Historia tronditëse e përkthyesit të ambasadës së SHBA-ve në Tiranë

Loni Adami ishte një nga studentët më të mirë të Shkollës Teknike Amerikane


Loni Adami, një ndër punonjësit shqiptarë të Ambasadës Amerikane në Shqipëri, në vitet 1929-1939, u arrestua si agjent i anglo-amerikanëve kur komunistët morën pushtetin. Një intervistë e disa viteve më parë e të birit, Viktor Adamit, tregon gjendjen e rëndë në të cilën kishte përfunduar prej torturave, ish-nxënësi i shkëlqyer i “Harry Fultz”-it, njohësi i disa gjuhëve të huaja, Loni Adami, në trupin e të cilit kishte gjymtyrë të thyera dhe plagë të hapura. Një kujtim i dhimbshëm i ngulitur përjetësisht në mendjen e Viktorit, atë kohë 5-vjeç, që e pa të atin një ditë qershori të vitit 1947, ditën para përjetësisë.

Trak. Trak. Trak…! Më 9 qershor 1947, në burgun e Tiranës, mes zhurmimeve nga më të ndryshmet, ishin shkruar në memorie të kohës edhe trokitjet e ndrojtura të këpucëve të një djali pesëvjeçar, që i frikësuar për vdekje, mbështetej e ngjishej pas trupit të së ëmës. Dikur, në brendësi, njëra pas tjetrës ishin hapur dy dyer të rënda dhe më pas, kur sytë u ishin mësuar me errësirën, ata kishin dalluar në qoshe siluetën e palëvizshme të një njeriu, që nuk jepte shenja jete. E ëma ishte afruar duke i folur tjetrit në emër.

Vetëm atëherë djali pesë vjeçar, kishte kuptuar se figura e njeriut të shtrirë në rrëzë të murit, duhet të ishte i ati. Por tjetrit i ishte dashur shumë kohë të reagonte, të arrinte të nxirrte disa fjalë nga goja. Saktësisht, kishte shtrydhur me përdhunë nga fyti ca tinguj të ngjirur, si të një njeriu me gjuhë të prerë, që në tërësinë e tyre, kishin arritur të formulonin vetëm një frazë me kuptim, një amanet: “Kujdesu për fëmijët”! Pastaj djali 5 vjeçar, kishte parë me tmerr, se si dora e së ëmës, ishte mbushur me krimba në momentin kur kishte prekur shpatullën e të shoqit. Kështu fëmija, e kishte humbur vetëdijen. Kishte nisur të ngashërehej aq fort sa pak kohë më pas, me të mbërritur në shtëpi, e ëma kishte konstatuar me tmerr një rritje të shpejtë të temperaturës.

Njeriu që rrëfen këtë pjesës të historisë së jetës së tij, më të frikshmen e të frikshmeve, quhet Viktor Adami dhe është djali i Loni Adamit, ish-sekretarit të ambasadës amerikane në Tiranë, në vitet 1929-1939, që disa vite më parë, u nderua me anë të një memoriali, nga ambasadori, Xhon Uithers. Për fat të mire, Viktori nuk vdiq nga temperatura që e kishte mbajtur të lidhur për pesë ditë në shtrat, nuk vdiq edhe 24 orë më pas, kur nga dritarja, vëzhgoi një ushtarak me motor, që ndaloi para portës së shtëpisë së tyre, duke i dhënë me zë të lartë, së ëmës, Andromaqit, lajmin e vdekjes së të shoqit. Ai jetoi për të parë rrëzimin me rrapëllimë të diktaturës dhe diktatorëve shqiptarë, jetoi për të parë respektimin e nënës dhe nderimin e të atit.

Sekretari i Ambasadës SHBA në Tiranë dhe fashizmi

“Im atë, Loni Adami, me origjinë nga Progri i Korçës, ishte një nga studentët më të mirë të Shkollës Teknike Amerikane, këtu në Tiranë, që sot njihet si shkolla ‘Harry Fultz’. Në vitin 1929, menjëherë pasi kishte mbaruar shkollën, ai i’u rekomandua nga Harry Fultz, ambasadorit amerikan, Çarls Hart, si nxënësi më i mirë dhe njohës i disa gjuhëve të tjera të huaja, veç anglishtes”, nis rrëfimin e tij për të atin, Viktor Adami. Pas këtij rekomandimi, Loni Adami kishte shërbyer në këtë ambasadë për 10 vjet me radhë, deri në mbyllje, në rolin e sekretarit. Pra, kishte momente, kur në mungesë të ambasadorit dhe konsullit, ai mbetej autoriteti më i lartë.

