Pashk Përvathi: “Rrugëtimi im” drejt Artit!

REPORTAZH nga promovimi i librit “Rrugëtimi im” të “Mjeshtrit të Madh”, Pashk Përvathi.


Nga Dash Frashëri

“Jam thjesht një piktor që ‘lajthiti’ një ditë dhe vendosi të shkruajë një libër!”

Kështu e përmbylli fjalën e tij, “Mjeshtri i Madh”, Pashk Përvathi, gjatë promovimit të librit të tij “Rrugëtimi im”, në sallën “UNESCO” në Muzeun Historik Kombëtar.

Një ceremoni model promovimi, ku morën pjesë artistë të shquar të arteve figurative, ish-ministra dhe deputetë, botues të rëndësishëm, thuajse elita intelektuale jo vetëm e kryeqytetit, por dhe nga Lezha e tij.

Edhe unë si botues i gazetës “Tirana Diplomat” mora pjesë në promovimin e librit të një prej piktorëve më të vlerësuar në gati 40 vitet e fundit në Shqipëri.

Takimin promovues e hapi Irena Toçi, e cila prej shumë vitesh drejton Shtëpinë Botuese “Toena” në Tiranë, një nga shtëpitë botuese më të mëdha në vend, me një aktivitet të spikatur në fushën e botimit dhe të promovimit kulturor.

Kritiku i artit, Ph.Dr. Oltsen Gripshi, vuri në pah të veçantat e Përvathit si piktor, poeti i mirënjohur lezhjan Rudolf Marku, veçoi faktin se Lezha me Pashkun dhe shumë emra të tjerë të shquar, e kanë shndërruar Lezhën në një qytet arti.

Shkrimtari Preç Zogaj tregoi kujtimet personale Pashkun, me të cilin kanë kaluar fëmijërinë së bashku, pasi kanë lindur në të njjtin fshat. Shkrimtari dhe kritiku Shpendi Topollaj foli për stilin unik të Përvathit, ndërsa korrektorja letrare, Majlinda Bami, tregoi midis të tjerash edhe “peripecitë” që ajo kishte hequr me Pashkun gjatë përgatitjes së librit.

“Kur shkruaja, unë rijetoja jetën time. Më kujtoheshin emra, vende e histori. Po jetoja në kohën e shkuar”, tha piktori 65-vjeçar, i lindur në Manati të Lezhës (27 shkurt 1958) dhe që jetën e tij e ndan mes Lezhës dhe Tiranës, por që ka pikturuar në çdo cep të Shqipërisë.

“Gjatë viteve të studimeve në Akademinë e Arteve, fillova të mbaj shënim për ngjarje që përbënin rëndësi për jetën time, duke krijuar edhe një skedar të shkurtër të kohës së kaluar.

Në vitin 2011 kam qenë i ftuar në dy-tre televizione të rëndësishme të vendit për të folur për krijimtarinë time. Shumë miq të mi, kur u njohën me jetën time krijuese nëpërmjet këtyre emisioneve, më shtynë më tej që këto kujtime t’i hidhja në letër.

Njëri prej tyre ishte Kujtim Dashi, i cili këmbënguli fort ta bëja këtë. Jeta ime në këtë libër është ashtu siç ajo ka rrjedhur në të vërtetë, e pasajuar dhe pa truke”, tha Përvathi.

RRUGËTIMI DREJT ARTIT

Që në fëmijëri Pashku ushqeu pasion për pikturën. Dhe gjithçka duket se lindi kur ai ishte shtruar në Spitali e Shkodrës kur ai ishte në klasën e katërt, pikërisht kur ai vendosi të vizatojë figurat e letrave, “Mbretin”, “Mbretëreshën” dhe “Princin”. Mësuesi Berhan Golemi e pikasi: “Atëherë, ty patrioti im, që vizatoke kaq bukur, do të të bëjmë piktor”.

14 vjeç, në vitin 1972. merr pjesë në konkursin e pikturës që zhvillohej në Shtëpinë e Kulturës së Shëngjinit, pas një peripecie për të siguruar një vërtetim pjesëmarrje. Më pas erdhi konkurrimi në Tiranë, në Liceun Artistik dhe ndjekja e Shkollës së Mesme të Kulturës në Qytetin e Nxënësve.

Pas dështimit të parë për t’u futur në Akademinë e Arteve, në vitin 1977, Pashku kreu shërbimin ushtarak në 1978.

Në moshën 21-vjeçare, kur ishte ende ushtar, paraqitet për herë të parë në Ekspozitën Kombëtare në vitin 1979 me peizazhin “Vjeshtë në Manati” përkrah piktorëve më të njohur të vendit.

