila ndër shekuj ka mahnitur njerëzimin me kompozimin e pashoqë por mbi të gjitha sensualitetin femëror.

“Pashë vajza të reja që vjedhurazi hidhnin vështrime të fshehura drejt saj; pashë të rinj që e vështronin gjatë dhe zhyteshin në të; Pashë burra të moshuar e të pafuqishëm që dorëzoheshin përpara bukurisë së saj me një përqendrim patetik,” shkroi Mark Twain pasi pa këtë vepër në Galleria degli Uffizi, Firence

Venusi i Urbinos (1534) është një nga veprat më mbresëlënëse dhe me ndikimin më të madh në historinë e artit. Mjeshtrit e mëvonshëm të pikturës do frymëzoheshin prej saj, duke e pozicionuar modelen e tyre me të njëjtin qëndrim apo shtrirje, me krahun e djathtë të mbështetur mbi nënkresë, e me dorën e majtë duke prekur seksin e saj. Pavarësisht përpjekjeve të mëvonshme të figurave të shquara të artit si impresionisti Edouard Manet, apo edhe fotografi modernist amerikan Man Ray, nuk do arrinin dot t’i afroheshin madhështisë dhe sensualitetit, as me penel e as me aparat fotografik, kësaj pikture kaq pluskuese në mendjen dhe imagjinatën e shikuesit, e kaq joshëse e tunduese për çdo sy.

Një foto vlen sa një mijë fjalë, është shprehja e njohur gjerësisht, por kjo tablo e Tiziano Vecellio (1488-1576) i njohur shkurt si Ticiani, flet më shumë sesa një libër i tërë. Kjo pikturë shpërthen me ngrohtësi. Ngjyrat kryesore të saj janë jeshilja, e bardha, e kuqja dhe grija, të shoqëruara me një njollë blu të qiellit në plan të fundit. Ato e bëjnë trupin nudo të femrës të spikasë dhe të ngrohë vështrimin e shikuesit. E gjithë tabloja është e mbushur me detaje të cilat në fakt sfumohen nga mendja për shkak të yshtjes që ndjell trupi femëror. Në dorën e saj ajo ka një buqetë me lule, perdet dhe dysheku janë të shpalosura me imtësi, dyshemeja është e përshkruar me detaje të jashtëzakonshme, dhe ka çarçafë, mbulesa, sixhade, një qen, dy shërbëtore, një sënduk, një kolonë romake, një vazo me lule, një dritare, një pemë, një peizazh fshati, një perëndim dielli, të gjitha të trajtuara individualisht, por që së bashku harmonizohen në mënyrë të përsosur.

Në këtë tablo çdo gjë është e qetë, e rregullt dhe e ëmbël.

Venus do të thotë dashuri, por Ticiani nuk e titulloi kështu këtë vepër, emrin që ka sot ia dha Giorgio Vasari, biografi i shekullit të 16-të, dhjetë vite pasi përfundoi kjo tablo. Me shumë gjasa modelja ishte një kurtizane ose prostitutë. Sipas të dhënave, në Venecia, në vendin dhe kohën kur u pikturua kjo vepër, kishte 11,000 prostituta, e duke marrë në konsideratë popullatën e Venecias së asaj kohe, 170,000 banorë, raporti i prostitutave me meshkujt ishte 1 me 15. Një kurtizane ishte e klasit të lartë, e dalluar nga një meretrice (prostitutë e thjeshtë) dhe puttana (prostitutë rruge).

Kurtizanet kishin shtëpinë e tyre, e shpeshherë ishin të famshme. Sipas të dhënave sot njihen edhe disa prej emrave të tyre, si Lucrezia Scquarcia, Vienna Rizi Stellina, Lucia dagli Alberi, etj. Dhe ne sot, me mendjen e njeriut modern, duke imagjinuar jetën bohemiane të artistëve në përgjithësi, mendojnë se Ticiani ishte një artist i dhënë pas seksit, që flinte me modelet e tij, ose kishte ndonjë dashnore sekrete. Kjo është tërësisht e gabuar, pasi Ticiani ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë, dhe sipas letrave dhe rrëfimeve të bashkëkohësve të tij, ai ishte një bashkëshort i devotshëm ndaj të shoqes.

Kuptimi i gjithë tablosë mbetet i paqartë, pavarësisht shumë e shumë interpretimeve dhe spekulimeve të ndryshme që janë bërë për të ndër shekuj. Por, disa elementë të veprës janë të qarta, të ditura, dhe të kuptueshme. Është e pranuar që Venusi ishte një modele prostitutë pasi ishte traditë e kohës që artistët në Venecia e praktikonin për çdo vepër që krijonin. Madje dimë edhe që paguheshin dhjetë soldi. Disa elementë të tjerë ne i kuptojmë nga konteksti kulturor i kohës, por padyshim një pjesë e mirë e informacionit mbi veprën ende mbetet e mjegullt.

