“Qazim Bej Mulleti, i vërteti !”

Reportazh Nderimi për Rivarrimin në Shqipëri të ish-Prefektit të Tiranës, Qazim Bej Mulleti.


Nga Dash Frashëri

Pas fiks 67 vjetësh, qysh kur Qazim Bej Mulleti ndërroi jetë në Itali (në Vicolo delle Grotte, pranë Romës), më 28 gusht 1956 – kur ai ishte 63 vjeç – ish-Kryebashkiaku dhe ish-Prefekti i Tiranës, u rivarros me nderime, dje më 28 gusht 2023, në varrezat e Tufinës në kryeqytet, për t’u prehur përjetësisht në tokën amë.

Me kontributin e jashtëzakonshëm të Shoqatës “Tirana” dhe impenjimin maksimal të Arben Tafajt dhe Shkëlqim Hajdarit, familja e madhe tiranase Mulleti, me në krye nipin e Qazimit, Tanush Mulletin, përmbush një amanet të shenjtë, për të sjellë eshtrat e shtetarit të shquar dhe poliglotit, Qazim Bej Mulleti, një prej figurave më komplekse në Shqipëri, njëherësh edhe prefekti më i famshëm në historinë 111-vjeçare të shtetit shqiptar, qysh nga 1912.

Në këtë ditë simbolike, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991 hapi dosjen e ish-Sigurimit dhe zbulon se Qazim Mulleti, në kohën kur ishte Prefekt i Tiranës, ndihmoi familje të internuara dhe sipas shkresave të fashistëve ka bashkëpunuar me Myslym Pezën.

Por, kush ishte Qazim Bej Mulleti, i shndërruar në një figurë mitike dhe popullore?

Qazim Mulleti, u lind 20 dhjetor 1893, në lagjen “Sulejman Pasha”, sot tek Pazari i Ri. Mësimet e para i mori në Manastir (sot i përket Maqedonisë së Veriut, qyteti quhet Bitola), vazhdoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, në Greqi, atje ku mësuan edhe Vëllezërit Frashëri (Avdyli, Naimi dhe Samiu) dhe kreu studimet e larta në liceun “Gallatasaraj” të Stambollit, të cilat e mbylli me medalje ari.

Poliglot – dinte turqisht, osmanissht, arabisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, latinisht, serbo-kroatisht dhe greqisht – Qazim Mulleti ishte njeriu perfekt për të drejtuar kryeqytetin, në periudhën më të vështirë: si kryebashkiak (1939-1940) dhe si prefekt (1942-1944)

Flamurtar dhe firmëtar i aktit të Pavarësisë, kur ai ishte 19 vjeç, mik me emrat më të rëndësishëm të Shqipërisë së asaj kohe, të tillë si Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, Dom Lazër Shantoja, Eqerem Vlora, Dom Frano Karma, Qazim Kondi, etj,

Pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës (1920), i konsideruar si kongresi më i rëndësishëm i gjithë historisë së Shqipërisë, ku edhe u vendos që Tirana të shpallej kryeqytet (një shtëpi e Mulletëve u bë selia e Ministrisa së parë të Bujqësisë).

Në qeverinë e Fan Nolit shërbeu si prefekt në Dibër. Mbas dështimit të qeverisë së Lëvizjes së qershorit, largohet nga Shqipëria në 1924, për t’u rikthyer 15 vjet më pas, në 1939. Me kërkesën e qytetarëve të Tiranës zgjidhet Kryetar Bashkie i Tiranës.

Qazim Bej Mulleti, i cili ishte specializuar për diplomaci ushtarake në Vjenë, solli modelin perfekt në administrimin kryeqytetit.

Gjatë kohës së drejtimit të Qazim Mulletit në Tiranë sundonte stabiliteti, rregulli, siguria, dhe tregtia vazhdonte normalisht punën, duke përjashtuar rastet sporadike. Në atë periudhë në Tiranë u zhvilluan ndërtime të reja, si rrugë, ujësjellës, që i dhanë Tiranës fizionominë e një qyteti perëndimor. Në arkiva dokumentohet dhe ndihma që u ka dhënë hebrenjve gjatë luftës, duke i pajisur dhe me dokumentet lehtësuese përkatëse, në bazë të marrëveshjes ndërmjet Regjencës dhe përfaqësuesit gjerman të Europës Juglindore, Nuenbaher.