Ndërkohë, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishte punuar për një kohë si emigrant, ishte kthyer edhe Kol Kuqali, kunati i Loni Adamit, apo burri i së motrës. Viktori, nuk di të sqarojë rrethanat, por edhe Kol Kuqali, (i cili u nderua në të njëjtën mënyrë nga ambasadori amerikan, Xhon Uithers), kishte gjetur punë në të njëjtën ambasadë, si përkthyes, në vitin 1929. Me pushtimin e Shqipërisë, ambasada amerikane kishte mbyllur dyert dhe Loni Adami e Kol Kuqali, ishin detyruar të gjenin punë të tjera. I pari, Loni Adami, kishte hapur një shtypshkronjë të vogël, ndërsa Kol Kuqali, bashkë Jovan Adamin, vëllanë e Lonit, kishin marrë me koncesion, minierën e qymyrgurit në Krrabë të Tiranës.

“Babai u lidh shpejt me Lëvizjen Antifashiste dhe rrjedhimisht me komunistët. Njihet se në shtypshkronjën e tij, u shtyp numri i parë i ‘Zërit të Popullit’, por edhe një numër pambarim materialesh të tjera propagandistike. Babai, na ka rrëfyer një detaj, kur në shtypshkronjë kishin hyrë dy ushtarë gjermanë. “Me të parë dy ushtarët, punëtori, Kristo Trajani, që ishte vetëm 16 vjeç, kishte ndalur punën, e ishte zbardhur në fytyrë, pasi ishte duke shtypur trakte komuniste. Por në këtë kohë aty ishte shfaqur babai, që kishte nisur të komunikonte në gjermanisht. Ushtarët të habitur nga gjuha e mëmës së tyre, kishin pyetur me mirësjellje, se çfarë ishin duke shtypur dhe babai krejt i qetë, u kishte thënë se bëhej fjalë për një shpallje të Ministrisë së Punëve Botore.

Më tej ai u kishte shpjeguar gjermanëve se shtypshkronja ishte fare e vogël dhe se si e tillë, nuk mund të bënte më shumë se blloqe e fletë, pra nuk mund të bënte gazeta. Këtë mënyrë të arsyetuari, e kishte bërë sepse gjermanët ndërkohë, po kërkonin të gjenin vend shtypjen e gazetës ‘Zëri i Popullit’ që e mendonin të realizuar në një shtypshkronjë më moderne. Ah, këtë e ka rrëfyer edhe artistja Violeta Manushi, që punonte në shtypshkronjën e babait”, rrëfen Viktori, historinë e të atit me komunistët. Një histori që do të trashej edhe më shumë, kur në Shqipëri do të zbarkonin misionet anglo-amerikane.

Sipas Viktorit, i ati Loni, ishte angazhuar shpejt me anglo-amerikanët. Kjo për shkak se vetë Harry Fultz, në këtë kohë ishte i vendosur në Kajro të Egjiptit, ku anglo-amerikanët kishin shtabin e luftës, që ishte përgjegjës edhe për misionet në Shqipëri. “Pra ishte Harry Fultz, ai që u rekomandonte misionarëve pikërisht tim atë, si njeri të besës dhe si njeri me mundësi kontakti. Kështu që të gjithë anëtarët e misioneve ushtarake anglo-amerikane, me të mbërritur në Shqipëri, orientoheshin nga im atë”, rrëfen Viktori.

Në janar 1945, në Shqipëri kishte mbërritur në krye të një misioni, vetë Harry Fultz. Ai e kishte thirrur Loni Adamin, në ndërtesat e ish-ambasadës Amerikane. Misioni kishte për detyrë, të testonte situatën në Shqipëri dhe të vendoste kontakte kryesisht me intelektualët. “Në këtë kohë Kol Kuqali, kunati i babait, ishte zgjedhur deputet nga populli. Shtëpia e tij por edhe zona e Krrabës, ku kishte minierën, kishin qenë qendra të rezistencës antifashiste. Në librin e tij ‘Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re”, Enver Hoxha shkruan: ‘U takova në shtëpinë e Kol Kuqalit, me Kol Tromarën…”!

