“100-vjet marrëdhënie diplomatike Shqipëri-Turqi!”

Libri u botua nga Qendra e Studimeve Ballkanike dhe UNYT Press, në bashkëpunim me Ambasadën turke në Tiranë


Nga Dash Frashëri

“100-vjet marrëdhënie diplomatike Shqipëri-Turqi”!

100-vjetori i marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Turqi është një moment i veçantë në historinë mes dy vendeve. Si i tillë ai merr përmasa shumëdimensionale.

Marrëdhëniet shqiptaro-turke në fushën politike apo edhe në sfera të tjera, konsiderohen nga autoritetet e të dyja vendeve si të shkëlqyera, duke u vlerësuar se këto marrëdhënie e kanë bazën e tyre në miqësinë tradicionale dhe bashkëjetesën qindra vjeçare midis dy popujve e kombeve.

***

Në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog në Kryeministrinë e Shqipërisë, Qendra e Studimeve Ballkanike dhe UNYT Press, pjesë e Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), në bashkëpunim me Ambasadën turke në Tiranë prezantuan librin “100-vjet marrëdhënie diplomatike Shqipëri-Türykie”.

Në aktivitet ishin të pranishëm ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, drejtori i Përgjithshëm për Ballkanin dhe Evropën Qendrore pranë Ministrisë së Jashtme turke, İlhan Saygılı, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Mustafa Ata, drejtori i Institutit “Yunus Emre” për Shqipërinë, Ömer Osman Demirbaş, përfaqësues të UNYT-së dhe studiues.

***

Ministri Hasani në fjalën e tij u shpreh se shpreson se libri do të jetë një pikë referimi për të gjithë ata që duan të studiojnë historinë e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

“Marrëdhëniet e shkëlqyera diplomatike mes nesh janë në fund të fundit një pasqyrim i marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe dy kombeve tona në shumë fusha dhe sektorë, të cilat janë pasqyrim i miqësisë së vërtetë mes dy kombeve tona. Dhe ky është themeli mbi të cilin ne kemi krijuar bashkëpunimin e ngushtë mes nesh. Kjo u mbrojt zyrtarisht me nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët të Partneritetit Strategjik më 7 janar 2021, midis Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Recep Tayyip Erdoğan”, tha Hasani.

Hasani theksoi se është vërtet një lajm i mirë për të gjithë që partneriteti strategjik mes dy vendeve nuk është vetëm në letër, por sipas tij është përkthyer në punë dhe arritje.

Duke vënë theksin në ndihmën e Turqisë dhe angazhimin e Presidentit Erdoğan, për mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019 dhe gjatë pandemisë COVID-19, ministri Hasani shtoi se Turqia ka dhënë kontribut real në përmirësimin dhe zhvillimin e infrastrukturës, energjisë, shëndetësisë, arsimit, bujqësisë dhe në shumë aspekte të tjera në Shqipëri, përfshirë edhe trashëgiminë kulturore.

Ambasadori Saygılı tha se viti 2023 ka qenë një vit i veçantë, si për Türkiyen ashtu edhe për Shqipërinë. “Këtë vit shumë aktivitete janë zhvilluar si në Turqi ashtu edhe në Shqipëri për 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Turqis[. Përmes këtyre ngjarjeve, ne së bashku me miqtë tanë shqiptarë, u përpoqëm të ndërgjegjësojmë publikun për historinë 100-vjeçare, se si dy republikat moderne ndërvepruan me njëra-tjetrën në ditët e mira dhe të këqija që nga viti 1923 e deri më sot. Në 100 vjet, miqësia jonë dypalëshe lulëzoi në çdo fushë”, tha Saygılı.

Saygılı theksoi se marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë u ngritën në nivelin e partneritetit strategjik dhe shtoi se miqësia dhe partneriteti strategjik mes dy vendeve përbëjnë një shembull të shkëlqyeshëm për dialogun dhe bashkëpunimin.

