“Hungarissimo 2023”, një udhëtim magjik mes kulturave dhe miqësisë!

“Java e Kulturës Hungareze 2023” erdhi anembanë Shqipërisë, nga data 2-6 nëntor 2023.


Nga Mira Hoxha

“Java e Kulturës Hungareze 2023” erdhi në Tiranë dhe qytete të tjera të mëdha anembanë Shqipërisë, nga data 2-6 nëntor 2023, për të celebruar larminë dhe virtuozitetin e gërshetimeve të artit, historisë dhe kulturës shqiptare dhe asaj hungareze.

“Hungarissimo 2023” ishte një ngjarje e pazakonshme, një bashkim i kulturave shqiptare dhe hungareze. Në cilësinë time si përfaqësuese e Festival Academy, sëbashku me Almira Emirin dhe Akri Çipën, kemi pasur një privilegj të madh që kemi mundur të sjellim në Tiranë një program kaq të pasur dhe të diversifikuar kulturor.

Një program i papërsëdytë artistik dhe kulturor i cili rrugëtoi në Tiranë, Durrës, Korçë, Pogradec dhe Vlorë. Një javë magjike që jo vetëm solli Hungarinë në Shqipëri, por që reflektoi njëkohësisht dhe kapacitetin, virtuozitetin dhe vitalitetin artdashës shqiptar. Ky festival promovoi marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Hungarisë si dhe promovimin e trashëgimisë tonë kulturore.

Nëpërmjet emrave të jashtëzakonshëm të artistëve ndërkombëtarë pjesë të festivalit, programacionit unik dhe në sajë të dëshirës të sinqertë për të promovuar të bukurën dhe të arrirën, “Java e Kulturës Hungareze 2023” do të zërë një vend të veçantë në memorjen e kalendarit kulturor të këtij viti

Vitin e kaluar, festivali “Hungarissimo 2022” kremtoi 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, si dhe u fokusuam te historia dhe albanologët hungarezë. Këtë vit, në “Hungarissimo 2023” festuam gjigantët kulturorë të Hungarisë, si Sandor Petofi, Ferenc Molnar, Ferenc Liszr etj.
Aktivitetet e planifikuara dhe gjeografia e ngjarjeve shërbenin si uvertura miqësie dhe shpalosnin shtrirjen ambicioze të këtij takimi kulturor duke thelluar lidhjet mes njerëzve dhe lidhjet diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë të cilat kanë një sërë të përbashkëtash.

Festivali u organizua nga Festival Academy në bashkëpunim me Ambasadën e Hungarisë, brenda kuadrit të “Javëve Kulturore Ndërkombëtare” të promovuar nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Kulturës.

“Hungarissimo 2023” – Java Kulturore Hungareze në Shqipëri, ishte një simfoni e kulturës, artit dhe historisë së përbashkët që përmblodhi zemrën e trashëgimisë kulturore hungareze. Festival Academy kishte planifikuar per Hungarissimo 2023 një kaleidoskop ngjarjesh.

“Hungarissimo” nisi rrugëtimin më 2 nëntor, me një konferencë për media, në Muzeun Historik Kombëtar së bashku me mbështetësit e këtij festivali, dy kompanitë hungareze në Shqipëri OTP Albania dhe kompanisë së telekomunikacionit ONE. Njëkohësisht, ky aktivitet shënoi dhe çeljen e një ekspozite të veçantë të artistes hungareze Anna Konya. Ekspozita me vepra të artit abstrakt, e tematizuar rreth konceptit të lirisë.

Një tjetër ekspozitë dedikuar trashëgimisë së Sándor Petofi, poetit kombëtar të Hungarisë, u çel në një nga galeritë e qytetit. Duke qenë se ky vit i kushtohet 200 vjetorit të lindjes së poetit.
Këto ekspozita qëndruan të hapura për publikun kryeqytetas përgjatë gjithë Javës Kulturore Hungareze deri në 6 nëntor.

Për të shënuar këtë jubile të rëndësishëm të shkrimtarit kombëtar të Hungarisë, Sandor Petofin, në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit në Tiranë u mbajt sinpoziumi “Petofi në botë dhe thatësia kulturore e sotme”, nën moderimin e mjeshtërisë së fjalës së gazetarit dhe poetit të njohur Aleksandër Çipa.