“Një garë shumë e madhe. Ky ishte suksesi im i parë dhe konfirmoi se duhet të merresha me pikturë”, tha Përvathi gjatë një interviste për gazetarin Blendi Fevziu, në emisionin “Opinion”, ku prezantoi librin e tij “Rrugëtimi im”.

Në vitin 1980 nis punën si mësues vizatimi në Shkollën “Gjergj Kastrioti” dhe më pas më pas në Muzeun Etnografik të Lezhës, ku punoi për katër vjet.

Studioja e vogël e tij e sajuar brenda Muzeut Etnografik u bë vend i diskutimeve me piktorët e tjerë, duke filluar nga lezhjanët Nikolin Ivanaj, Agustin Shyti, Martin Luca, Pal Toma, Agim Peraj, Kolë Miraj, Ndue Përdola, etj,

“Në atë studio kanë shkelur edhe Kujtim Buza, Nexhmnedin Zajmi, Jakup Keraj, Zef Shoshi, Ramadan Karanxha, Isuf Sulovari”, shkruan Përvathi në librin e tij.

Peizazhet e tij të para datojnë 43 vjet më parë, në vitin 1980. Madje, ndër të parët që koleksionoi një peizazh të Pashkut ishte shoku i tij i fëmijërisë, Preç Zogaj.

FATSJELLËSI PETRO KOKUSHTA

“Petro Kokushta, me propozimin e tij, më bëri të ëndërroj”, kështu tha Përvathi gjatë promovimit  të librit,

Pikërisht, gjithë karrierën e tij në art, të atij që është sot, Pashku ia dedikon profesorit Kokushta, njeriut që i ndryshoi përfundimisht drejtimin e jetës drejt artit.

Gjithçka ndodhi në vitin 1985, 38 vjet më parë. Petro Kokushta, asokohe piktor dhe profesor në Akademinë e Arteve shkoi në Lezhë për një ngushëllim te një miku i tij, ndërkohë që rastisi të shikonte edhe dy peizazhe të realizuar nga Pashk Përvathi.

“Nëse ai dëshiron të vazhdojë shkollën e lartë, të vijë dhe të më takojë se dua ta ndihmoj. Thuaji që punimet e tij më kanë pëlqyer”, tregoi Përvathi, asokohe 27 vjeç, i martuar dhe me dy fëmijë.

Petro Kokushta u nda nga jeta, më 22 mars 2023.

“IKU PROFESORI”

Mirënjohja për Ju do mbetet gjithmonë miku dhe profesori im i shtrenjtë Petro Kokushta. Juve ju dedikoj karrierën time artistike. Ju thate i pari kur pate dy peisazhe te miat “Perse nuk eshte shkolluar, cfare pengesash ka ky njeri”?Ju me moret per dore ne ambjentet e Akademise se Arteve duke me prezantuar si studentin e ardhshem. Ju me bete te enderroj e te hyj gjithe entuzuazem ne rrugen qe ndjek edhe sot pa me kerkuar kurre asgje ne kembim. Gjithmone e kam permendur rolin tuaj ne formimin tim e gjithmone do ta them derisa te ritakohemi perseri. Qofsh i parajses miku e profesori im i shtrenjte, Petro Kokushta. Ish-studenti juaj Pashk Përvathi”,  shkruajti Përvathi atë ditë të kobshme.

I prekur nga emocionet, Pashk Përvathi, i dhuroi me një dedikm të veçantë falenderimi mirënjohës ndaj piktorit Petro Kokushta, djemve të Kokushtës, librin e tij, në Muzeun Historik Kombëtar.

“Profesor Petro, mbetesh gjithnjë prezent në jetën time. Të dedikoj gjithë arritjet e mia në fushën e artit. Përgjithmonë Pashk Përvathi, 9.11.2023”, shkruhet në librin e dhuruar.

Në vitin 1984 peizazh i tij, “Prag Dimri”, ishte bërë pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Në 1985 dhe 1986, Pashku hapi dy ekspozita personale. Më pas erdhi konkurrimi i dytë për Akademinë e Arteve në moshën 28 vjeç, pas atij të parit në moshën 19-vjeçare, duke dalë kësaj radhe fitues.

I diplomuar për pikturë monumentale në Akademinë e Arteve (1990), Përvathi është tashmë një nga peizazhistët me të mirë shqiptarë. Me një stil modern pikturimi, me një kolorit të bukur, me peizazhe në të katër stinët, ku dallohet vjeshta.

RRUGËTIMI I PASHKUT

Rrugëtimi i piktorit Përvathi nuk ndalet vetëm brenda Shqipërisë. Ai ka shkelur Italinë, Spanjën, Amerikën, Francën, Anglinë, Austrinë, Zvicrën, Kinën etj. Është i dashuruar veçanërisht me Parisin.

Vepra të tij sot janë pronë e koleksionistëve ne Evropë, Amerikë dhe Azi. Në fondin e Galerisë Kombëtare te Arteve ka tre vepra.

