Të pikturosh me gurë!

Rreth Ekspozitës së Dr. Myftar Cubi, me punime në mozaik kushtuar artistëve.


Nga Agim Janina, studiues arti

Në hollin e Muzeut Historik Kombëtar është hapur ekspozita e piktorit Myftar Cubi. Në të janë paraqitur 46 punime në mozaikë. Ata kanë një dedikim prekës, gjë e rrallë, nga se të gjithë u kushtohen aktorëve shqiptarë si një homazh artistik që piktori ua kthen për gjithë të bukur ka marrë prej tyre.

Të mbajtura në një format mozaikët vijnë si sekuenca të një filmi dhe portretet sikur dalin nga pelikula e celuloidit, duke na dëshmuar një kohë kur ishim me ta në emocionet që kanë dhuruar. Sapo shikon një portret mbetesh disa çaste i mbërthyer në një bashkëbisedim intim, të heshtur e domethënës e si ngopesh kërkon të shkosh te punimi tjetër mbresat dhe emocionet të rriten dhe kërkon po ai, po ajo aktore?

Duke i kundruar nga afër ndjen lëvizjen e dhjetra aktorëve në role të spikatura dhe në shprehjen më të mirë plastike, kur ata janë shndrruar në personazhe të rëndësishëm. Ndërmjet tyre gjejmë Naim Frashërin në rolin e gdhendur të Gjinit, në filmin “Skënderbeu”, Bekim Fehmiun në rolin e pakonkurueshëm të Odisesë, Sandër Prosin në rolin e Dhaskal Todrit, një nga realizimet më të mira të tij dhe të Kinematografisë Shqiptare, figura tipike e zgjuarsisë fshatare me batutën e paharrueshme të Kadri Roshit në fiĺmin “Komisari Memo”, rri pranë bashkë me gjetjen e veçantë të personazhit të Pirro Manit , Lokja emblematike e të madhes Marie Logoreci, në filmin “Toka e jonë”, bashkë me burrin e pashëm Mario Ashiku në rolin e Palit, që edhe me aktorin Rikard Ljarja në fillimet e filmit shqiptar ishin bërë si “pjestarë të familjeve tona”, diversanti i egër Ndrek Luca në filmin “Operacioni Zjarri”, e dashura Violeta Manushi në rolin e Teto Ollgës, dramatikun, të madhin Reshat Arbana apo “fshatarin myzeqar” Luftar Paja, duke kaluar nga Bep Shiroka në rolin e babait fanatik te “Çifti i lumtur”, Kapedani i magjishëm i Albert Verrisë dhe portretet vijnë një nga një, simpatiku Xhevdet Ferri, portretin e mishëruar aq bukur të heroit të Mashkullorës, nga Timo Flloko, bukuroshet Yllka Mujo, Raimonda Bulku e Matilda Makoçi, i riu modern Bujar Kapexhiu etj., etj., e në çdo portret përjeton emocione të veçanta për mjeshtërinë ekzekutive të piktorit Myftar Cubi dhe kujtimet e shumta, që të sillen kur ndodhesh para një portreti, që lidhet me kohën kur filmat janë shfaqur dhe me vetë jetën tonë si një memorje e përbashkët, ku gjejmë edhe veten tonë.

Jo vetëm piktori, por edhe shikuesit janë rritur me ta, janë drithëruar nga fati i tyre, janë mrekulluar nga loja dhe timbri i zërit në shqiptimin e pastër të gjuhës shqipe. Piktori aktorët i ka parë si pjesë të familjes shqiptare dhe si vlera kombëtare. Ka bërë një ndërthurje të atyre që janë ende gjallë me ata që kanë mbetur përjetësisht në kujtesën kolektive në kohë e mosha të ndryshme.

Ka punuar me shumë vëmendje, me shumë kujdes për të nxjerrë më të mirën e tyre, aq saekspozita u emërua edhe si “Antologji e mirënjohjes”.