Saygılı tha se libri që u prezantua sot ka ardhur si rezultat i një përpjekjeje të zellshme për të festuar këtë përvjetor kuptimplotë dhe, sipas tij, libri mundëson gjithashtu që të mësohet më shumë për ambasadorët turq dhe shqiptarë, të cilët shërbyen në Tiranë dhe Ankara.

Drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Özbaysar, u shpreh se gjatë një shekulli bashkëpunimi mes dy vendeve ka qenë i thellë dhe i gjerë. “Ky rrugëtim historik i marrëdhënieve tona diplomatike simbolizon një trashëgimi bashkëpunimi, respekti të ndërsjellë dhe mbështetjeje të palëkundur”, theksoi Özbaysar.

Prof. asoc. dr Lindita Xhanari Latifi nga Qendra e Studimeve Ballkanike pranë UNYT-së, duke folur në emër të autorëve të librit, tha se libri fokusohet në evidentimin e marrëdhënie me karakter ekonomik, social, ushtarak, kulturor e arsimor, duke nxjerrë në pah marrëveshje të veçanta e determinuese për rrugëtimin e përbashkët të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. “Shqipëria dhe Türkiye kanë ndarë përbashkësi kulturore dhe historike të theksuara. Dy vendet tona kanë një lidhje të thellë, të ndërtuar mbi respektin, bashkëpunimin dhe historinë e përbashkët. Sot Shqipëria dhe Turqia vazhdojnë të forcojnë marrëdhëniet e tyre në shumë fusha”, tha Latifi.

Një fjalë përshëndetëse mbajtën edhe rektori i UNYT-së, Ali Güneş dhe prefektja e Elbasanit, Majlinda Perriu.

Libri i përgatitur në shqip, turqisht dhe anglisht është botim i Qendrës së Studimeve Ballkanike të Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), universitet i Fondacionit Turk Maarif dhe UNYT Press, në kuadër të 100-vjetorit të Republikës Turke dhe 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Turqisë dhe ka si autorë Prof. asoc. Ilir Kalemaj, Stefan Vuçani, Prof. asoc. Lindita Xhanari Latifi dhe Msc. Muharrem Deliu.

Gjatë ceremonisë u nderuan me pllakata nga Fondacioni Turk Maarif  ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani,  drejtori i Përgjithshëm për Ballkanin dhe Evropën Qendrore pranë Ministrisë së Jashtme turke, İlhan Saygılı, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar dhe autorët e librit.


***

100 vjet marrëdhënie diplomatike

Më 15 dhjetor 1923 u nënshkrua Traktati i Miqësisë midis Shqipërisë dhe Turqisë, i cili shënon edhe aktin formal të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, ndërkohë traktati hyri në fuqi më 15 qershor 1925.

Dërgata e shqiptare në Ankara drejtohej nga Eshref Bej Frashëri, kryetar i parlamentit, Xhafer Bej Vila dhe Nezir Bej Leskoviku (ish-konsull në Stamboll). Më 13 prill 1926, paraqiti letrat kredenciale përfaqësuesi i parë shqiptar në Turqi, Rauf Fico në rangun e Ministrit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë. Po në vitin 1926, paraqiti letrat kredenciala edhe Ministri i parë Fuqiplotë i Turqisë në Tiranë, Tahir Lutfi Beu.


Godina e Ambasadës së parë në Tiranë të Republikës së Turqisë.

I rëndësishëm është mesazhi i Mustafa Kemal Ataturkut (1 prill 1934), drejtuar Mbretit Zog: “Ne e duam popullin shqiptar, e quajmë vëlla, nuk e shohim larg nesh. Ne dëshirojmë seriozisht dhe me vendosmëri që ai të forcohet dhe të përparojë si shtet dhe si popull, të marrë fuqishëm dhe veçanërisht në mënyrë të pavarur dhe të sigurt vendin që meriton në Ballkan. Ai mund të jetë i bindur për këtë”.