ÇMIMET

Më 6 dhjetor, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alred Moisiu,, e dekoron piktorin Pashk Përvathi me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. Në Tetor të vitit 2010 fiton çmimin “Abdurahim Buza” në pikturë, nga Agjencia “Dea”, Sarandë.  Është fitues i çmimit “KULT” duke u shpallur nga Akademia “KULT” si ARTISTI PAMOR I VITIT 2011 për krijimtarinë me të mirë në artet figurative.

Me 17 shkurt 2014 shpallet fitues i edicionit te 6-të të çmimit “Gursel Sulejmani” në Ferizaj, Kosovë. Me 28 dhjetor 2016 i akordohet nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani,  Urdhri “MJESHTËR I MADH”.

EKSPOZITA PERSONALE

40 vjet më parë – në vitin 1983 – Përvathi hapi ekspozitën e parë personale në Galerin e Artit të Lezhës. Qysh atëherë, Pashku ka hapur 44 ekspozita personale deri në vitin 2023, ku 9 prej tyre jashtë shtetit, në Turqi, Itali, SHBA, Kosovë, Spanjë, etj.

Ekspozita e parë e tij në grup daton në vitin 1976 në Shtëpinë e Kulturës në Lezhë dhe e fundit, në Galerinë “Edward Lear” në Berat në vitin 2023, duke marrë pjesë në mbi 55 ekspozita.

VLERËSIME

“Rrallë ndodh të lexosh një libër autobiografik të një shoku, miku a kolegu dhe të shohësh të rrjedhë atym si në një lumë të pastër, bashkangjitur apo pararel me jetën e autorit edhe jeta jote. Kjo më ndodhi mua duke lexuar librin ‘Rrugëtimi i im’ të Pashk Përvathit. Jo thjesht në disa episode. Në gjithë librin”, shkruan shkrimtari Preç Zogaj, i cili është nga i njëjti fshat me Pashkun, Manati i Lezhës, duke qenë shokë klase në fillore dhe tetëvjeçare, shpesh të ulur në një bankë.

“E njoh pikturën e Pashkut qysh në fillimet e tij, kur peneli i mbushur me ngjyrë shtrihej gjer në telajo (fibër). Piktura e tij kishte gjendje momentale, shpërthenete vrullshëm dhe të befasonte me virtuozitetin e një talenti që dallohej”, shkruan “Piktori i Merituar”, kritiku i artit Kujtim Buza.

“Mjeshtri i Madh”, piktori Gazmend Leka e vlerëson Përvathin: “Ti, Pashk, një kopsht plot dritë tenton ta rizbulosh, prandaj peizazhet e tua janë mbinopur me transparencë dhe pa virus sëmundje në to. Njerëzit gëzojnë kur i shohin ato, sepse shkunden pak nga skleroza dhe ti i bën ata të kujtojnë se një botë e tillë plot dritë është brenda tyre, po nuk e shohin”.

Kritiku dhe historiani i artit, kuratori Ph.D. Otsen Gripshi, e vlerëson kështu: “Pashk Përvathi, revolucionari dekorativ i gjinisë së peizazhit në pikturën shqiptare. Kanavaca kthehet në shtratin dashuror mes piktorit Përvathi dhe natyrës. Peizazhin e ka ngritur në një stad jo vetem të lartë profesional, por e ka evoluar përmes gjuhës artistike me të cilin ai e trajton”.

 “Ata që i kanë parë punët e tij prej 40 vjetësh i pikasin menjëherë vjeshtat e Përvathit, pasi ato janë autentike për nga shpalimi, mjetet shprehëse, kudo ku ka pikturuar, në Vain të Lezhës, Vithkuq, Theth, Lëpushë, Himarë, në brigjet e Kalabrisë etj.”, shkruan Ndue Dedaj.

“Individualiteti i Pashk Përvathit është i papërsëritshëm te kolegët tanë. Veprat përshkohen nga një vizatim ekspresiv dhe një kolorit i fuqishëm. Pikturën e tij e njoh pa e parë nënshkrimin e emrit në vepër”, shkruante “Piktori i Popullit”, Ismail Lulani (1998).

***

“Rrugëtimi im” është një rrëfim i sinqertë në 542 faqet e tij, të mbushura me ngjarje dhe përjetime të piktorit të madh shqiptar, Pashk Përvathi.

Për mua si dashamirës i artit – dikur në korrik të vitit 1981 konkurrova për piktor në Akademinë e Arteve, por nuk ia dola – libri i Pashk Përvathit është si një “Bibël”.

Faleminderit për dhuratën Pashk!

Tiranë, më 10 nëntor 2023

*_*_*

NJË KOLAZH ME PUNIME

TË PASHK PËRVATHIT

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…