Sali Shijaku, legjenda e pavdekshme e artit!

REPORTAZH nga Galeria “Sali Shijaku”, me rastin e 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të piktorit të madh


Nga Dash Frashëri

Gjithmonë kisha dashur të shkruaja për legjendën Sali Shijaku (1933-2022). Artistin e madh shqiptar me famë ndërkombëtare. Një prej piktorëve me të denjë të artit shqiptar.

Krijuesin e “Kostum tiranseje” (1952), “Portret vajze” (1953), “Partizanët e batalionit – Hakmarrja” (1966), “Vojo Kushit” (1969), “Mic Sokolit” (1976),  “Norën e Kelmendit” (1981), “Rozafës” (1983). Piktorin e mbi 2000 veprave të artit. Lëvruesin monumental të arteve figurative.

Sali Shijaku është një nga figurat madhore të arteve pamore shqiptare. Ai ka marrë disa Çmime Republike (1956, 1970, 1984, 1989). Në vitin 1969 ai mori titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1979 “Piktor i Popullit”. Më 2004-ën ai u nderua me titullin “Nderi i Qarkut të Tiranës”, më pas titullin më të lartë, “Nderi i Kombit” (2021)

 

Në fondin e GKA-së ruhen 99 vepra të artistit në pikturë dhe skulpturë.

Një pjesë e koleksionit të veprave të Shijakut janë të ekspozuara në sallat kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e Sali Shijakut ndodhen në shumë vende të botës dhe sot janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.

 

VIZITA TE GALERIA

Vizita ime te “Shtëpia e Sali Shijakut”, më saktë te Galeria “Sali Shijaku” është edhe një homazh për njëvjetorin e ndarjes nga jeta e piktorit të madh, Sali Shijaku, i cili u bë pjesë e parajsës, më 24 shtator 2022.

LAMTUMIRË I MADHI SALI SHIJAKU?

Posted by Edi Rama on Saturday, September 24, 2022

Shtëpia e Piktorit Sali Shijaku ndodhet në Tiranë në rrugën “Siri Kodra”. Është një shtëpi e vjetër me arkitekturë tipike tiranase. Ndërtimi i saj i përket vitit 1700. Konsiderohet si shtëpia më e vjetër në Ballkan.

Në vilën gati 300-vjeçare, më e vjetra në Tiranë, që është ende në “këmbë”, sipas arkitektit Andi Papastefani, më “pret” Sali Shijaku. Aty i vendosur përjetësisht në kavaletin e tij historik, pranë tavalocës ku krijoi mijëra piktura.

Skulptori Orges Shijaku, i cili shërben si “ciceroni artistik” i Galerisë “Sali Shijaku”, më ofron një kafe, siç e do dhe zakoni i mikpritjes tradicionale tiranase.

Sali Shijaku bën pjesë në një listë të përzgjedhur nga francezi E.Benezit, ku bëjnë pjesë piktorët dhe skulptorët më të mirë në botë, për kohën.

Sali Shijaku është nderuar me titujt “Piktor i Merituar”, “Piktor i Popullit”, “Nderi i Kombit”, “Nderi i Akademisë së Shkencave”.

Sali Shijaku ka lindur në Tiranë, më 12 mars të vitit 1933, në një familje të vjetër tregtare tiranase. Piktori i njohur shqiptar dhe pedagogu shumëvjeçar i arteve të bukura, Sali Shijaku ndërroi jetë në moshën 89 vjeçare në Tiranë, më 24 shtator 2022.

Në vitet 1948-1952 ndoqi Liceun Artistik “Jordan Misja”, ku studioi pikturë me pedagogët dhe artistët Abdurrahim Buza dhe Nexhmedin Zajmi. Pas disa vjetësh pune fitoi të drejtën e studimit për pikturë në Bashkimin Sovjetik, Rusia e ditëve të sotme.

Kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve – Ilia Efimioviç Rjepin, në Leningrad. Gjatë periudhës 1956 – 1961 ishte student i ateliesë së piktorit dhe profesorit Boris Vladimiroviç Joganson. Me prishjen e marrëdhënieve ndërmjet PKSH-së dhe Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (PKBS), u kthye në Shqipëri në vitin 1962.

