Lamtumirë Bedri Alimehmeti!
“Humba një mik të çmuar, një shok, një vëlla”
Nga Bujar Qesja, “Mjeshtër i Madh”
Lajmi më erdhi plumb i rëndë, në këtë ditë të 31 tetorit, ku koha është tamam në ngjyrën e plumbit. Nuk e dija që ishe i sëmurë, e fuqitë po të linin. Por edhe sikur ta dija, s’do ta besoja se frymëmarrja do të ndërpritej, e jeta do të shuhej si qiri me flakë të dridhura. Lajmi vrapoj shpejt, e m’u përplas m’u në këtë zemrën time, ku ti Bedri Alimehmeti kishe vëndin tënd.
Kur vije në Durrës, nuk mund të ecje më tutje, pa ardhur në konakun tim.
-Er mor Jar, mirë ke qenë! Vdes për këtë Durrësin tend! Ne tironasit të gjithë vdesim për këtë Durrës! Por edhe durrsakët i duam shumë.
Dhe më tregove vjershën për Durrësin, këtë krijim të rrallë, të bukur që e lexoj vazhdimisht. Sa mall, sa sentiment, sa dashuri, sa forcë shprehëse. Kështu është krijimtaria yte, që do të jetë kujtimi më i veçantë që na ke lënë.
Durrësi im
Deti të dhuroi gërmën e parë.
Unë me gjithë shpirt të dytën.
Retë e bardha ta falën të tretën.
Rërës enkas valët e Adriatikut ia morën të katërtën.
Është e pamundur të mos mendojmë për ty.
S’mund të ndodhë ndryshe.
I shtrenjti Durrësi im.
Ishe për mua një shok, një mik, një vëlla. Ishe dhe mbete një zotni, një tironas i pakonkuruar. Isha me fat, që lidhëm së bashku një miqësi prej disa dekadash dhe kam parë tek ty njeriun për së mbari, burrin e vërtetë, gazetarin pasionant, shkrimtarin e palodhur, aktivistin e përbetuar për Shoqatën “Tirona”.
Ndihmesa jote, në shërbim të qytetarisë tironase është e përkryer. Mbete trashigimtari më tipik i fisit të famshëm dhe den baba den tironas i Alimehmetëve. Në shoqërinë tënde, u ndjeva si në qiellin e shtatë. Dhe kam edhe një arsyje tjetër të të desha. Të pata nga miqtë e ngushtë të qytetit tim.
“Durrësi im “! Mbetet himn për qytetin tim. Nga vargjet më të prekshme dhe më të ndjeshme kushtuar vendlindjes time. Si një durrsak i hershëm, e quaj të jashtëzakonshme, pasi aty derdhet me shumicë majlti i zemrës dhe shpirtit tënd, për një qytet që mbetet emblema ëndërruese e jotja dhe e mijra e mijra tironasve të vjetër.
Durrësi im
Deti të dhuroi gërmën e parë.
Unë me gjithë shpirt të dytën.
Retë e bardha ta falën të tretën.
Rërës enkas valët e Adriatikut ia morën të katërtën.
Është e pamundur të mos mendojmë për ty.
S’mund të ndodhë ndryshe.
I shtrenjti Durrësi im.
Ti shkruajte shumë, shumë. Tirona mbeti deviza jote e përjetshme. Duke dashur vendlindjen, dëshirove edhe qytete të tjera si Durrësi. Duke dashur miqtë e t’u tironas, dëshirove edhe miqtë e tjerë si unë, duke të ofruar atë njerzillëkun tënd të njohur dhe tradicional të mirësisë dhe fisnikërisë, që aq shumë i shkon dinastisë autoktone Alimehmeti.
Si mik e shoku yt i bindur, i sinqertë dhe fort nostalgjik për Durrësin tim, ashtu sikundër ti për Tironën tënde, u lidhëm me një miqësi të pazakontë. Më dhurove librin tënd, duke ardhur enkas në Durrës “Broduej i Tironës”.
Kam bërë reçencën më të pazakontë të karrierës time, me Broduejin tënd madhështor e të jashtëzakonshëm të Tiranës. Punova me shpirt, pasi e ndjeja shpirtin tënd të florinjtë, të pastër steril, që kishe kulluar artin tënd të rrallë e tërheqës.
Punova ditë të tëra, derisa të dhurova atë reagim të sinqertë, i cili erdhi i larë në lot nga Tirana e jote e jetës, teksa ishe edhe fort i gëzuar që gruaja la spitalin, duke kaluar gjëndje kritike për jetën. Ky gëzim yt, është dhurata më e bukur që më le, duke kujtuar kënaqësinë e rrallë, që të dha një shok e mik nga Durrësi.
Do të më mungosh Bedri! Telefonatat e tua, kishin optimizëm dhe më vinin si një lehtësim për ngarkesat e mia krijuese. Zë i qetë, i shtruar, i butë e tërheqës, i lyer me kripën e detit të Durrësit dhe i përzier me autoktonizmin aq pikant të tironasit që aq shumë të shkonte.
Kam dy vajzat në Tiranë që jetojnë. Kam edhe shumë miq e shokë të tjerë, që jetojnë e banojnë atje. Por nuk lëkundem në këtë që mendoj, e në këtë që shkruaj, se Tiranën e kisha një plus më shumë, kur mendoja se jeton këtu edhe një shok e mik i çmuar si ty, Bedriu im i Alimehmetëve.
Të humba Bedri! Të humbëm Bedri! Do të kaloj kohë dhe zor se do të mësohemi me ikjen tënde pa kthim. Por në kujtesë, por në memorien tone, t’i do të mbetesh gjithnjë me frymë. Është gjallja e jote, e ruajtur përjetësisht në atë që quhet zemra dhe shpirti ynë.
Lamtumirë Bedri! Lamtumirë Alimehmeti ynë i shtrenjtë!
Bujar Qesja
Durrës: 31 tetor 2023
Në foto nga e djathta, Bedri Alimehmeti dhe Bujar Qesja, dalë në Durrës me rastin e dhurimit të librit “Broduej i Tiranës”.