Iluministi Naum Veqilharxhi dhe vetëdija kombëtare

“Shpikësit e shkronjave, nuk sjellin dëm, por përparim!”… – Naum Veqilharxhi.


Nga Dr. Dorian Koçi

“Shpikësit e shkronjave, nuk sjellin dëm, por përparim!”… – Naum Veqilharxhi.

Ndryshimet e identitetit kolektiv të shqiptarëve nga periudha e fundit e sovranitetit  osman mbi Shqipërinë, në atë të kundërshtimit të nacionalizmave të vendeve fqinjë janë të trajtuar sipërfaqshëm duke i dhënë rëndësi një faktori social ose një tjetri dhe jo duke i trajtuar si një tërësi faktorësh të rëndësishëm socialë që krijuan sinergjinë e nevojshme për të gdhëndur identitetin kulturor e kombëtar shqiptar. Përqafimi i nacionalizmit si rrymë mendimi shtetformuese dhe hyrja në procesin e urbanizimit e evropianizimit të Perandorisë Otomane në fakt ngjallën dhe dilemën e identitetit kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve.

Një koncept i ri ishte natyrisht ndërtimi i shtetit komb nën idetë e nacionalizmit i cili në Ballkan nuk erdhi si rezultat i industrializimit por si rezultat i moszhvillimit  ose të modernizmit  të pa barabartë midis Ballkanit dhe krahinave të tjera të Perandorisë. Modernizimi i pabarabartë midis këtyre pjesëve të Perandorisë ishte rezultat i prapambetjes ekonomike të Perandorisë Otomane dhe afërsisë së Ballkanit me Perëndimin. Idetë nacionaliste penetruan në fillim tek ato zona dhe grupe të cilat kishin kontakt të ngushtë me Evropën Perëndimore ose Qendrore.[1]

Etnitë ballkanike do të përqafojnë nacionalizmin si platformë ideologjike në rrugën e krijimit të shteteve të tyre, por trashëgimia dhe influenca e kulturës ekumeniste me gjuhën e kulturën greke si lingua franga të rajonit do të jetë e dukshme jo vetëm në zgjimet kombëtare, por dhe në përzgjedhjet identitare që do të kryejnë elitat e kombësive të ndryshme në Ballkan.

Pikërisht nga një  elitë e tillë kozmopolite do të dilte dhe përfaqësuesi i nacionalizmit shqiptar, Naum Veqilharxhi (1797-1846)[2]. Ai lindi në Vithkuq të Korçës, ku kaloi fëmijërinë. Para vitit 1806 mërgoi me familjen në Moldavi (Kishinjev) që në atë kohë bënte pjesë në Besarabinë Ruse. Më 1821 mori pjesë në kryengritjen e eteristëve në Rumani kundër robërisë osmane si një nga udhëheqësit e saj, bashkë me shqiptarë të kolonisë së atjeshme.

Pjesëmarrja e shqiptarëve në repartet eteriste ishte e madhe. Sipas një burimi repartet arnaute ishin më të shumta; në përbërjen e ushtrive të Ypsilantit ato formonin dy korpuse prej rreth 2500 vetë. Grupe arnautësh kishte dhe në ushtrinë e Tudor Vladimireskut.[3] Pas dështimit të kësaj revolte Naum Veqilharxhi iu  kushtua çështjes së çlirimit të Shqipërisë, duke u udhëhequr nga ideja themelore iluministe se një popull mund të dalë nga prapambetja vetëm po të shkruajë gjuhën amtare dhe po të përhapen arsimi dhe kultura kombëtare.

Në këtë kontekst më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë, për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Naum Veqilharxhi synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes. Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, “Evëtarin”. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat Jugore të Shqipërisë. Për të plotësuar kërkesat e shumta që pati, e ribotoi më 1845 me titullin “Fare i ri Evëtar shqip”, të shoqëruar me një “E parathënme mbi djelmt e rinj shqiptarë”. Më 1846 hartoi një “Letër qarkore” (enciklikë) greqisht, drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri.

