“Ra ky mort dhe u pamë”

Hyrje në librin e Ismail Kadaresë “Ra ky mort dhe u pamë”, botimi i dytë (2000), kërkuar nga autori.


Nga Agim Janina

Një ditë gjëma kosovare u bë e dukshme dhe e prekshme për të gjithë. Lajmi nuk u dha me zjarre, tym, kasnec, maratonomak, pëllumb postier, kalorës së plagosur, me zarf etj., etj, por u dëgjua dhe u pa në një ekran të vogël e të hirtë siç është televizori. Disa antena metalike të lagura nga shiu e transmetuam lajmin në të gjithë botën. Gjëma kishte po ato përmasa dhe atë dhimbje, atë ndjenjë kobndjellëse, të përbotshme që vinte e zgjohej nga humbëtirat e kohëve.

Andre Malraux, shkrimtar dhe burrë shteti francez, kohë më parë, në një takim me një zyrtar të lartë serb, duke e kuptuar mirë se ç’do të ndodhte, tha: “Mos u tregoni të sigurt, në të ardhmen Kosova rrezikon të jetë teatri i një lufte të re si ajo e Algjerisë… Ajo nuk do të zhvillohet në ndonjë kontinent tjetër, por në mes të zemrës së vendit tuaj”.

Kështu do të niste të shfaqte konturet e saj ajo që mund të quhet Dosja e Kosovës, një dosje e lashtë dhe e re, një dosje me shpresë e zhgënjime, luftëra e tragjedi, ndeshje kalorësish, burra shteti e akademikë, shkrimtarë e historianë, me thënie e kundërthënie. që si hije e zezë qëndronte mbi Ballkan prej shekujsh.

Dosje të tilla shpesh janë shfaqur tinëz kthinave të historisë, perandoria Osmane ato i materializoi, personalizoi në Kamare turpi, duke i dhënë një dimension real: koka e prerë e rebelit. Ky ishte kundërshtari, viktima, i kundërti, ai “tjetri”, të menduarit ndryshe, të vështruarit ndryshe, të veshurit ndryshe etj., etj.

Drama e grekërve të lashtë fillon pikërisht me një dosje apo kamare turpi: Lufta e Trojës, pengu grek, përroi i ndërgjegjes, ankthi e brerja, vetëshkatërimi, pendimi, pagjumi, njolla, shenja dalluese, mësimi i të kaluarës. Mitologjia me Olimpin antik ka dhënë Prometeun e lidhur e të dëbuar, të cilin fantazia popullore e zuri të lidhur me zinxhirë në zgërdhenj. Tirani donte ta veçonte, linçonte, hequr mënjanë, për t’u dukur e shfaqur më mirë, dalluar si një “turp” a shenjë e ligë.

Kryqëzimi i Krishtit, i cili vazhdon të turbullojë akoma mendjet njerëzore ishte po një shenjë, një simbol, një vrasje ndërgjegje. E tillë u kthye në kohët moderne Lufta e Algjerisë për Francën, Vietnami për Amerikën, Afganistani për BRSS, Çeçenia për Rusinë, Tien An Meni për Kinën etj., etj.

Këto përmasa, e shpesh më therëse, mbante drama e Kosovës. “Ne kishim qenë prej kohës brenda saj, d.m.th. tragjedisë, shkruan Kadare, por veç tani spikama e tragjedisë u bë zotëruese… shpërnguljet, merrnin aty për aty një zi sipërane, dendësoheshin brenda një ngrehe, që ngjante e mbinatyrshme, si në teatrin antik, por që s’ishte veçse pjellë e jetës sonë.”

Tragjedi të tilla mbartin fatalitet dhe shpesh mbesin në kronika. Duke mos gjetur gjë kundërshtuese, aq shokuese e tmeruese janë kur ja behin: Nata e Shën Bartolemeut, Holokausti. Tanket ruse në Pragë. Masakra hungareze etj., etj.

Gjëma e shqiptarëve të Kosovës do të luhej pa dëshmitarë. Së pari u dëbuan të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë. “Kjo, vëren Kadare, e bën flijimin e tyre edhe më të madhërishëm. Midis heshtjes, një popull i tërë pranon të verë kokën në satër: për të paguar çmimin e lirisë.”

