535-vjetori i “Hora e Arbëreshëvet”, gjashtë shekuj “Piana degli Albanesi”
Grupe shqiptarësh u larguan nga atdheu i tyre për në Itali, duke themeluar më 30 gusht 1488 “Piana degli Albanesi”
Nga Dr. Bledar Kurti
Sot shënohet 535-vjetori i “Hora e Arbëreshëvet”.
Prijës të Gjergj Kastriotit u shpërngulën në Itali përpara pushtimit otoman por pjesa më e madhe e tyre u shpërngul në Jug të Italisë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit në vitin 1468, rënies së Krujës në vitin 1478 dhe Shkodrës 1479.
Për shkak të pushtimit nga osmanët, grupe të tjera shqiptarësh u larguan nga atdheu i tyre përmes detit Adriatik për në Itali duke themeluar më 30 gusht 1488 “Piana degli Albanesi” siç thuhet nga arbëreshët “Hora e Arbëreshëvet”.
Ruajtja e gjuhës, besimit, traditës, riteve, kostumeve, këngëve etj, i Arbëreshëve prej afro 6 shekujsh është rast unik jo vetëm në Evropë por në mbarë botën.
Prej 6 shekujsh Arbëreshët kanë ruajtur brez pas brezi identitetin e Arbërit, dhe sot mrekullohesh kur dëgjon fëmijë që flasin gjuhën e Gjergj Kastriotit dhe praktikojnë zakonet e kohës së Heroit tonë Kombëtar.
Për 4 shekuj, nën pushtimin otoman, figura e Gjergj Kastriotit u shua nga kujtesa kombëtare, dhe ishin Arbëreshët ata që e rikthyen figurën e tij në Shqipëri, si simboli i bashkimit konbëtar dhe frymëzuesi drejt rrugës për pavarësi.
Në mesim e shekullit të 19-të Shqipëria eci përpara në rrugëtimin e saj për pavarësi dhe shtet-formim, falë kontributit të çmuar të figurave patriotike arbëreshe.
Projekti i parë i Rilindjes Shqiptare, një projekt thellësisht evropian, u formulua nga figurat e komunitetit arbëresh si Jeronim De Rada, Gavril Dara, Zef Serembe, Antonio Gramshi, e shumë të tjerë, të cilët ndihmuan në finalizimin e atij projekti: zgjimi i një populli dhe pavarësia e një kombi.
Arbëreshët kanë ruajtur shumë elemente etnike të kulturës së saj shqiptare, veçantitë e saj kulturore, gjuhësore, fetare (gjuhën, ritin bizantin, veshjet tradicionale, zakonet, muzikën, folklorin).
Ekzistojnë rreth 800 veshje tradicionale vetëm në Horën e Arbëreshëvet.
Në ditë festash arbëreshët organizojnë parada dhe varin në ballokone qilima disa shekullor, të endur me tezgjah, të trashëguara brez pas brezi në çdo familje. Si motiv ato kanë shqiponjën dykrenare, por edhe lule të kuqe që simbolizojnë ngjyrën e flamurit, si në rastin e Kalabrisë, ku në qilima figuron lulja Geranium Imperial, e cila rritet masivisht në kodrinat e lëndinat e zonës.
Ushqimet tradicionale janë një karakteristikë e veçantë, si kulaçi dhe buka pa maja, mënyra e ngjyrosjes në vezëve të pashkës përmes zierjes në kazan të rrënjëve të kuqe, ndërsa kërcimet dhe këngët përçojnë emocione mallëngjyese për largimin nga atdheu dhe mallin për vendlindjen e tyre, si për shembull kënga për Morenë, vendin e tyre që tashmë e kishin lënë shumë larg.
“Mori e bukura More
Si të le e më së të pë!
Atje kam zotin tatë,
atje kam zonjën mëmë,
atje kam edhe tim vëlla:
Gjithë të mbuluar në dhe!”
Komunitetet Arbëreshe ndodhen jo vetëm në Itali, por edhe në Argjentinë, Gjermani, Francë, ShBA, Kanada, Greqi, Australi, etj, ku me krenari ata vazhdojnë të ruajnë prej shekujsh identitetin arbëresh.
Siç thuhet edhe në këtë këngë arbëreshe:
“O zë i ngrohtë i vendit tim.
O dritë e syve të mi.
Ne jemi bijtë e Kastriotit.
Ne u përkasim dheut të shenjtë.”
Sa e mrekullueshme është kjo!
Sa krenari për ne!
Gjak i shprishur, por një