Largpamësia e Naum Veqilharxhit qëndron, jo vetëm në shtytjen që i dha lëvizjes së popullit shqiptar kundër robërisë shekullore osmane, por edhe në faktin se është i pari që dalloi e paralajmëroi rrezikun që do t’i vinte kombit nga qarqet shoviniste greke e nga politika e Patrikanës. Në “Letër enciklike për të gjithë të pasurit e të mësuarit ortodoksë shqiptarë”, ku ai do t’iu kërkojë shqiptarëve që të hyjnë “në radhën e kombeve të qytetëruara”, duke nënkuptuar Europën.

Si gjithë intelektualët e Europës Qendrore dhe Jugore ai i dha një rëndësi të veçantë arsimimit në gjuhën amtare si një mjet për krijimin e publikut e të  masave lexuese të një gjuhe-një rezultat i shtypit dhe kapitalizmit që bënte të mundur zëvendësimin e  përfshirjen aksiomatike të gjuhëve të shkruara në mendjet e njerëzve dhe shkatërroi solidaritetit e Krishterimit, Umanë islamike dhe gjithë solidariteteve të tjerë[4] duke prevaluar një identitet kulturor, gjuhësor e rrjedhimisht dhe kombëtar.

Përpjekjet e intelektualëve të Europës Qendrore dhe Lindore nuk duhen parë si përpjekje gënjeshtërta për të farkëtuar një identitet të ri të etnive por një vazhdimësi e traditave më të mira folklorike, kulturor e gjithëpërfshirëse të përfshirjes së këtyre etnive në momente të rëndësishme të troditjes së çative të perandorive të mëdha nën të cilat banonin.

Një rast i tillë u paraqit në Ballkan me revoltat serbe 1804 dhe 1817, revolta e Ali Pashë Tepelenë 1821-1822 dhe fillimet e revoluconit grek 1821 në provincat danubiane dhe Greqi në 1821. Naum Veqilharxhi ishte pjesëmarrës në revoltën e Tudor Vladimireskut në provincat danubiane dhe dëshmitar i shndrrimeve që kishte përsuar rajoni i ballkanit nën luftërat napoloniane dhe funksionimit të Pashallëkut të Janinës. Ndikimi i Pashallëqeve shqiptare në strukturën sociale të shoqërisë shqiptare të asaj kohe si dhe të identifikimit të saj kulturor e gjuhësor përtej solidariteve të deri atëhershme janë pasqyruar thekshëm nga Tajar Zavalani ku shkruan se ata( Ali Pasha Tepelena dhe Bushatlliu) bënë të mundur të bashkojnë për dekada me radhë pjesë të konsiderueshme të vendit nën një administratë të përbashkët, të nënshtronin partikularizmin e një numri të shumtë të feudalëve lokalë,  të organizonin klane nga besime të ndryshme fetare për të bashkëpunuar në kohë paqeje dhe lufte mes tyre.

Edhe pse përdornin metoda të ndryshme, të dy, Aliu dhe Bushatlliu i mësuan bashkëpatriotet e tyre avantazhet e një qeverie të centralizuar, dhe duke udhëhequr myslimanët në beteja kundër Sulltanit Kalif ata shkatërruan me sukses besimin se çdo mysliman ishte një turk me interesat e përfaqësuara më mirë nga Porta e Lartë. Solidariteti lokal përtej niveleve klanore u shfaq në Shqipëri nën udhëheqjen e tyre.

Ky precedent, ndonse ishte i një rëndësie të përkohshme për kohën, u bë e rëndësishme një gjysëm shekulli më vonë kur Ali Pasha dhe Bushatllinjtë u bënë heronj në sytë e nacionalistëve shqiptarë të cilët i panë përpjekjet e tyre si manifestime të hershme të nacionalizmit.[5] Pikërisht në këto tipare të identifikuara nga Zavalani përsa i përket shndrrimeve që pësoi popullsia shqiptare gjeti mbështetje dhe Naum Veqilharxhi në fillimet e përpjekjeve të tij për hartimin e një abetareje në 1824.