Ky libër i shkrimtarit Ismail Kadare, vjen si një vijueshmëri natyrale e korpusit për Kosovën, serisë së shkrimeve mbi të. Ishte një botim që pritej në krijimtarinë e tij artistike, ku shpesh ndërthuren fatet më tragjike të kombit shqiptar. Ai si kronikan ka ndjekur atë luftë të gjatë, të lodhshme si vijim i baladave të moçme. Vë re kur del në sipërfaqe, atë ngucje serbe për të gjetur një dimension të ri në raport me banorët e parë të Ballkanit e posaçërisht me shqiptarët, ku dyndjet sllave u shoqëruan kaherë me krime e masakra, shpërngulje e dhunime. Tashmë në këtë libër dokumentar ai nuk është vetëm kronika e ngjarjeve. Asnjëherë më parë pena e tij nuk ka qenë më pranë ngjarjeve, sa shumëkush praninë e tij në Paris, caktimin e Kështjellës së Rambujesë i panë si një ogur të mbarë. Shprehja, ç’bën atje në Paris ai Kadareja, turbullonte mendje. Kadare lehtësisht futet në vorbull të ngjarjeve.

Shqiptarët në këtë luftë nga më të gjatat qëndruan, duke i parë serbët gjithmonë si ardhacakë në trojet e tyre. Si të tillë ata, serbët duhet të largoheshin. I panë si pushtues prej të cilëve duhet të çliroheshin. Kjo ndizte më shumë paburrërinë serbe, thellimin e krimit. “Gërgama serbe, ndaj shqiptarëve, vëren Kadare, është e vjetër ashtu siç është e vjetër heshtja përçmuese e shqiptarëve. Serbët dhe Serbia nuk kanë tërhequr kurrë vëmendjen e shqiptarëve”. Këtu e ka zanafillën dhe këtu është thelbi i krimit, tërbimi i serbëve, hidhërimi dhe tragjizmi i tyre.

Shpesh popujt për të shpëtuar nga tragjizmi ku ndodhen gjejnë apo miratojnë krimin, duke shkuar në shovinizëm e racizëm e së fundi në genocid. “Në qoftë se populli serb, shkruan Kadare, nuk mund të fajësohet për krimet e pjesës më të egër të tij, ai mund të fajësohet për pranimin e krimit”.

Tragjizmin e kishin edhe shqiptarët, por në sens të kundërt. Ata ishin aty dhe nuk shtyheshin e nxitonin të zinin vend. Vendi ishte i tyre. Dikush kërkonte t’ua zinte dhe ua kishte zënë me dhunë.
Duke njohur së thelli raportin e së drejtës dhe mosteprimitn e saj si një institucion me rrënjë të thella, shqiptarët e dinin se do të dilnin të fituar. Në këtë betejë të fundit ata ishin rreshtuar në kualicionin më të madh, në atë skalion vlerash që përfaqësonite kulturën, filozofinë, por edhe forcën e kësaj bote: Perëndimin. Bota kishte hequr së fundi perden e karshillëkut ndaj dramës shqiptare. U desh ky mort që Perëndimi e shqiptarët të shiheshin sy në sy. Ky është titulli i librit. Si një shprehje brilante popullore është qëmtuar me aq shije, kulturë e mjeshtëri nga pena e Kadaresë.

Në luftën e Perëndimit kundër regjimit të Beogradit u shfaq me lakuriqësinë më të egër përplasja e dy kaheve: vlera dhe antivlera, mirësjellja e Perëndimit dhe harbutëria e komunizmit të Lindjes, përfaqësuar nga diktatura e Millosheviçit, shoqëria e bashkësia e madhe e popujve nga ajo provincë mjerane siç ishte Serbia e linçuar prej lirive e të drejtave të njeriut nga harbutëria e bandave të paramilitarëve, ku krimi i çorganizuar e sistematik solli lahtararira shokuese.

Me fillimin e bombardimeve kur Kosova do të ishte kryefjala e çdo stacioni informativ dhe e faqeve të para të gazetave, shumëkush nxitoi të hapte harta, atlase, dokumente, arkiva, libra të vjetër për të gjetur atë që nuk gjendej. U shkua deri aty ku bashkohet filli i legjendës e mitit me historinë.

Kosova ishte nyja, dryni i hapjes dhe njëherazi i mbylljes së një drame nga më të gjatat, më të lodhshmet, më cfilitëse që është zhvilluar në Gadishullin Ballkanik. Ardhacakët serbë në ndeshjen me epet, mitet, legjendat e baladat vendase nuk arritën të kuptonin këtë gadishull, banorët e tij, e pikërisht shqiptarët. Sllobodan Millosheviçi, pabesia e të cilit moleksej me fodullëkun e provincialit, kërkonte ta çonte popullin serb në Mijëvjeçarin e ri si një popull mbi të cilin do të rëndonte pesha e krimit, genocidi.