Dikush mund të pyesë, përse artistët nuk i shpjegojnë veprat e tyre? Përse nuk i bëjnë një përshkrim e të japin një informacion më të plotë për çfarë kanë krijuar? Në këtë mënyrë edhe shikuesi do e kuptojë më mirë veprën! Për çdo piktor, artist, muzikant, shkrimtar, apo krijues i çdo zhanri, këto do ishin pyetjet më të papërshtatshme. Nëse dëshironi ta inatosni një artist bëjini atë pyetjen e rëndomtë: çfarë ke dashur të shprehësh me këtë vepër? Provojeni e do shikoni vetullat e artistit apo artistes që ngrysen, ose në rastet e vetëpërmbajtjes do vëreni që ai apo ajo do flasë përçartë. Kjo ndodh pasi arti është një univers i tërë, ndaj nuk mund të përmblidhet në pak fjalë. A mund t’ia përshkruash dikujt aromën e trëndafilit? Edhe freskinë e erës apo ëmbëlsinë e cicërimave të zogjve nuk arrimë dot t’i përkufizojmë me fjalë, e jo më artin vetë.

Arti është komunikim personal me shikuesin, përmes imazhit, mesazhit dhe ndjesive. Dhe ndjesia e ngrohtë dhe e brishtë që përçon kjo vepër nuk mund të shpjegohet dot me fjalë. Ndaj ne, si në këtë vepër ashtu edhe në çdo vepër arti, duhet të përfshihemi, të kuptojmë, të ndiejmë, të përjetojmë magjinë që mbart. Ne udhëhiqemi nga elementët që na jep artisti, të cilat janë si një hartë e një thesari të fshehur, dhe shikuesi përjeton një përvojë të jashtëzakonshme, jo kur e gjen atë thesar, por gjatë udhëtimit për ta gjetur atë. Është një komunikim i bukur që e shuan konceptin e kohës, falë së cilit ne sot arrijmë ende të komunikojmë me artistin që jetoi pesë shekuj më parë.

Dhe çfarë na thotë Ticiani përmes kësaj vepre?

Tabloja ka një qendër. Po, qendra e veprës është pikërisht aty ku bie perdja në të majtë të pikturës. Në seksin e Venusit.

Ticiani e ka përdorur perden si një tabelë sinjalistike për ta çuar shikimin tonë në atë destinacionin. Perdja shkrihet butësisht me dorën e majtë të Venusit e cila prek fundbarkun e saj, me një prekje e cila është interpretuar herë si e dëlirë dhe e pafajshme e herë mëkatare. Perdja në të majtë shërben edhe për ta ndarë tablonë në dy plane. Ajo ndihmon shikuesin të dallojë erosin në figurën e Venusit dhe planin në sfond në të cilin shpaloset një moment i jetës së zakonshme.

Giorgio Vasari e pa personalisht këtë pikturë në koleksionin e Dukës në Urbino. Ai e përshkroi atë si «një Venus i ri që rri shtrirë në pëlhura të bukura dhe lule.” Në këtë vepër, mbulesat dhe tapiceritë janë po aq të rëndësishme sa edhe figura e femrës. Gjatë të gjithë karrierës së tij, rrobat e veshura nga gratë dhe ambienti që i rrethonin ato ishin po aq interesante për Ticianin sa edhe vetë figurat që pozonin. Ashtu si shumë bashkëkohës të tij, shpesh artisti i shihte femrat si stereotipa dhe i pikturonte me një qasje të atillë. Por femra në këtë vepër është ndryshe. Ajo mbart një dybotshmëri, mishore dhe frymore, ndaj edhe ajo vazhdon ta magjepsë njerëzimin edhe pesë shekuj më vonë.

Dokumentet e kohës e quajnë tablonë Venusi i Urbinos thjesht si donna nuda (grua lakuriq) dhe është vërtetë një portret i idealizuar i një kurtizaneje veneciane, por që tashmë është e maskuar nën titullin e respektuar të Venusit, një emër që i jep asaj një shkëlqim të marrë nga mitet e lashta dhe tek dija e epokave. Për të pikturuar trupin e saj Ticiani përdori nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë shtresa boje transparente. Ndaj trupi i saj është aq pulsues dhe flokët e saj aq të ngjashme me ujëvarat.