Ky lloj vlerësimi i gjuhës kombëtare si dhe përhapjes së literaturës në gjuhën shqipe dhe përpjekjeve për krijimin e një rrjeti shkollor shqip, i prejardhjes së përbashkët dhe vlerësimit të një kulture të përbashkët mbi identitetet fetare përçarëse  tregon se veprimtarët e lëvizjes kombëtare shqiptare ndoqën modelin gjerman për krijimin e kombit shqiptar, të Herderit dhe më pas Fihtes sipas të cilit shoqëritë njësoheshin ,duke pasur të njëjtën prejardhje, duke ndarë të njëjtën gjuhë dhe të njëjtën kulturë.[6]

Naum Veqilharxhi  i pa shqiptarët  si komb me karakter të veçantë, me gjuhën e zakonet e veta, me një thesar kulturor të trashëguar. Zoti, sipas tij, i ka krijuar njerëzit të pajisur me arsye. Njerëzit për të plotësuar nevojat e veta komunikojnë me njëri-tjetrin dhe me anë të komunikimit në një gjuhë të përbashkët, arrijnë një nivel të caktuar njësimi të mendimeve e të ndërgjegjes, duke formuar bashkësi njerëzore: “Këta vetëm me anën e mendimeve të përbashkëta mund të lidhen e të bashkohen dhe të formojnë mbi tokë shoqëritë njerëzore të vogla dhe të mëdha: d.m.th. racat, fiset dhe kombet dhe pastaj mbretëritë e mëdha”.

 

Kombet që nga lindja e tyre i nënshtrohen një procesi evoluimi të vazhdueshëm prej gjendjes së barbarisë drejt qytetërimit: “dhe ata si ne filluan një ditë dhe duke ecur dora-dorës dhe me siguri, kanë arritur atje ku ne i shohim sot” . Veqilharxhi misionin e tij e kupton në frymën iluministe si të atij të ndriçimit mendor të kombit: “Kështu kanë filluar para nesh të gjithë udhëheqësit e kombeve, punët e të cilëve ishin shumë më të vështira për t’u realizuar se sa e imja. Ata morën përsipër riformimin rishtaz të një kombi të ri, kurse unë përpiqem vetëm të bëj të shkruhet gjuha e kombit”.[7]

Naum Veqilharxhi kishte besim tek aftësitë dhe virtytet e popullit të vet dhe fshikulloi ata që ishin vënë në shërbim të të huajve. Naum Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh të shkombëtarizimit që vinte nga shkollat e huaja dhe punoi për një shkollë shqipe me përmbajtje laike dhe për të gjithë fëmijët e popullit. E pasuroi shqipen me një varg termash të kulturës e të dijes.

Naum Veqilharxhi u përpoq gjithashtu të krijonte një shoqëri kulturore që të bashkonte atdhetarët e tjerë. Ai besonte në misionin iluminist të arsimit duke besuar dhe në lëvrimin e përvetësimin shpejt nga ana e shqiptarëve të zhvillimit të tyre arsimor. “Shtrëngohi shkruan ai  të mësoni e të shtoni (shtoni dijen) se është e ditur që frymët e Shqiptarëvet, veç që mendjen e kanë të hollë e të mprehtë nga të lerturit (lindja, natyra) e tyre, që mund pa frikë të them se, nukë vetëm arrijnë, po edhe shkojnë shumë farë njerëzve (kombeve) të tjerë”[8].

