Robert Shvarc, ngadhënjyesi i shqipes në ligjërimin e kolosëve të letërsisë botërore
Sot është Dita Botërore e Përkthimit
Nga Albert Vataj
Ai, Robert Shvarc është një gorëthemel i urës së komunikimit me një botë shëmbëllimesh të epërme vlerash estetike, një realitet botëkuptimi krijues mjeshtrash që i qasej ëndjeve të këndimit shqip, të cilin e sjell në jetë dhe e mëkon me pasione e përkushtim si pakkush, spariherë duke ngadhënjyer si vullnesë lirie.
“Me përkthimet e mia, u kam treguar popujve fqinjë se gjuha shqipe është një nga më të vjetrat dhe më të pasurat. Nuk ka asgjë të papërkthyeshme në gjuhën shqipe, përderisa janë përkthyer vepra unike si “Iliada” e Homerit, “Komedia hyjnore” e Dante Aligerit etj. Gjej rastin t‘u bëj thirrje gazetarëve dhe gjithë të rinjve të ruajnë këtë gjuhë si identitet të kombit, për më tepër tani kur shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit rrezikojnë të harrojnë gjuhën e tyre”.
Këto rruaza kumtimesh shpirti i ka lënë të skalitura në memuarin e së tashmes, si shkas mëtimi, Robert Shvarc. Ngulmoj në këtë shtysë ndërmëndje dhe mirënjohje, sot në përvjetorin e lindjes së shqipëruesit, poetit dhe njeriut të përkorë Robert Shvarc.
Robert Shvarc
Ai erdhi në jetë më 10 dhjetor 1932 në Sarajevë, nga një baba hebre nga Austria dhe një nënë nga Elbasani. Do të dashuronte marrëzisht dhe ta lëvronte mjeshtërisht gjuhën shqipe, të cilën nisi ta mësonte në moshën 6-vjeçare. Shvarc jetësoi në shqip një kolanë të tërë veprash monumentale të letërsisë botërore, prej të cilave përmenden romanet e Remarkut, Gëtes, Fojtvangerit, Apicit, Travenit dhe Markezit. Robert Shvarc u nda nga jeta, më 25 prill 2003, pas një sëmundjeje të gjatë zemre duke lënë një boshllëk të madh në familjen e tij, poezi, përkthim por edhe në atë univers vlerash njerëzore.
Robert Shvarcit i është dhënë nga Presidenti i Republikës titulli “Mjeshtër i Madh”. Përkthyesi i njohur Robert Shvarc e mori këtë titull pak kohë pas marrjes së një tjetër vlerësimi, atë si ” Qytetarit të Nderit të Tiranës”, nderim që i detyrohej kryeqyteti këtij personaliteti të shquar dhe që ju akordua në kremtimin e 70-vjetorit të lindjes. “Robert Shvarc e ka shtyrë Shqipërinë drejt Evropës, sepse ia ka hequr provincializmat dhe anokronizmat, ndërsa e ka ndihmuar letërsinë shqipe të shprehet me shprehje dhe forma të reja”, është shprehyr Dritëro Agolli për shqipëruesin.
Albert Vataj
Emri i Robert Shvarcit prej vitesh është shndërruar në simbol të gjuhës gjermane në Shqipëri. Një domethënie për këtë ka qenë pikërisht viti 1995, kur përkthyesi i njohur u nderua nga ambasada gjermane në Tiranë me çmimin “Kryqi i meritave gjermane”. Duhet kujtuar këtu se Shvarci ishte i pari njeri i kulturës shqiptare, që arriti ta merrte këtë titull pikërisht në fushën e përkthimit. Gjithashtu ky titull është dhe i pari që presidenti gjerman i asaj kohe akordoi për një figurë të shquar të vendeve të Lindjes. Pas titullit që mori nga presidenti Alfred Moisiu dhe titujve të lartpërmendur, qëndrojnë një varg i gjatë librash të përkthyer nga gjuha gjermane në shqip dhe anasjelltas. Mjafton që të hapësh kopertonat e një serie të gjatë librash për të lexuar emrin e përkthyesit të tyre, Robert Shvarc.
Mes këtyre librave, që janë ndër më mjeshtërorët, vlen të përmenden: “Tre shokë”, “Harku i Triumfit” , “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”, “Shkëndija e jetës” apo “Obelisku i zi” nga Erih Maria Remark; “Çifutka e Toledos”, “Fransisko Goja” nga Lion Fojtvanger; “Zhozef Fushe” nga Stefan Cvajg dhe novela të Bertolt Brehtit, “Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj”, “Kënga e një nëne gjermane”, “Ditët e Komunës”, “Arturo Ui”, “Pushkët e nënës Karrar”, “Opera për tre grosh”, “Baali”; nga Heinrich Hajne: “Gjermania, përrallë dimri”; nga Gëte dhe Shileri: “Poezi dhe balada”. Ndërsa mes autorëve shqiptarë që ai ka përkthyer në gjuhën gjermane janë: Rexhep Qosja, Dritëro Agolli, Gaqo Bushaka,Ismail Kadare, Hydajet Beqiri etj.