Qendrat më të mëdha të informimit botëror si CNN, Skay – News, BBC, Reuters, AFP, ANSA etj., etj., të ngujuar në një qytet të vogël në Veri të Shqipërisë, në Kukës, aty ku ishte dera apo Ferri nga ku karvane pabarim, njerëz të heshtur si në përfytyrimet biblike, kalonin kufirin nga bota e përtejme, duke lenë pas bandat e paramilitarëve të Arkanit, që digjnin, plaçkisnin, vrisnin gjithçka u dilte përpara.
Shpesh transmetimet televizive humbnin drejtpeshimin. Gazetarëve u mbetej fryma. Dikush me ngulm kërkonte linjën për të transmetuar një gjëmë të re. Një folës i emocionuar e si në spazmë njofton – “Fluksi i të dëbuarve nga Kosova është 4000, 5000 në orë… njoftojmë se një kolonë 40 km e gjatë apo edhe më shumë e nisur nga qyteti i Gjilanit… Gjakovës… Prishtinës… po i drejtohet kufirit me Shqipërinë… janë nisur më këmbë… të dëbuarit në Prishtinë po i hypin në trena me forcë… deri tani nga Kosova, njofton UNCR, janë dëbuar 500 mijë, 600 mijë shqiptarë…

Sekuencat televizive të trenave të mbushur plot me të dëbuar si në filmin “Lista e Shindlerit”, të pleqve që rrëzohen e nuk mbahen dot në këmbë, grave të moshuara me vështrime të përhumbura, fëmijëve (sa shumë fëmijë u panë) ngacmojnë kujtesën kolektive. Dikush përmend Holokaustin, një tjetër kujton kampet e perqëndrimit, një tjetër shtyhet deri thellë në histori.

Kronikat ndonëse në të shumtën e rasteve u dhanë edhe të pamontuara mirë nga moria e tyre, ngjanin thellësisht të prekshme, thellësisht të vërteta, thellësisht emocionale, ku fjala shpesh ishte e tepërt dhe ku figura e transmetuar fliste vetë.

Emisionet televizive shtyhen deri në orët e vona të natës. Transmetimet të mbërthejnë. Sekueca apokaliptike të një çmendurie të pazakontë, të parrokshme për mendjen njerëzore.

Beteja televizive ishte beteja e madhe e fituar, më e madhe se ajo në terrenin e luftës së vërtetë. Ishte “bombardimi” më i madh që u krye mbi Beograd. Pamjet filmike zgjuan kujtesën njerëzore, atë kujtesë që ka arshivuar në memorjen e kombeve e popujve krimet e luftrat, ngarkesat e dhimbjeve. Në fund gjithçka u fokusua në shtresat e para të kujtesës botërore: genocidi i serbëve në Kosovë shkaktoi eksod biblik. Askund nuk u gjet një krahasim i dytë.

Qytetarët serbë për mjerimin dhe dënimin e tyre “u bombarduan” në çdo orë nga propaganda e rregjimit të Millosheviçit. Në sekuencat televizive të atyre ditëve, jo vetëm që u stampua qartë fantazma e krimit, barbaria, ndjenja vrasëse, shkatëruese, por edhe një “un” kolektiv dhe primitiv, un i cili ishte ushqyer nëpërmjet Akademisë së Shkencave serbe prej ku ishin hartuar doktrinat fashiste të zhdukjes të një populli tjetër. Në aradhet e para të kësaj çmendurie qëndrojnë ata akademikë dhe midis tyre shkrimtari Ivo Andriç, fitues i çmimit “Nobel” (!)

Në librat e Kadaresë me temë Kosovën përmenden mitet, legjendat e shkruara ballkanike, varret e muranet, kishat e rrënojat mesjetare, atje ku fillon kjo lojë si një kukamfsheti e serbëve: ne jemi e ju s’jeni, djepi e shtrati, qendra etj., etj. Diku në këtë luftë merr pjesë edhe eposi, përleshjet mortore, këngët e kreshnikëve. Perëndimit i duhej të kalonte përmes tyre si përmes sirenave. Dhe sirenat ishin të shumta që nga ato dashakeqet e tipit fashist, genocidal e deri tek lëvizjet paqësore. Ndaj dhe fronti më i vështirë, më i thekshmëm i gjithë kësaj beteje u konsiderua betejë informative.
Disa grupe pacifiste e disa parti kryesisht të majta, të cilat ditë më parë në fillimet e bombardimeve kishin nisur të protestonin rrugëve heshtën si të bukosura. Një gjë u pa dhe u kuptua qartë: Makina propagandistike serbe dhe jo vetëm ajo, kishte humbur së fundi të drejtën. Çdo serb apo proserb që do të dilte ato ditë ekraneve televizive apo faqeve të gazetave nuk do të kishte më argumenta. Miti i rremë serb së fundi kishte pushuar së funksionuari.