Në letrën e tij dërguar nipit të vet Jani Cales me profesion doktor dhe banues në Vjenë nënvizohen disa nga idetë më të rëndësishme të dilemave dhe gjeneratoreve identitare që ballafaqohej popullsia shqiptare në vitet 30-40 të shekullit të XIX. Nipi i tij Jani Cale duket se është akomoduar dhe përfshirë mirë në jetën urbane të Vjenës dhe të kolonisë greke në kryeqytetin perandorak të Austrisë.

Tregtarët grekë dhe të bashkësive ortodokse nga Epiri ishin vendosur në Vienë si  një vazhdim i aktiviteteve të tyre tregare nga kolonia e Venecies por edhe qyteteve të Hungarisë si Petsi, Brashov dhe Sibiu. Qyteti i Vjenës u bë qendra e tërheqjes dhe destinacionit për tregtarët grekë. Pozicioni i saj gjeografik e bëri atë qendër të sipërmarrjeve të saj tregtare, të cilat shtriheshin në të gjitha territoret dhe në të gjitha drejtimet. Ata shpejt arritën të merrnin pjesën më të madhe të tregtisë së importit dhe eksportit midis Perandorisë Habsburg dhe Perandorisë Osmane dhe të bëheshin personalitete kryesore në jetën ekonomike.

Ata kishin krijuar një koloni që përblidhej rreth Kisësh së Shën Triadhës,  me një arkë të përbashkët që sponsorizonte aktivitetet kulturore dhe filantropike të bashkësisë ortodokse të Vienës. Në këtë shoqëri bënin pjesë edhe tregtarë shqiptarë ortodoksë si është rasti i vëllezërve Çelo(Anastas dhe Spiridon) nga Gjirokastra që ndihmuan gjuhëtarin e njohur slloven Jernej Bartol Kopitar (21 gusht 1780 – 11 gusht 1844) të përfshijë një tekst shqip në artikullin e tij “Gjuha Shqipe, vllahe dhe bullgare” më 1829. Teksti në shqip është një përkthim i parabolës së Djalit plangprishës nga (Luka XV,11-32). Në Vjenë kishte mjaft shqiptarë dhe informatat dhe informatat prej tyre u kanë sjellë dshërbime të dobishme dijetarëve europianë.[9]

Tek kolonia e bashkësisë ortodokse të Vjenës ku Jani Cale bënte pjesë, identitetet nuk ishin fort të qarta dhe mbizotërimi i kulturës helene kish krijuar një zbehje të identiteteve të tjera. Për këtë arsye Jani Cale do i shkruaj ungjit të vet se “Cila vallë nga tri perëndeshat, që përcaktojnë fatin e njerëzve, deshi që të mos dalë ndonjë tjetër, por xhaxhai im shumë i shtrenjtë, për të lidhur ato që s’lidhen, të sjellë në formë atë që nuk ka formë, të bashkojë në një tufe myslimanët fanatikë, të krishterët ortodoksë superticiozë, papistët që urrejnë fetë e tjera, të krijojë një trup homogjen nga kombi shqiptar? Mallkoj atë orë, xhaxhai im i nderuar, kur ju u dhatë pas një ideje të tillë himerike. Me gjithë këtë le të ndjekim fjalën e urtë italiane. “Më mirë vonë se kurrë”. Ç’u bë, u bë, mori fund, po dhe në të ardhmen hiqni dorë nga planet që nuk mund të realizohen, duke përbuzur lajkat e të huajve, besoni në fjalët e nipit tuaj, i cili ka informata…”[10].

Mungesën e uniformitetit fetar në Shqipëri e pranonte dhe vet Veqilharxhi por përgjigjia e tij në fakt është iluministe dhe moderne duke braktisur modelet e shoqërive që bazoheshin në konceptet mesjetare mbi identitetin e etnive mbi kriteret fetare dhe duke i hapur udhë variantit modern të identifikimit të kombeve përmes gjuhës dhe kulturës.