Referues në simpozium ishin mjaft figura të dalluara: Erion Kristo, gazetar, pedagog dhe përkthyes; Manjola Lumani, gjuhëtare; Kleo Lati, shkrimtar dhe përkthyes; dhe Behar Gjoka, një nga kritikët dhe studiuesit letrar bashkëkohor më produktiv, analizat e të cilit pasurojnë dialogun letrar.

Pika qendrore e këtij diskutimi ishte trashëgimia dhe ndikimi i poetit kombëtar të Hungarisë, Sándor Petőfi, dhe shtresëzimet e rëndësishme të romantizmit, rrymës së cilës i përkonte shkrimtari i madh.
Folësit u fokusuan në elemente të ndryshme të influencës së Petőfit, që nga konteksti historik dhe ai letrar, te veçoritë stilistikore dhe gjuhësore të autorit, deri te impakti i tij parë në realitetin më të gjerë letrar të shekullit të XIX. Takimi u çel me një fjalë hapëse të Adam Lovassy, të Ngarkuarit me Punë nga Ambasadës e Hungarisë, dhe u përmbyll me fjalën e diplomates Mira Hoxha, ish-Ambasadore e Shqipërisë në Hungari.

Ndërkohë, përgjatë gjithë Javës së Kulturës Hungareze u realizua një shkrirje unike e sportit intelektual të shahut dhe muzikës me eventin “Chess ‘n Jazz”. Gjatë Javës Hungareze Galeria “Kalo” u shndërrua në një arenë të gjallë ku heshtja strategjike e shahut përzihej me meloditë improvizuese të xhazit.

Ky ballafaqim kapi thelbin e “Hungarissimo” – një festë novatore e traditës hungareze me një kthesë bashkëkohore. Chess ‘n Jazz erdhi me simultanen e realizuar nga Grandmasteri hungarez Imre Hera. Një nga lojtarët e shahut më të njohur në Europë, Hera i cili u përball me një sërë sfidash paralele me talentet e Federatës Shqiptare të Shahut, anëtarët e stafit të ONE Albania, të bankës OTP Albania, si dhe mysafirë të festivalit si nxënësit e gjimnasit Ismail Qemali etj, të cilët patën mundësinë unike të përballen me vetë mjeshtrin e madh. Gjatë një javë, të Hungarissimo2023, tabelat e shahut u bënë fushëbeteja e tyre dhe ritmet e xhazit, nën performancën e pianistit të ri shqiptar Fatjon Pula, kolona zanore frymëzuese.

Gjatë kësaj jave, publiku kryeqytetas jetoi mbrëmjen gala “Nata Hungareze”. Nën moderimin brilant të Balina Bodinakut, “Nata Hungareze” ishte një gërshetim i artit hungarez dhe shqiptar, me një përzierje madhështore të shkëlqimit operistik dhe instrumental.

Skena u gjallërua me zërat e fuqishëm të tenorëve të jashtëzakonshëm shqiptarë, Kastriot Tushës, Josif Gjipalit, dhe sopranos Ardita Meni. Instrumentalisht, performanca e Zeqir Sulkuqit në violinë ishte një rrëfim prekës në vetvete, duke treguar histori hungareze përmes goditjeve të të harkut të tij. Ansambli “Egnatia” e pasuroi më tej programin. Kjo shfaqje i bashkoi kulturat në një harmoni të vërtetë artistike.

Ndërsa në Liceun Artistik në Tiranë, erdhi Kori Hungarez BujArt, nën drejtimin brilant të mjeshtrit Bujar Alliu, me një përzgjedhje mikse nga repertori hungarez dhe shqiptar, një përvojë që nderoi të dyja kulturat. Duke iu shtuar performancave të shkëlqyera të natës, pianistja Almira Emiri dhe flautistja Jonela Golemi sollën kryevepra të përzgjedhura nga Zoltan Kodaly dhe Bela Bartok. Pjesë e kësaj nate ishte dhe baritoni i mirënjohur shqiptar Sokol Hidersha me repertorin shqiptar.
Soliste në piano në këtë performancë ishte artistja e mirënjohur ndërkombëtarisht Almira Emiri. Talenti i saj pianistik jo vetëm plotësoi gamën e performancave, por edhe i lartësoi ato, duke siguruar një përvojë gjithëpërfshirëse për audiencën. Surprizë e mbrëmjes ishte dhe celebrimi i 150-vjetorit të Budapestit me fragmente të zgjedhura chanson të interpretuara nga talenti i ri hungarez Laszlo Horvath. Pjesëmarrja e Horvath-it ishtë një nderim i përshtatshëm për këtë moment historik të rëndësishëm.

