“Pranvera” e Sandro Botticelli, poezia e artit

Me krijesa gjysmë hyjnore e gjysmë njerëzore, që duken si njerëz por që sfidojnë gravitetin


Nga Dr. Bledar Kurti

Arti e ka shoqëruar njeriun që në ditën e tij të parë. Madje arti lindi bashkë me njeriun, dhe me të zbuluar aftësinë e tij për të krijuar, qoftë kjo për të imituar natyrën apo për të prodhuar imazhe përtej natyrës, njeriu artist zhvilloi edhe aftësinë e tij për të sfiduar kohën dhe hapësirën, duke përmbledhur brenda një krijimi, tabloje, skene, apo momenti artistik, të tre aspektet e kohës: të shkuarën, të tashmen, dhe të ardhmen. Ndaj do ishte e gabuar që një artist të etiketohej vetëm si krijues figurash, i shkëputur nga historia, qytetërimi, filozofia, letërsia, shkenca, novacioni, anatomia, gjeologjia, bimësia, etj., me fjalë të tjera nga të gjithë fushat e jetës, të shtyra nga përvoja e së kaluarës por të nxitura nga sfidat e së ardhmes.

Duke mos qenë i kufizuar nga koncepti i kohës, artisti krijon duke ilustruar atë që bota ka lënë pas krahëve por duke sjellë risi e duke dhënë një mesazh për epokat e së ardhmes. Dhe tabloja Pranvera (1482) e Sandro Botticelli (1445–1510) është piketa më e rëndësishme në epokën e re të qytetërimit perëndimor, e cila mori hovin e saj kontinental e më pas botëror me Rilindjen, periudhën e zjarrtë kulturore, artistike, politike dhe ekonomike, e përshkruar përgjithësisht nga shekulli 14-të deri në shekullin e 17-të, e cila promovoi ri-zbulimin e filozofisë, letërsisë dhe artit klasik.
Piktura e Botticelli-t shënoi një pikë kulmore në evolucionin e sistemeve të mëdha të artit të ndërtuara në gjysmën e parë të shekullit të 15-të. Konceptimi i hapësirës dhe i perspektivës, konceptimi i formës si njohuri ose përfaqësimi i natyrës, nocioni i historisë si figurimi dramatik i veprimeve njerëzore, roli i etikës dhe fesë në art, statusi i artistit në tërësi, u sfiduan dhe u rishikuan nën dritën e arritjes së “bukurisë”, e cila tashmë po e devijonte rrjedhën e artit, ashtu siç kishte devijuar prirjen e mendimit filozofik, apo ngjyrosur studimin humanist të antikitetit dhe kishte ndikuar në standardet morale. Rezultati ishte që në art, ashtu si edhe në fusha të tjera, nuk ishte më e rëndësishme arritja konkrete e një krijimi por kërkimi ndaj bukurisë.

Kësisoj për herë të parë në historinë e artit evropian një piktor i vuri qëllimin ekskluziv vetes të kërkonte bukurinë. Ky piktor ishte Sandro Botticelli, dhe vepra e tij Pranvera është simbol i këtij pelegrinazhi në zbulim të bukurisë.

E pikturuar për të nderuar martesën e Lorenzo di Pierfrancesco de Medici, pjesëtar i familjes së rëndësishme të Firences, bankierët më të fuqishëm për të gjithë monarkët e Evropës, Pranvera e Botticelli-t, u vendos jashtë dhomës martesore në pallatin e tij, e konceptuar më shumë si një tapiceri e stilit flamand sesa pikturë. E mbushur me referenca mitologjike, shumë elementë në tablo duket se i referohen edhe familjes Medici. Ngjyra portokalli e frutave dhe e pelerinës të Venusit dhe Mërkurit janë ngjyra e familjes Medici. Por kjo pikturë shkon përtej simbolit të martesës së çiftit të ri, dhe patronazhit të familjes së pasur fiorentinase, ajo shpalos një qasje të re artistike dhe hapi dyert për t’i treguar njerëzimit një fytyrë të re të artit.

E gjithë tabloja është poezi.

“Teksa ajo flet, nga buzët e saj çelin trëndafilat: Unë isha Kloris, e tani unë quhem Flora,” shkroi Ovidi, tek poema Fasti në vitin 8 pas Krishtit. Ky varg duket se e frymëzoi artistin për këtë tablo e cila ende më sot mbetet vepra ikonë e shkrirjes së trupit njerëzor me natyrën.