Kështu pra njerëzit i drejtohet Veqilharxhi nipit të vet, që në kohë më të lashta filluan lëvrimin e gjuhës së tyre, duke u zhvilluar dora dorës, duke u nisur nga gjëra të vogla dhe dalëngadalë lidhën ato që s’lidhen, u dhanë formë atyre që nuk kishin formë dhe bashkuan në një komb antropofagë të egër e barbarë. Si pra? Cili ishte kombi grek para ose dhe në kohën e Omerit, gjatë shekujve mitologjikë ? Çfarë ishte fisi romak në kohën e Romulit dhe më përpara ? Amerikanët në kohën e Kolombit ? Englezët në kohën e Krishtit? Rusët para Pjetrit të Madh? Qysh këta dhe të tjerë si këta u zhvilluan menjëherë që në fillim, apo edhe ata si ne filluan një ditë dhe duke ecur përpara dora-dorës dhe me siguri, kanë arritur atje ku ne i shohim sot? Së fundi, si filloi Konfuci në Kinë, Zoroastri në persët, Moisiu në ebrejt, Brahma në hindusët, Thefshi në finikasit, Zallamoksi në sllavët, Likurgu në Laqedemonasit, Karondi dhe Soloni në athinasit, Orfeu në trakët, Krishti në të krishterët, Muhameti në muhamedanët, Luteri në evangjelistët dhe të tjerë ligjvënës dhe prijës kombesh? Këto kombe me kalimin e kohës dhe dora-dorës, sa u përmirësuan![11]

Veqilharxhi  njeh  në mënyrë të padiskutueshme epërsinë e e arsimit në zhvillimin e një kombi duke dhënë një kronologji sesi kombet e tjerë kanë evoluar përmes kultivimit të arsimit dhe kulturës. Mësimet i shkruan ai nipit të vet janë si farërat. Kështu kanë filluar para nesh të gjithë udhëheqësit e kombeve, punët e të cilëve ishin shumë më të vështira për t’u realizuar se sa e imja.

Ata morën përsipër riformimin rishtaz të një kombi të ri, kurse unë përpiqem vetëm të bëj të shkruhet gjuha e Kombit, jo siç e përshkruan ti, keq. Duket se nuk ke kënduar kurrë historinë e fisit njerëzor që të shohësh se kurrë kombet nuk kanë filluar menjëherë, por njeri ka filluar pardje, tjetri dje, tjetri sot dhe tjetri nesër; fundi i fundit një ditë do të fillojë edhe ky…“U ke besuar trashë mësuesve të tu grekë, nipi im”!…[12]

Përmendja e në fjalië e fundit të mësuesve grekë dëshmon për krizën tashmë të filluar të brakstisjes nga ana e arsimit grek me mbështetjen e Patriakanës së kulturës universale dhe përqafimit të nacionalizmit për të përfituar dhe helenizuar të  gjitha kombësitë e tjera të Ballkanit. Bota e Ballkanit gjatë periudhës së hershme të sundimit otoman ishte e qëndrueshme dhe teokratike.

Kisha Ortodokse dominonte arsimimin, letërsinë e shkruar dhe jetën intelektuale në përgjithësi. Në mbretërinë e politikës, gjithashtu, udhëheqja e Kishës Ortodokse ishte  e pakundërshtueshme. Politika kombëtare dhe objektiva kombëtarë  ekzistonin në mënyrë virtuale.[13]  Revolucioni grek (1821-1829) ishte apogjeu i afirmimit të identitetit kombëtar dhe nacionalizmit grek. Rasti i revoltës greke përfaqëson shumë mirë atë çka Hobsbaun përshkruan si nacionalizmi etno-gjuhësor në të cilin grupe të vogla pohonin të drejta e tyre për tu ndarë nga perandori më të mëdha dhe të krijonin shtetet e tyre të bazuara në lidhjet etnike dhe gjuhësore.