“Gjithmonë bisedoj me Robertin si kam bërë kah mot, duke shfletuar letra tashmë të zverdhura që i kemi pasë shkruar njeri- tjetrit, poezi të tij të hedhura netëve pa gjumë të rinisë së tij të trazuar, fotografi të shumë viteve më parë. Nëpërmjet tyre më flet shoku im i adoleshencës, mbushur ëndrra të pafajme (ne kishim vetëm ëndrra, asgjë tjetër!- do të shkruante në vjershën “Vargje lamtumire për një shok rinie”), botuar në gazetën Drita, në maj 1991, miku i ngushtë në tërë hallet e gëzimet e mia, ai që më bënte të krenohesha që isha shok me të. Dhe ndërsa bëj kështu, e lë atë të flasë. Unë dëgjoj dhe kujtoj, ndërmend një tjetër personalitet i tekstshkrimit dhe shqipërimit, Amik Kasoruho, i cili çmon afrinë që Shvarc i dha atëherë kur gjithçka ishte e ndaluar, edhe t’i hapësh derën një miku që mbante në shtat vragët e burgut. Ai guxoi sepse besonte tek liria.
Ata që nuk përcëlluan krahët në këtë përpjekje, që i përngjet pak edhe guximit të fluturës që i vjen rreth flakës së qiriut, u ndrynë në një heshtje të imponuar dhe sfilitëse, e cila e shtynte Shvarcin të klithte “të rrosh e prapë të jesh i vdekur fare,- të ndjesh e ndjenjën ta varrosësh thellë”(vjersha “Unë”-1956).
Kjo ndjesi qenieje e mosqenieje, hovesh shpirti dhe ndryrje në vetvete ka diçka tragjikisht madhështore, një vlerë të madhe të njeriut që s’u thye, shkruan Kasoruho. Thellësisht njerëzor, i dashur dhe i gatshëm të flijojë për tjetrin, këtë dashuri për njeriun Shvarci e shpreh madhërisht në vargjet:- gjithmonë i kam dashur lotët- por në sytë e mij- të tjerëve ua kam fshirë!
Poeti tek Robert Shvarc u ndrydh, u mbajt përdhunshëm pas hekurave të ndalimit. Shpirt i lënduar por rebel, shkruante në Sonetet e rrëfimit (që janë thurur pikërisht natën kur mbushte njëzetë e shtatë vjeç). Më therin sot ndriçimet, pse si qorr – e zgjodha natën me iu msheh çdokujt! Shpirt rebel pra, i farkëtuar mes kontradiktash të therrta, ai nuk e shuajti kurrë dëshirën për atë që i mohohej atij dhe gjithë njerëzve që donin të ishin të lirë në kushte të një regjimi të egër. Gjithmonë në Sonetet e rrëfimit ai thërret me zë të lartë: “e pra, kam mall, -ta rrok edhe unë, o qoftë dhe për një çast – atë që s’m’erdh – atë që më përket!” Në një intervistë të dhënë Ilir Kekos dhe të botuar në gazetën “Koha Jonë” në korrik 1994 ai është shprehur: Nëse e kam braktisur poezinë time origjinale, kjo do të thotë vetëm se nuk kam dashur të bëhem shkrimtaruc i “realizmit socialist”, një skllav i bindur i censurës apo qoftë edhe i autocensurës”.
Robert Shvarc bënte pjesë në radhën e njerëzve të hyjshëm të bashkëkohjes tonë. Emrin e skaliti me punë e pasion, sepse vetëm kësisoj mund të rrokte këtë shtat një përmendore të lartë angazhimi dhe vetmohimi që ka atë pagëzim. E bënë më të shëlbyer jetën e këtij burri vlerash të veçanta, dlirësia, urtësia, thjeshtësia, jeta modeste dhe pa ankime.
Ndërsa përkujtojmë këtë mjeshtër më vijnë në ndërmendje një përvojë e mrekullueshme me një tjetër shqipërues, Gjon Shllaku, atë që bëri të flasë shqip kryeveprën e kryeveprave, Iliadën e Homerit dhe jo vetëm. Pakkush u kujtua për të, e shumëkush e ka të pamundur të bëjë pa vullnesën e tij kumtuese dhe një varg dishepujsh që t’themelt kishin atë që i ngjiti në përjetësi, punën.
Me keqardhje qasem me pranu se të këtillë burra, mjeshtra të dashurisë për gjuhën dhe letërsinë, një e nga një u shuan duke na lënë një bosh që po na përpin çdo ditë, e ne rrekemi më kot të shpëtojmë kësaj vorbulle duke u kapur fort pas kujtimeve të tyre. Gjithqysh, ajo që duhet të bëjmë është të mos e lëmë harresën të na i shkul këta bedena nga e drejta legjitime e krenarisë shqiptare.
Marrë nga Albertvataj.com