Kjo tablo ka nëntë personazhe, pak a shumë të gjithë në plan të parë. Dy burra, gjashtë gra, njëra prej të cilave është e pozicionuar në qendër por disi e tërhequr për të lejuar skenën të zhvillohet përpara saj. Dhe, mbi të, na shfaqet një engjëll me krahë në fluturim.

Figurat janë elegante dhe harmonike. Ato janë të vendosura në një kopsht, të rrethuar nga një pemishte. Në paraqitjen e bimëve dhe barit, Botticelli krijon një skenë aq të saktë duke përfaqësuar mbi 190 lloje të ndryshme bimësh, të zgjedhura nga ato që lulëzonin në fshatrat fiorentinë gjatë periudhës midis muajit mars dhe maj, pra gjatë stinës së pranverës.

Interpretimi i veprës është kompleks dhe përmban edhe të fshehta. Duket se përmban një gjuhë të koduar që vetëm ata që i përkisnin rrethit të brendshëm të familjes Medici dhe intelektualëve humanistë të asaj kohe ishin në gjendje ta kuptonin. Por edhe sot ne arrijmë të gjejmë kuptimin e përgjithshëm prej elementeve të saj të shumtë.

Në të vërtetë, piktura nuk ka titull. Emrin Pranvera e mori 70 vjet pas përfundimit, kur biografi i njohur dhe artisti Giorgio Vasari e pa dhe vendosi ta titullojë kështu. Në këtë vepër, referencat letrare, filozofike dhe ikonografike janë të shumta e të ndërlikuara dhe janë të lidhura me filozofinë neoplatonike dhe me literaturën humaniste dhe latine, më të lexuarat gjerësisht në atë kohë. Për këtë arsye, dhe për shkak të mungesës së titullit, kjo vepër ka patur interpretime të ndryshme. Sipas interpretimit më tradicional, piktura duhet të lexohet nga e djathta në të majtë. Të vërtetat morale shprehen përmes miteve. Skena zhvillohet në kopshtin e Hesperideve, bijave të natës të cilat ishin rojtare të kopshtit ku rriteshin mollët e arta të pavdekësisë.

Tabloja ofron një koleksion të gjerë figurash të cilat na shtyjnë të pyesim veten se nga vjen ky bashkim i njerëzve dhe i gjërave. Sigurisht jo nga vëzhgimi i drejtpërdrejtë i botës reale. Figurat kanë simbolika mitologjike, por modelet dhe përbërësit e kopshtit janë studime të natyrës dhe botës reale.

Në këtë kopsht të përsosur të rrethuar me portokalle dhe dafina, figura e parë në të djathtë është Zefiri, era që lajmëron ardhjen e pranverës. Ai paraqitet në tablo duke përqafuar nimfën Kloris, të cilës falë atij kontakti i dalin lule nga goja. Pas bashkimit të tyre, nimfa transformohet e shndërrohet në një krijesë tjetër, në perëndeshën Flora, mbrojtëse e bujqësisë dhe e pjellorisë femërore.

Falë ndërmjetësimit të Venusit, perëndeshës së bukurisë dhe dashurisë, e veshur me hijeshi dhe e kompozuar në qendër të pikturës, dashuria fizike dhe frymore e Zefirit dhe Klorisës shpaloset e ngritur mbi figurat e tjera me bukurinë dhe përsosmërinë e saj.

Më pas vijnë tri hiret, bijat e Zeusit, të cilat në mitologji përfaqësojnë bukurinë, lulëzimin dhe gëzimin, dhe shigjeta e Kupidit që fluturon mbi Venusin drejtohet për nga ato. Tri hiret vallëzojnë në formë rrethore, duke shtrënguar duart lart në një prekje ikonë që shpalos një imazh të lehtë në ajër. Në të majtë, në fund të tablosë gjendet Mërkuri, perëndia e begatisë dhe e tregtisë, por i njohur edhe si lajmëtari i zotave. Ai largon retë nga qielli, për të mbrojtur përsosmërinë e atij kopshti. Falë tij, skena merr një dimension të mëtejshëm në sferat qiellore.