Si rezultat i një përpjekje disa vjeçare kryengritëse nga populli greke  presioni diplomatik të Fuqive të Mëdha të kohës ndaj Perandorisë Otomane, Greqia fitoi pavarësinë në bazë të protokollit të Londrës(shkurt 1830) që e shpalli Greqinë shtet të pavarur dhe  monarkik nën garancinë e tre fuqive të mëdha aleate (Britanisë së Madhe, Francës dhe Rusisë) që ishin përfshirë në konflikt pas betejës së Navarios.

Në të njëjtën kohë nacionalizmi grek përmes Megali Idesë përfitoi dhe rolin e tij mesianik ndaj popullsive të tjera ortodokse të Ballkanit. Mbi këtë bazë është ndërtuar dhe panhelenizmi që synon helenizimin  ortodoksëve dhe shpëtimin e tyre duke u garantuar si ombrellë një shtet të madh kombëtar grek.[14]

Pikërisht për tiu kundërvënë kësaj tendence asimiluese helene, viktimë e së cilës kishte rënë nipi i tij, Jani Cale, Naum Veqilharxhi shpalos projektin e tij kombëtar të afirmimit të kombësisë shqiptare përmes arsimimit në shqip dhe duke i shpjeguar fazat evolucioniste të çdo kombi nipit të vet. O nip! Vetëm kafshët shkruan Veqilharxhi nuk gjykojnë, e kanë të përcaktuar nga vetë natyra edhe fatin, edhe jetën e tyre; kurse njeriu ka një destinacion, të cilin mund ta arrijë veçse duke filluar të ecë gradualisht nga gjërat më të vogla…Ti, siç thua, ke lexuar shumë historianë dhe për shqiptarët nuk ke gjetur as gjënë më të vogël. Ti, të gjitha studimet e tua i ke bërë në shkollat greke, të cilat janë organizuar për të ndriçuar rininë greke dhe jo për ndriçimin e kombit shqiptar; por ti, si një burrë me arsim, si nuk e kape idenë nga krahasimi i të gjitha kombeve të tjera, që një komb si ai shqiptari, i krijuar në të njëjtën kohë me kombet e tjera, që zë një vend të caktuar në tokë, që ka tipare të veçanta të gjuhës, të dokeve dhe zakoneve, si ishte e mundur të mos kish dhe dy shekujt e tij mitologjikë, heroikë, politikë dhe fetarë, të shpërnguljeve dhe të rivendosjeve të tij? Por u besove trashë e trashë mësuesve të tu, se që nga të gatuarit e njeriut dhe gjer tani ky komb paska qenë një gur inorganik, i mbetur në pa veprimtari të plotë ose si një larvë insektesh, e cila nuk ka pësuar ende metamorfozën e saj natyrore si flutur…[15]

Më andej Veqilharxhi pasqyron në mënyrë të vendosur atë që do të jetë thelbi i nacionalizmit shqiptar. Ai kërkon të  shmang kontradiktat fetare midis grupeve të ndryshme të popullsisë duke mos i mëshuar si në vendet e tjera në Ballkan rëndësisë së identitetit fetar, por një identiteti të përbashkët kombëtar të formuar mbi bazën e një të kaluare të përbashkët etnike, një të kaluare heroike dhe një gjuhë e tradita, doke e rite të përbashkëta.

Nacionalizmi shqiptar nuk ka një platformë të vërtetë e të gjithë pranuar, me autoritet shtetëror si kanë fqinjët e vet, Greqia me “Megali Idenë” dhe Serbia me “Nacertanian”, por ka platforma intelektualësh tolerantë që janë munduar të shprehin pikëpamjet e tyre personale për zhvillimin e vendit dhe ruajtjen territoriale,të kombësisë e të gjuhës ndaj nacionalizmave agresivë fqinj. Një nga dokumentet më të hershme të nacionalizmit shqiptar është Parathënie për Djelmë e Rinj Ortodoksë e botuar në 1845 por edhe letra dërguar nipit Jani Cale që përmbledh pak a shumë idetë iluministe të Naum Veqilharxhit për zhvillimin e kombit shqiptar.

