Lamtumirë Thanas Mustaqi, zemra e miqësisë tonë dhe e gazetarisë durrsake!
Humbja që ka pësuar gazetaria durrsake, është e jashtëzakonshme me mungesën e Thanas Mustaqit.
Nga Bujar Qesja, Mjeshtër i Madh
Thanasi na la. Pikëllim i madh ndër ne. Na iku nga e përbashkëta e jonë e gjallë një shok, një mik, një koleg, një i shkëlqyer gazetar. Nuk mësohemi dot. Ndjejmë boshllëk. Thanasi ishte gur i rëndë i gazetarisë. Thanasi ishte i lidhur me njëmijë fije me këtë Durrës, që përveç dashurisë për të, donte edhe gazetarët e rinj, u qendronte pranë dhe i furnizonte moralisht me këshillat e tij.
Sa i detyrohemi Thanas Mustaqit! I detyrohemi ne shokët e vjetër, për kulturën që manifestonte në bisedat tona të lira dhe e dëgjonim me vëmëndje. Kishte shumë kulturë. Ishte nivel i lartë i mjeshtrisë së të shkruajturit. Brumosja e tij, është i një publiçisti ëndërrues, idealist, me përgatitje në lartësinë e profesionit. I thjeshtë, më shumë se e thjeshta. I përkushtuar, më shumë se përkushtimi. I varfër, më shumë se varfëria. Mënçuria e tij, konkuronte mënçurinë dhe këtë ja lexoje në punën që kryente dhe jo se e thonte ai.
Humbja që ka pësuar gazetaria durrsake, është e jashtëzakonshme me mungesën e Thanas Mustaqit. Lapsi në duart e Thanasit, ishte më e rëndë se pistoleta e minatorit që i çan shkëmbit mineralin. Më tregon Mark Brunga, që tek kafja e Agopit Thanasi, mjeshtri i lapsit dhe i mendimit, linte fashikuj me informacione të ditës për gazetarët dhe i shënonte me emra. Dhe secili shkonte dhe merrte fashikujt e tij. Pa shpërblim, me një mundim të tmerrshëm dhe pa kërkuar qoftë sikur edhe një kafe. I linte aty dhe ikte. Po pse vetëm njëherë e bënte këtë?
Me cigaren në buzë, e këpucë të lidhura fort, ecte dhe ecte ky ashik kerib i gazetarisë durrsake, për të marrë lajmin e për ta shërndarë ashtu të vërtetë si çishte. Mbeti shumë i pasur në zanat, por shumë i varfër në kacidhe, sepse ai nuk e pa profesionin si mjet fitimi dhe qoke. Mustaqi na dha modelin, si të merret e vërteta dhe të mbrohet ajo me çdo çmim. Prandaj edhe Thanasit tonë i krijoheshin probleme, sepse e vërteta do karakter, do burra që të mbrohet. E liga sulmon gjithnjë, derisa të të shkatërrojë. Thanasi na e dha këtë model, të luftës kundër të keqes, që e mira të dalë në dritë dhe të përhapet.
Nga e djathta Bardhyl Agasi, Petraq Risto dhe Bujar Qesja
E premte, 5 janar 2024. Tre shokë dhe miq të vjetër bashkohen në Durrës, për të bërë këmbë në shtëpinë e Thanas Mustaqit. Të shkojnë të ngushëllojnë të afërmit, djalin, vajzën, gruan e Thanasit, motrat të cilët janë në zi. Por edhe këta tre miq janë në zi, janë në dhimbje, janë në trishtim. Bardhyl Agasi, Petraq Risto dhe Bujar Qesja pasi takohen, drejtohen tek shtëpia e Thanasit, shokut të tyre që nga fillimet e lapsit. Sa mall! Sa kujtime! Nostalgjia vjen si erë dimri dhe të përplaset në mokrrat e trurit dhe nxjerr prej andej kujtime, e kujtime pa fund.
Petraq Risto ndodhet për pak ditë në Atdhe. Ka ardhur enkas nga Amerika për të parë nipin e sapolindur. Largohet me 6 janar në tokën e bekuar të demokracisë. Bardhyl Agasi, që mezi ecte nga probleme delikate në këmbë, kishte ardhur nga Tirana. Dhe bashkohen me shokun e hershëm që i priste në Durrës, Bujar Qesja. Të tre takohen me mall dhe marrin drejtimin tek shtëpia e Thanas Mustaqit.
Thanas Mustaqi (majtas) me gazetarin e ri Geri Emiri.
Shtëpi e thjeshtë. Versioni i ndërtimeve të kohës së Enverit. Kur shikon ato kushte, kupton akoma më mirë dhe më qartë, thjeshtësinë dhe modestinë e skajshme të Mustaqit. Thanas Mustaqi për profesionin, i binte murit me kokë dhe nuk dorëzohej. Nuk kërkoj njëherë të vetme. Nuk i ra asnjë dere, qoftë edhe njëherë të vetme, për të kërkuar. Në fund të fundit diçka meritonte, kundret punës së mrekullueshme që kryente.
Thanas Mustaqi me skulptorin Qazim Kërtusha, pranë bustit të arkeologut të njohur Vangjel Toçi.
Teksa pimë kafetë, kujtimet pë Thanasin nuk pushojnë. Ndodhemi në kërshërinë e të afërmëve të Thanasit, të cilët kujtuan për një çast që ai ishte i gjallë dhe ndodhej mes nesh. Bardhyli të siluronte me kujtimet nga gjimnazi, ku Thanas Mustaqi çfaqet me një botim me poezi dhe ishte në pararojë të letrarëve të gjimnazit “Naim Frashëri”. Ishte nga më të mirët. Eh kultura e tij, ishte tjetër anë! Të gjitha diskutimet me ne i fitonte. I freskët në mendime dhe shumë i thellë në njohuri. Lexonte, përkthente, studionte dhe i provonte aftësitë profesiosnale në terren. Ai mbeti një idhull i terrenit.
Tre shokë. Tre miq i bashkon Thanas Mustaqi edhe tani si dikur. Përfaqësojnë tri “targa” të ndryshme. Janë tre durrsakë me “veshje” amerikane, tiranase dhe durrsakshe. Unë dihet, që nuk lëviz nga i bekuari im qytet. Por të tre në gjak, në gen kemi Durrësin, ashtu si shoku ynë i paharruar Thanas Mustaqi.
Pasi e ngjallim Thanasin dhe e lemë ashtu me “jetë”, ngrihemi dhe takohemi me të shtëpisë së shokut tonë. Malli, dhimbja dhe kurajo për ta kaluar këtë fatkeqësi, janë si finale.
-Ju sigurojmë, që do ta kujtojmë Thanasin! Ishte, është dhe do të mbetet sa të kemi frymë pjesë e jona!
Lamtumirë Thanas Mustaqi, zemra e miqësisë tonë dhe e gazetarisë durrsake!
Thanas Mustaqi, duke u vlerësuar nga Unioni i Gazetarëve dega Durrës, me “Çertifikatën e Mirnjohjes”.
________________
Durrës: 6 janar 2024