“Abel”, mesazhi i fuqishëm i sakrificës sublime!
REPORTAZH nga ekspozita “Abel”, e “Mjeshtrit të Madh”, Gazmend Leka, të hapur nga 10 tetori në Galerinë FAB.
Nga Dash Frashëri
“ABEL”
Kështu e ka titulluar “Mjeshtri i Madh”, Gazmend Leka, ekspozitën e tij personale — ndoshta të 150-të — të hapur nga 10 tetori në Galerinë FAB.
Piktori Gazmend Leka dhe botuesi i Tirana Diplomat, Dash Frashëri
Ekspozita “Abel”, i dedikohet konfliktit më të fundit në Shqipërinë e epërme, në Kosovë, i atij konflikti që u zhvillua në oborrin e shtëpisë tonë. “Abel” ofrohet si kronikë e një morti të asaj pjese të shqiptarisë, të cilës iu desh të paguante një çmim shumë të shtrenjtë lirie.
Një ekspozitë me një tematikë të fuqishme, e kuruar me shumë përkushtim nga studiuesi i artit, Ermir Hoxha, njëherësh edhe drejtuesi i Galerisë së Fakultetit të Arteve të Bukura.
Ermir Hoxha, kurator i ekspozitës “Abel”
Ekspozita “Abel” i një piktori elitar si Gazmend Leka, me gati 40 vite në krijimtari të pasur artistike, ishte dhe një nga kulmet e këtij viti në një prej galerive më prestigjioze të kryeqytetit.
Edhe unë si drejtues i “Art” në gazetën online “Tirana Diplomat”, ashtu si shumë dashamirës të artit, e vizitova këtë ekspozitë të mrekullueshme, por me një tematikë ku fataliteti i gjysmës së kombit tonë flet përmes imazheve rrëqethëse.
Ceremonia e hapjes mblodhi rreth 300 artistë e dashamirës, midis tyre edhe ambasadori e Kosovës në Shqipëri, Skënder Dyrmishi dhe ambasadorin e ri të Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, duke parë ekspozitën
Një ekspozitë që u vizitua edhe nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ceremoni mortore varrimi, kufoma kosovarësh të vrarë, trupa të përcudnuar, janë në fokus të piktorit Leka, i njohur ndërkombëtarisht për ciklet e tij epike.
“Në qendër të saj, në sallën qendrore, lartohet pikërisht mëkati. Aty Kaini është ngritur vërtik në ajër. E aty qëndron. Me forcë maksimale sfidon ligjet e gravitetit, ndërsa në duar shtrëngon hanxharin shkëlqyes. E kur të godasë – sepse do godasë me patjetër – do derdhë sërish gjakun e pafajshëm. E ai fillimisht do të jetë i kuq, më pas në errësirë do shfaqet thjesht si një pellg i zi.
Nën të, në kontrast të fortë, është ai, Abeli, metamorfoza e të cilit propozohet si qengji i bardhë i sakrificës. I pafuqishëm, ai është thukur nënvete si një siluetë fëshfëritëse.
E vendosur si tabloja qendrore e ekspozitës, ajo është thjesht përkufizimi i asaj alegorie të hershme. Ajo është fraza finale, aq sa dhe fraza fillestare. Ajo është sinteza e së gjithës. Ajo është qendërzimi i mijëra krimeve pa emër, aty në tehun shkëlqyes që vezullon në errësirë”, , thotë kuratori Hoxha. autor i librit studimor “Historia e Artit në Shqipëri”.
Gazmend Leka, ky rrëfimtar i kthjellët, në dekadën e fundit na ka servirur shumë cikle pikturash dhe pa fund imazhe tronditëse e pështjelluese.
“Në katër dekada krijimtari të vrullshme, mund të konstatojmë lehtë, që pakkush si Gazmend Leka ka shkuar kaq larg në udhëtimin drejt dhomave më të errëta të Qenies! Si pakkush, ai ka jetuar atje me kaq vullnet e qëndrueshmëri! Si pakkush, është zhytur kaq thellë në makthet e racës njerëzore, në tentativë për të rrëfyer natyrën e saj!”, thotë kuratori Ermir Hoxha.
Vizitorët janë të përditshëm. Dikush edhe fotografon veprat e Lekës.
Aty janë dy triptikët. Monumentale, ato janë prezantimi makabër i mineralit standard që prodhon lufta! Aty projektohet një imazh i tmerrshëm, por shkëlqyes! Aty lartojnë viktimat, si ajo shkallarja lëvizëse, që të tërheq drejt orëve më të errëta. Është imazhi besnik i ferrit të shpirtit njerëzor, aty ku makthet bëhen realitete dhe trupat grishen mes qefinëve të vdekjes!!!
Tablotë e tjera, ofrojnë po ato trupa të shpërfytyruar, shpërndarë ashtu, kuturu. Herë duken si arkitekturë, të mbuluara nga koha, herë si kodrina ku lartohen kafka e gjymtyrë. Herë të tjera, në paradoksin e vet, duken si lule, si lule-kufoma!
Mediat e percollën gjerësisht.
Një ekspozitë e bukur me mesazhe të fuqishme!
______________________________
Tiranë, më 29 tetor 2023