Si ide, shprehet piktor, i ka lindur me kohë, por ka nguruar ta shprehë deri sa ajo u mbrunjt me dashuri dhe u poq teknikisht, atëhere për një vit ai mbaron “filmin” e tij.
E ka tërhequr gjithmonë bota e filmit dhe veçanërisht puna e madhe që një aktor bën për të mishëruar e trupëzuar personazhin e kërkuar. Gjen pika takimi ndërmjet piktorit dhe aktorit si të ishin vëllezër e motra në kuptimin e modestisë, thjeshtësisë, të ekonomisë, halleve, vuajtjeve, persekucioneve. Në film ata janë të sinqertë e të vërtetë, tregojnë lodhjet, mundimet dhe piktori me njohje me shumë aktorë ka dëgjuar prej tyre vështirësitë në xhirime, kur u është dashur të udhëtojnë edhe në karroceri kamionësh për të mbrritur në sheshin e xhirimit në diell me gunë, në shi e borë në dimër.

Duke qenë se objekti i punimeve ishte i përcaktuar dhe shikuesi do të kërkonte patjetër ngjashmërinë në interpretimin e rolit dhe nuk ishte një temë lirike, ku piktori ka gjithë lirshmërinë e trajtimit, i duhet të qendrojë gjatë mbi çdo portret, t’i kapë në karakter, të zgjedhë më përfaqësuesin dhe më shprehësin për të treguar edhe vlerën e mjeshtërisë aktoriale, e lidhur kjo me mjeshtërinë e tij si piktor dhe mozaicist në teknikë.

Ato duheshin të ishin në harmoni të plotë dhe piktori ia ka dalë me sukses që teknikisht me gurë, pothuajse në gamë bardhë e zi, të ndërtojë figura të besueshme me plastikë shprehëse, fizionomi të dallueshme e të njëmendë për çdo figurë. Nga krijimi i toneve, gjysëm toneve, lojës së plastikës dhe dritë hijes krijohet idea që artisti nuk vendos gurë, por pikturon me gurë.
Shikuesi kupton se gurët që i ka ndeshur shumë herë, gjë kaq pa vlerë, në duart e piktorit Myftar Cubi janë shndruar në vepra arti me vlera të mëdha.

Me teknikën dhe materialet që përdor piktori na kthen shumë pas në kohë, në neolit e në paleolit, kur raporti natyrë e qenie dikton gjurmësime dhe formësime, shembëlltyra në gurë, siç vërejnë specialistët, me përdorimin e një teknike shumë të lashtë, që tek ne nis me “Bukuroshen e Durrësit”, datuar mijëra vjet më parë, pasuar nga një heshtje e pambarimtë shumë shekullore, befas shfaqet artisti Myftar Cubi.

Mozaikët janë punuar me gurë deti, të cilët për të ardhur në atë formë e ngjyrë u është dashur të endet thellësisë e bregut të detit në mijra vite. Artisti shprehet se nga Konispoli e deri në Kotorr të Malit të Zi e njeh bregdetin me pëllëmbë, por pasioni i ka shtyrë edhe aty ku nuk ka shkelur këmba e njeriut.

Shpesh pushuesit me kërshëri e habi e kanë parë këtë burrë të pashëm, me mjekër të shkurtër e të pretë me kujdes, që të kujton heronjtë e lashtësisë, duke pllaquritur këmbët në ujin e kripur dhe herë pas here kërrusej dhe si merrte dhe mblidhte gurë të ndryshëm. Si i ka mbledhur me bidona, piktori kthehet në studio dhe fillon një punë e gjatë, tejet e kujdesshme për t’i ndarë në ngjyra të ndryshme dhe jo vetëm kaq, por edhe në tone të plotë, gjysëm tone e më tej, të cilat më pas do të krijojnë linjat, konturimet, plastikën, hijet e gjithçka tjetër që një piktor ngre në telajo, por tashmë në sipërfaqen e ashpër të betonit dhe me gurë. Ato janë “tubetat e ngjyrave” apo paleta për ndërtimin e mozaikëve më vonë. Tre janë ngjyrat bazë të zi, gri edhe të bardhë që janë përdorur më shumë.

Kur fillon e u largohesh mozaikëve, fillon një lojë e bukur, ku gurët me nuancat e tyre, vendosja dhe rreshtimi i kujdesshëm i tyre, duke ndjekur po të njejta parime të linjave dhe dritëhijeve të vizatimit apo grafikës, gurët fillojnë e “lëvizin”, format e tyre ndërfuten tek njera tjera për të dhënë sipërfaqe bashkuese, linja të plota dhe dritë hije shumë shprehëse, aq sa njohësit e mozaikëve e janë cilësuar artisti që pikturon me gurë, sepse atyre ai u ka dhënë frymë e jetë në sendërtimin e shembëlltyrave të miqve të tij aktorë.

Lexo më shumë nga

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…