Kur ishte në Vjenë, pikërisht në vitin 1929, Qazimi martohet me Hajrie Kusin, me të cilën pati vetëm një djalë. Reshiti, bashkë me të ëmën, Hajrien, vuajtën për 45 vjet në kampet e përqendrimit të Tepelenës, Savrës, Gradishtit, Porto Palermos, etj. Zj.Hajrie vdiq në vitin 1980, kur ishte në kampin e përqendrimit në Savër të Lushnjës. Reshit Qazim Mulleti, djali i vetëm i Qazim Mulletit, e kaloi të gjithë jetën në internim. Reshiti vuajti nga fëmijëria e deri në plakje. Hyri fëmijë në internim e doli plak. Nga idhnia nuk arriti kurrë të krijoi familje. Reshiti vdiq në vitin, ditën që hyri në shtëpinë e tij.

Reshit Qazim Mulleti

Familja e Qazim Mulletit vuajti persekutimin e përndjekjen më të egër nga regjimi komunist vetëm për shkak të bindjeve dhe idealeve të tyre të lirisë e besimit.

KTHIMI I ESHTRAVE

Tanush Mulleti, nipi i Qazim Mulletit, shprehu falënderim për të gjithë bashkëpunëtorët që ndihmuan më mbërritjen e eshtrave të Qazim Mulletit.

“U bashkua ideja e Lef Nosit, Mustafa Krujës, Koliqit. Jam shumë i gëzuar, vuajtëm, por ia arritëm kësaj ditë. Shqipëria do të shkojë në Europë. Do të jetë më e fortë bashkë me Kosovës. Fëmijët e mi do të shohin Europën e bashkuar. Treni ka hipur në shinat e NATO-s. Kemi një jetë që e presim këtë moment”, ka thënë ai.

Juristi, Shkëlqim Hajdari, i cili ka qenë koordinator i procesit për kthimin e eshtrave të tij,  i pranishëm Portin e Durrësit për të pritur arkëmortin me eshtrat e ish-Prefektit të Tiranës, Qazim Mulletit u shpreh se për të mbërritur deri tek kjo ditë rruga nuk ka qenë e lehtë, por fatmirësisht u realizua. Gjithashtu ai theksoi se Qazim Mulleti ishte një figurë e madhe.

“I jemi bashkangjitur vullnetit të familjes Mulletit për të ndihmuar sadopak, ka qenë jo e lehtë, por sot kemi arritur këtë ditë. Është një ditë e lumtur për familjen në radhë të parë, por për të gjithë komunitetin. Shqiptarët nga sot do të kuptojnë që Qazim Mulleti ishte një figurë e madhe, patriotare, i gjithë komuniteti i Tiranës dhe të gjithë shqiptarët do të kenë një ditë të gëzuar për to”, tha ai.

Stërnipi i Qazmit, Njuton Mulleti tha se stërgjyshi i tij është vendosur pranë figurës së Fan Nolit, duke qenë fanolist dhe kundër Mbretir Zog.

Mbesa e Qazim Mulletit, Pranvera, në një intervistë për “News24” u shpreh mirënjohëse, ndërsa tregoi edhe për vështirësitë e asaj kohë për shkak të regjimit.

“Ishte një detyrim familjar, por besoj se është edhe shoqëror. Jam një përfaqësuese e familjes, i jemi mirënjohës të gjithëve. E kemi ditur që jetonte në Romë, por komunikimi me familjen ka qenë i dhunshëm. Nënë e bir u internuan në kampin e Tepelenës. Tregonte për një dhimbje të pakrahasueshme, për hapjen e 300 varreve. Kur u largua e gjithë Europa ka qenë në luftë, nuk kishte ku të merrte familjen. Letra e familjarëve tonë si të xhaxhait, na vinin në adresë me emra të tjerë, miqsh italianë. E ka ndihmuar familjen me pako, me ushqime, por ai vdiq në moshën 63-vjeçare dhe familja i mbeti në internim gjithë jetën”.

SIMPOZIUMI SHKENCOR

Akademikë, intelektualë, historianë, figura të njohura të Tiranës dhe familjarë u mblodhën në një simpoziumin shkencor, të organizuar nga Akademia e Shkencave Shqiptare në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës në nder të personalitetit Qazim Mulleti, i persekutuar në mënyrë të egër dhe i baltosur nga regjimi komunist.

Kreu i shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj, e nderoi Qazim Mulletin me titullin “Fisnikëria tiranase”, për meritat e veçanta në formimin e shtetit modern shqiptar dhe në ndërtimin e Tiranës bashkëkohore.

