Konflikti Izrael-Palestinë, historia, reagimi ndërkombëtar dhe mundësitë e zgjidhjes së tij

Anëtari Këshillit të Ambasadorëve, diplomati Spartak Topollaj analizon këtë konflikt në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG)


Nga Eda Merepeza

Një nga konfliktet më të spikatur të shekullit të 20-të por dhe më jetëgjati është konflikti izraelito-palestinez . Përpjekjet e diplomacisë së dy vendeve në konflikt, por dhe asaj ndërkombëtare nuk kanë dhënë rezultat. Gjatë viteve të fundit janë shënuar sulme sporadike midis Izraelit dhe Palestinës, në zonën e Gazës  dhe Bregut Perëndimor. Sulmi i nisur nga grupi militant i Hamasit, i cili udhëheq Gazën që nga viti 2006, pas fitores në zgjedhje, është ndër më të përgjakshmit në 75 vjet të këtij konflikti. Kulmin e vet konflikti e shënoi me sulmet kundër Izraelit të Hamasit, të cilat u pasuan me kundërpërgjigjen izraelite, duke shkaktuar shumë viktima në radhët e popullsisë civile, rrëmbime, pengje dhe dëme të konsiderueshme materiale. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, anëtari i Këshillit të Ambasadorëve, diplomati Spartak Topollaj analizon konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës, reagimin e qeverisë shqiptare dhe atë ndërkombëtar si dhe rolin e Kinës në shuarjen e konfliktit dhe zgjidhjen e tij përmes krijimit të dy shteteve.

CMG: Pas një intensifikimi të konfliktit që nga 7 tetori, rritjes së numrit të viktimave, pengjeve nga popullsia civile dhe dëmeve të konsiderueshme materiale këto ditë ka një dakordësi për zgjatje të armëpushimit midis palëve në konfliktin izraelito-palestinez. Si e vlerësoni situatën aktuale mes Izraelit dhe Palestinës?

Spartak Topollaj: Ky konflikt i ndezur me ashpërsi të madhe i ka rrënjët thellë dhe nuk është rastësor apo sporadic. Konflikti ka marrë një formë të ngjashme prej 75 vitesh, që nga 1948 kur u krijua shteti i Izraelit. Në përmasa të mëdha konflikti arabo-izraelit dhe konkretisht palestinezo-izraelit ka kaluar nëpër pesë etapa. E para në vitin 1948, e dyta në vitin 1956 që u quajt Lufta e Suezit, etapa e tretë është Lufta e 6 ditëve e vitit 1967, e katërta Lufta e Yom Kipurit dhe e pesta, që urojmë të jetë e fundit është kjo që filloi më 7 tetor.

Deri tani mes palëve ka patur beteja, atentate, provokime por të përmasave të tilla të mëdha janë vetëm këto pesë etapa. Sa i përket konfliktit aktual duhet pranuar se Autoriteti Palestinez që në kohën e Arafatit dhe pasuesit të tij presidentit Abu Mazen,  ose Mahmoud Abas kanë bërë përpjekje dhe shpesh here janë bërë dhe marrëveshje të mëdha. Ndër to për t’u kujtuar ka qenë Marrëveshja e madhe e Dejtonit, ku luajtën rol të madh SHBA-të, pas së cilës mes Izraelit dhe Palestinës  iu dha çmimi Nobel për paqe edhe Arafatit dhe presidentit izraelit Rabin.

Ndërkohë në zgjedhjet e vitit 2006 me fitoren e Hamasit punët u ashpërsuan. I themeluar që në 1987 nga sheiku Ahmad Jasin dhe të tjerë Hamasi lindi si një grup ekstremist islamik, që rridhte nga Vëllezërit Muslimanë, por që shkonte deri në ekstremin terrorist. Madje në atë kohë Hamasi realizoi disa atentate në Izrael dhe në vende të tjera kundër izraelitëve dhe kundër të huajve kryesisht perëndimorë. Vendet si ShBA-ja dhe BE-ja e kanë etiketuar Hamasin si një organizatë terroriste. Kjo organizatë disa here ka provokuar rëndë dhe kulmoi me ngjarjet e 7 tetorit, ngjarje të cilat nuk erdhën rastësisht.

