Investimet austriake në Shqipëri, Holzner: Me interes sektori energjetik
Shqipëria dhe Austria kanë marrëdhënie të forta ekonomike, veçanërisht në sektorin bankar
Shqipëria dhe Austria kanë marrëdhënie të forta ekonomike, veçanërisht në sektorin bankar, teksa ka sipërmarrës austriak, që shohin me interes edhe sektorin e energjetik në Shqipëri.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Mario Holzner, Drejtues Ekzekutiv i Institutit për Studime Ekonomike Ndërkombëtare në Vienë, bëri me dije se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Austrisë janë të forta, si në aspektin ekonomik, ashtu dhe atë historikë, që prej krijimit të shtetit shqiptarë.
“Kemi bërë kërkime shkencore prej 50 vjetësh për ekonomitë e vendeve të Evropës Lindore, Qendrore dhe Juglindore. Mendoj se Shqipëria dhe Austria kanë marrëdhënie të forta ekonomike, por edhe historike, që nga krijimi i shtetit shqiptar dhe deri në ditët e sotme. Lidhur me fushën ekonomike, ne shohim se në sektorin financiar, Banka Austriake ka një pozicion dominues në tregun shqiptar. Dhe kjo është tipike për aktivitetet austriake në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Aktiviteti shtrihet në sektorin bankar, tregtinë me pakicë dhe drejtojmë edhe shërbime si këto, ndërkohë që Gjermania është më e fortë në prodhimin si për shembull të makinave. Çështje të tjera janë bashkëpunimi në fushën e arsimit, ku ka një shkollë austriake në Shkodër dhe në parim ka shumë mundësi për ta intensifikuar këtë bashkëpunim”, tha Holzner.
“Shqipëria ka disa gjëra të ngjashme me vende të tjera nga Evropa Juglindore. Në terma ekonomike, mund të flasim për tregje të vogla. Por, për bankat austriake dhe kompanitë e sigurimeve është interesant. Në terma të përgjithshme është një vend ku mund të investosh tek sektori i prodhimit dhe kështu që ka edhe prodhues austriakë, kompani energjetike, të cilat kanë shprehur interesin të investojnë në Shqipëri, duke marrë parasysh edhe nivelin e pagave që është akoma i ulët në krahasim me Europën, por edhe nivelin e arsimimit pasi në Shqipëri të rinjtë flasin disa gjuhë të huaja, gjë që është gjithmonë e dobishme. Por, ka edhe ndryshime në sektorin arsimor që kanë ndodhur gjatë 20 viteve të fundit dhe që janë mjaft interesante për sipërmarrësit”, tha ai për ATSH.
Sipas Holzner, Procesi i Berlinit është një iniciativë pozitive, por duhet të prodhojë rezultate konkrete sa i takon integrimit në BE, duke caktuar afate kohore të sakta, çka do sillte orientim më të mirë të investimeve.
“Nga njëra anë, Procesi i Berlinit është diçka pozitive dhe është mjaft mirë që ekziston. Në anën tjetër, ky proces ka ecur me ritëm të ngadaltë. Megjithatë, mendoj se ky proces është një sinjal për pjesën tjetër të botës, sidomos për komunitetin gjerman të biznesit. Çdo vit, mbahet një takim i zgjeruar me krerët e shteteve të Evropës Perëndimore dhe Gjermanisë, në mënyrë të veçantë. Pra, nga ky këndvështrim është në rregull, por duhet të bëjmë më shumë lidhur me procesin e integrimit që duhet të përshpejtohet. Duhet një planifikim sa më korrektë i procesit të anëtarësimit, pasi kështu edhe sipërmarrësit do të ishin edhe më të qartë për të ardhmen e rajonit”, tha Holzner.
Kreu i Institutit për Studime Ekonomike Ndërkombëtare në Vienë, tha se edhe shqiptarët në Vienë janë ambientuar duke ndërmarrë investimet e tyre të para.
“Në mënyrë të veçantë, është diaspora shqiptare në Austri që ka bërë disa investime në shkallë të vogël si në sektorin e shërbimeve apo të shoqatave të vogla të biznesmenëve shqiptarë në Austri. Por, këto janë në fazat e tyre fillestare. Por, jam i sigurt se kur Shqipëria të arrijë nivele më të larta të ardhurash dhe sofistikim të industrisë, edhe këto do të rriten”, përfundoi Holzner.
(Marrë nga ATSH)