Vajza, portret nga piktori rus Jogansson.

 

U diplomua si një nga studentët e parë në Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë. Pas diplomimit punësohet pedagog në ILA dhe bëhet anëtar i Lidhjes Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Tabloja e titulluar “Heronjtë e Vigut” ishte diploma e studentit Shijaku, të cilën ai e mbrojti në vitin 1962 në Shqipëri, në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. E filloi krijimtarinë artistike në fillimin e viteve ‘60.

“Edhe pse studioi në Shën Petërsburg, babi nuk u kthye në Shqipëri, i ndikuar nga shkolla ruse e artit, por i influencuar nga arti modern perëndimor”, thotë Orgesi.

Piktura monumentale “Mic Sokoli” i dha edhe dimensionin mbarëkombëtar si artist, duke u bërë burim frymëzimi edhe në Kosovën e viteve 1970.

Ai krijoi një mori veprash mbi epikën heroike me kreshnikët dhe luftëtarët shqiptarë në shekuj, si dhe vepra lirike mbi bukuritë njerëzore dhe natyrore të Shqipërisë.

Sali Shijaku njihet si piktor i kompozimeve masive dhe portreteve të ndezura plot ngjyra shprehëse, piktori i natyrës dhe abstrakteve kontrastuese.

Krijimtaria e tij e gjerë e të shumëllojshme është ekspozuar në Kosovë, Itali, Francë, Rumani, SHBA, Austri dhe në shumë shtete të tjerë.

Po si pikturonte Sali Shijaku?

“I pëlqente të pikturonte me gishta, ta ndjente ngjyrën, ta prekte telajon, të bëhej njësh me pikturën. Ta ndjente magjinë që të jep piktura”, tha Orgesi për TiranaDiplomat.com.

Për të koha nuk ekzistonte. Dita dhe nata për të kishte nocionin e artit.

 

Për Sali Shijakun pikturimi ishte një akt i madh meditimi. Kënaqësie hyjnore. Për të asgjë nuk krijohej rastësisht. Në kompozimet e tij fshihej filozofia e një psikologu të madh. E një besimtari të madh.

Shijaku jetonte mes zanave dhe legjendave, Mujit dhe Bajlozit, heronjve dhe trimave

Dhe në ditët e fundit të jetës, Sali Shijakun e shikoje me penela në duar, duke pikturuar.

Por, cila është piktura e fundit e Sali Shijakut?

“Pikërisht kjo. Një pikturë shumë e dashur. E realizuar në bashkëpunim me tre brezat e familjes sonë”, thotë Orgesi.

Por, cila është piktura më e preferuar e Orges Shijakut, nga disa mijëra vepra të të atit të tij.

“Për mua, si Orges, është ajo e Vojo Kushit. Po ta shikosh me kujdes, dallon rufenë si linjë, por edhe tendencat kubiste, ngjyra e kuqe, gjithashtu”.

Orgesi më tregon edhe një gazetë të kohës, ku është shkruar pikërisht për këtë pikturë dhe tre heronjtë: Vojo Kushi, Sadik Stavaleci dhe Xhorxhi Martini.

FAMILJAR I MREKULLUESHËM

Familja për Sali Shijakun ishte gjithçka. Ishte burim i pashtershëm frymëzimi, ishte një mbështetje e madhe për të.

Annamaria ishte e përzgjedhura dhe dashuria e madhe e tij. Vajza e një arkitekti italian, të ardhur në Shqipërinë e viteve 1940-1950, për të ndërtuar ura, rrugë apo institucione, si Bashkia e dikurshme e Tiranës (e prishur, për t’i hapur vend Muzeut Historik Kombëtar).

Por, komunistët e ardhur në krye të vendit e ndanë për së gjalli me babanë e saj, të cilin nuk e takoi dot kurrë. Edhe Annamaria merrej me art artizanal, pasi punonte në Ndërmarrjen Artistike “Migjeni”.

“Kleopatra” siç e quanin atë në familje, ishte muza e Shijakut.