Shumëkush në këtë çmenduri serbe pyeste: si ra kjo gjëmë kaq papritmas? Ç’është kjo egërsi e një populli kundrejt një populli tjetër? Si ndodhi kështu mu në zemër të Evropës? Përgatitjet për ardhjen e mijëvjeçarit duket sikur ngecin. Në mendjet e disa fanatikëve endet fantazma e Nostradamusit.

Këto janë në themel disa nga argumentet e pyetjet, edhe pse jo të shtruara drejtpërdrejt, që shkrimtari Ismail Kadare kërkon t’u japë përgjigje në librin e tij. Kjo krijesë e fundit letrare është një kumt jo thjesht letrar, por kërkon të jetë edhe një prekje e drejtpërdrejtë në skutat më të thella të ndërgjegjes, si mesazh i kahershëm që vjen nga skribët egjiptianë e ata hebrenj, grekët e lashtë e deri në letërsinë moderne.

Libri vjen edhe si një piskamë ngjethëse: Kosova ishte në zgrip të zhbërjes. Kadare vëren se prej shqiptarëve në Kosovë “kërkohej përulje dhe jo qëndresë. Kështu që populli shqiptar të bëjë një ndryshim themelor në kodin e tij moral”. Shuarja e një populli po shfaqte hapur konturet e veta deri në blafsemi të tilla që “quheshin agjentë të serbëve ata që jepnin jetën në luftë kundër serbëve.”

Llahtari të tilla lindin e krijohen në ato momente tek ata popuj, ku dhuna sistematike e kahershme filloi të prodhojë të kundërtën e vet: mësimin me dhunën, pranimin e saj, moskundërshtimin në asgjë, të qenit e saj si një e drejtë. Konstitucioni shpirtëror, kodi moral e shpirtëror fillon e merr të çara të thella. Goditja nga Kadare në këtë pikë është therrëse, e ashpër, e drejtpërdrejtë, sepse për të, është prishur diçka në themel dhe shi atje duhet të ndreqet.

Në një bisedë të bërë me shkrimtarin në një prej bareve të Tiranës, pasi gjerbi lëngun e kafesë e hodhi njëherë vështrimin mbi ngrehinën e Muzeut Historik sikur të gjente mbështetje për çka do të kumtonte, u kthye e zuri të thoshte duke parë përtej qelqeve të gjyslykëve: “Dëgjo se si fillon tragjedia e Hamletit. E ka vërejtur Thomas Elioti… Mbi bedenat e kështjellës rojet bëjnë një bisedë fare të rëndomtë, fare të thjeshtë. “Sa është ora? – pyet njeri prej tyre. – Tani goditi dymbëdhjetë, shko e fli. Pason një pauzë. Roja e parë lëshon batutën ngjethëse – Eh, a u duk fantazma sonte prapë?”

Kadare heshti. U mendua një hop e vijoi, “kështu fillon tragjedia e Hamletit… kështu fillojnë ndonjëherë dhe tragjeditë e mëdha, krimet e masakrat… Në të gjithë çka po ndodhte, pra, kishte, apo më mirë ndihej një fatalitet.” Kur tha kështu qeshi dhe shpejtoi të shtonte, “fatalitet e vë në kllapa, ë…”

Këto fjalë të godisnin. Kadare nuk pranonte fatalitetin. Shqiptarët nuk ishin një popull fatal. Lëvruesi i madh i shqipes me këto fjalë të krijonte ndjesinë e prangosjes së fjalës fatalitet duke e vënë në kllapa, të burgosjes. Kjo fjalë nuk nuk duhet të qarkullojë lirshëm korridoreve, dhomave të kështjellës së lashtë.

Diçka të tillë shkrimtari e thotë edhe në libër, po atë mbremje të butë në Tiranë kumti që lëshoi vinte i thellë, gërryes. Fantazmat shfaqen ashtu si padashur, si të rreme, si haluçinacione. Më pas, ato janë në gjendje të krijojnë makthe e gjëma ta mëdha.

