Shqiptarët dhe turqit – dy popuj që kanë ruajtur e ruajnë ndjenja të mira për njëri-tjetrin
Konferencë shkencore ndërkombëtare kushtuar 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Turqisë
Nga akad. Vasil S. Tole, zëvendëskryetar i ASHSH
I nderuar akad. Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë;
E nderuar znj. Mimi Kodheli, kryetare e Komisionit për Punët e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë;
I nderuar Ambasador i Turqisë në vendin tonë Tayar Atay;
Të nderuar ambasadorë: İlhan Saygılı, Drejtor i Përgjithshëm për Ballkanin dhe Europën Qendrore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë dhe z. Kastriot Robo, drejtor i Drejtorisë për Rajonin në MEPJ;
Të dashur miq e të ftuar, akademikë e profesorë;
I nderuar z. Albert Rakipi, kryetar i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare;
Mirë se erdhët në konferencën tonë kushtuar 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Turqisë (vit edhe i 100-vjetorit të krijimit të Republikës moderne turke nga Ataturku), aktivitet i organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare.
Kjo konferencë është titulluar “Ngritja e një partneriteti strategjik” dhe ka për qëllim jo thjesht të nderojë këtë ngjarje jubilare, por edhe të spikasë arritjet e rrugës që kemi përshkuar bashkë gjatë një shekulli për ngritjen e një partneriteti strategjik në funksion të nxitjes dhe zhvillimit të një bashkëpunimi të shumanshëm, me dobi për të dy vendet.
Akademia e Shkencave dhe institucionet bashkëpunuese të saj u kanë kushtuar dhe u kushtojnë vëmendje të posaçme marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Turqisë, si dy vende mike, që ruajnë ndjenja të mira për njëri-tjetrin dhe që kanë trashëguar e zhvilluar në këto 100 vite nisma dhe projekte me interes të ndërsjelltë dhe me ndikim pozitiv edhe në raportet dhe ekuilibret ndërballkanike e më gjerë.
Pjesë e këtyre marrëdhënieve aktive janë edhe ato dypalëshë mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe TUBA-s, Akademisë së Shkencave të Turqisë, si dhe bashkëpunimet tona në kuadër të organizmave europiane dhe rajonale të shkencës, si ALLEA – All European Academy of Sciences; të ISC – International Science Coucil; EMAN – Network of the Academies of Mediterranean Countries etj. Theksoj sidomos shkëmbimet dhe mbështetjen e shkencëtarëve të rinj nga të dy vendet tona. Në mënyrë të veçantë ne jemi të interesuar për thellimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat e dijes, shkencës e artit, e posaçërisht në ato kulturore shqiptaro-turke, të cilat dëshmohen në trashëgiminë tonë materiale e shpirtërore, e në aspekte të tjera.
Na vjen mirë të pohojmë që gurët e themelit të këtij bashkëpunimi i ka vendosur Sami Frashëri, i cili,
qysh në enciklopedinë madhore me 6 vëllime “Kamus-ul alam” të hartuar prej tij dhe të botuar në gjuhën turke në vitin 1900, i dha një vend të dukshëm botës shqiptare brenda saj, figurave të rëndësishme që ka nxjerrë populli shqiptar gjatë historisë së tij etj, të gjitha këto për tu njohur nga Turqia dhe bota turke e shekullit të XX. Ndër të tjera, këtë kontribut me vlerë e kujtoi edhe publikisht para disa vitesh Presidenti i Turqisë zoti Erdogan, kur tha (citoj): … themeluesi i enciklopedisë dhe alfabetit turk është një shqiptar, Shemsedin Sami Frashëri; krijuesi i poezisë së himnit kombëtar të Turqisë, është shqiptari Mehmet Akif Eksoj nga Shushica e Kosovës dhe rektori i parë në Turqi është shqiptari Tahsin, Hasan Tahsini.
100 vjet marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve tona nuk janë pak, e për këtë, e më tej se kaq, referuesit në këtë konferencë do të hedhin dritë mbi shumë çështje e tematika të cilat do të zgjojnë kuriozitetin e dëgjuesve sot dhe të lexuesve nesër. Falënderojmë pjesëmarrësit me referime në këtë konferencë, që kanë zgjedhur tema të spikatura në shërbim të njohjes së historisë dhe projektimit të së ardhmes gjithnjë e më progresive midis dy vendeve.
Falënderojmë komisionin organizues të konferencës, që ka ndërvepruar me sukses në mënyrë institucionale dhe me çdo kërkues të interesuar për çështjet që përbëjnë objektin e saj.
Falënderojmë gjithashtu Ambasadën e Turqisë në Tiranë, që i ka ndjekur me dashamirësi përgatitjet e konferencës në funksion të suksesit të saj.
Faleminderit për vëmendjen.