Hasani: Modeli i bashkëjetesës e dialogut, shqiptarët fituan respektin e admirimin e aleatëve
Ministri Për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani: Diaspora ka një rol të pazëvendësueshëm në avancimin e kauzës kombëtare
Ministri Për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi sot se “diaspora ka një rol të pazëvendësueshëm në avancimin e kauzës kombëtare”.
Në fjalën e tij përshëndetëse në Samitin III të Diasporës që po zhvillohet në Tiranë, ku është i pranishëm Kryeministri Edi Rama, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, etj., ministri Hasani theksoi se “e vërteta është se pa diasporën shumëçka në historinë tonë do të kishte qenë shumë ndryshe, që nga roli arbëreshëve në mbajtjen gjallë të gjuhës dhe kujtesës, që nga roli i diasporës në rrëzimin e komunizmit apo në luftën për çlirimin e Kosovës e deri tek roli i gjithë shqiptarëve në mërgim në mbijetesën ekonomike të vendeve tona gjatë viteve të errëta të tranzicionit”.
Ne, vijoi Hasani, të gjithë i detyrohemi një borxh të pashlyeshëm bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë kufijve të hapësirës shqiptare në rajon.
“S’ka mesazh më të bukur bashkimi se kjo sallë e mbushur plot, kjo mbledhje e shqiptarëve nga mbarë rajoni e bota. Ky samit vjen në një moment kur në shqiptarët më shumë se kurrë kemi arsye të ndihemi mirë me atë çfarë kemi arritur. Kemi shumë për të bërë së bashku për ti çuar më tej e zhvilluar vendet tona, për të konsoliduar ato që kemi arritur. Ajo që mund të bëjë Shqipëria e vetme, Kosova e vetme, vëllezërit në Maqedoni e Mal të Zi, është fare pak krahasuar me atë se çfarë mund të arrijmë të gjithë së bashku”, tha Hasani.
Më tej Hasani tha se “sot jetojmë në një botë më të pasigurt se dekada më parë rajoni ynë përballet sot me më shumë pasiguri se në çdo moment tjetër në dy dekadat e fundit.
Në këtë kontekst pasigurie globale ne shqiptarët kemi ditur të konsolidojmë rolin tonë si garant të orientimit euroatlantik të rajonit, kemi ditur po ashtu të promovojmë një model, bashkëjetese e dialogu, mikpritjeje e tolerance që ka bërë që ne shqiptarët të fitojmë respektin e admirimin e aleatëve, miqve e partnerëve”.
Por patjetër, u shpreh Hasani, kemi ende shumë për të bërë.
“Kemi ende shumë për të bërë së bashku për t’i zhvilluar më tej vendet tona, për të konsoliduar përpara ato që kemi arritur. Dhe nuk duhet të harrojmë: ajo që mund të bëjë Shqipëria e vetme, Kosova e vetme, vëllezërit e motrat tonë në Maqedoninë e Veriut apo në Malin e Zi të vetëm, është fare pak, krahasuar me ato që mund të arrijmë të gjithë së bashku”, u shpreh Hasani.
“Ajo që mund të bëjmë pa vëllezërit e motrat tanë nëpër botë, gjithashtu është fare pak, sepse Diaspora ka një rol të pazëvendësueshëm në avancimin e kauzës kombëtare.
E vërteta është se pa diasporën, shumëçka në historinë tonë do të kishte qenë shumë ndryshe. Që nga roli i arbëreshëve në mbajtjen gjallë të gjuhës e kujtesës, që nga roli i diasporës në rrëzimin e komunizmit apo në luftën çlirimit të Kosovës, e deri tek roli i gjithë shqiptarëve ne mërgim, në mbijetesën ekonomike, të vendeve tona gjatë viteve të errëta të tranzicionit, ne të gjithë i detyrohemi një borxh të pashlyeshëm bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë kufijve të hapësirës shqiptare në rajon”, vijoi Hasani.
“Prandaj ky Samit, nuk është thjesht një moment simbolik bashkimi. Ky Samit është mbi të gjitha një moment për të eksploruar bashkarish ide e forma konkrete bashkëpunimi”, theksoi kreu i diplomacisë shqiptare.
“Sfida që kemi përpara është sesi të përkthejmë në projekte e nisma konkrete gjithë atë dëshirë e pasion për kombin që na bashkon. Për këtë arsye ne kemi organizuar disa panele tematike diskutimi, për të arritur së bashku tek ato ide e ato nisma që do të duam të vëmë në jetë, qoftë për sa i përket forcimit të marrëdhënieve midis diasporës dhe vendit amë dhe ruajtjes së identitetit gjuhësor e kulturor, qoftë për sa i përket dimensionit ekonomik, atij social, kulturor e kështu me radhë”, tha Hasani.
“Dua ta mbyll fjalën time me një zotim, që rrjeti i përfaqësive të Republikës së Shqipërisë, do të jetë gjithmonë e kudo, dora e shtrirë e shtetit shqiptar ndaj diasporës. Ne do të jemi sytë dhe veshët e shtetit shqiptar, dera jonë e hapur për çdo burrë e grua, të ri e të re në diasporë, që do të punojë e të kontribuojë që punët e shqiptarëve të ecin përpara”, përfundoi Hasani.