Kë duhet të lexojmë: librin apo internetin?
Mbi romanin “Dimri i librave” të Bashkim Hoxhës
Nga Emrie Krosi
Kë duhet të lexojmë: librin apo internetin, në romanin “Dimri i librave” të Bashkim Hoxhës.
Libri dhe fjala, janë dy homonime. Ishte fjala e para- thotë Bibla, pa u shkruar ajo, apo ishte Zoti, që mbushi botën e zbrazur me fjalë. …dhe erdhën librat, që ishin të shenjtë, Hyjnorë, zëri dhe dëshmia e Perëndisë. Librat, pastaj “shkruan” elegji për germat…dhe kur germat bëhen fjalë dhe mblidhen ashtu të zëna përdore; bëhen fjali dhe shkruhen libra, mijëra e miliarda fjalë që marrin kontekste të ndryshme përmes stilistikës gjuhësore, duke formuar Uni e secilit shkrues.
Çdo gjë e shkruar mbetet dokument, dhe formohet nga fjalët, që mbeten aty në magjen, kur gatuhen, shtypen, bymehen, fryhen, shkrydhen, shtrihen, shkërmoqen, miellzohen, rrëzohen, ngrihen, anohen, duke formuar milarda kombinime e forma fjalësh në shumë gjuhë. Por, fjala vret më shumë se plumbi, se fjala të paqton, të gëzon, të frymëzon, të lumturon, të ngroh, të përkëdhel në shpirt dhe thjesh merr frymë…nga pesha e fjalës së mirë, që mund të jetë, poezia, proza, fjala autoriale, kënga dhe kompozimi. Fjala është dashuri! Libri është dituri!
Kështu ndoshta, do të sendërtohet edhe qasja ndaj romanit më të ri, të Bashkim Hoxhës “Dimri i librave”, ku librat vuajnë nga “kërcënimi” dhe “përdhosja” e tyre e vazhdueshme, sidomos në truallin amë, ku jetohet dhe shkruhet shqip, ama shqip…sepse librat kanë vlerë, ndoshta jo aq sa Biblioteka e Aleksandrisë, që u dogj nga një i marrë.
Romai i “zhvillon ngjarjet” tek lokali “Muza”. Personazheve poetshkrues si: Adnani/ Iliri/Fatmiri/Sokrati/Simoni/Laebati/Lazimi/Triumfi, fati i poezive të tyre, lidhet edhe me fatin e lexuesit, që përrok edhe figura politike si: Enver Hoxha, Qemal Stafa, por edhe figura të botës letrare, përmes satirës, e bën romanin që të lexohet dhe të qeshim nën zë, sesa shumë poshtërohet arti dhe letërsia në Shqipëri. Autori luan me fjalën, me kohën, me mesazhin në katër dimensione:
– dimensioni i parë, është dimensioni kohor,
– dimensioni dytë, dimensioni i poezisë (romani ka cikle poezie, mbi kohën /atdheu /dashurinë),
– dimensioni i tretë, dimensioni i dashurisë,
– dimensioni i katërt, dimensioni i atdheut.
Herë me mesazhe të hapura, herë të mbyllura, herë mesazhe elektronike si: watcapi, facebuku, tik-tok, apo herë të drejtpërdrejta, ku vetë inteligjenca artificiale, “përfshihet” në lojën e poetëve /shkrimtarëve tek “Muza” e frymëzimeve, e shterpërive, e ndukjeve, e trukimeve, e harresave, e takimeve, e shkrimeve, e robërimeve, e fantazive, e frymëzimeve, e dehjeve, e pijeve, e çmendurive e joshjeve, e dilemave, e pikëpyetjeve, por vetëm e librave të mirë jo, se jo! Por mesazhi na çon:
– drejt shterimit të shpirtit përmes frymëzimit,
– drejtpërdrejt përsosjes së kohës dhe hapsirës,
– drejt rrokamës së artit/kulturës/librit/teatrit dhe medias,
– drejt tmerrit të botës moderne dhe shterpësisë së inteligjencës artificiale.
“Në fillim teatri ka qenë thjesht argëtim. Ka lindur nga rituali i Dionisit, apo jo? Më pas, kur e kuptuan se njerëzit, më shumë sesa nga vetja, argëtoheshin nga historitë e të tjerëve, atëherë nisën të shkruheshin tekste me histori ose komike ose tragjike.
Njerëzit i argëtojnë ndjesitë ekstreme, apo jo? Histori ekstreme ishin ato të zotave qiellorë, shoqëruar me kore të frikshme, në shumicën e rasteve kobzeza”, ku autori përmes ngatërresës së qëllimshme me Çehovin/Sokratin dhe shumë gjëra të tilla, lidhet drejtpërdrejt me titullin “Dimri i librave”, por edhe me teatrin që tashmë e ka humbur rëndësinë e tij, (madje në Tiranën europiane mungon krejt), duke iu blatuar lavdisë së teatrit dhe komedisë së Greqisë së lashtë, si një argëtim, apo edhe histori tragjiko-komike “made in Albania”. Vetë romani, na ngërthen përmes personazheve, bashkë me problemet e “imta”, të “vogla”, të “brishta”, “intime”dhe personale, nëpërmjet “lavdisë” së shpirtit të zbrazur dhe dashurisë së pashpresë. Aty është edhe atdheu, provinca, libri dashuria.
Cila është më parësore? Cila është me e rëndësishme? Dikush thotë At + dheu, por qenka i mërzitshëm. Dikush dashuria, por qenka tinzare. Dikush thotë librat, por në epokën dixhitale, të vjetruara? Çfarë i duhet njeriut të sotëm modern? Jeta! Por jeta sa vlen vallë?
Edhe figuart e femrave janë gjysmake, Bardha/ Bela/ Nora, por edhe Sidrit djali i personazhit-hero, apo heroi-personazh, apo një sërë personazhesh që bëjnë koloritin e ngjyrave, duke i dhënë zëshmëri romanit, ku autori është pjesë e kësaj kolane, ku libri hirnoset, pluhuroset, plagoset, harrohet, rrudhoset, griset, ndryshket, zverdhet, vyshket, myket, shkelet, përdhoset, përdhunohet, dreqoset, zymtohet, paqtohet, inatoset, zhgarravitet, zhgërryhet, inatoset, bërtet, këlthet, kërcet, shqyhet etj…etj. Ndërthurja e medias radios, TV, (të zhytur në krizë idesh me programe sa më lakuriqe) deri tek media sociale dhe Tik-Toku, është si gjurmët e para të fëmijës që sapo ka filluar të ecë…sërisht rrëzohet dhe rrëzohet… Tallja shkon deri në palcë.
Duke e varfëruar akoma më shumë lexuesin shqiptar, ku dhe vetë banaliteti i jetës tonë dhe varfëria kulturo-letrare nuk ka caqe: “grindeshin me zë të lartë, ta zëmë, se cila markë makine elektrike është më e mira apo sa herë ishte martuar një sportist i famshëm. Është martuar apo jo Rita Ora? Po Dua Lipa? Shqiptare është kjo Mira Murati e inteligjencës artificiale? Si nga Vlora duket. Ato bythët e Kim Kardashian a nuk ngjajnë si piramidat e Egjiptit?”. Dhe së fundmi libri, ashtu në gjumë hyri në dimrin e tij të madh. Por: libri është frymë! Libri është ëndërr e treguar! Libri është urtësi!
Urime Bashkim Hoxha!