Rama në “Global Gateway Forum 2023”: Më të fortë së bashku përmes investimeve të qëndrueshme
Forumi po zhvillohet në Bruksel, marin pjesë liderë të tjerë nga e gjithë bota
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në “Global Gateway Forum 2023”, i cili po zhvillohet në Bruksel, së bashku me liderë të tjerë nga e gjithë bota, në një debat të zgjeruar mbi çështjet në lidhje me investimet globale në infrastrukturë, duke përfshirë sfidat me të cilat përballet sektori publik dhe privat, praktikat më të mira dhe mësimet e nxjerra.
Strategjia Global Gateway e BE-së lidh vendet dhe rajonet anembanë botës, duke inkurajuar investimet publike dhe private në një rrjet global të transportit dhe zinxhirëve të furnizimit, energjinë e gjelbër, telekomunikacionet moderne, arsimin dhe kërkimin, me theks në zhvillimin e qëndrueshëm dhe në vlerat evropiane, si qeverisja e mirë, transparenca dhe partneriteti i barabartë.
Në ditën e parë të këtij forumi, Kryeministri Rama u adresua me një fjalë, ku theksoi se “Ballkani Perëndimor rrethohet nga kufijtë e BE-së, por ne nuk jemi BE, jemi vetëm E, pa B”.
“Na është dashur të bashkëjetojmë me këtë, me një lloj ndjenje izolimi, jo në kuptimin e tmerrshëm me të cilin ky term shfaqet në kujtesë, por në një mënyrë të tillë që jemi ndjerë gjithmonë sikur ishim të dënuar të ishim qytetarë të dorës së dytë të këtij kontinenti dhe kjo ka ndryshuar dhe po ndryshon dita-ditës”, u shpreh ai.
Duke folur për planin e ri të rritjes së KE-së për Ballkanin Perëndimor, Rama tha se “kjo është vërtetë muzikë për veshët tanë”.
“Po, reformat janë të nevojshme. Po, demokratizimi i mëtejshëm është i nevojshëm. Po, rreshtimi me vlerat e parimet e Bashkimit Europian është thelbësor, por siç dikur Angela Merkel thoshte: “Autostradat nuk funksionojnë siç duhet pa demokraci, por demokracia pa autostrada nuk mund të funksionojë si duhet”. Kësisoj, infrastruktura është e nevojshme.
Ashtu siç presidenti Macky Sall përmendi para meje dhe Europa, forca e saj qëndron në fuqinë për të transformuar politikisht dhe ekonomikisht veten, fqinjët e saj dhe do të shtoja dhe miqtë e saj”, theksoi ai.
Rama theksoi se kjo hapje që po shohim falë kësaj marrëdhënieje gjithmonë e më të ngushtë me Bashkimin Europian, është thelbësore jo vetëm për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, por dhe për vetë Bashkimin Europian.
“Europa, dhe meqë ra fjala Bashkimi Europian, ne jo ende, është një krijesë mjaft e vështirë për tu marrë, duhet të kesh nerva mjaft të forta, duhet të jesh mjaft i përgatitur për të mos ta lënë të të zërë depresioni para se të të zërë BE-ja. Ndërkohë, është dashuri e ashpër. Është një rrugë që duhet ta përshkosh e ku merr mësime dhe ku për shkak të zhgënjimit, ndonjëherë mendon se ka rrugë të lehta në drejtime të tjera, por më duhet të them që në asnjë drejtim tjetër nuk do të gjesh një mik e një aleat që është i fortë e që kurrë, asnjëherë nuk do të të sulmojë. E që kurrë, asnjëherë nuk do sulmojë askënd e që gjithmonë do të përpiqet të ndihmojë gjithkënd e ky është Bashkimi Europian”, theksoi ai.
Kryeministri shprehu bindjen se “nuk ka asgjë që ia vlen më shumë sesa t’i afrohesh gjithmonë e më pranë Bashkimit Europian”.
“Për ne shqiptarët, që kemi përjetuar një histori, e cila na ka detyruar të bëjmë një sërë martesash të padëshiruara, na besoni, kjo mund të jetë martesa më e vështirë për tu bërë, por e vetmja martesë që ia vlen të kërkohet. Po ju them dhe nga përvoja ime personale. Unë kam pasur disa dështime në martesë, por pasi gjeta atë të duhurën dhe duke qenë i lumtur me të, unë besoj gjithmonë që kjo do të ndodhë edhe me Shqipërinë e të tjerët kur më së fundi të martohen me Bashkimin Europian”, shtoi ai.
Kryeministri theksoi se ne rrethohemi nga kufijtë e BE-së dhe fqinjët tanë që janë në BE marrin 4517 euro për frymë nga vetë Bashkimi Europian.
“Ajo çfarë marrim ne në E-në, pa B-në është vetëm 138 euro për frymë. Është një hendek shumë i madh që ne e mbushim me dashuri, që e mbushim me shpresë, që e mbushim me ambicie, që e mbushim me ide shumë të qartë që nuk ka asgjë më të mirë që mund të lëmë pas për fëmijët tanë, por shpresoj fort që ajo çfarë Presidentja e Komisionit dhe ky Komision po punojnë fort për të bërë, do t’ia dalin me sukses, sepse në fund të fundit, fëmijët tanë nuk duhet të trashëgojnë vetëm testamentin e dashurisë, por edhe provën që kjo martesë është e vetmja që ia vlen të kesh”, tha ai.
Marrë nga ATSH