Samiti i 30-të i APEC, rëndësia botërore e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor

Samiti vjetor i Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor e ka ngjarjen më të pritur takimin e sotëm mes drejtuesve të dy ekonomive më të mëdha të planetit, Presidentit të SHBA-ve Joe Biden dhe Presidentit të Kinës Xi Jinping.

Samiti i APEC në San Francisco (Foto apec2023sf)

Samiti vjetor i Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor e ka ngjarjen më të pritur takimin e sotëm mes drejtuesve të dy ekonomive më të mëdha të planetit, Presidentit të SHBA-ve Joe Biden dhe Presidentit të Kinës Xi Jinping.

Ky samit mbahet në një kohë sfiduese të brishtësisë ekonomike globale, tensioneve gjeopolitike dhe fatkeqësive të sotme dhe të pritshme të ndryshimeve klimatike.

Këto sfida të shumëfishta përforcojnë rëndësinë botërore dhe sfidat e APEC, duke pasur parasysh se të 21 ekonomitë e tij anëtare në buzë të Paqësorit, kanë një GDP të kombinuar prej mbi 50 trilionë dollarë amerikanë.

Edhe pse qëllimi themelues i APEC ishte promovimi i tregtisë së lirë në të gjithë rajonin Azi-Paqësor, në botën e sotme komplekse nuk është e mundur që të ndahet ekonomia ndërkombëtare, nga ekonomia e brendshme dhe shqetësimet sociale.

Prandaj edhe nëntemat kryesore të APEC këtë vit, përveç ndryshimeve klimatike, përfshijnë sigurinë e ushqimit, kujdesin shëndetësor, anti-korrupsionin, digjitalizimin, fuqizimin ekonomik të grave dhe mbështetjen e komuniteteve të nën-shërbyera dhe të nën-përfaqësuara.

Kina ka shumë për të kontribuar, pasi ky vend i madh ka përvojë të testuar në botën reale. Në nivel të sigurisë ushqimore, Kina po rikualifikon tokën bujqësore, të kthyer në përdorim industrial.

Në nivel të kujdesit shëndetësor, pandemia përshpejtoi reformën e thellë të kujdesit shëndetësor të Kinës. Në nivel të luftës kundër korrupsionit, fushata e pamëshirshme e Kinës kundër korrupsionit prek të gjithë sektorët dhe nivelet. Në nivel të digjitalizimi, Kina është një lider botëror, veçanërisht në pagesat me celular dhe prodhimin e automjeteve 100 përqind elektrike.

Në nivel të fuqizimit ekonomik te grave, Kina ka shumë sipërmarrëse femra. Kurse në nivel të grupeve të nënshërbyera të popullsisë, Kina ka vendosur standardin botëror për zbutjen e varfërisë ekstreme dhe tani fokusohet në prosperitetin e përbashkët. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës eksperti i ekonomisë Eduard Gjokutaj vlerëson rëndësinë e këtij takimi të nivelit të lartë për aktualitetin botëror

Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj  në intervistë për CMG

CMG: Udhëheqësit e 21 vendeve dhe ekonomive anëtare të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), po mblidhen sot në San Francisko, për samitin e 30-të të tyre. Sa me vlerë për ekonominë botërore është ky takim i nivelit më të lartë?

Eduard Gjokutaj: Takimi, sikurse përmende dhe sikurse ka edhe mënyrën e organizimit, vjen në një moment, kur e tërë bota ka nevojë pikërisht për atë që janë tre shtyllat, mbi të cilat bazohet ky samit i APEC.

Dhe pikërisht, ka nevojë për ndërlidhje, për elasticitet dhe për përfshirje. Të tre këta elementë, bazuar edhe në atë që vetë Presidenti kinez Xi, me herët e ka shpallur si një botë globale të ardhshme, të tillë që të ndikojë në bashkëpunim, atëhere natyrshëm që zgjerohet fusha e bashkëveprimit midis organizatave dhe shteteve pjesëmarrëse.

