Si e rifitoi Gjermania imazhin e një vendi problematik?
Gjermania zë një vend të veçantë në imagjinatën e botës
Nga Lukas Hermsmeier, “New York Times”
Gjermania zë një vend të veçantë në imagjinatën e botës. Pas tmerreve të Holokaustit dhe vështirësive të ribashkimit, vendi fitoi reputacionin e një lideri të botës së lirë. Të begatë ekonomikisht, të qëndrueshëm politikisht, dhe më shumë mikpritës për emigrantët se shumica e vendeve të tjera, shumë njerëz menduan se gjermanët e kishin nxënë vërtet leksionin që u dha historia.
Por muajt e fundit kanë qenë një zgjim paksa i vrazhdë nga ai iluzion. Ekonomia po çalon, ndërsa një vendim i Gjykatës Kushtetuese ka ndryshuar planet e qeverisë për shpenzimet buxhetore të vitit të ardhshëm. Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, e motivuar nga suksesi i kohëve të fundit në dy zgjedhjet rajonale, po pozicionohet tashmë si partia e dytë më popullore në vend.
Emigrantët janë në vëmendjen kryesore të politikanëve. Ata kërcënohen me dëbim dhe me mbështetje të reduktuar financiare por jo vetëm. Dhe angazhimi i këtij vendi për të luftuar ndaj antisemitizmit, duket se jo vetëm që po dështon, por ka shkaktuar gjithashtu një shpërthim të ndjenjave anti-myslimane. E vërteta është se Gjermania nuk e meritoi asnjëherë plotësisht reputacionin e saj aq shumë të lavdëruar.
Ekonomia e udhëhequr nga eksportet, varej nga një sektor i madh me paga të ulëta, si dhe nga pozicioni i vendit në Bashkimin Evropian. E djathta ekstreme – e grupuar kryesisht në disa zona të veçanta – nuk u zhduk asnjëherë nga qarkullimi, dhe e famshmja Willkommenskultur (kultura e mikpritjes), në çdo rast jetëshkurtër, nuk mund të fshihte ksenofobinë e qëndrueshme dhe dyshimin ndaj të huajve.
Ndërkaq edhe kultura e përkujtesës dhe e dhënies llogari përpara historisë, ishte larg nga të qenit e përsosur. Megjithatë, mbetet sërish e habitshme ringjallja e papritur e jetës publike në shërbim të ndjenjës së deformuar të identitetit kombëtar. Gjermania, modeli i supozuar i moderimit, është bërë sërish një vend i lig.
Ilustruese e kësaj fryme të re, ishte përgjigja e vendit ndaj luftës në Gaza. Në ditët e para pas masakrës së Hamasit më 7 tetor, qeveria gjermane deklaroi mbështetjen e saj të palëkundur për Izraelin. Kancelari Olaf Scholz – pas paraardhëses të tij, Angela Merkel – theksoi se siguria e Izraelit është “Staatsräson” ose arsyeja shtetërore për Gjermaninë.
Ai shtoi: Është detyrë e Gjermanisë të ngrihet kundër antisemitizmit, duke pasur parasysh historinë dhe përgjegjësinë e saj për Holokaustin. Një qasje për t’u vlerësuar. Por zakoni i qeverisë për të përzier kritikat ndaj Izraelit me antisemitizmin, ka pasur disa efekte shqetësuese. Ajo ka krijuar më së shumti një atmosferë ku mbështetja për të drejtat e palestinezëve ose ndaj një armëpushimi në Gaza shihet si e dyshimtë, duke rënë në kundërshtim me pozicionin zyrtar të Berlinit. Për shembull, policia ka shtypur protestat pro-palestineze në disa qytete dhe ka ndaluar plotësisht demonstratat e shumta.
Edhe sektori kulturor ka përjetuar akte të gjera censurimi. Panairi i Librit në Frankfurtit anuloi një ceremoni për dhënien e çmimit shkrimtares palestineze Adania Shibli. Ndërkohë senati reduktoi fondet për një qendër kulturore, me arsyetimin se ajo refuzoi të anulonte një ngjarje të organizuar nga grupi i krahut të majtë “Zëri Çifut për një Paqe të drejtë Lindjen e Mesme”.
Në këtë atmosferë të ndezur, u sulmua zyra e Jian Omar, një ligjvënës nga Berlini me prejardhje kurdo-siriane, pjesë e një tendence më të gjerë të frikësimit ndaj myslimanëve. E gjithë kjo situatë është shumë shqetësuese. Por duke përdorur disa prova të shfaqjeve antisemitike në protestat pro-palestineze, për t’i fajësuar myslimanët dhe emigrantët për antisemitizëm, ata kanë shfrytëzuar rastin për të çuar përpara një axhendë kundër emigrantëve.
Kur Scholz u pyet mbi antisemitizmin në mesin e njerëzve “me origjinë arabe” në një intervistë në tetor, ai tha se Gjermania duhet të zgjidhte më saktë se kush lejohet dhe kush jo, që të hyjë në vend. Edhe disa politikanë të tjerë të nivelit të lartë, kanë nënvizuar nevojën për kontrolle më të rrepta kufitare pas 7 tetorit. Friedrich Merz, kreu i opozitës demokristiane, foli kundër pranimit të refugjatëve nga Gaza, duke pretenduar se Gjermania tashmë ka “mjaftueshëm antisemitë të rinj në vend”.
Nga ana tjetër Christian Lindner, Ministri i Financave dhe kreu i Partisë së Demokratëve të Lirë të qendrës së djathtë, bëri thirrje për një ndryshim rrënjësor në politikën e migracionit për të “reduktuar joshjen e emigrantëve nga sistemi gjerman i mirëqenies sociale”.
Në fillim të nëntorit, pas muajsh diskutimesh intensive, qeveria federale dhe 16 guvernatorët e landeve ranë dakord për të vendosur masa më të rrepta për të frenuar numrin e emigrantëve që hyjnë në vend. Tani azilkërkuesit marrin më pak ndihmë në para, dhe duhet të presin një kohë dyfish më të gjatë për të marrë ndihmë sociale.
Sipas planit të ri, Gjermania do të zgjerojë gjithashtu kontrollet e saj kufitare, do të përshpejtojë procedurat e azilit dhe do të shqyrtojë idenë e largimit të qendrave të azilit. Incidentet antisemitike kanë qenë në rritje javët e fundit. Por është shqetësuese që Gjermania po e trajton antisemitizmin si një problem të importuar.
Sepse statistikat tregojnë se një shumicë dërrmuese e krimeve antisemitike kryhen nga ekstremistët e krahut të djathtë dhe jo nga islamistët, dhe më pak akoma nga emigrantët apo myslimanët. Të ndihmuar nga figura të njohura mediatike, udhëheqësit gjermanë po e përdorin luftën kundër antisemitizmit si një pretekst për të inkurajuar pakënaqësinë raciste dhe ndjenjën anti-emigrante.
Koalicioni, i përbërë nga socialdemokratët, të Gjelbërit dhe Demokratët e Lirë, erdhi në detyrë në vitin 2021 me synimin për të modernizuar vendin dhe për ta udhëhequr atë në një drejtim progresiv. Në fakt, lëvizjet e muajve të fundit, tregojnë se liderët e Gjermanisë po i shërbejnë vetëm partisë së ekstremit të djathtë, që ata pretendojnë se duan ta mbajnë larg pushtetit. Nëse nuk ndryshojnë kurs, reputacioni i Gjermanisë në skenën botërore mund të ndryshojë së shpejti për keq.