Nga Eichmann te al-Arouri, luftërat “e fshehta” të Mosadit

Ndërkohë që përgjigja izraelite ndaj masakrës së 7 tetorit vazhdon me një luftë të hapur në Gaza, Izraeli ka nisur një tjetër nga “luftërat e fshehta” të tij


“Ata që morën pjesë në masakrën e 7 tetorit firmosën çertifikatën e tyre të vdekjes”. Fjalët e shqiptuara dje nga David Barnea, kreu i Mossad-it, nuk i referohen drejtpërdrejt vrasjes së numrit 2 të Hamasit, i goditur nga një dron të martën në Bejrut, në një sulm që nuk është marrë përsipër nga Izraeli, por që ka të gjitha elementet për të patur firmën e tij; as për bombat që njëzet e katër orë më vonë shkaktuan vdekjen e mbi 100 personave në Teheran, gjatë përkujtimit të vrasjes së gjeneral Soleimanit, kreut të Gardës Revolucionare iraniane dhe koordinatorit të ndihmës ushtarake për Hezbollahun libanez dhe palestinezët e Hamasit. Një veprim që nuk ndjek modalitetet e ekzekutimeve të shënjestruara, të kryera nga Izraeli, dhe i cili të përbënte një pikë kthese të paprecedentë, nëse do të vinte nga Jeruzalemi. Por ndërhyrja e kreut të shërbimit të famshëm sekret të shtetit hebre është gjithësesi konfirmimi i parë zyrtar se Izraeli ka hapur sezonin e “gjuetisë” në të gjithë Lindjen e Mesme, dhe nëse është e nevojshme edhe tjetërkund, ndaj autorëve të masakrës më të rëndë të hebrenjve që nga Holokausti.

Ndërkohë që përgjigja izraelite ndaj masakrës së 7 tetorit vazhdon me një luftë të hapur në Gaza, Izraeli ka nisur një tjetër nga “luftërat e fshehta” të tij. Në të kaluarën kanë qenë kryesisht tre. E para ishte fushata kundër ish-nazistëve, përgjegjës për Holokaustin, episodi më i famshëm i të cilës ishte kapja në vitin 1960 e Adolf Eichmannit në Argjentinë, dhe transferimi i tij klandestin në Jerusalem, ku u gjykua, u dënua me vdekje dhe u var: i vetmi dënimi me vdekje i kryer në historinë 75-vjeçare të shtetit hebre.

E dyta u urdhërua në 1972 për të vënë në shënjestër autorët dhe nxitësit e masakrës së sportistëve izraelitë në Lojërat Olimpike të Mynihut: një hakmarrje që zgjati dy dekada, me dhjetëra palestinezë të vrarë nga Mesdheu në Evropë, siç tregohet në filmin “Mynih”, me regjisor Steven Spielberg.

E treta e ka vënë në shënjestër Hamasin dhe mbrojtësit e tij iranianë, që kur lëvizja fondamentaliste islamike palestineze, e konsideruar një organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar, filloi një fushatë intensive sulmesh në mesin e viteve 1990.

Ndër objektivat e zgjedhur që atëherë kanë qenë Sheikh Ahmed Yassin, udhëheqës shpirtëror i Hamasit, i vrarë në Gaza nga një raketë në vitin 2004, dhe Khaled Meshal, në atë kohë kreu i krahut politik të Hamasit, i cili i mbijetoi një tentative helmimi në vitin 1997 në Aman. Për të dhënë një shembull tjetër, asnjë nga anëtarët e Hamasit të përfshirë në rrëmbimin e ushtarit izraelit Gilad Shalit në vitin 2005, i shkëmbyer me 1027 të burgosur palestinezë pas pesë vitesh robëri në Gaza, nuk është gjallë sot. I njëjti fat mund të presë edhe militantët që vranë 1200 izraelitë më 7 tetor dhe morën peng 240.

Luftërat sekrete të Izraelit nuk janë një “sy për sy” i thjeshtë biblik: ato kanë një funksion parandalues. “E gjithë vlera e punës sime”, tha “gjuetari nazist” Simon Wiesenthal, “qëndron në paralajmërimin për vrasësit e së nesërmes: nuk do të keni kurrë paqe”, diçka kjo që jehon në fjalët e sotme të kreut të Mossadit.

Mund të debatohet nëse është më e dobishme për sigurinë izraelite të “bëjë paqe me armiqtë”, siç tha kryeministri izraelit Yitzhak Rabin kur shtrëngoi dorën me Yasser Arafatin në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1993, një paqe që Izraeli filloi të bënte me fqinjët e vet arabë: Agresioni i Hamasit më 7 tetor kishte për qëllim pikërisht pengimin e saj, dhe të përpjekjeve për ta shtrirë paqen tek sauditët dhe palestinezët më të moderuar, të udhëhequr nga Abu Mazen në Bregun Perëndimor. Por në Lindjen e Mesme, siç thotë Ehud Barak, një tjetër kryeministër izraelit i angazhuar për të bërë paqe, Izraeli përfaqëson “një vilë në xhungël”, domethënë një ishull demokracie në mes të regjimeve dhe lëvizjeve autoritare, joliberale ose terroriste: një koncept që nuk e kuptojnë gjithmonë, ata në Perëndim, që kanë fatin të jetojnë në një vilë të rrethuar nga vila të tjera. Prandaj, nëse nga njëra anë tregohet i hapur për dialog, nga ana tjetër Izraeli paralajmëron: ata që masakrojnë hebrenjtë firmosin çertifikatën e tyre të vdekjes. / enrico franceschini – la repubblica (bota.al)

Lexo më shumë nga

Rama: Drejtësinë e pavarur nuk e solli Amerika, është fryt i vizionit të PS

Në rubrikën “Sy m’sy” kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur sot pyetjeve dhe komenteve të qytetarëve në platformat sociale.

Global 360

Arabia Saudite në qendër të politikës së jashtme globale duke pritur bisedimet SHBA-Rusi

Arabia Saudite ka konsoliduar pozicionin e saj në rritje në arenën e çështjeve globale, duke u shfaqur si një pikë…

Diplovista

Mynih – Rama: Zgjedhja e Trump, shans që Europa të zgjohet

Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në Mynih, Gjermani, në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën e 61 të Sigurisë, mori…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Rikthim në tempullin e poezisë

Tre vite më parë, me 18 shkurt 2022 u nda nga jeta poeti Bardhyl Londo!

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Rama: Drejtësinë e pavarur nuk e solli Amerika, është fryt i vizionit të PS

Në rubrikën “Sy m’sy” kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur sot pyetjeve dhe komenteve të qytetarëve në platformat sociale.