Kjo ndodh, ngaqë kemi jo vetëm çështjet e tregtisë së lirë, por kemi edhe çështje, të cilat lidhen me digjitalizimin, me anti-korrupsionin, me fuqizimin ekonomik të gruas, me pjesën e sigurimit të rritur shëndetësor dhe, sidomos me atë kategori, që është edhe kryetema e këtij takimi të nivelit më të lartë, e cila lidhet me ato shtresa biznesesh të vogla, të cilat janë të nënvleftësuara dhe që nuk kanë patur fokusin e duhur.

Këtu kam parasysh ato 150 milionë ndërmarrje mikro dhe të mesme të vendeve të APEC, të cilat do të jenë në kryeqendër të bashkëpunimit mes 21 ekonomive të APEC.

CMG: Ekonomitë e APEC janë ndër më dinamiket në botë, në nivel të rritjes së tyre ekonomike. Çfarë mundësish dhe sfidash vendosen përpara këtyre ekonomive dhe vendeve sot?

Eduard Gjokutaj: Është e natyrshme që APEC nuk mundet të anashkalojë dhe të mos konsiderojë ato që kanë ndodhur vitin e fundit, sidomos ngjarjet e konfliktit Rusi-Ukrainë dhe ngjarjet më të fundit midis Izraelit dhe Hamasit, pasi të gjitha këto ndikojnë në tronditjen e zinxhirit ekonomik botëror.

Nga ana tjetër, ndryshimet klimatike kanë sjellë më shumë fatkeqësi natyrore, të cilat po i prekin të gjitha ekonomitë e APEC. Natyrshëm që Kina po reagon ndaj këtyre ndryshimeve me forcë, duke qenë një kontributor parësor në ndihmën e vendeve dhe ekonomive të goditura të rajonit Azi-Paqësor, për sa i përket luftës kundër ndotjes dhe luftës për të arritur sigurinë ushqimore.

Kina sjell në rajon atë kontribut, të bazuar mbi tre shtyllat e bashkëpunimit, që përmendëm më herët, të cilat lidhen me sfidat e botës, dhe sidomos sfidat ku SHBA-të kanë marrë flamurin botëror të anti-korrupsionit dhe janë duke e aktivizuar shumë, ndërkohë që Kina ka marrë përsipër që të ndikojë në ndreqjen e shfrytëzimit pa kriter të tokës. Tashmë kryetema e vetme nuk është industrializimi, por është edhe garantimi i ushqimit.

Nga ana tjetër, është edhe ndihma ndaj atyre kompanive, të cilat ndodhen në zonën e Detit të Kinës Jugore dhe kanë nevojë për këtë marrëveshje të angazhimit. Thënë ndryshe, në APEC, pas pandemisë, është rritur shumë vëmendja jo vetëm ndaj kujdesit shëndetësor, por edhe në kujdesin ndaj bizneseve, të cilat kanë pësuar goditje dhe transformime.

CMG: Z. Gjokutaj, pse bashkëpunimi ekonomik i këtyre 21 vendeve dhe ekonomive të APEC ka vlerë të shtuar edhe për format dhe grupet e tjera bashkëpunuese në rajone të tjera të botës? Ne, kuptohet, e kemi vëmendjen edhe tek tregu i përbashkët evropian, por edhe tek bashkëpunimi në rajonin tonë, Ballkanin Perëndimor.

Eduard Gjokutaj: Unë do të dëshiroja shumë që, në kontekstin e këtij Samiti, ta zhvendosnim vëmendjen tek pjesa e bashkëpunimit rajonal, sidomos të Ballkanit Perëndimor, që është pjesa jonë, por edhe të asaj që lidhet me angazhimet në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Tre shtyllat e drejtimit në APEC mund të përdoreshin me shumë vlerë edhe në bashkëpunimin tonë, ku është ndërlidhja midis shteteve, e cila mungon. Këtu kemi parasysh konfliktet e brendshme midis shteteve ballkanike.