Kjo  arsye,  i ka dhënë nacionalizmit shqiptar tiparin e një nacionalizmi mbrojtës dhe jo agresiv ndaj dhe Naum Veqilharxhi shkruan në letrën e tij për domosdoshmërinë e mos tjetërsimit të identitetit kombëtar. Shpikësit e shkronjave i drejtohet Naum Veqilharxhi nipit të tij Jani Cales, nuk sjellin dëm, por përparim!…Më këshillon të ruhem nga këshillat e të huajve por nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që e shtyn njeriun të mohojë kombin e vet, d.m.th. prindërit e tij, farefisin e tij, miqtë e tij, bashkëkombësit e tij, vetë vatrën e tij atërore, varret e stërgjyshërve të tij, gjërat e shenjta të vetë familjes së tij dhe të shkojë për t’i kërkuar të gjitha këto gjetkë, ku kurrë nuk do të ketë mundësi për t’i gjetur, duke vuajtur gjatë jetës.[16]

Në këtë mënyrë Naum Veqilharxhi kërkon të ndalojë hemoragjinë kombëtare mes ortodoksëve shqiptarë që nën ndikimin e  Helenizmit dhe një rrjeti të mirëorganizuar arsimimi grek në territoret shqiptare që pas fitimit të pavarësisë nga ana e Greqisë, kishte humbur karakterin e vet universalist ortodoks dhe kish fituar ngjyrat nacionaliste greke të kohës. Tendencat asimiluese greke do të dëshironin që të përfshinin në gjirin e tyre intelektualë të llojit të Naum Veqilharxhit siç kishin mundur ta realizonin me nipin e tij Jani Cale, por vepra që ai kishte filluar do ti kushtonte jetën.  Naum Veqilharxhi vdiq në Stamboll, i helmuar nga Patrikana.[17]

Me veprën e tij u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e kombit shqiptar, duke vendosur themelet e formësimit të identitetit kombëtar që do i hapte në mënyrë të pashmangshme rrugën themelimit të shtetit kombëtar.

Bibliografi:

  • Benedict Anderson, Imagined Communities(Reflections on the Origin and the Spread of Nationalism, London: Verso.7th Ed, 1996
  • Enis Sulstarova: Naum Veqilharxhi dhe lindja e kombit. Pashtriku.al
  • Eva Tafilaj (Hyskaj) Sfidat e nacionalizmit.Rasti i Ballkanit. Tiranë: “Dudaj, 2003.
  • Hysemedin () Skicë e mendimit poltik shqiptar, Pegi, Tiranë, 2006.
  • Letër e Naum Veqilharxhit dërguar nipit Jani Cale nga Bukureshti në Vienë më 7 prill në Myslim Islami. Naum Bredhi Veqilharxhi. Shtëpia Botuese 8 nëntori, Tiranë, 1977.
  • S Stavrianos. The Balkans since 1453,London: C.Hurst&Co, 2000.
  • Neophytos G. Loizides “Religion and Nationalism in the Balkans”, Graduate Student Workshop at the Kokkalis Program on Southeast Europe, Harvard University, February.
  • Todorov., Filiki Heteria i Bullgari, Sofie, 1965.
  • Tajar Zavalani. Albanian Nationalism. Në Nationalism in Eastern Europe edited by Peter Sugar and Ivo John Lederer. Washington: Washington University Press.
  • Xhevat LLoshi. Përkthimi I V.Meksit dhe redaktimi I G.Gjirokastritit 1819-1827. Onufri. Tiranë, 2012.
  • Zëri Naum Veqilharxhi. Fjalori Enciklopedik Shqiptar.

[1]Neophytos G. Loizides “Religion and Nationalism in the Balkans”, Graduate Student Workshop at the Kokkalis Program on Southeast Europe, Harvard University, February.

[2] Zëri Naum Veqilharxhi. Fjalori Enciklopedik Shqiptar.