 

Java e Kulturës Hungareze vazhdoi rrugëtimin e saj në disa qytete të Shqipërisë. Paralelisht me aktivitetet në kryeqytet, qytetet e Vlorës Pogradecit, Durrësit dhe Korçës u shndërrua në një qendër të gjallë të shprehjes artistike hungareze. Qendrat e Kulturës dhe teatrot e këtyre qyteteve u bënë skena e rradhës e festivalit dhe programacionit të pasur me kulturë hungareze. Me hyrjen falas, festimet e javës mirëpritën një mori vizitorësh, duke i lënë ata të pasuruar nga përvoja dhe gjuha universale e artit, performancës dhe historisë së përbashkët.

Këto qytete u bënë skena ku ritmet kulturore të Hungarisë pulsuan përmes një sërë ngjarjesh të kuruara me kujdes. Mbrëmjet fillonin me prezantimin e dy ekspozitave, të ndryshme në natyrën e tyre, por gjithaq tërheqëse për publikun. “Petőfi: Rreth botës” një ekspozitë kushtuar jetës dhe trashëgimisë së Sándor Petőfi, poetit kombëtar hungarez, i cili këtë vit ka 200-vjetorin e lindjes, e cila festohet edhe larg atdheut të tij, teksa vepra e tij jehon në salla, prek shpirtrat dhe lidh kombet përmes gjuhës universale të poezisë.

Nëpërmjet kësaj shfaqjeje vizuale dhe edukative, vizitorët u zhytën në botën e Petőfi, duke eksploruar ndikimin e tij të thellë në kulturën dhe historinë e Hungarisë.
Kujtojmë që vetë Hungaria e ka shpallur vitin 2023 si vitin e Petőfi-t në nder të kësaj figure të madhe letrare dhe historike.

Njëkohësisht, artdashësit u prezantuan me frymën novatore të artistes hungareze Anna Konya, teksa çeli dyert ekspozita e saj “Liria e dashurisë”. Këtu, artistja hungareze komunikoi dashurinë e saj të thellë për Shqipërinë përmes artit abstrakt dhe intuitiv.

Në skenat e Vlorës, Korçës dhe Pogradec u prezantua në një rrëfim të gjallë “Djemtë e rrugës Pal”. Regjisorët Pëllumb dhe Xhulieta Kulla krijuan një botë ku fiksioni dhe realiteti mjegulloheshin, duke i dhënë frymë përrallës shekullore të Ferenc Molnar. Kjo perlë teatrale i kapërceu kufijtë e tregimit të thjeshtë; ishte një alkimi pasioni dhe performance. Performanca e aktorëve të rinj, nxënës të shkollës “Flatrat e Dijes” në Fier, nuk ishte thjesht një lojë, por një homazh për sagën e përjetshme, të pasur me jehonat e së shkuarës dhe të gjallë me këmbënguljen e heronjve të saj të rinj. Çdo akt e lidhte të kaluarën me të tashmen, duke i lejuar shikuesit të përshkojnë kohën, të bredhin rrugëve të historisë dhe të kapin nderin që i lidh djemtë së bashku në një rrëfim skenik aq bindës sa vetë romani. Kjo pjesë teatrale solli nostalgji, duke i kthyer të pranishmit në pafajësinë rinore dhe sprovat e personazheve të dashur të Molnarit.