Nga njera anë, është qëndrueshmëria në bashkëpunim, që ka të bëjë se si vendet tona e aprovojnë këtë qasje, por është edhe ndërlidhja, mënyra se si vendet tona përpiqen ta zbatojnë përmes legjislacionit.

Nga ana tjetër, është pjesa e përfshirjes, e cila është një mangësi në rajonin tonë. Përbën një model që duhet të ndryshoje tek ne. Nëse nuk kemi gjithëpërfshirjen dhe futjen e të gjitha burimeve, të cilat kanë nevojë të mobilizohen, atëhere natyrshëm që nismat e bashkëpunimit që ne në rajon kemi ndërmarrë, nuk kanë shkuar në drejtimin e duhur dhe nuk kanë vlejtur.

Vendet pjesëmarrëse edhe në rajonin tonë kanë sferat e tyre të influencës, por duke u përshfirë në këto lloj angazhimesh, sikurse i ndërmerr APEC, ato jo vetëm që ndihmojnë ndërmarrjet e tyre, por edhe ri-sistemojnë ato marrëdhënie të zinxhirit të shkëputur të furnizimit dhe të shpërndarjes. Në këtë mënyrë, ato ndikojnë në zbutjen sado pak të atyre tensioneve që kanë.

Nga njëra anë, bota ka nevojë për qëndrueshmëri dhe stabilitet, por nga ana tjetër, ka nevojë të harrojë, përsa i përket tensioneve politike, të cilat ndikojnë drejt për së drejti në ekonomi dhe e zhvendosin atë në kahun e kundërt, në qoftë se nuk ndiqet rruga e paqes dhe e bashkëpunimit.

CMG: Samiti i 30-të i APEC merr rëndësi të veçantë dhe nga takimi i dy drejtuesve të dy ekonomive më të mëdha të planetit, asaj amerikane dhe kineze, pikërisht sot, pra i Presidentit kinez Xi Jinping dhe i Presidentit amerikan Joe Biden. Çfarë pritet të rezultojë nga ky takim, në nivel të ekonomisë botërore dhe në këtë situate problematike në shumë rajone të botës?

Eduard Gjokutaj: Më së pari, mendoj që në këtë takim, përveç adresimit të problemeve dhe ndarjeve të brendshme, do të diskutohen natyrshëm edhe problemet dhe qasjet botërore, pasi vendosen fatet e shumë zhvillimeve globale, deri në takimin e rradhës.

Nga ana tjetër, gjykoj se do të diskutohet me përparësi, pjesa e një bashkepunimi në lidhje me bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat prodhojnë jo pak, por 40-60 përqind të prodhimit kombëtar të gjithë këtij rajoni.

Natyrshëm që takimi do të japë atë frymëmarrje, të cilën bizneset e rajonit e kanë të nevojshme, pas situatave të rënda jo vetëm shëndetësore, por edhe pas fatkeqësive natyrore, pasi në ato zona ka kaluar një uragan i tmerrshëm, “El Ninjo”, i cili, me dëmtimet katastrofike të shkaktuara prej tij, mendohet se mund të ndikojë në ngadalësimin e rritjes ekonomike të rajonit.

 

Bashkëpunimi Kinë-SHBA (Foto CMG)

Gjykoj se të dy liderët, natyrshëm do të adresojnë edhe sfidën e inflacionit, i cili edhe pse ka një tendencë uljeje dhe në vendet e APEC parashikohet të shkojë në 4.4%, ai ka ndikuar në frenimin e rritjes ekonomike, përmes normave të larta të interesit, të imponuara nga bankat qendrore të rajonit, për të përballuar inflacionin.

Sipas statistikave zyrtare, rritja ekonomike për vendet e APEC në tremujorin e parë të këtij viti është në nivelin 3.2 përqind. Kjo shifër tregon që nuk është një rritje ekonomike, e aftë të gjallërojë atë shpresë që pritet në rajon.

