Edison Gjergo, shpirti i ndjerë i Artit Shqiptar!
“- Sot është Dita Ndërkombëtate e Artistit. Ku të shkon mendja? – Tek piktori Edison Gjergo? – Pse?…”
Nga Agim Janina
– Sot është Dita Ndërkombëtate e Artistit. Ku të shkon mendja?
– Tek piktori Edison Gjergo?
– Pse?
– Ishte nga shpirtrat më të ndjerë të Artit Shqiptar. Piktor i talentuar… një tel kitare këputur nga rregjimi.
Kur u mësua lajmi ishte mëngjes. Dënohej një piktor. Edison Gjergo. Bota artistike mbajti frymën një çast. Një pshehrëtimë frike u përhap ngadalë. Më pas u kthye në kërcënim.
– Pse? Pse? Pse?
– E kishte tepruar. Fliste shumë…
– Si mund të dënohet një piktor se fliste shumë?!
– Duhej të flisje atë që të mësonin. Pinte dhe… i hante goja…
– Edhe?
– Nuk ishte kjo kohë. Nuk lejohej… të flisje… dmth të mos ishe në një mendje me pushtetin.
– Nuk të kuptoj… nejse vazhdo.
– Dikush tjetër tha:
“Do të na marrë në qafë”!
– Pse?
– Dikush në baret e kryeqytetit la kafen e mëngjesit mbi tavolinë pa pirë. Nxitoi të shkonte në studio, në shtëpi të fshihte gjurmët si të ishin vepra krimi…
– Çfarë gjurmësh?!
– Ndonjë skicë, tablo në formë etydi, ndonjë vepër arti me ndikime nga arti modern, si psh nga impresionistët…
– Impresionistët?!
– Pse çuditesh! Atë botë nuk lejohej.
– Idiotë ishin?!
– Aspak. Siç thoshte një shkrimtar humorist, idiotë kemi sa të duash. Na mungojnë Dostojevskët.
– Ha… ha… ha.. e bukur!
– Atë botë nuk qeshje dot.
– Duhej të fshije artin?
– Të fshehësh artin është si të fshehësh fëmijën nga ata që duan të ta vrasin…
– Kishte që e fshehën?
– Jo.
– Pse?
– Diktatura ishte e rëndë…
– Dhe?
– Dhe çfarë?
– Domethënë e hëngri…
– Gjergo më pëlqen shumë. Kur shoh tablotë e tij sikur ndjen muzikë.
– E vërtetë. Kur pikturonte studio e tij mbushej me muzikë. Dëgjonte Bethovenin, Moxartin… Bahun e pëlqente tmerrësisht.
– Bahu është përtej së qenit magjik… ka një frymë që të fut në një tjetër botë.
– Ndaj edhe Gjergo e pëlqente. E largonte nga bota ku jetonte. Ndihet kjo në tablonë “Epika e yjeve të mëngjesit”…
– Sa titull poetik!
– Mbas një nate të gjatë, kaluar bashkë me një poet, u gjet titulli. Nuk ka vepër të dytë në Shqipëri me titull më poetik e më të bukur. Është gur kilometrik, tablo sa poetike, aq edhe tragjike. Ndaj për të duhet një përshpirtje kujtimi dhe nderimi. Tabloja ishte njëherazi apogjeu i lavdisë dhe fillimi i rrokullimës dhe renia e thyerja fizike e morale në burgun e Spaçit.
– Kam dëgjuar se në burg…
– Hesht… hesht. Edisoni ishte artist dhe burgu nuk është për artistë.
– Mbyllje tragjike e jetës…
– Vite më vonë duke kujtuar piktorin rebel, një mik piktor më tha, “Edisoni ishte lokomotiva. Ne të tjerët ishim vagonët. Tani atë e arrestuan. Ne mbetëm pa lokomotivë, por vazhdojmë të ecim si vagonë, secili për hesap të vet…”