Më tej, sipas shpjegimeve të Viktor Adamit, delegacioni i Partisë Komuniste që shkoi në Mukje, kishte qëndruar për tri ditë me radhë në shtëpinë e babait të tij. Bëhej fjalë për personalitete, të larta, si: Ymer Dishnica, Abaz Kupi, Gogo Nushi, Nako Spiru, Omer Nishani, e të tjerë. Pra në shtëpitë e Loni Adamit dhe në atë të kunatit të tij, Kol Kuqali, ishin bërë shumë biseda, për më tepër në këto biseda, kishin marrë pjesë me shumicë edhe anglo-amerikanët. Pikërisht këto, por edhe tendencën e të dyve në përkrahjen e një sistemi politik demokratik, me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike, Enver Hoxha nuk i pëlqeu.

“Kështu, dikur babait i shtetëzojnë shtypshkronjën dhe fshehtazi, bëhet gati arrestimi. Kol Kuqali, ndërkohë e sinjalizon që të largohet në fshat, në Korçë, duke i thënë se situata është e turbullt”, rrëfen i biri i Loni Adamit. Por komunistët e arrijnë Loni Adamin edhe në Korçë. E arrestojnë në 10 tetor 1946, madje e akuzojnë për tentativë arratisjeje.

“Unë isha fare i vogël, vetëm 5 vjeç, kur nëna na mori bashkë më vëllanë, pak më të madh, për të shkuar në burg, te babai. Ai na mungonte prej më shumë se 8 muajsh. Më vonë kam mësuar, se si kishte arritur nëna të futej në burg. Babanë e kishin respektuar një numër i madh komunistësh, në dyert e të cilëve, nëna kishte trokitur. Por pa mundur të ndryshonte asgjë, në fatin e tij. Një fat i vendosur diku lart, nga një njeri, vendimet e të cilit, mund t’i kthente mbrapsht vetëm ndonjë forcë shumë madhore”, tregon Viktori, duke e shoqëruar këtë me tundje mohuese të kokës.

Loni Adamin, e kishin torturuar fillimisht për tre muaj në Korçë. Sipas të birit, Viktorit, të atin e akuzonin si agjent të amerikanëve, i rekrutuar në Shkollën Teknike dhe i kërkonin që të firmoste, që; misioni amerikan, i cili erdhi në Shqipëri në vitet 1945-1946, erdhi me qëllim për të përmbysur pushtetin popullor. “Por babai, si idealist që ishte, nuk mund të dilte jashtë bindjeve të veta. Nuk firmoste edhe pse torturat ishin bërë më të rënda, pasi e kishin sjellë në Tiranë. Më kanë thënë se e kanë rrahur, sa i ka rënë mishi copë, se i kanë thyer shpatullën dhe njërën këmbë, se e kanë varur në tavan dhe i kanë futur trupin në ujë të ftohtë, deri në fyt, se e kanë shpuar me shufra hekuri të skuqur.

Neve na kanë lejuar ta takojmë vetëm një ditë para se të jepte shpirt në qeli. Na mori mamaja me vete, mua dhe vëllanë, që ishte një vit më i madh në moshë. Kujtoj se u hapën dy palë dyer. Dhoma ku ishte babai ishte e errët, pa dritare. Mamaja iu afrua dhe u mundua ta lëvizte. Aty vuri re se atij i kishin thyer shpatullën dhe njërën këmbë dhe se këto i ishin mbushur me krimba. Unë dola duke qarë me të madhe, me të bërtitura…”, rrëfen Viktori, mbase ngjarjen më të tmerrshme të jetës së tij.

Për habi, po atë ditë që Loni Adami kishte dhënë shpirt, në një tjetër qeli, ishte vetëvarur edhe Kol Kuqali, që kishte vetëm 10 ditë i arrestuar. Ai ishte babai i dy djemve, dëshmorë të Luftës Antifashiste, njëri i vdekur në kampin e shfarosës të Mathausenit në Gjermani, tjetri në kampin e Prishtinës. Pas çlirimit, Kol Kuqali kishte përmbushur edhe funksionin e zv/drejtori të Bankës Shqiptare, por ishte përplasur me Enver Hoxhën, pasi kishte qenë kundër barazimit të lekun me dinarin jugosllav, një veprim që në vitin 1946, i konvertoi shqiptarët, nga të pasur, në të varfër, për vetëm disa muaj kohë.