Skena e tablosë shpaloset brenda një pallati të madh, i llojit të kohës së Rilindjes, me vetëm një pjesë peme dhe disa reve që shihen përtej lozhës në anën e pasme. E rrethuar nga një mjedis bashkëkohor, gruaja qëndron e mbështetur në jastëkët e një shtrati të parregulluar. Ajo pret vëmendjen dhe ndihmën e shërbëtorëve të saj që shihen në sfond, njëra prej të cilëve mban një fustan të mëndafshtë mbi supet e saj, ndërsa tjera kërkon për veshje të tjera brenda në sënduk.

Megjithatë, në qendër të kësaj pikture nuk janë veshjet apo mjedisi por lakuriqësia befasuese e Venusit. E shtrirë e gjitha përpara shikuesit, trupi i gruas, koka dhe busti i të cilës janë theksuar edhe më shumë nga perdja jeshile dhe muri i errët pas saj, është pika referuese e erosit në artin perëndimor. E vetëdijshme për spektatorin mbi të cilin ajo ka fiksuar shikimin e saj enigmatik, ajo e paraqet trupin e saj me dëshirë dhe pa turp, për kënaqësinë e shikuesit. Nuancat e shumta të cekjeve të penelave, modifikimi i rritjes së ngjyrave dhe shpalosja delikate e dritës, të gjitha bashkohen për të formuar një ndjesi jete, që merr frymë brenda trupit të saj. Kjo figurë, ky trup i kësaj gruaje është një nga trupat më epshor në të gjithë historinë e artit perëndimor. E mbështjellë nga një atmosferë luksoze dhe e pikturuar me një ndjenjë të mahnitshme realizmi, Venusi me flokët e saj të shndritshme dhe që zbresin poshtë shpatullës e deri në barkun e saj të fryrë butësisht, vazhdon të mbajë të magjepsur shikuesin me pozën dhe sensualitetin e saj.

Atmosfera e veprës është si në një ëndërr, Venusi duket si perëndeshë e dashurisë, por në të nuk ka kupidë, siç ndodhte gjithmonë në veprat tradicionale të Venusit, e as një peizazh parajse. Në mungesë të këtyre elementëve tradicionalë, Ticiani na lë të kuptojmë se nuk bëhet fjalë për një figurë perëndeshe por për një femër reale. Dhe jo një femër e zakonshme, por një femër epshore. Kësisoj, shumë studiues kanë ngritur teza se vepra u porosit nga ndonjë klient i pasur që viziton prostitutën e tij.

Por vepra përmban edhe elementë të një jete martesore ose të paktën një lidhje dashurore. Shikimi i saj është sa joshës aq edhe i kthjellët, dhe trëndafilat e kuq që mban në dorë janë simbol romance dhe dashurie, sikurse edhe vazoja me lule mërsinë që njihej si simbol i ndjenjave midis një çifti, pasi është një bimë që lulëzon gjithmonë në çdo ditë të vitit. Në të shohim edhe një kone, që në atë kohë simbolizonte dëshirat trupore, por gjithashtu, siç ndodh edhe sot, simbolizon besnikëri. Dhe po i njëjti qen është pikturuar edhe tek një tablo që Ticiani i bëri portretit të nënës së Dukës. Qeni nuk po leh, përkundrazi është i shtrirë dhe i rehatuar, që na lë të kuptojmë se njeriu që femra po shikon është i njohur për të, e jo një i huaj.

Mund të ishte edhe një bashkëshort. Ndaj vepra, mund të mos jetë thjesht një histori prostitute, e as një bashkëshorteje, por një ide, një ideal i dashurisë.

“La pittura è propria poesia, cioè invenzione,” (Piktura është poezi, domethënë shpikje), tha Paolo Pino, artisti dhe shkrimtari venedikas i shekullit të 16-të, ndaj edhe kjo tablo duhet parë si e tillë.  Kjo nudo përbën një hap përpara në krahasim me ikonografinë e deriatëhershme. Ajo shpaloset si një sensualitet fërgëllues: shtrirë përmbi një shtrat, hyjnesha ia ngul sytë me ngashënjim shikuesit. Konia e kruspulluar dhe shërbyeset në sfond e përforcojnë mbresën e jetës së përditshme, që e bën edhe më të pranishme vashën lozonjare. Për shumë prej nesh sot, kjo pamje e bukur dhe sensuale mund ta ketë humbur disi ngarkesën erotike, por pesë shekuj më parë ajo ishte me të vërtetë befasuese.