“Nëna ishte frymëzimi i të gjitha veprave të babait, portreti i saj është kudo në pikturat e shtëpisë, në ato të Galerisë Kombëtare, të galerisë tonë private, është te zanat, te nimfat, te zadrimorja, te Monumenti i Lirisë, te simbolet tona kombëtare”- tregon Orgesi.

 

Orgesi ka studiuar për arte figurative në Itali, ashtu si edhe vëllai i tij, Noseti.

Por, cili është Sali Shijaku, sipas djalit të tij, Orgesit.

“Është një njeri i gjithanshëm: piktor, skulptor, artist, diplomat, politikan, por mbi të gjitha një psikolog i madh”, thotë Orgesi.

Orges Shijaku është një skulptor i talentuar, për të cilin kanë shkruar edhe mediat gjermane.

“U bë një vit që nuk e kam pranë, por çdo ditë flas me të. Sapo filloj ai në çast më vjen pranë. Dhe jo vetëm, por është im atë ai që më fton e më pret çdo ditë në studio-galerinë e tij. Unë jam këtu tek pikturat, shpirti im tek autoportretet. Po të uleni diku pranë oxhakut mund të bashkëbisedoni me mua, prandaj mos u merzisni thonte nëse unë ndahem nga kjo jetë”, tha Noset Shijaku për TiranaDiplomat.com.

“Në Leningrad kur profesori i tij, shok me Kandinskin, vlerësonte pikturat e shokëve të tij të klasës, se: Piktura e Tanjes ka më shumë dritë, piktura e Sashës ka më shumë ngjyrë, Vollodja shquhet per volumin, e dikush tjetër freskinë ose linjën, një nga studentët iu ankua profesorit se piktura e Saliut nuk na e kalon ne të tjerëve në asnjë nga këto parametra vlerësimi. Çfarë ka më tepër sesa pikturat tona piktura e Saliut? Ka art përgjigjet profesori, prandaj ka marrë notën maksimale“, tregon Noseti.

Por, çfarë e dallon artin e Sali Shijakut? Ja si përgjigjet Noseti:

“Perfeksioni, dinamizmi, kompozimi, harmonia, drita, ngjyra, motivi, forma, magjia, virtuoziteti, janë karakteristikat e pikturës, skulpturës, qeramikës dhe gjithë artit të babait tim Sali Shijaku, të cilat superojnë çdo emër të nderuar të historisë së artit pamor botëror“.

Egit Shijaku është vajza dhe frymëzimi i përhershëm i piktorit të madh Sali Shijaku. Ajo gjendet kudo.

“Më mungon shumë babi, po e vuaj kaq shumë mungesën e tij. Kur u nda nga jeta mami, u trishtova, por jo kaq sa ikja e babit. Jam krenare që jam vajza e Sali Shijakut, për të gjithë ai është një artist i madh, por për mua ai është një njeri i madh, një psikolog i shpirtit njerëzor”, thotë Egit, ndërsa sytë i mbushen me lot.

FIGURË POPULLORE

Sali Shijaku ishte një figurë popullore, i adhuruar nga të gjithë, shqiptarë dhe të huaj.

Për Sali Shijakun do të flitet përjetësisht! Për dritëhijet dhe ngjyrat e veprave të tij!

Ai do të na e tregojë gjithmonë artin e tij.

Galeria “Sali Shijaku” është shndërruar tashmë në një vend të shenjtë peligrinazhi. Presidentë, kryeministra, ministra, deputetë, ambasadorë të huaj e kanë vizituar dhe janë mahnitur.

EMOCIONET E MIA

Një vizitë me shumë emocione për mua, me reflektime të mëdha, me një “bashkëbisedim” me të madhin Sali Shijaku, përmes veprave të tij.

 

Te “Galeria Sali Shijaku” ??️?

Posted by Dash Frasheri on Monday, September 18, 2023

Më pëlqen të bëj këtë “selfie”, ku në sfond kam legjendën Sali Shijaku.

Faleminderit për mikpritjen Orges, për fotot Egit, për mesazhin Noset!Tashmë më mbetet mua ta “pikturoj” me fjalë të madhin Sali Shijaku.

_________________________________________

Tiranë, 19 shtator 2023

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…