Dëshmitarët e krimeve të luftës në Bosnjë, të pambrojtur nga kërcënimet

Salahareviq ka dhënë dëshmi në gjyqe të krimeve të luftës


Një top i prerë dhe i shfryrë i basketbollit qëndroi para derës së shtëpisë së familjes të Nedim Salahareviqit në Vllasenicë, një fshat në Republikën Sërpska, entitetin me shumicë serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës (BeH).

Kur Salahareviq e vërejti atë kohët e fundit, ai e kuptoi menjëherë se ky nuk ishte veprim i zakonshëm, por kishte për qëllim ta frikësojë atë.

Salahareviq ka dhënë dëshmi në gjyqe të krimeve të luftës, përfshirë në një gjyq të tanishëm ku përfshihet kryetari i Komunës së Vllasenicës, e cila ishte vendndodhja e kampit famëkeq të ndalimit, Sushica, ku të burgosurit boshnjakë u vranë, përdhunuan dhe torturuan gjatë luftës së Bosnjës të viteve 1992-1995. Lufta, e cila ndodhi pas shpërbërjes së Jugosllavisë, vrau rreth 100 mijë njerëz.

Në mesin e atyre që humbën jetën atje ishin babai dhe vëllai i Salahareviqit, një lojtar i madh basketbolli, për të cilin Salahareviqi beson se ishte frymëzimi mizor pas kërcënimit me topin e basketbollit.

“Mendoj se ishte e planifikuar, sepse vëllai im ishte lojtar i basketbollit. Ishte mesazh i qartë se edhe unë do të përfundoja sikur ai top, do të thotë, sikur vëllai im”, tha Salahareviq për Radion Evropa e Lirë.

Gati tri dekada që nga përfundimi i luftës së Bosnjës, gjykimet për krime lufte kanë përfunduar vetëm së fundi në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, dhe ende po vazhdojnë në Bosnjë.

Dhe, meqë provat materiale janë shpesh të paarritshme, këto përndjekje penale, vendimtare për ta treguar të vërtetën historike – shpesh varen nga dëshmitë e dëshmitarëve, si ato të ofruara nga Salahareviq.

Por, rasti i Salahareviqit lë të kuptohet se të flasësh mund të jetë rrezik. Dëshmitarët në rastet e gjykimeve për krime lufte, jo vetëm në Bosnjë por edhe në vendet e tjera të Ballkanit, shpesh përballen me kërcënime, frikësim dhe veprime të dhunshme. Ata i akuzojnë autoritetet se po bëjnë pak për t’i mbrojtur ata.

Kampi i vdekjes Sushica

Rreth 2.800 boshnjakë u vranë në Vllasenicë gjatë luftës së Bosnjës. Nga maji deri në shtator 1992, më shumë se 8.000 njerëz u dërguan në kampin e ndalimit Sushica. Sipas të dhënave nga Komisioni Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, 1.617 prej tyre u vranë.

Në mesin e atyre që u vranë ishin babai i Salahareviqit, Muhamedi, dhe vëllai i tij, Edini, një lojtar i madh i OKK Sloboda Dita, ekipit profesional të basketbollit nga Tuzlla, në veri të Bosnjës, i cili e kishte përfaqësuar edhe Jugosllavinë me ekipet e të rinjve. Salahareviqi kujton sesi vëllai i tij, njëri nga talentet më të mëdha të asaj kohe në ish-Jugosllavi, nuk ishte kursyer edhe pse ishte vetëm 18 vjeç, më 1992.

Ai nuk ishte liruar nga Sushica, megjithëse Partizani dhe Ylli i Kuq, dy ekipe legjendare në Beograd, kishin ndërhyrë drejtpërdrejt duke e kërkuar lirimin e tij. Më 2009, mbetjet e Muhamedit dhe Edinit ishin identifikuar në varreza masive në atë zonë. Sot, Nedim Salahareviqi jeton në Tuzlla, qytetin e tretë më të madh në Bosnje, dhe rrallëherë e viziton vendlindjen e vet Vllasenicën.

Por, gjatë një vizite më 23 shtator atje, ai e gjeti një top basketbolli të prerë dhe të shfryrë para derës së shtëpisë së familjes. Në atë kohë, Salahareviqi nuk e raportoi atë në policinë vendore, i bindur se do të ishte e kotë.

Kryetari i Komunës në bankën e të pandehurit

Megjithëse dha dëshmi në gjyqe për krime lufte, Salahareviqi nuk e kërkoi statusin e dëshmitarit të mbrojtur, i cili, mes tjerash, do t’ia kishte mundësuar të dëshmonte me pseudonim dhe pa u paraqitur në sallën e gjyqit.

“Por, kjo nuk i liron autoritetet nga përgjegjësia për t’i mbrojtur ata të cilët testojnë me emër dhe mbiemër. Ne kemi mbetur pa mbrojtje. Kur të shkoj në Vllasenicë, mund t’i kërkoj policisë të më mbroj, por pastaj më kujtohet se kam dëshmuar kundër shefit [të policisë vendore] dhe pyes veten se kujt t’i drejtohem”, tha Salahareviqi.