Komenti tipik mbi sensualitetin e veprës përmblidhet në letrën e një miku të Ticianit, i cili i shkroi kështu një sundimtari venedikas: “Ju betohem, zotëri, se nuk ka njeri me sy e me mend, i cili, duke e parë Venusin e Ticianit, nuk e beson që s’është e gjallë; nuk ka askush që është ftohur nga vitet, apo është ngurtësuar prej moshës, të mos ndiejë ngrohtësinë, butësinë, dhe vlimin e gjakut në venat e saj.”

Si një tablo poetike, ajo ka disa defekte realizmi në trupin e Venusit. Shikoni me kujdes kokën. Në raport me trupin, supet dhe gjatësinë, është shumë e vogël. Shikoni tani edhe këmbët, janë aq të vogla sa që Venusit sot do i duhej të vishte këpucë apo sandale të një fëmije 6 vjeçare. Edhe gjoksi i saj është shumë i vogël, ndërkohë që barkun e ka të fryrë. A nuk e njihte mirë Ticiani vizatimin? A nuk e njihte mirë anatominë? Përse vërehen gabime kaq trashanike dhe të pafalshme për një mjeshtër si ai?

Por, nuk janë gabime, është vetëm një dredhi optike, një eksperiment që Ticiani përdor për të hipnotizuar shikuesit. Kur shohim tablonë, qendra e vështrimit është tek seksi i Venusit, e cila është pjesa e vetme e vizatuar në proporcion, dhe teksa përqendrohemi aty, ajo pikë e cila duket sikur del nga tabloja e prek hundën e shikuesit, krijon një hapësirë sferike që shpërndahet nga koka dhe këmbët e bashkohet tek peizazhi jashtë lozhës. Në këtë mënyrë Ticiani e ka bërë veprën tre dimensionale e me plane vështrimi për të shpalosur thellësinë. 

Ticiani ishte piktor por më herët në jetën e tij kishte punuar edhe si skulptor, ndaj krijimi i pamjes tre dimensionale ishte i rëndësishëm për të.

Ideja për të ofruar pikëpamje të shumëfishta të figurës ishte një element i Rilindjes dhe shërbente si paragon midis pikturës dhe skulpturës. Që në fillim të karrierës së tij Titiani kishte sfiduar artin e skulpturës, duke shpikur reliefin all’antica edhe në pikturë.  Gjithashtu, skulpturat greko-romake luanin një rol të rëndësishëm tek artistët firorentinë dhe venedikas, ndaj edhe gjinjtë e vegjël dhe barku i fryrë i Venusit ngjasojnë me statujat greko-romake, të cilat ishin edhe frymëzimi i Rilindjes. Referencat antike që dallojmë në këtë vepër janë një shembull i interesimit të tij në artin e antikitetit klasik, të cilin ai e shihte si një burim të pashtershëm për motive dhe frymëzime. Megjithatë, ai kurrë nuk e kopjoi me fanatizëm artin antik; përkundrazi, ai e transformoi atë që huazonte për qëllimet e veta artistike.

E gjithë figura e Venusit duket si një poezi pasioni. Forma e saj e përgjithshme ngjason me një gjethe. Ajo qëndron e shtrirë sikur të ishte një gjethe që pluskon mbi ujë. Aq e lehtë, aq e butë, dhe aq përndezëse. Një qenie dybotëshe. Gjysmë prej mishi e gjysmë perëndeshe.

Ajo kurrë nuk e humbi fuqinë e saj për t’i tronditur njerëzit. Rreth vitit 1880, shkrimtari Mark Twain shkoi për ta parë në Galerinë Uffizi në Firence, dhe ja si u shpreh ai:

Dhe atje e varur në mur, pa asnjë leckë apo gjethe për t’u mbuluar, ju mund të shikoni pikturën më të pisët, më të turpshmen, dhe më të pahijshmen që ka bota – Venusi i Ticianit. Nuk është se ajo është e zhveshur dhe e shtrirë në shtrat – jo, është qëndrimi i një prej krahëve dhe i dorës së saj. Nëse do përpiqesha ta përshkruaja atë qëndrim, do të ishte një piskamë e shkëlqyer – por aty Venusi qëndron e shtrirë, për të kënaqur gjithkënd, dhe është e drejta e saj që të qëndrojë e shtrirë, sepse ajo është një vepër arti, dhe arti ka privilegjet e veta.