Gjithsesi pas arrestimit, Kol Kuqali, kunati i Loni Adamit, deputeti i zgjedhur nga populli, nuk u kishte dhënë më shumë kohë kënaqësie komunistëve, ta torturonin. Nëpër dokumentet që komunistët kanë lënë pas, thuhet se; Kol Kuqali, Loni Adami, gazetari Sabri Dajlani dhe Drita Kosturi, e fejuara e Qemal Stafës, akuzoheshin si agjentë të imperializmit amerikan. Trupat e Kol Kuqalit dhe Loni Adamit, sipas disa rrëfimeve të dëshmitarëve okularë, janë futur në varr masiv, në vendin e quajtur Bregu i Lumit në Tiranë dhe familjarët edhe sot e kësaj dite, nuk kanë mundur t’i gjejnë. Madje kanë humbur edhe shpresat, pas kërkimeve të shumta.

Komunizmi e godet ashpër familjen e Loni Adamit, pas vdekjes së tij në burg. Internim në kënetën e Durrësit dhe moslejim i zonjës së shtëpisë, të ushtronte profesionin e mësimdhënies. Gjithsesi, falë ndërhyrjeve të ndryshme, Andromaqi Adami, arrin të gjejë veten në profesionin e dashur të saj, pas vitit 1956, që kishte ngjarje kulmuese Konferencën e Tiranës. Pjesa tjetër e viteve, deri më 1991, mund të përmblidhet me një frazë, për familjen Adami: Luftë për mbijetesë.

Në të njëjtin vit, pra në 1991-in, pa i treguar asgjë së ëmës, Viktor Adami, me të mësuar se në Hotel “Dajti” në Tiranë kishte mbërritur ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Rajerson, niset fshehurazi ta takojë. Dhe ia arrin. Ia arrin ta ulë në kafe dhe t’i rrëfejë me një anglishte të qëruar, si bir i denjë i Loni Adamit, historinë e familjes së tij. Që pas këtij takimi, që e lë të shokuar, ambasadori amerikan, një antikomunist i njohur, viziton dhe ndihet si në shtëpinë e vet në banesën modeste të Adamëve në Tiranë.

Përmes bisedave të shumta, Andromaqi, gruaja e Loni Adamit dhe nëna e Viktorit, i rrëfen një sekret ambasadorit Rajerson. I rrëfen sesi në vitin 1939, në kohën kur trupat italiane po hynin në Tiranë, kishte marrë dhe kishte fshehur në bodrumin e ambasadës, stemën e saj. “Shkojnë në dy në ambasadë, kërkojnë në një depo dhe e gjejnë po atje, ku nëna thoshte se e kishte fshehur. Ambasadori amerikan, nuk i mbajti dot lotët”, rrëfen Viktori. Por ka edhe një tjetër pjesë. Një tjetër histori të ndodhur në korrik 1991, në përvjetorin e festës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ambasadori Rajerson dha një pritje në Hotel “Dajti”. Na ftoi edhe ne, mua me nënën, sigurisht. Në mes të sallës ishin katër kolltuk të vendosur përballë njëri-tjetrit. Erdhi Presidenti Ramiz Alia, me ministrin e Jashtëm, Muhamet Kapllani dhe u ulën. Një vend mbeti bosh. Në këtë kohë, ambasadori Rajerson u ngrit dhe ftoi nënën time: Zonja Andromaqi, ejani këtu. Dhe i drejtohet Ramizit: Kjo zonjë është përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Ramizi habitet dhe pyet se cila është. Nëna ia kthen: ‘Nuk më njeh ti mua se kush jam?! Ishe kalama kur vije në shtëpinë time dhe takoje Omer Nishanin, Nako Spirun, Ymer Dishnicën…”! rrëfen Viktori, momentin kur nëna e tij, është ndier më krenare se kurrë, që ishte gruaja e Loni Adamit, ish-sekretarit të Ambasadës Amerikane në Shqipëri, në vitet 1929-1939./Panorama

Lexo më shumë nga

Shqipëria në SEPA, Sejko: Kostoja e pagesave 5 herë më e ulët, 20 mln euro kursim vitin e parë

Bordi i Këshillit Evropian të Pagesave miratoi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Tregun Unik të Pagesave në Euro, (SEPA)…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Shqipëria në SEPA, Sejko: Kostoja e pagesave 5 herë më e ulët, 20 mln euro kursim vitin e parë

Bordi i Këshillit Evropian të Pagesave miratoi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Tregun Unik të Pagesave në Euro, (SEPA)…