Portreti i Mërkurit ngjason shumë me atë të Lorenzo di Pierfrancesco, porositësin e veprës, dhe nusja e tij Semirande ngjason me Florën. Duke konsideruar ngjashmërinë me Lorenzo, bankierin e pasur, dhe faktin që Mërkuri simbolizonte pasuri, mbetet për t’u besuar që çifti i ri është pikturuar në këtë vepër dhe simbolika e pjellorisë shërben si një urim për ripërtëritje të jetës, dashuri dhe lindje pasardhësish. Gjithashtu vërehet se portreti i Venusit ngjason me Simonetta Vespucci, gruan më të bukur të Firences, bashkëshorten e Marco Vespucci, e cila mund të kishte lidhje dashurore me Giuliano de’ Medici, por nuk përjashtohet edhe mundësia që Botticelli të ishte i dashuruar me të, ndaj edhe portreti i saj gjendet edhe tek vepra tjetër tejet e njohur Lindja e Venusit.

Ngjyra e errët e bimësisë ka ndodhur pjesërisht për shkak të procesit të kohës dhe vjetrimit të pigmentit origjinal të ngjyrave, por dallohet lehtësisht numri i madh i frutave dhe luleve. Mbresa e parë që të ofron kjo tablo është numri i madh i luleve dhe bimësisë.

Në periudhën e Rilindjes, bimët studioheshin kryesisht për vlerat e tyre medicinale; që do të thotë, ato ishin pjesë e materia medicica (materiale medicinale të gjetura në natyrë). Ndaj, ishin mjekët dhe ata me një përgatitje mjekësore që jepeshin pas studimit të bimëve, kryesisht si një mënyrë për të ringjallur njohuritë mjekësore të të parëve të lashtë. Interesi për studimin e bimëve u rrit si rezultat i ri-zbulimit të veprave klasike mbi bimët, si dhe ndikimin klasik të humanistëve në shkencën e mjekësisë. Por, Botticelli e çoi edhe më tej interesin ndaj luleve duke pikturuar rreth dyqind lloje të ndryshme me saktësinë dhe detajimin më të madh. Ato shtjellohen me imtësi teksa dalin nga goja e Kloris, në fustanin, në duart, mbi flokët, rreth qafës së Florës, por edhe poshtë këmbëve të figurave, në bar edhe pemë. Deri më sot janë identifikuar 138 lloje bimësh në këtë tablo, pjesa tjetër ende nuk janë zbuluar për emrin e tyre.

Duke shqyrtuar zbukurimet me lule që shpalosen në plan të parë, një botanist mund të dallojë shumë lehtë dhe t’i emërojë një e nga një bimët dhe lulet e ndryshme që gjenden në të, edhe pse secila lule mund të ketë pasur si qëllim në vetvete të përcjellë një kuptim të veçantë simbolik, magjik ose astrologjik.

Stili i Botticelli-t ishte dekorativ dhe konturor, por mbi të gjitha ishte origjinal. Figurat që pikturonte ishin me linja të qarta por dukeshin sikur pluskonin pa peshë, me masa të buta dhe aspak muskulor, por të fortë.

Figurat në këtë tablo nuk kanë perspektivë lineare, por perspektivë atmosferike. Venusi është më larg nga figurat e tjera, megjithatë nuk duket më e vogël sesa ato, siç ndodh në perspektivën lineare, por Botticelli nuk interesohet aspak për këtë, ai e paraqet atë me një atmosferë të butë, të hirshme, e plot nur, që duket sikur e mposht gravitetin dhe pluskon me butësinë e saj në ajër apo mbi tokën e një realiteti përrallor.

Artisti shpalos më shumë atmosferë sesa saktësi. Të gjitha figurat janë më të gjata e me gjymtyrë më të derdhura sesa duhet. Koka dhe këmbët janë më të vogla në raport me proporcionin e trupit. Gjithashtu, ne nuk arrijmë dot të dallojmë nëse trupat e tri hireve dhe Klois janë të zhveshura apo të mbuluara. Pikërisht këtë ka shpalosur Botticelli, tyli i lehtë mbi to duket si lëkurë e trupave të tyre por njëkohësisht mund të jetë edhe lëkura e tyre që shërben si mbulesë. Për një vend mesdhetar si Italia, lëkura e figurave është më e bardhë dhe më e zbehtë sesa duhet, dhe flokët e femrave në tablo janë të verdha e të kuqe. Ato duken si krijesa të përziera. Një dybotshmëri e tillë, me krijesa gjysmë hyjnore e gjysmë njerëzore, që duken si njerëz por që sfidojnë gravitetin, nuk ishte parë kurrë në art. Dhe padyshim, një koncept i tillë mbi bukurinë do revoluciononte artin në epokat e mëvonshme.