[3] N.Todorov., Filiki Heteria i Bullgari, Sofie, 1965, fq 87 cituar sipas Myslim Islami. Naum Bredhi Veqilharxhi. Shtëpia Botuese 8 nëntori, Tiranë, 1977, fq 55.

[4] Benedict Anderson, Imagined Communities (Reflections on the Origin and the Spread of Nationalism, London: Verso.7thEd, 1996,  36

[5] Tajar Zavalani. Albanian Nationalism. Në Nationalism in Eastern Europe edited by Peter Sugar and Ivo John Lederer. Washington: Washington University Press, fq 59

[6] Eva Tafilaj  (Hyskaj) Sfidat e nacionalizmit.Rasti i Ballkanit. Tiranë: “Dudaj”, 2003., faqe 22

[7] ENIS SULSTAROVA: NAUM VEQILHARXHI DHE LINDJA E KOMBIT. Pashtriku.al

[8] Letër e Naum Veqilharxhit dërguar nipit Jani Cale nga Bukureshti në Vienë më 7 prill  1846.në Myslim Islami. Naum Bredhi Veqilharxhi. Shtëpia Botuese 8 nëntori, Tiranë, 1977, fq 141-146

[9] Xhevat LLoshi. Përkthimi I V.Meksit dhe redaktimi I G.Gjirokastritit 1819-1827. Onufri. Tiranë, 2012, fq 54

[10] Letër e Naum Veqilharxhit dërguar nipit Jani Cale nga Bukureshti në Vienë më 7 prill  1846.në Myslim Islami. Naum Bredhi Veqilharxhi. Shtëpia Botuese 8 nëntori, Tiranë, 1977, fq 141-146

[11]. Letër e Naum Veqilharxhit dërguar nipit Jani Cale nga Bukureshti në Vienë më 7 prill  1846.në Myslim Islami. Naum Bredhi Veqilharxhi. Shtëpia Botuese 8 nëntori, Tiranë, 1977, fq 141-146

[12] Letër e Naum Veqilharxhit dërguar nipit Jani Cale nga Bukureshti në Vienë më 7 prill  1846.në Myslim Islami. Naum Bredhi Veqilharxhi. Shtëpia Botuese 8 nëntori, Tiranë, 1977, fq 141-146

[13] Stavrianos. L.S(2000) The Balkans since 1453,London: C.Hurst&Co ,faqe 222

[14] Ferraj.H(2006) Skicë e mendimit poltik shqiptar. Tiranë:Pegi, faqe 134

[15] Letër e Naum Veqilharxhit dërguar nipit Jani Cale nga Bukureshti në Vienë më 7 prill  1846.në Myslim Islami. Naum Bredhi Veqilharxhi. Shtëpia Botuese 8 nëntori, Tiranë, 1977, fq 141-146

[16] Letër e Naum Veqilharxhit dërguar nipit Jani Cale nga Bukureshti në Vienë më 7 prill  1846.në Myslim Islami. Naum Bredhi Veqilharxhi. Shtëpia Botuese 8 nëntori, Tiranë, 1977, fq 141-146

[17] Për më tepër shiko Myslim Islami. Naum Bredhi Veqilharxhi. Shtëpia Botuese 8 nëntori, Tiranë, 1977, fq 119-126

Begaj takon fituesit e konkursit të gjuhës shqipe: Alfabeti, simboli më i bukur i bashkimit kombëtar

Në 116-vjetorin e Kongresit të Manastirit, në nderim të dijetarëve shqiptarë që vendosën njësimin e alfabetit shqip, Presidenti i Republikës,…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Begaj takon fituesit e konkursit të gjuhës shqipe: Alfabeti, simboli më i bukur i bashkimit kombëtar

Në 116-vjetorin e Kongresit të Manastirit, në nderim të dijetarëve shqiptarë që vendosën njësimin e alfabetit shqip, Presidenti i Republikës,…