Nga viti 1939 dhe deri në vitin 1954 nuk ka gjurmë të marrëdhënieve politike, diplomatike, socio-ekonomike dhe kulturore midis dy vendeve.

Më 4 qershor 1958, pala turke iu përgjigj pozitivisht me notë diplomatike kërkesës së Shqipërisë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Më 27 qershor 1958 dorëzoi letrat kredenciale në Ankara, Ministri i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë, Skënder Konica dhe legata shqiptare filloi normalisht nga funksionimi i saj. Në, Tiranë, Ministri Fuqiplotë i Turqisë, Hasan Nurelgin, paraqiti letrat kredenciale, më 7 korrik 1959.

Viti 1994 shënoi ratifikimin e Traktatit të Miqësisë mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet Shqipëri-Turqisë është zyrtarizmi i partneritetit strategjik mes dy vendeve në janar të vitit 2021, gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Ankara.

Kryeministri Rama dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, nënshkruan më 6 janar 2021 deklaratën e përbashkët për Këshillin e Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë, duke ngritur marrëdhëniet mes dy vendeve zyrtarisht edhe në nivelin e partneritetit strategjik.

Republika e Turqisë dhe Republika e Shqipërisë kanë një marrëdhënie strategjike, të jetësuar në dhjetëra marrëveshje, protokolle dhe traktate dypalëshe, përgjatë një shekulli.

AMBASADORËT TURQ NË SHQIPËRI


(Në foto disa nga ambasadorët turq)

Gjithsej janë 27 ambasadorë të ndryshëm turq që kanë shërbyer në Shqipëri:

Tahir Lutfi Togay, Ahmet Rustu Demirel, Zeki Hakki Karabuda, Basri Rasid Danismend, Rusen Rasid Unaydin, Yakup Kadri Karaosmanoglu, Ali Turkegeldi, Hulusi Fuat Togay, Muzaffer Kamil Bayur, Hasan Nurelgin, Mustafa Kenanoglu, Cihat Rustu Veyselli, Bulund Kestelli, Ercument Tataragasi, Metin Ozdemir Karaca, Seçuk Nahir Toker, Bilal Simsir, Ismail Teoman Ahmet Surenkok, Ahmet Metin Ornekol, Ahmet Rifat Okçun, Mehmet Murat Oguz, Fevzi Suphan Erkula, Hasan Sevilir Asan, Hidayet Bayraktar, Murat Ahmet Yokur dhe Tayyar Kagan Atay (aktual).

 

AMBASADORËT SHQIPTARË NË TURQI


(Në foto disa nga ambasadorët shqiptarë)

Gjithsej janë 19 ambasadorë të ndryshëm shqiptarë që kanë shërbyer në Turqi:

Xhavit Leskoviku, Rauf Fico, Asaf Xhaxhuli, Skënder Konica, Beqir Isufi, Rasim Dedja, Ylvi Lulo, Gjylani Shehu, Nesip Kaçi, Ismail Lleshi, Skënder Shkupi, Saimir Bala, Dashnor Dervishi, Jonuz Begaj, Altin Kodra, Genci Muçaj, Genti Gazheli, Kastriot Robo dhe Blerta Kadzadej (aktual).

***

I ftuar nga ambasada e Turqisë edhe unë e ndoqa këtë aktivitet të bukur.

Një fotokujtim me ambasadorin turk, Tayyar Kagan Atay është dhe “qershiza mbi tortë”.

________

Tiranë, më 21 dhjetor 2023

 

Avokatja e Popullit: Duhet një bashkëpunim i koordinuar për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve

Avokatja e Popullit nënvizoi rolin e rëndësishëm të monitorimit dhe ndërhyrjes në rastet kur të drejtat e fëmijëve shkelen ose…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Avokatja e Popullit: Duhet një bashkëpunim i koordinuar për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve

Avokatja e Popullit nënvizoi rolin e rëndësishëm të monitorimit dhe ndërhyrjes në rastet kur të drejtat e fëmijëve shkelen ose…