Ticiani lindi rreth vitit 1488 në Pieve di Cadore. Ai la fshatin e tij të lindjes që në djalëri për të shkuar në Venecia, ku studioi nën Sebastiano Zuccato, Gentile dhe Giovanni Bellini, dhe në vitin 1508 punoi si ndihmës i Giorgione. Më pas, ai punoi në Padova dhe vetëm pas vdekjes së Giorgione dhe Bellini u hap rruga për të në Venecia. Ai u shpall piktori zyrtar i Republikës. Ai gjithashtu hodhi themelet e pozicionit të tij në jetën qytetare dhe u bë figura kryesore në botën e pikturës italiane.

Reputacioni i Ticianit ishte i jashtëzakonshëm, por takimi me perandorin Charles V në dimrin e vitit 1532/33, çoi në emërimin e tij si piktor i perandorit, dhe i dha atij një gradë edhe më të pazakontë në botën e artit ndërkombëtar. Gjatë jetës së tij të gjatë, e cila mendohet se zgjati nëntëdhjetë e nëntë vjet, ai u ngjit në një kulm lavdie thuajse të krahasueshëm me Michelangelo. Thuhet se Perandori Charles V, në shenjë nderimi për të kishte marrë e ruajtur një penel që Ticiani e kishte flakur. Kjo ishte një shenjë përulje para madhështisë së gjeniut. Por, mjeshtri i madh, e huazoi këtë kompozim të Venusit nga një version i mëparshëm i kolegut të tij Giorgione, i cili, dekada më herët kishte pikturuar tablonë Venusi i Fjetur, i njohur edhe si Venusi i Dresden (1510).

Por, Venusi i Giorgione dallon nga vepra e Ticianit. Edhe pse mendohet se ishte vetë Ticiani që e përfundoi edhe tablonë e Giornione, ajo ka elementë të ndryshëm nga Venusi i Urbinos. Kur punoi si asistenti i tij, Ticiani mësoi aq shumë nga Giorgione sa historianët e artit e kanë të pamundur të dallojnë dorën e njërit apo tjetrit. Për një kohë të caktuar ai e imitoi aq shumë Giorgione sa pikturat e tij merreshin ndonjëherë për ato të mjeshtrit. Ticiani e adaptoi me drojë qëndrimin e Giorgione ndaj dritës dhe hijes, megjithatë, pavarësisht sa i varur mund të kishte qenë Ticiani, ai gjithmonë e ruajti pavarësinë e tij në pikturë. Dhe kjo vërehet midis dy Venuseve.

Venusi i Giorgione është shtrirë në natyrë, duke ruajtur kështu motivin tradicional ndërsa Ticiani e lidh hyjninë me jetën e përditshme në dhomën e një zonje; Giorgione e lidh siluetën e pemës dhe tokës, vijën e peizazhit në të majtë, me linjat e supit, gjoksit, krahut dhe dorës që prek seksin, duke shpalosur burimin dhe esencën e natyrës, ndërsa Venusi i Ticianit është një femër e vërtetë që preket e të ysht si një hyjni e mëkatshme, e cila mban një buqetë tunduese me trëndafila dhe derdh flokët shkujdesshëm. Dhe dallimi kryesor midis tyre është tek vështrimi. Venusi i Ticianit e vështron drejt e në sy shikuesin, aktive dhe me vetëdije të plotë ajo është tejet ftuese, ndërsa ai i Dresden ka sytë e mbyllur dhe është një figurë pasive e pavetëdijshme.

Veprat e Ticianit u frymëzuan nga arti i Raphael dhe Michelangelo. Kur vizitoi Romën në vitin 1545, Ticiani u impresionua aq shumë nga Moisiu i Michelangelo dhe nga vepra e tij La Pieta, sa që i kujtoi ato deri në fund të jetës së tij. Por, pavarësisht ndikimit të tyre, Ticiani mbeti gjithmonë vetja, i patrembur nga madhështia e atyre mjeshtërve. Ai u bë inxhinier i ngjyrës, dhe krijues i një emocioni të rrallë në art.

Gjatë viteve të fundit të jetë së tij, ai madje nuk përdorte më penela, por bojën e hidhte drejt e me gishta. Ticiani zë vendin e parë në shkollën venedikase, dhe padyshim vepra e tij, Venusi i Urbinos, zë vendin e parë në bukurinë e figurës femërore në historinë e artit botëror.

Rama: Përditësimi i Fjalorit të madh të shqipes, në konsultim shumë të gjerë publik

Kryeministri Edi Rama njoftoi prezantimin publikisht të draftit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, gjatë fjalës sot në Kuvendin…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Rama: Përditësimi i Fjalorit të madh të shqipes, në konsultim shumë të gjerë publik

Kryeministri Edi Rama njoftoi prezantimin publikisht të draftit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, gjatë fjalës sot në Kuvendin…