Surpriza e Hungarissimo 2023 ishte performanca e gjallë dhe ritmike nga grupi i valleve popullore “Szinvavölgyi” të ftuarit special nga Hungaria për Javën Hungareze. Interpretimi i tyre i “Valleve Petőfi ” ishte një vorbull hapash dhe ritmesh tradicionale hungareze, dëshmi e pasionit të grupit për trashëgiminë e tyre kulturore. Grupi “Szinvavölgyi”, i përbërë nga 20 anëtarë, vinte për herë të parë në Shqipëri, posaçërisht për “Hungarissimo”. “Szinvavölgyi” me “Vallet Petőfi”, ideuar enkas për këtë festival, sollën një vallëzim elokuent të shpirtit hungarez, një manifestim poetik dhe fizik të trashëgimisë kulturore magjare.

Çdo hap dhe kthesë ishte një varg nga tregimi madhështor i Hungarisë dhe kërcimtarët, si strofa të animuara, sollën gjallërinë e folklorit hungarez. Ishte një valle që kapërceu gjuhën dhe gjeografinë, duke lënë një përshtypje të pashlyeshme të thelbit kulturor të javës së kulturës. Kjo shfaqje dhe valltarët, të veshur me veshje shumëngjyrëshe janë të destinuar të mbeten në mendjet e publikut shqiptar. Performanca e tyre është e para e këtij lloji në skenat e Shqipërisë, duke ndezur ajrin me bollëkun e trashëgimisë kulturore të atdheut të tyre. Padyshim ata u larguan nga Shqipëria me një kujtim të bukur nga vendi ynë dhe me premtimin që do të kthehen sërishr si turist e performues.

Java e kulturës hungareze u përmbyll mbrëmjen e së hënës në Durrës, në Teatrin Aleksandër Moisiu, me një koncert simfonik të veprave të kompozitorit të famshëm Franz Liszt.

E ftuar speciale ishte pianistja Almira Emiri, një emër shumë i njohur në skenat ndërkombëtare, që përmes interpretimit të saj dhe Orkestrës Simfonike të RTSH-s, drejtuar nga dirigjenti Oleg Arapi, sollën për artdashësit durrsakë disa nga pjesët më të bukura të Liszt.

Koncerti Grand Gala “Liszt 212 Vjet” në Durrës nuk ishte thjesht një ngjarje muzikore, por një urë kulturore që lidh Shqipërinë me Hungarinë, kulminacioni i merituar i “Hungarissimo 2023” | Javës Kulturore Hungareze që përfshiu Shqipërinë.

Përzgjedhja e programit të mbrëmjes ishte e kuruar me kujdes, duke sjellë pjesë që luheshin për herë të parë në vendin tonë. “Rapsodi Hungareze Nr. 2”, me melodinë e saj të njohur, paraqiti një pamje të gjallë të shpirtit hungarez, ndërsa forca orkestrale pas “Les Preludes” pikturoi një peizazh zanor me përmasa epike. Dramaticiteti dhe veçanësia e “Totentanz” ishin gjithaq drithëruese për dëgjuesit. Këto pjesë, të përjetshme në bukurinë dhe kompleksitetin e tyre, jo vetëm u interpretuan, por erdhën me një frymë të re në skenën shqiptare, duke rezonuar me një publik që ishte i etur për një udhëtim muzikor në zemrën e romantizmit hungarez.

Listz212 ishte një përvojë gjithëpërfshirëse që elektrizoi të pranishmit. Interpretimet e pianistes së mirënjohur Almira Emiri mishëruan frymën dhe kompleksitetin e kompozimeve të Liszt. Jo vetëm kaq, por bukuria e mbrëmjes u shtua dhe nga një dhuratë e posaçme për teatrin e Durrësit, i cili përgjatë 15-viteve të fundit nuk ka pasur një piano për performuesit e ndryshëm. Nisur nga ky fakt, “Hungarissimo”, në bashkëpunim me Ambasadën e Hungarisë në Shqipëri, mundësuan riparimin dhe risjelljen në skenë të një instrumenti funksional, që do u shërbejë jo vetëm pianistëve të afirmuar, por edhe gjithë talenteve të reja durrsake që do të marrin përsipër peshën e performimit në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Seria e ngjarjeve të Hungarissimo 2023 në të gjithë Shqipërinë, duke filluar nga Tirana, duke kaluar nëpër Vlorë, Pogradec, Korçë, e më në fund duke kulmuar në Durrës, ishin më shumë se një vitrinë e kulturës hungareze. Ato ishin një dëshmi e fuqisë së shkëmbimit kulturor dhe promovimit të mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë midis kombeve. Suksesi i Javës Kulturore Hungareze mund të matet jo vetëm në pjesëmarrjen dhe duartrokitjet, por edhe me ndikimin e qëndrueshëm që ka pasur në nxitjen e dialogut ndërkulturor.