Si në tragjeditë e Shekspirit, në libër rrjedhin në mënyrë dokumentare, të pikturuar me penelata të forta, një galeri e tërë personazhesh: që nga presidentët, kryeministrat, ambasadorët e shteteve të mëdha e të vegjël e deri tek prostitutat e rrugëve, ta cilat e ka shqetësuar kjo gjëmë.

Në njërin prej takimeve të bëra nga Havier Solana me Sllobodan Millosheviçin është pak a shumë kjo skenë. Bashkëbiseduesit buzëqeshin. Por atje në fund të tavolinës së gjatë rrinte ai, kryekomandanti Uesli Klark. Pak i zbehtë, por me sy zhbirues, gjithë energji, tipare të mprehta të cilat bënin kontrast të thellë më fytyrën e dhjamosur të rruar taze të udhëheqësit serb. Me siguri Sllobodani i shqetësuar nga ushtaraku i lartë thoshte me vete: “Po ky, pse ka ardhur?”

Havier Solana parashtronte alternativat e diktonte fjalë të shkurtra e të prera, të ashpra e kuptimplota.

Sllobodani tundte kokën e nuk jepej, nuk bindej. Kryeneçësia e tij ishte qesharake. Nuk ka mundësi, thoshte me siguri me vete. E gjithë kjo është një lojë. Sa shumë kishte luajtur ai me Perëndimin. “Po ky dreq ushtaraku pse ka ardhur?”. Ndoshta do të kishte protestuar, por do të shikonte që Uesli Klark do të lëvizte pak nga vendi e duke iu drejtuar pikërisht atij, Sllobodan Millosheviçit. Do të thoshte thatë e prerë:

– Zgjidhni e merrni zotëri!

Të dy duart e Uesli Klarkut ishin shtrirë përpara. Në njërën mbante stilografin, ndërsa në tjetrën gishtrinjtë e hapur e të drejtuar drejt gjoksit të Sllobodanit dukeshin si gryka topash, ndërsa e zhbirilonte të tërë me sytë e ashpër nën një buzëqeshje përçmuese.

Sfida ishte hedhur: ose nënshkruaj marrëveshjen, ose prit goditjen, pra paqe ose luftë. Kjo ishte gjuha që kuptonte diktatori serb dhe Perëndimi ia tha atë me kryekomandantin e saj Uesli Klark.
Marrëveshja ishte nyja e fortë që duhej të kapërcenin shqiptarët dhe kjo nuk ishte e lehtë. Të grirë e të prerë në shekuj, të rrudhur në më pak se gjysmën e territoreve që zinin dikur, ata nuk kishin siguri. Marrëveshjet gjithmonë kishin qenë në kurriz të tyre.

Dhe një ditë palët erdhën në Kështjellë. Ftesa është disi ndryshe. Në të nuk ka grishje, por detyrim. “Dorëzoni armët!” do t’u thoshte maxhordomi në hollin apo karakollin e pritjes dhe ata do të lironin brezat nga ngarkesat. Është i njejti ritual: “Dorëzoni çomaget!… Dorëzoni kamat!” Dorëzoni shpatat, pisqollat, koburet, armët… Tani së fundi dërgatës i thuhet “Dorëzoni celularët!” Kështu, në vazhdimësi, derisa të ketë palë, kufi, shtete etj., etj.

Tashmë ata ishin aty. Dërgata shqiptare ishte si në legjenda e balada, Kostandinë të gjallë e të vdekur, heronj e tradhëtarë, kryqtarë e të murosur. U duhej të firmosnin.

Asnjëherë firma nuk kishte pasur kaq peshë. Fjalë të tilla pakt, marrëveshje, tavolinë e rrumbullakët nuk ishin dukur në kthinin shqiptare që prej kohësh.

Në kryeqytetin e vendit të tij, një mbremje dikush do të ndalë shkrimtarin: Zoti Kadare, kam një pyetje: do të bëhet Shqipëria, apo jo? Është një pyetje e dalë nga goja e një të panjohuri, por që semantika e saj është më e thellë. Kërkohet e pyetet Poeti dhe kërkohet Pesha e Kryqit, pesha e kombit. Pyetja nuk është tinzare. Jo, ajo bëhet ballazi, sikur ti thuhet: “Ku je Kadare, ç’po bën?