CMG: Është takimi i dytë personal i dy presidentëve, që nga janari i vitit 2021, kur kreu i shtetit amerikan erdhi në detyrë. Sa i rëndësishëm paraqitet ky takim, duke patur parasysh situatat që kanë dy ekonomitë më të mëdha të planetit, në zinxhirët e furnimit, por edhe çfarë është historiku jo shumë i largët i marrëdhënieve të tyre tregtare dhe ekonomike, ku ka patur edhe mosmarrëveshje dhe vështirësi, në arritjen e një harmonizimi të bashkëpunimit të frytshëm ekonomik mes tyre?

Eduard Gjokutaj: Intensiteti i takimeve mes dy presidentëve të dy shteteve tashmë më të fuqishme të botës, natyrshëm që vjen si pasojë e asaj që kanë nevojë jo vetëm ekonomitë e tyre në planin e brendshëm, por edhe ekonomia globale.

Takimi vjen si një nevojë për të adresuar atë lloj qasjeje, që Kina ka, përsa i përket mënyrës se si ajo mendon të shtrihet më tej në marrëdhëniet tregtare. Këtu nuk duhet të harrojmë nismën “Një Brez, një Rrugë”.

CMG: Po, kjo nismë është shumë e rëndësishme. Shumica e vendeve anëtare të APEC janë pjesë e kësaj nisme.

Eduard Gjokutaj: Po. Dhe qasja del e qartë. Sfida nuk është vetëm për të pasur produkte dhe shërbime me një kosto më të ulët, por edhe për të siguruar ndërthurjen e digjitalizmit dhe të inteligjencës artificiale, e cila tashmë ka nevojë për një kuadër rregullator mbarëbotëror.

Kështu që natyrshëm që këto takime vlejnë për të sistemuar ato marrëdhënie që kanë nevojë të freskohen, apo kanë nevojë t’i japin një frymëmarrje shumicës së vendeve, nga të cilat varen si furnitorë apo si klientë të këtyre shteteve të fuqishme.

CMG: Ju përmendët tre drejtimet kryesore të Samitit të 30-të të APEC. Ndërkohë, vetë Presidenti kinez Xi Jinping, propozoi një vit më parë, në takimin e 29-të të APEC në Tajlandë, tre rrugë zhvillimi: “zhvillimin paqësor”, “hapjen e përfshirjen” dhe “solidaritetin”. Janë këto propozime të vlefshme edhe për bashkëpunimin e sotëm ekonomik, jo vetëm të vendeve të APEC, por edhe në tërësi, në të gjitha rajonet e botës?

Eduard Gjokutaj: Po, padyshim që janë. Madje është shtuar dhe një qasje e re, elasticiteti, që do të thotë se bota duhet të japë dhe të marrë. Dhe jo të qëndrojë e ngurtë, rixhide, ashtu sikurse mund të kenë qenë disa marrëdhënie.

E gjithë kjo qasje e bën më të fortë atë lloj ndikimi që mund të ketë, qoftë ekonomia amerikane dhe qoftë ekonomia kineze, por sidomos ato ekonomi të vogla rajonale, pasi, sikurse e përmendëm, kryetema e Samitit të 30-të të OPEC janë ndërmarrjet e vogla dhe ndërmarrjet e mesme, të cilat përbëjnë motorrët e ekonomive botërore.

Kjo është çfarë Samiti i OPEC dëshiron t’u japë njerëzve. T’u japë shpresë dhe një qëndrueshmëri, nëpërmjet ekonomisë.

Nga ana tjetër, një temë shumë interesante, e cila ka marrë tashmë vëmendjen botërore, është fuqizimi ekonomik i gruas. Samiti do të thotë që fuqizimi ekonomik i gruas ka edhe rol emancipues dhe përmes emancipimit, kemi nevojë të emancipohet e gjithë shoqëria, pa harruar problemet dhe sfidat e ardhshme që mund të dalin.

Intervistoi  Fatos Çoçoli

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…