Si një prej piktorëve të preferuar të familjes Medici, Botticelli ndërthuri mitologjinë klasike në këtë vepër, e cila pasqyron atmosferën humaniste të rrethit të kultivuar të familjes së pasur fiorentinase. Rilindja ishte edhe lindja e humanizmit si filozofi dhe botëkuptim. Por në një shoqëri të krishterë, të ngrije njeriun në piedestalin hyjnor ishte e papranueshme, ndaj falë një qasje tolerante nga etërit e kishës, të cilët e shihnin bukurinë dhe estetikën si vepër të mrekullueshme të duarve të Perëndisë dhe që i shërbenit lavdisë së Tij, mitologjia dhe shumë aspekte pagane e historike gjetën vend në krijimtarinë letrare e artistike të Rilindjes. Ndaj edhe Botticelli përdori alegori dhe shumë simbolika mitologjike.

Lorenzo de Medici, i njohur si Lorenzo i Madhërishmi, pati një ndikim tejet të madh në shkrirjen e simbolikave të paganizmit dhe krishterimit në art e letërsi. Ndaj edhe Botticelli, duke qenë se ishte nën patronazhin e familjes Medici, e dinte se në pikturat e tij, një figurë klasike si Venusi mund të përfaqësohej si burim i dashurisë hyjnore të krahasueshme me Virgjëreshën Mari. Gjatë periudhës mesjetare, një imazh i tillë do të ishte akuzuar si pagan, por brenda rrethit të familjes Medici, misticizmi neoplatonik hapi dyert për krijimin e imazheve alternative të hyjnores.

Dhe ky imazh alternativ vërehet tek portreti i Venusit e cila ngjason si Shën Maria, në pozicionim, por sidomos tek harku në formë aureole që ka pas saj, që krijohet tek pjesa e dukshme e qiellit pas pemëve. Ai hark duket si modeli i një faltore që përdoret gjithmonë për Virgjëreshën Mari ose si tek ikonat fetare. Mbyllni sytë përgjysmë, e shikoni Venusin në këtë tablo, dhe do kuptoni më mirë ngjasimin që ajo ka me Marinë. Dhe barku i saj i fryrë mund të simbolizojë lindjen e jetës, pjellorinë e natyrës, por edhe foshnjën Jezus në barkun e Marisë.

Të gjithë artistët e Rilindjes e morën frymëzimin nga lashtësia. Për Botticelli, antikiteti kishte një vlerë ideale; ajo ishte një përsosmëri e cila nuk do të arrihej më kurrë, një vend i largët i keqardhjeve dhe i dëshirave. Për këtë arsye ajo nuk mund as të mësohej e as të tregohej; nuk mund të shërbente as si një shembull i prekshëm e as të kishte ndonjë ndikim për të tashmen. Antikiteti nuk ishte më “histori”, si baza e farkëtuar e përvojës njerëzore; ajo shtrihej përtej përvojës, përtej thjesht identifikimit të vet me monumentet dhe tekstet ekzistuese. Me fjalë të tjera, antikiteti konsiderohej një lloj metafizike, një fe laike, një mit. Por në Evropën e mesjetës u kuptua se tashmë mitet klasike ishin ndërthurur në besimin e krishterë, se përmes figurës së Krishtit mundësohej që Apollo dhe Orfeu të jetonin sërish, dhe përmes Virgjëreshës Mari mund të shpalosej Diana, Minerva, madje dhe Venusi. Në këtë mënyrë, të paktën për periudhën e Rilindjes, kontradiktat e historisë dhe besimit arritën të shmangeshin, bashkë me detyrimin moral për dallimin midis së vërtetës dhe mitit.
Botticelli, si një artist tejet elegant, pikturoi për të kënaqur më shumë veten sesa të tjerët. Pranvera, është një përbërje e qartë alegorike që paraqet një kontrast të mprehtë me strukturën dramatike që kishin zakonisht kompozimet historike. Ai i vuri vetes një synim të ri: të sillte në pikturë idetë e larta letrare dhe filozofike, nëpërmjet ngjyrës së kthjellët, velaturave të holla dhe përsosjes së vizatimit.

