
Burrat prej bore!
“Në vend të hundës një karrotë, Për sytë dy kongjij pis të zinj…”

Nga Lumo Kolleshi
BURRAT PREJ BORE
Ra borë,
Bardhësi prej qiellit,
Dhuratë për tokën e zezë.
Nuk di kush e shpiku ëndrrën për të bërë burrat prej bore:
(Të ftohtë deri në akull e të shpifur sigurisht.
Në vend të hundës një karrotë,
Për sytë dy kongjij pis të zinj.
Zemër nuk kanë.
Tek-tuk lidhur në qafë ndonjë shall i leckosur.
Herë të duken zbatharakë,
Herë si burra shtetesh, të lerosur,
Herë si burra që vrasin gratë…
Një shi të rrebeshtë lus për t’i varrosur.)
Tani dhe bora ka marrë frikë
E dimrat sjellin pak e më pak borë,
Edhe lotët kanë ngrirë e janë bërë qerpiç,
Edhe frymëzimit i them: vargun lëre,
Tani nis të bësh burra prej rëre.
12.01.2024