Euro 2024, Cikalleshi: Kualifikohemi në Europian nëse luajmë si një trup i vetëm
Kombëtarja shqiptare nis zyrtarisht sot përgatitjet dhe stërvitjet në kuadër të dy ndeshjeve ndaj Republikës Çeke dhe Polonisë
Kombëtarja shqiptare nis zyrtarisht sot përgatitjet dhe stërvitjet në kuadër të dy ndeshjeve ndaj Republikës Çeke dhe Polonisë, të vlefshme për Kampionatin Evropian “Gjermani 2024”.
Në konferencën për mediat kanë dalë këtë të hënë sulmuesi Sokol Cikalleshi dhe mesfushori Nedim Bajrami, të cilët kanë folur për dy sfidat e rëndësishme që kuqezinjtë do të luajnë fillimisht ndaj çekëve në Pragë më 7 shtator ndërsa tre ditë më vonë ndaj Polonisë më 10 shtator në stadiumin ‘Air Albania’.
Sulmuesi Sokol Cikalleshi premtoi se, Kombëtarja shqiptare do të japë maksimumin në këto dy ndeshje deçizive për kuqezinjtë ndaj Çekisë dhe Polonisë, ndërsa u shpreh se ëndrra e tij është që të arrijë sërish kualifikimin në finalet e një Europiani me Shqipërinë. Bomberi shqiptar komentoi situatën e mirë që po kalojnë të gjithë lojtarët e Kombëtares në klubet respektive, ndërsa foli edhe për fillimin e tij të mbarë në kampionatin turk me Koniasporin.
“Mendoj se ky grumbullim është ndër grumbullimet më të rëndësishme të Kombëtares gjatë gjithë këtyre viteve. Janë dy ndeshje që duhet të jemi shumë të fokusuar dhe angazhimi duhet të jetë maksimal. Për mua është kënaqësi e dyfishtë sepse e kam përjetuar një Evropian dhe nëse do të përjetoj për herë të dytë, karriera me Kombëtaren do të kishte një kuptim tjetër. Shpresoj që si unë, ashtu edhe lojtarët e tjerë që e kanë arritur në 2016, të mundohemi të bëjmë diçka më shumë jashtë fushe për të dhënë mesazhin e duhur te grupi, që fokusimi dhe dhe angazhim të jetë maksimal”, tha ai.
“Jemi në fillim sezoni dhe të gjithë sulmuesit e kanë nisur mirë me gola. Kemi bërë detyrën dhe kemi marrë benefitet e asaj pune që kemi bërë gjatë fazave përgatitore. Për të pasur sukses duhet të funksionojnë të gjitha repartet dhe besoj që me përgatitjet që do bëjmë këto ditë, do bëjmë maksimumin që edhe në fushën e lojës në këto dy ndeshje, si sulmuesit, por edhe lojtarët e reparteve të tjera të japin maksimumin për të arritur fitoren dhe rezultatet pozitive në këto dy ndeshje. Vetëm duke dhënë 100% tonë, besoj se mund të arrijmë ato rezultate”, u shpreh Cikalleshi.
“Ndihem mirë në Turqi. Është viti i 8-të. Është më e lehtë për mua, e kuptoj mirë ligën dhe kampionatin turk. Punoj çdo ditë me të njëjtin seriozitet dhe benefitet po i marr në fushën e lojës. Nuk duhet të ngutem të them që do të jetë viti im. E kam nisur mirë, por për të mbajtur vazhdimësinë është akoma dhe më e vështirë. Duhet të punoj akoma dhe më shumë. Nëse do kënaqem me fillimin e mbarë në Turqi, është gabim”, theksoi ai.
I pyetur për dy ndeshjet e radhës, Cikalleshi tha se, “janë deçizive. Më e mira do të ishte të shënonim sa më shumë dhe të merrnim tre pikët dhe të ktheheshim të gjithë të gëzuar. Por nuk është kaq e lehtë sepse Çekia është një ekip shumë i mirë, që ka eksperiencë në Evropë. Nuk do të jetë e lehtë dhe për këtë arsye angazhimi duhet të jetë maksimal. Në grumbullimin që kaloi, ne thjesht bëmë detyrat e shtëpisë. Ishin dy ekipe nën nivelin tonë, por nuk duhet të kënaqemi nga kjo arritje. Kjo është java që do të dalin burrat në shesh, duke nisur nga ne në fushën e lojës. Kemi nevojë për mbështetjen tuaj dhe të tifozëve. Si një trup i vetëm, ia dalim të plotësojmë ëndrrën që ne kemi. Të kualifikohemi në Evropian. Mendoj se do të vuajmë shumë për të marrë rezultat pozitiv. Por jemi gati për këto dy sfida. Jemi në një moment të mirë. Fusha e lojës do ta tregojë. Angazhimi dhe shpirti në fushë nga ana jonë do të jetë maksimal, jua siguroj”.
Për golat ndaj Çekisë dhe Polonisë në të shkuarën, Cikalleshi theksoi se, “goli që i kam shënuar Çekisë është një nga golat më të bukur të karrierës. Të përsëris diçka të tillë, do të ishte kënaqësi për mua. Ishte thjesht një miqësore. Nuk duhet të mbetem tek e shkuara. I kam shënuar edhe Çekisë, edhe Polonisë. Por Çekia ishte miqësore dhe goli ndaj Polonisë nuk kishte vlerë sepse u mundëm. Do preferoja, nëse unë apo dikush tjetër të shënojë gjysmë goli dhe të merrnim tre pikët, do ishte shumë me vlerë”.
I pyetur se sa i gatshëm është ekipi për këto dy sfida, ai u shpreh se, “janë pak ditë nga ndeshja e parë. Por mendoj që lojtarin e bën klubi dhe stërvitja që bën çdo ditë në klub. Të gjithë lojtarët janë të gatshëm dhe edhe pse kemi pak ditë me Kombëtaren, filozofinë e trajnerit e kemi marrë 100% thuajse. E kemi kuptuar se çfarë do nga ne. Kemi një stil loje që po e aplikojmë nga dita e parë deri tani. Besoj që edhe pse janë pak ditë, e dimë se çfarë kërkon trajneri. Thjesht duhet ta aplikojmë në fushë”.
Sa i përket motivimit për këto kualifikuese, Cikalleshi nënvizoi se, “nuk jemi Kombëtare që e arrijmë Botërorin çdo 2-4 vite. Tashmë kemi mundësinë të realizojmë një ëndërr për ne, për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Ky është frymëzimi më i mirë. kemi arritur vetëm njëherë, kemi mundësi ta bëjmë sërish. Këto dy ndeshje janë më të rëndësishmet. Nuk dua të flas vetëm për ëndrrën për t’u kualifikuar. Mund të hapë punë ndeshja që është me Ishujt Faroe apo Moldavinë më vonë. Por duke qenë se ne kemi një objektiv të qartë, që ne duhet të kualifikohemi, atëherë ne duhet të nisim që nga ndeshja me Çekinë dhe të harrojmë ndeshjet e tjera. Në ndeshjen me Çekinë duhet të futemi për të marrë rezultatin maksimal, për të marrë 3 pikët. Nëse nuk e arrijmë atë gjë, atëherë, duhet të mos dalim të humbur”.