Akteve terroriste të Hamasit Izraelit i është përgjigjur me ashpërsi, madje duke vrarë dhe liderët kryesorë të tij si sheikun Ahmad Jasin dhe  Al Rantizin dhe liderë të tjerë. Aktualisht Hamasin e drejtojnë figura si Ismail Alieh, Khaled Meshal e të tjerë.

Kështu ky provokim i këtyre përmasave arriti deri atje sa që në ditët e para u vranë rreth 1200 izraelitë, një vrasje masive kjo.

CMG: Edhe këmbëngulja e kryeministrit izraelit Netanjahu i cili thotë se lufta ndaj Hamasit nuk do të ndalet është një deklaratë që nuk jep shumë shpresa për dialog mes palëve, pavarësisht se aktualisht ka një armëpushim.

Ndërkohë diplomacia shqiptare ka bërë thirrje për t’i dhënë fund këtij konflikti të përgjakshëm. Gjatë Forumit të Paqes në Paris kryeministri Edi Rama u shpreh se “Si një anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por më e rëndësishme akoma si një vend multi-fetar paqësor dhe paqedashës, Shqipëria është tejet e shqetësuar për konfliktin në vazhdim dhe vuajtjet e tejzgjatura të Gazës. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi “Ndërsa qëndrojmë me vendosmëri me Izraelin kundër Hamasit, ne jemi gjithashtu shumë të shqetësuar për vuajtjet e civilëve dhe shkatërrimin në Gaza.” Komenti juaj për qëndrimin e Shqipërisë ndaj konfliktit izraelito-palestinez?

Spartak Topollaj: Në këtë rast kemi një gjë shumë të mire që pozitë dhe opozitë janë në një qëndrim të vetëm dhe ky qëndrim i Shqipërisë mendoj që është i drejtë, një qëndrim që e njeh Izraelin të provokuar rëndë nga Hamasi, por kërkon ndaljen e luftës, armëpushimin dhe në mënyrë të veçantë të mos vriten civilë të pafajshëm dhe veçanërisht fëmijë.

Ky qëndrim i shprehur edhe nga kryeministri ynë në Paris dhe më vonë, gjithashtu i shprehur dhe nga lideri i opozitës prof. Dr. Sali Berisha dhe presidenti i Republikës Bajram Begaj dhe të tjerë shtetarë të Shqipërisë, mendoj që është një qëndrim shumë i drejtë.

Lufta duhet ndalur dhe pastaj bëhen balancat se kush është më shumë fajtor e kush më pak. Në një luftë të dy palët kanë përgjegjësi.

Diplomacia shqiptare ka për detyrë t’i rrijë kësaj linje që e duan dhe shqiptarët kudo që janë, që të gjendet me çdo kusht një zgjidhje paqësore, me negociata, një zgjidhje demokratike dhe në këtë rajon të ketë dy shtete izraelit dhe palestinez.

CMG: Diplomacia kineze është shprehur për krijimin e dy shteteve. OKB të mërkurën përkujtoi Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit me Popullin Palestinez.  Në mesazhin e tij, presidenti kinez Xi tha se Çështja palestineze është në qendër të çështjes së Lindjes së Mesme dhe thelbi i konfliktit palestinezo-izraelit qëndron në realizimin e vonuar të së drejtës kombëtare legjitime të popullit palestinez për të krijuar një shtet të pavarur, tha ai. Si e vlerësoni qëndrimin e Pekinit zyrtar ndaj situatës së tensionuar në Lindjen e Mesme?

Spartak Topollaj: Kina patjetër që ka një rol jo vetëm si kryesuese e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por dhe si fuqi e madhe, e dyta në botë, pas SHBA-së me një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik që po i afrohet gati 20 trilion dollarëve GDP-ja e Kinës.

CMG: Kina ka mjaft shkëmbime me Izraelin dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme dhe është një faktor në këtë rajon.