Katër ish-oficerë të Policisë së Vllasenicës janë duke u gjykuar në Gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës, gjykatën kryesore në këtë vend, për krimet që dyshohet se u kryen në Vllasenicë në vitet 1992 dhe 1993, si dhe për përndjekjen e banorëve vendorë boshnjakë, kryesisht myslimanë. Njëri nga ta është edhe Mirosllav Kraljeviq, i cili është kryetar i Vllasenicës dhe anëtar i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur, partisë politike të Millorad Dodikut, presidentit të Republikës Sërpska. Kraljeviq dhe tre të tjerët akuzohen se burgosën, torturuan dhe abuzuan dhjetëra njerëz në Vllasenicë në vitet 1992 dhe 1993. Në aktakuzë, ata ngarkohen edhe për vrasjen dhe zhdukjen e së paku 22 njerëzve.

Kraljeviq nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment. Kjo nuk është hera e parë që kampet e ndalimit, Vllasenica dhe Sushica, janë në vëmendjen e krimeve të luftës. Më 2003, Dragan Nikoliq, ish-komandant i kampit, u dënua me 20 vjet burgim nga Tribunali i Hagës. Nikoliqi personalisht i vrau nëntë njerëz dhe i torturoi dhe rrahu të burgosurit e tjerë. Nën urdhrat e tij, gratë e të gjitha moshave u përdhunuan apo sulmuan seksualisht.

Më 2011, Predrag Bastah dhe Goran Viskoviq u dënuan nga një gjykatë boshnjake me 22 dhe 18 vjet, përkatësisht, për “pjesëmarrje në sulme të mëdha dhe sistematike kundër popullatës jo serbe” në Vllasenicë.

Më 2021, Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës e shpalli Rade Gariqin, ish-ushtarin dhe policin serb të Bosnjës, fajtor për krime në Vllasenicë më 1992 dhe në vitin 1995 në Srebrenicë, ku ushtarët serbë të Bosnjës dhe policia i vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem. Dënimi i Gariqit më vonë u ul në 17 vjet.

Mbrojtje e papërshtatshme

Bosnja ka ndërmarrë hapa, ligjore të paktën, për t’i mbrojtur dëshmitarët e rasteve të krimeve të luftës. Më 2008, Këshilli i Ministrave i Bosnjës dhe Hercegovinës e miratoi Strategjinë Kombëtare për Rastet e Krimeve të Luftës, e cila, mes tjerash, parasheh mbrojtjen dhe mbështetjen e viktimave dhe dëshmitarëve në procedura para të gjitha gjykatave.

Një departament i veçantë për mbrojtjen e dëshmitarëve operon brenda Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje të Bosnjës (SIPA). Sipas të dhënave në uebsajtin e saj, departamenti për mbrojtjen e dëshmitarëve i SIPA-s ka ofruar mbrojtje për më shumë se 1.000 dëshmitarë të cilët kanë dëshmuar në Gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe në gjykatat e tjera të vendit nga viti 2004 deri më sot.

Megjithatë, edhe pse paraqitja e viktimave dhe dëshmitarëve në procedurat e gjykatës është vendimtare, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka paralajmëruar në vitet e fundit se Bosnja nuk ka ndërmarrë masa të përshtatshme për t’i mbrojtur dëshmitarët. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës nuk i janë përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.

Sanel Neziriq, avokat nga Sarajeva, tha për Radion Evropa e Lirë se megjithëse ofrohen siguri ligjore, ato nuk funksionojnë në praktikë.

“Është e qartë se njerëzit të cilët kanë familje nuk do të dëshmojnë kundër atyre që edhe sot janë në pushtet”, tha ai, duke shtuar se dëshmitarët që refuzojnë të dëshmojnë përballen me gjoba deri në 15.000 euro.

Bakira Haseçiq, presidentja e Shoqatës së Grave Viktima të Luftës, një organizatë joqeveritare që ka dokumentuar rastet e përdhunimit nga lufta e Bosnjës, ka dëshmuar disa herë në gjyqet e krimeve të luftës para Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës. Ajo tha për Radion Evropa e Lirë se shpesh është përballur me frikësim kur ka dëshmuar, duke shtuar se masat mbrojtëse nuk kanë kryer punë.

“Gjykata ka nevojë për neve kur ne jemi në sallën e gjyqit. Por pastaj, askujt nuk i bën për ne”, tha ajo.

Murat Tahiroviq, presidenti i Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit – një OJQ boshnjake e cila i ndihmon viktimat e krimeve të luftës dhe familjet e tyre – tha se dëshmitarët shpesh frikësohet për jetën e tyre, posaçërisht kur jetojnë afër të akuzuarve për krime lufte.

“Të akuzuarit janë kryesisht njerëz të cilët kanë pozita të larta në politikë apo në përgjithësi individë të profilit të lartë. Ata kanë lidhje dhe resurse dhe mund t’u shkaktojnë telashe dëshmitarëve”, tha ai.

Pas përfundimeve të gjyqeve për krime lufte, ata të cilët japin dëshmi kundër të akuzuarve, shpesh mbesin të traumatizuar, sipas tij.

“Këta njerëz janë heronj. Ne po përpiqemi të theksojmë para autoriteteve se sa të rëndësishëm janë ata”, shtoi ai. /REL

Lexo më shumë nga

Rama: Përditësimi i Fjalorit të madh të shqipes, në konsultim shumë të gjerë publik

Kryeministri Edi Rama njoftoi prezantimin publikisht të draftit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, gjatë fjalës sot në Kuvendin…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Rama: Përditësimi i Fjalorit të madh të shqipes, në konsultim shumë të gjerë publik

Kryeministri Edi Rama njoftoi prezantimin publikisht të draftit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, gjatë fjalës sot në Kuvendin…