Hasani në Shkup: Faktori shqiptar, rol për ruajtjen e orientimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme: Shqipëria dhe RMV kanë treguar përkushtim të jashtëzakonshëm në rrugën drejt BE
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi sot nga Shkupi, ku po zhvillon vizitën e parë zyrtare se, Shqipëria dhe RMV kanë treguar përkushtim të jashtëzakonshëm në rrugën drejt BE.
Në deklaratën për shtyp me homologun, Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, Hasani tha se, “kryesimi i OSBE në vitin 2023 nga RMV ishte padyshim një detyrë sfiduese”.
“Më lejoni që në krye të herës ta përgëzoj Bujarin për lidershipin e shkëlqyer që ka treguar gjatë kryesisë së OSBE-së nga RMV. Kryesimi i OSBE-së në vitin 2023 ishte padyshim një detyrë sfiduese sepse e vërteta është që prej fillimit të agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës OSBE ka ndryshuar shumë. Nuk ka dëshmi më të qartë të punës së mirë që keni ditur të bëni sesa fakti që pavarësisht bllokimeve e ngërçeve të krijuara nga Rusia në OSBE, ia dolët të keni një mandat të suksesshëm”, u shpreh Hasani.
“Performanca e Maqedonisë së Veriut në OSBE dhe e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB e më herët në OSBE, janë treguesi më i pakundërshtueshëm i pjekurisë që ka arritur politika e jashtme e vendeve tona. Një politikë e jashtme, e cila tashmë duhet vënë më shumë se kurrë në dispozicion të agjendës sonë të përbashkët për një rajon me paqe, siguri e stabilitet, me më shumë integrim e bashkëpunim rajonal, por edhe me më shumë përafrim drejt BE”, vijoi ai.
“Është pikërisht ky synim, për të punuar së bashku për këto objektiva, që i dha shkas kësaj vizite dhe këtij turi edhe në vende të tjera të rajonit. Sigurisht, në këtë kontekst vizita në Maqedoninë e Veriut ka një rëndësi të posaçme. Të dy vendet tona kanë treguar një përkushtim të jashtëzakonshëm në rrugën drejt BE. Të dy vendet tona kanë arritur rezultate mbresëlënëse në reformat modernizuese e europianizuese. Ne sapo kemi përfunduar me sukses procesin e screening dhe jemi në pritje të hedhjes së hapave të mëtejshme në një proces për të cilin të dy vendet tona kanë bërë shumë sakrifica dhe gjatë të cilit jemi përballur me ngërçe e pengesa jo të lehta”, vuri në dukje Hasani.
“Ne kemi ecur së bashku në një pjesë të madhe të kësaj rruge, duke mbështetur e ndihmuar njëri tjetrin. Besoj fort që ky rrugëtim i përbashkët ka ndikuar për të forcuar më shumë bashkëpunimin mes nesh e për të na bërë ta shohim rajonin e të ardhmen e tij në të njëjtën mënyrë”, tha Hasani.
“Zgjerimi e thellimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi, me nisma e ide konkrete, është jetik për të ardhmen e rajonit në një kohë plot paqartësi e pasiguri si kjo ku jetojmë”, tha Hasani.
“Shqipëria do vijojë të ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në RMV sidomos në një vit zgjedhor si ky, ku në pranverë do të mbahen zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare. Ne urojmë që ky proces të ecë mbarë, por mbi të gjitha urojmë që ky proces e rezultati i tij të mos sjellë asnjë ndryshim në përkushtimin ndaj perspektivës së përbashkët europiane”, u shpreh ministri i Jashtëm.
“Në këtë kontekst, unë dua të theksoj krenarinë tonë për rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur e vazhdon të luajë faktori shqiptar për stabilitetit e Maqedonisë së Veriut; për forcimin e lidhjeve mes vendeve tona për të cilat faktori shqiptar ka shërbyer si një urë lidhëse; e mbi të gjitha, për ruajtjen e orientimit euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut gjatë një rrugëtimi që siç e thashë ka qenë i vështirë, e ka kërkuar sakrifica jo të lehta”, u shpreh ai.
“Shqipëria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë angazhimin konstruktiv të subjekteve politike shqiptare dhe shqiptarëve në RMV në procesin politik dhe në përpjekjen për të konsoliduar sundimin e ligjit, demokracisë, kohezionin social dhe barazinë mes të gjithë qytetarët.
Gjithashtu, kryediplomati Hasani theksoi se, “faktori shqiptar në RMV ka rol të qenësishëm në ruajtjen e stabilitetit të vendit”.
“Besoj që fakti që Maqedonia e Veriut, edhe pse përkohësisht, do të ketë për herë të parë në historinë e saj një kryeministër shqiptar, është një tregues simbolik i progresit që ka bërë ky vend e kjo shoqëri, për çka unë dua t’ju shpreh respektin e admirimin tim të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Ne mbështesim dhe inkurajojmë vazhdimin e përpjekjeve dhe arritjeve të Maqedonisë së Veriut për ndërtimin e një shoqërie funksionale multietnike të bazuar në zbatimin e plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe të Ligjit të Gjuhëve”, u shpreh Hasani.
“Shqipëria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë angazhimin konstruktiv të subjekteve politike shqiptare dhe shqiptarëve në RMV në procesin politik dhe në përpjekjen për të konsoliduar sundimin e ligjit, demokracisë, kohezionin social dhe barazinë mes të gjithë qytetarët”, u shpreh kryediplomati shqiptar.
(Marrë nga ATSH)