“Rehabilitimi i një figure historike -mjaft të debatuar, por, sidomos, shumë të denigruar, në një mënyrë të pamerituar- si ajo e Qazim Bej Mulletit, do të shënonte pikën e kthesës se shoqerise tone, per tu shkeputur nga mendesia e denigrimit te kundershtarit politik deri ne shkaterrim te plote moral, fizik dhe familjar. Kur them rehabilitim i figurës historike, nuk kam parasysh vetëm kthimin e eshtrave në atdhe – ky nuk është rehabilitim por ‘riatdhesim’ – por kam parasysh fillimin e një procesi të rivlerësimit të figurës historike për të nxjerrë në pah të gjitha kontributet e saj, dhe për t’i parë qëndrimet politike në një periudhë të caktuar historike në dritën e fakteve reale dhe sidomos të qëllimit të mbajtjes së këtij qëndrimi”, tha Tafaj.

“Sot jemi në kohën e inteligjencës artificiale. Me algoritmin me të thjeshtë të kësaj inteligjencë, futeni identitetin e Qazim Mulletit, njeri qytetar, patriot, atdhetar, akademik, i kulturuar, futini dhe të jeni i sigurt që është i pari që kalon provimin për të qenë parlamentar i parlamentit shqiptar, dhe përfytyroni sa larg, disa prej të cilëve janë me vite dritë larg nga figura e ndritur e Qazim Mulletit”, u shpreh Bamir Topi.

Figura e Qazim Mulletit u vlerësua edhe nga regjisori e aktori i njohur, Bujar Kapexhiu, i cili tha se me sjelljen e eshtrave të tij në atdhe akrepat e sahatit nisën të lëvizin për zbardhjen e të vërtetave të atij regjimi të egër.

“Fatmirësisht po ndodh kthesa e madhe ku t’u tregohet e gjithë njerëzve e vërteta. Sigurisht do të duhet kohë, për t’u vënë në vend siç e meriton vlera e vërtetë e kësaj figure patriotike e historike. Akrepat e sahatit nisin të lëvizin, koha është për ne”, tha ndër të tjera Bujar Kapexhiu.

Në këtë përkujtim ishin edhe familjarë të ish-Prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti. Të afërmit e tij, Fatbardha e Tanush Mulleti, thanë se ai luftoi për bashkimin kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Uroj që shqiptarët të mos i provojnë më këto gjëra. Është e tmerrshme të ndash një popull të ndash familje dhe t’i gënjesh”, ka thënë ndër të tjera mbesa e Qazim Mulletit.

HOMAZHET

Në përvjetorin e 67-të të vdekjes, pas riatdhesimit të eshtrave nga Italia, u mbajt ceremonia mortore për ish-prefektin e Tiranës Qazim Mulletin. Nderimi nisi pranë rrugës së Dibrës, te Funerali “Alba 2000”, me të pranishëm të afërmit e tij, qytetarë të Tiranës, ish-të përndjekur nga regjimi komunist dhe politikanë.

Si botues i gazetës online “Tirana Diplomat” e ndoqa thuajse të gjithë ceremoninë e rivarrimit të Qazim Bej Mulletit.

 

Ngushëllimet e mia ja bëra nipit të tij, Tanush Mulletit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha teksa mori pjesë në homazhet për ish – prefektin e Tiranës, Qazim Mulleti, eshtrat e të cilit u sollën në atdhe kërkoi ndjesë në emër të PD, që nuk kanë mundur të nderojnë figura të tilla politike.

Në një komunikim për gazetarët, Basha vlerësoi Qazim Mulletin, ndërsa theksoi se propaganda komuniste njollosi figurën e tij. Ai tha se angazhimi i PD është që historia të tregohet me objektivitet dhe jo me arkivat e propagandës komuniste.

Edhe Kryetari i Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi, vendosi një kurorë dhe bëri homazhe.

FALJA E NAMAZIT TË XHENAZES

Nën tingujt funebër të bandës muzikore, arkëmorti me eshtrat e Qazim Bej Mulletit, u drejtua në orën 13:00 të ditës së hënë, në xhaminë e “Kokonozit”, Pazari i Ri u fal namazi i xhenazes së të ndjerit. Namazi u udhëhoq nga Myftiu Lauren Luli.

Mediat e percollën gjërëisht ceremoninë edhe me lidhje “live”.

Varrimi u bë në varrezat e Tufinës. Atje ku do të prehet përgjithmonë!

Qoftë kujtimi i Qazim Mulletit një bekim për të gjithë shqiptarët!

__________________________________________________
Tiranë, më 29 gusht 2023

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…