King-Smith: Partneriteti mes vendeve tona, me rezultate reale për popujt tanë!
Pas marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, numri emigrantëve të paligjshëm është ulur me 90 %
Një vit pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, numri emigrantëve të paligjshëm që kanë shkuar në vendin ishullor është ulur me 90 %, teksa tregtia e ndërsjelltë u rrit me 25 %.
Në një postim në rrjetet sociale, Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë ka publikuar foto nga përkujtimit i njëvjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes për dekurajimin e emigrantëve të paligjshëm në territorin e Anglisë, përmes ngushticës së Lamanshit. I Pranishëm në aktivitetin e zhvilluar në ambientet e Ambasadës së Britanisë së Madhe ishte dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
“Një vit partneriteti jashtëzakonisht i suksesshëm!”, theksohet në postimin e e publikuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë.
“Sot festojmë përvjetorin e Komunikatës së Përbashkët të nënshkruar nga Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, dhe homologu i tij shqiptar Kryeministri Edi Rama më 13 dhjetor 2022, një dokument historik që shndërroi partneritetin mes vendeve tona në një miqësi të ngushtë, me rezultate reale për popujt tanë”, vijon postimi.
“Numri i shqiptarëve që kanë mbërritur në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar me gomone është zvogëluar me 90% pasi autoritetet britanike dhe shqiptare punuan ngushtësisht në operacion dhe komunikim për t’i bërë ballë problemit”, bën të ditur Ambasada e Britanisë së Madhe.
“Shumë vite të tjera bashkëpunimi dhe miqësie na presin!”, thuhet në postim, teksa radhitet edhe fjala e mbajtur në ceremonia nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King-Smith.
“Falë Komunikatës së Përbashkët dhe partneritetit tonë të zgjeruar, numri i shtetasve shqiptarë që kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme ka rënë me 90% krahasuar me vitin e fundit. Por Komunikata nuk ka të bëjë vetëm me emigracionin e paligjshëm, sado i rëndësishëm të jetë ai”, ka theksuar King-Smith.
“Kemi parë një sërë vizitash ministrore mes dy vendeve, përfshirë këtu edhe vizitën e parë të një Kryeministri shqiptar, me ftesë të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Tregtia e ndërsjellët është rritur me 25 % që nga nënshkrimi i komunikatës. Ne po punojmë së bashku për përmirësimin e arsimit, mundësive për të rinjtë dhe sigurinë kibernetike”, tha më tej diplomati britanik në vendin tonë.
Në fund King-Smith nënvizoi se pret të shoh një miqësi gjithnjë e më të ngushtë me Shqipërinë në vitet e ardhshme. “Shpresoj që të gjithë të keni një sezon të gëzuar festash!”, përfundoi ambasadori King-Smith.
(Marrë nga ATSH)