“Shqipëria mikpret botën” – Java Kulturore e Kinës, java e një populli mik!
REPORTAZH nga Dita e Parë e Javës Kulturore Kineze, 25 shtator – 1 tetor
Nga Dash Frashëri
Java Kulturore e Kinës është java e shumëpritur e një populli mik!
Ajo do të zhvillohet nga data 25 shtator deri 1 tetor 2023.
Javët Kulturore Ndërkombëtare zhvillohen nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, me moton “Shqipëria mikpret botën”.
Java e Kinës, vjen direkt pas asaj të Britanisë së Madhe, teksa më parë janë zhvilluar ato të Greqisë (që hapi edhe këtë projekt të bukur), Italisë, Francës, Holandës, Spanjës, Malit të Zi dhe Azerbajxhanit, për të vazhduar më pas me Gjermaninë, SHBA, Japoninë, Kombet e Bashkuara, Austrinë, Hungarinë, Izraelin dhe për ta mbyllur, ashtu si edhe një vit më parë, me Kosovën.
JAVA KULTURORE E KINËS
Programi është i bukur dhe me aktivitete tërheqëse: folklori i Kinës, festivali i ushqimit kinez, gala akrobatike, ekspozitë fotografike, arte marciale dhe koncert muzikor.
***
Edhe pse në kushte të rënduara atmosferike dhe me shira që ranë gjatë gjithë ditës, pavarësisht anulimit të ceremonisë zyrtare, në Sheshin “Italia” kishte shumë dashamirës të Kinës që e sfiduan motin, për të marrë pjesë dhe shijuar ushqime tradicionale kineze.
Edhe unë si një dashamirës i kulturës kineze jam i pranishëm në aktivitetin e ditës së parë.
Si botues i gazetës online “Tirana Diplomat”, ndjek ritualin e një protokolli thuajse zyrtar.
Takimin e parë e realizoj tashmë me një mik të vjetër, Të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës Kineze, Wang Dexin, i cili drejton aktualisht edhe ambasadën.
Me kryediplomatin kinez njihem prej kohësh. Rrezaton figurën e dashur të një populli mik, me të cilin na lidh një miqësi e ngushtë mëse 75-vjeçare.
Bashkëbisedimi me diplomatin popullor, Wang Dexin, është i ngrohtë dhe i shoqëruar me humorin e zakonshëm që ne të dyve na shoqëron në çdo bisedë miqsh. Atij i vjen keq, që shiu e prishi cermoninë zyrtare, e cila do të zhvillohet tani të martën.
Sipas traditës kineze, kush merr si dhuratë këtë simbol të kuq, ku janë dy zemra, ka dy herë fat! Dhe unë e kam.
Ambienti është dekoruar me flamuj kinezë dhe tullumbace ku është stampuar simbolet e flamurit kinez.
Gjuha kineze po bëhet shumë e rëndësishme për shqiptarët, pasi bëhet fjalë për guhën e një kombi të madh dhe fuqinë e dytë më të madhe ekonomike të botës dhe një partner ekonomik të rëndësishëm për Shqipërinë.
Këta libra janë dhuratë nga Instituti “Konfuci” në Tiranë dhe iu jepen të pranishmëve.
Edhe një dhuratë e bukur për mua, një kordon me ngjyrat e gazetës sime “Tirana Diplomat”, vishnjë dhe të verdhë, të realizuar nga dy artiste kineze.
Dhuratën e fundit ma bën I Ngarkuari me Punë, Wang Dexin.
KALENDARI I AKTIVITETEVE
Performancë, sfida dhe emocione!Ju ftojmë në një event i fokusuar në vallëzimet tradicionale kineze, akrobacitë, në operan e Pekinit dhe në muzikën folklorike kineze, që do jetë një festë e jashtëzakonshme vizuale. Ejani në seshin “Italia” prej orës 18:30. Ju mirëpresim.
Ekspozita “Përshëndetje Pekin” do të sjellë në Muzeun Historik Kombëtar një mori të pamjeve të kryeqytetit të Kinës ndër shekuj duke reflektuar ndryshimet dhe zhvillimet mes panoramave të ndryshme.Prej datës 25 shtator deri më 1 tetor, ju ftojmë të shihni këtë ekspozitë dhe shfletoni kalendarin për evente të radhës.
Traditë dhe arte marciale! Ky event në Javën Kulturore të Kinës?? fton të gjithë ata që janë kuriozë për të zbuluar më shumë mbi kulturën e shaolinit, trashëgiminë jomateriale kineze dhe folklorin. Ju presim në sheshin “Italia” prej orës 17:30 më 29 shtator!
Java Kulturore Kineze vjen gjithashtu me një koncert pianoje nga pianistja Xinyi Guo, e cila do të performojë në Hollin Koncertor të TKOB-it, më 1 tetor prej orës 19:00.
_____________________________________
Tiranë, më 26 shtator 2023