Një pyetje për Stavro Mavrinë!
Mos gënje në mes të ditës o Stavro, o Mavro… Mos e bëj pis emrin e të madhit Petro Marko, o Stavro, o Mavro…
Nga Laureta Petoshati
Unë Petro Markon e kam njohur personalisht që kur kam qenë fëmijë, sepse ai vinte shpesh te familja e komshiut dhe bashkëkrahinorit tonë, patriotit Ibrahim Shyti. Ai ulej me xhaxhanë tim, ish pilotin dhe tashmë dëshmor i Atdheut Kaso Petoshati, me doktorin Berberiani, me origjinë armene dhe me Pupo e Luter Shytin dhe peshkonin e bënin muhabet. Vëllai i Kasos, Prenjo Petoshati, djali i xha Brahimit, Hektor Shyti dhe Petro Marko kishin qënë studentë dhe shokë në Shkollën Tregtare të Vlorës, që në atë kohë quhej Instituti Tregtar “Pjetër Bogdani”. Prenjo ra dëshmor si partizan i Brigadës XII Sulmuese, Hektor Shyti përfundoi në kampet naziste dhe nuk u kthye më nga kampi i Prishtinës ku u ekzekutua para se të transportohej në kampet e shfarrosjes në masë në Mathausen. Petro Marko mbajti lidhje me familjet e shokëve të tij dhe kishte kënaqësi që të bisedonte me njerëz që kishin pasur mundësinë të shikonin botën dhe të ndante eksperienca me ta. Kur zinte ndonjë peshk të mirë, ai e kriposte dhe thoshte që do t’ia çoj Jamarbërit. Mua, edhe pse isha shumë e vogël më bënte shumë përshtypje ky emër. Më vonë kur shkova në shkollë dhe mësova të lexoj, librat e tij, sidomos “Shpellën e Piratëve” e kam lexuar, rilexuar dhe më ka dhënë një krenari shumë të madhe për prejardhjen time dhe të gjithë himariotëve arbërorë. Ky është një libër që Petro Marko e ka shkruar kur ishte shumë i ri.
Por ajo që vulos se çfarë ishte Petro Marko janë emrat që ai u vuri fëmijëve të tij shumë më parë se të ishte bërë shkrimtar aq i madh dhe të shkruante veprën madhore “Retë dhe Gurët” që e la në dorëshkrim. Vajzën e quajti Arianita Marko, ndërsa djalin Jamarbër Marko.
Pse nuk dinte ai ta quante për shembull Kaliopi, Anthulla, Parashqepi, por e quajti Arianita?
Pse nuk dinte ai që ta quante djalin Jamgrek, po të ishte i tillë? Mund ta quante dhe Stavri, Panajot, Anastas, Aristidh? Kush e ndaloi? Nuk i vuri këto emra se vetëdija e tij ishte më shumë shqiptare se fetare. Ai ishte krenar për prejardhjen e tij të fisme arbërore.
Mos gënje në mes të ditës o Stavro, o Mavro… Mos e bëj pis emrin e të madhit Petro Marko, o Stavro, o Mavro…
Miqësitë dhe shpirtin arbëror të Petro Markos e vazhdoi Lefter Çipa dhe që të dy janë “Nder i Kombit”. Në vesh kam ende këngën e herëshme të himariotëve që ai këndonte me të madhin Lefter Çipa:
As me turkon, as me grekun,
Por lart e ngritëm dyfekun!
Jo më kot gazetari Aleksandër Çipa,i biri me gjak i të madhit Lefter Çipa, por djalë shpirtëror i Petro Markos, madje sivëlla me Jamarbër Markon dhe sot e kësaj dite me Arianitën shkruan kështu:
“Sot e disa ditë do të na numërojnë. Atëhere:
Kombësia Shqiptare,
Atdheu: Shqipëri!
Vendlindja: Himarë
Gjuha ime: Shqipe.”
E di ti Stavro, Mavro se kështu kishte shkruar në burgun e Ustikës dhe i ati i Petro Markos:
Emri: Marko
Mbiemri: Marko
Atësia: Jani
Mëmësia: Fotini
Data e lindjes: 30 prill 1865
Vendlindja: Himarë
Kombësia: Shqiptare
Shtetësia: Shqiptare
Meqë Himara ka qenë shumë e lidhur me Papatin e me Gjon Kastriotin, shkruante dokumentet në latinisht, unë po të kujtoj atë shprehjen latine se “Verba volant, scripta manent”, e cila përkthehet se “fjalët fluturojnë larg, ato të shkruara mbeten.” Ashtu do të fluturojnë ato marrëzitë e tua o Stavro, o Mavro kur të lexosh me sytë e tua të vërtetën që ta ka eklipsuar paraja meqë e shet veten kaq lirë.