Në fakt, eventi u përqafua jo vetëm brenda Shqipërisë, por u celebrua edhe nga miqtë e shumtë hungarezë në Hungari dhe jo vetëm. Entuziazmi dhe vlerësimet e larta nga pjesëmarrësit dhe audienca nënkuptojnë se eventi arriti qëllimin e tij për të festuar dhe thelluar lidhjet kulturore që ndajnë Hungaria dhe Shqipëria. Për këtë arsye, grupi organizator i Festival Academy është thellësisht mirënjohës për të gjithë ata që na u bashkuan në këtë rrugëtim.

Java e Kulturës Hungareze ka lënë gjurmë në peizazhin kulturor të Shqipërisë, duke u dëshmuar si një histori suksesi. Gama e gjerë e ngjarjeve, me muzikë, art, letërsi, teatër dhe sport, jo vetëm që nderoi trashëgiminë hungareze, por gjithashtu hapi rrugën për bashkëpunime të ardhshme dhe përpjekje kulturore midis dy vendeve. Pashmangshmërisht, kjo festë ka vendosur një standard të lartë për ngjarje të ngjashme në të ardhmen.

Ky angazhim i imi në këtë javë hungareze në Shqipëri, vjen si ish Ambasadore e Shqipërisë në Hungari dhe bashkëkryetare e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri- Hungari, përfaqësuese e Festival Academy, si dhe tri javë më parë, me krenari pranova dekoratën e Presidentes së Hungarisë, Znj. Katalin Novak. Dekorata e Meritës, Kryqi i Komandantit, është një simbol që shënon përkushtimin dhe kontributin në promovimin e Hungarisë. Ky nderim më jep energji të reja për të vazhduar këtë rrugë dhe përfaqëson një sfidë të re e cila më shtyn të angazhohem edhe më shumë në të ardhmen për të ndihmuar në thellimin e miqësisë shqiptaro-hungareze.

Në “Hungarissimo 2023” festuam jo vetëm javën e kulturës hungareze, por edhe miqësinë mes popujsh. Ne nuk kemi vetëm një histori shumë të pasur mes dy vendeve tona, por edhe një lidhje të fortë miqësie. Vitin e ardhshëm,Hungaria merr kryesinë e Bashkimit Evropian, dhe ndër prioritetet e presidencës hungareze është anëtarësimi i Shqipërisë me të drejta të plota në BE-së.

Diversiteti i aktiviteteve që solli festival kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në peizazhin kulturor të Shqipërisë. “Hungarissimo” ka një histori 15 vjeçare. Duke thelluar marrëdhëniet kulturore dhe duke shpërbërë kufijtë mes kulturave, ky festival kontribuon në rritjen e bashkëpunimit dhe kuptimit reciprok midis komuniteteve tona.

“Festival Academy Albania” ka një mision të qartë: promovimin dhe avancimin e kulturës dhe historisë shqiptaro-hungareze. Duke bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës dhe Shoqatën e Miqësisë Shqipëri- Hungari kemi bërë të mundur emërtimin e një rruge në kryeqytet në nder të albanologut hungarez, prof. István Schütz. Inagurimi i kësaj rruge, në muajin dhjetor, në këtë vit të 100 vjetorit të albanologut, shënon përpjekjet e tona të vazhdueshme për të thelluar miqësinë dhe bashkëpunimin midis popujve shqiptar dhe hungarez.

Nëpërmjet ngjarjeve të tilla, Festival Academy Albania shpërfaq një ndërgjegje të thellë për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe për të forcuar lidhjet ndërmjet kulturave. Gjithashtu gjatë 2024 pritet dhe botimi i fjalorit hungarisht- shqip i profesorit István Schütz, një mission që ne miqtë e këtij miku me besë të Shqipërisë dhe Kosovës e kishim angazhim dhe premtim që duhet ta mbanim.

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…