Botticelli lindi në Firence në vitin 1445. Vitin e lindjes e kemi të mësuar nga një dokument i babait të tij, Mariano di Vanno Filipepi, i cili i referohet të birit si Sandro me moshë dy vjeçare. Në një dokument tjetër kadastre i babait të tij, në vitin 1458, thuhet se Sandro është trembëdhjetë vjeç, “sta allegere, ed è malsano” (po rritet dhe është me shëndet të dobët). Shëndeti i tij i dobët duket se e ndoqi artistin gjatë të gjithë jetës, pasi ai i kaloi vitet e fundit i shkëputur nga njerëzit, i varfër dhe i sëmurë.

Botticelli ishte një ndjekës i Savonarolës dhe lëvizjes së tij. Predikimet dhe martirizimi i Savonarolës ndikuan thellësisht në pikëpamjet fetare të piktorit dhe karakterin e punës së tij të mëvonshme. Pas tablosë Pranvera dhe Lindja e Venusit, ai nisi të bëhej më i tërhequr, dhe për shkak të përkushtimit personal ndaj Zotit, la pas tematikat alegorike pagane dhe nisi të pikturonte tablo të krishtera. Veprat e tij të fundit përmbanin një besim dhe devotshmëri të thellë në krishterim. Duke lënë pas krahëve afreske të mrekullueshme në Kapelën Sistine në Vatikan, dhe dy tablotë që i dhanë statusin e mjeshtrit të përhershëm në art, ai u zhduk nga bota artistike, dhe vdiq pa bujë.

Botticelli lindi vetëm shtatë vjet para Leonardo da Vinci, megjithatë në historinë e artit, ai konsiderohet gjithmonë si një piktor i quattrocento (viteve 1400) dhe Leonardo da Vinci si një piktor i cinquecento (viteve 1500). Ai kishte natyrë të ndjeshme e një fytyrë të trishtuar. Ai mbeti një beqar fanatik. Nuk është e nevojshme të jesh Sigmund Freud për të kuptuar se njerëz të tillë, kur zotërojnë talentin e një imagjinate të pafund, ëndërrojnë gjëra të çuditshme. Dhe kur ajo imagjinatë përkthehet në vepra si Pranvera, artisti që e zotëron atë talent shkruan historinë.

Ditët e sotme, shumë pak piktorë janë më të njohur se Sandro Botticelli. Por që nga dita e vdekjes së tij, e derisa ai u ri-zbulua në Angli rreth vitit 1870 nga Dante Gabriel Rossetti, Swinburne, Walter Pater dhe Ruskin, për katër shekuj ai u konsiderua si një artist shumë i vogël, origjinal por “primitiv”. Dhe kjo harresë historike ndodhi sigurisht për shkak të hijes që kishin lënë Leonardo, Raphael dhe Michelangelo. Sot tablotë e tij, Pranvera dhe Lindja e Venusit janë dy veprat më të famshme dhe më të analizuara në botë. Ndaj edhe qëndrojnë të ekspozuara së bashku në galerinë Uffizi në Firence.

Kur gjendesh përballë tyre ndien një yshtje të dybotshme, e cila të fton të bëhesh pjesë e skenës dhe të shtyn ta shkrish vështrimin në një lloj bukurie të re, e të përballesh me një fytyrë të panjohur të artit, e cila të josh e të tundon të dëshirosh që të bëhesh edhe ti pjesë e asaj skene.

Rama: Përditësimi i Fjalorit të madh të shqipes, në konsultim shumë të gjerë publik

Kryeministri Edi Rama njoftoi prezantimin publikisht të draftit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, gjatë fjalës sot në Kuvendin…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Rama: Përditësimi i Fjalorit të madh të shqipes, në konsultim shumë të gjerë publik

Kryeministri Edi Rama njoftoi prezantimin publikisht të draftit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, gjatë fjalës sot në Kuvendin…