Spartak Topollaj: Patjetër dhe Kina shkëmbimet i ka pa dallim.  Kina dihet që është një fuqi e madhe edhe ushtarakisht, çdo ditë e më tepër ushtria kineze modernizohet dhe me këto ritme që po ecën, ndonëse janë ngadalësuar pak pas pandemisë Covid 19, por prapë mbetet një fuqi e madhe, që duhet të ketë një rol dhe më të fuqishëm e përcaktues. Kina ka marrëdhënie të mira dhe me Izraelin dhe me botën arabe. Është shpallur botërisht qëndrimi kinez për dy shtete dhe për zgjidhjen paqësore.

CMG: Qëndrimi i Kinës është ndër të parët që e ka prononcuar hapur që patjetër duhet të krijohen dy shtete sepse nuk do të mund të ketë një zgjidhje tjetër.  Kina mban presidencën e radhës të KS të OKB-së për muajin nëntor mbështet me vendosmëri kauzën e drejtë të popullit palestinez. Kina ka paraqitur dhe një plan konkret, ashtu siç veproi dhe me konfliktin Rusi-Ukrainë kur paraqiti një plan konkret. Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi tha të mërkurën se Kina ka paraqitur një dokument qëndrimi në Kombet e Bashkuara për zgjidhjen e konfliktit Palestinë-Izrael. Kina ka bërë një propozim prej pesë pikash që mbulon një armëpushim gjithëpërfshirës dhe përfundimin e luftimeve, duke mbrojtur në mënyrë efektive civilët, duke siguruar ndihmën humanitare, duke rritur ndërmjetësimin diplomatik dhe duke siguruar zgjidhje politike.

Spartak Topollaj:I kam ndjekur me vëmendje dhe deklaratat dhe qëndrimet zyrtare dhe më erdhi shumë mire që presidenti Xi vizitoi San Franciskon dhe u takua me homologun Joe Biden

CMG: Ata kanë folur dhe për këtë konflikt.

Spartak Topollaj: Po dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dy krerët e dy fuqive të mëdha që ka bota. Gjithashtu kam ndjekur me vëmendje deklarimet e kryeministrit të ri të Kinës Li Qiang dhe të ministrit të jashtëm Wang Yi. I gjej të drejta qëndrimet e tyre, në kuptimin që kanë ruajtur një ekuilibër dhe kanë një predispozicion për zgjidhje paqësore me negociata në kuadrin demokratik pa asnjë mentalitet dhe parakusht që të krijohen dy shtete, në mënyrë të veçantë të krijohet shteti palestinez.

Unë mendoj që do të ketë një shtim të ndikimit të Kinës dhe i rolit të saj për ta hedhur në bisedime dhe negociata problemin historikisht të vështirë dhe të pazgjidhshëm deri tani mes Izraelit dhe Palestinës.

CMG: Ju si një diplomat në rajonin e Lindjes së Mesme gjykoni se do të ishte e mundur që të pranohej nga palët krijimi i dy shteteve? E shikoni si një plan të realizueshëm?

Spartak Topollaj: Unë e shikoj si një plan vështirësisht të realizueshëm, jo të parealizueshëm. Nuk do të jetë e lehtë, por Izraeli duhet të jetojë me realitetin sepse palestinezët janë disa milionë dhe janë në trojet e tyre prej mijëra vjetësh dhe kanë të drejtën të krijojnë shtetin e tyre. Izraeli nuk ka të drejtë të thotë se palestinezët nuk duhet të kenë shtetin e tyre.  Edhe vetë bota arabe është e përçarë në qëndrimin ndaj Palestinës dhe këtu përfiton dhe vetë Izraeli. Mendoj që do të ketë një zgjidhje që nuk është shumë e afërt sipas optikës sime, por do të ketë zgjidhje sepse nuk mund të vazhdohet me luftë, vrasje, terror dhe akte ekstreme. Zgjidhja është dy shtete, dy popuj fqinj dhe koha do t’u imponojë izraelitëve dhe palestinezëve të jetojnë në paqe dhe mirëkuptim, duke mos e falur dhe harruar të kaluarën, për hir të paqes dhe qetësisë në rajon dhe më gjerë.

Lexo më shumë nga

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…