Mbi dërgatën shqiptare dhe rreth Rambujesë sillen plot shqiptarë që kanë ardhur nga gjithë bota: të gjithë kërkojnë. Kërkohet edhe përtej, prej më së largëti, duke shfaqur atë sëmundje të rëndë, kapardisjen shqiptare që ëhtë më e gjërë, ballkanike.

“Llafazanë të pandreqshëm, mbylleni atë gojë të prapë!”, lëshon dufin e tij shkrimtari kundër bashkëkombasve të vet që kundërshtojnë marrëveshjen. “Princi i letrave” apo “ndërgjegjja e kombit” e ka këtë të drejtë, këtë spektër gjykimi e ndëshkimi. Kësaj ane ballkanike, ku Olimpi i Zotave është ende i fuqishëm, kërkohen edhe “Rrufetë e Zeusit”. Kadare nuk i kursen aspak kritikat mbi të “tijët”. Ka kohë që ai natyrshëm ndihet lider i mendimit shqiptar, “apostull i shqiptarizmit”. Ministri francez i dërgon një ftesë për të darkuar së bashku. Kristofer Hill sapo shkel në kryeqytetin francez nxiton të bëjë të njejtën gjë. Dikur, më parë shkrimtari ka marë pendën dhe u është drejtuar të mëdhenjve të kësaj kohe: presidentit Xhorxh Bush, Fransua Miteran e Vaclav Havel. Nuk ka nguruar t’u telefonojë “të mëdhenjve” të vendit të tij dhe atyre kosovarë dhe t’u flasë siç nuk ju fliste kush. Dërgatës shqiptare në Rambuje i thotë: më lejoni t’ju kujtoj, se unë si shkrimtar, nuk do të guxoja kurrë t’ju jipja këtë këshillë, sikur unë të kisha vetë drojën më të vogël se po bëja një faj që do të rëndonte në ndërgjegjen dhe në biografinë time”.

Kadare e di se në peshoren universale, “antarët e sektit të shkrimtarëve” e kishin fituar me kohë betejën. Të drejtat dhe liritë, para se ky shekull t’i ngrinte në këto nivele, i kishin gdhendur ata me veprat e tyre. A nuk mbante Homeri me të drejtë spektrin e patriarkut të madh të parë të së drejtës? Kështu do të ishin edhe Dante Aligieri, Servantesi. Gëte, Balzaku, Tolstoi etj., etj “murgj të të njëjtit urdhër”.

Një fjali e thjeshtë e rëndomtë: “gjithë ditën ka rënë telefoni”, mbart madhështinë e peshës. Është njëlloj sikur të thuash: gjithë ditën në vendqendrimin e kryetrimit vinin kasnecët, lajmëtarët. Në fjalinë e mësipërme ata nuk kërkonin urdhërin, por kumtin e Poetit.

Poeti ishte njësuar me kohë me kombin dhe ndodh ajo që duhet të ndodhë: një vizitë e kryekomandantitn të UÇK, Ashim Thaçi në shtëpinë e Poetit. Luftëtari kishte shkuar të merrte kumtin e Poetit.

Një pyetje nga Ashim Thaçi shkëlqen si teh i mprehtë shpate: “në rast se sonte e nënshkruaj marrëveshjen ti, si shkrimtar shqiptar a do të më përkrahësh në këtë akt politikisht?” Ky është një çast fatlum, i cili ka nevojë të kundrohet me një pauzë për të kuptuar dhe ndoshta duhet të përsëritet edhe një herë: A duhet ta firmos marrëveshjen? – pyet komandanti i UÇK dhe përgjigja e Poetit vjen e menjëhershme: “Po, pa asnjë ngurrim. Madje qysh këtë çast!”

Kryekomandanti ndonëse ka pranuar të mbështetet tek Poeti, kërkon më shumë. Në krye të dërgatës shqiptare, pas ka historinë, një popull të tërë. Por ai ka kuptuar një gjë të thjeshtë, fare të vogël, por me vlerë të madhe: Poeti ka të drejtë. Prandaj kërkon: “Ti do të më mbështetësh? – Sigurisht që po”. Asnjë lëvizje qerpiku. Biseda: një batutë, asgjë më shumë.

Në këtë bisedë ka një thelb të rëndësishëm. Në zemër të Vatikanit është monumenti i Moisiut të Mikelanxhelos. Është gdhendur pa shpatë. Në dorë shtrëngon librin. Ja çelësi. Ja zgjidhja. Ja shekulli i ri. Vlera e tij.

Këtë vlerë mbarte Perëndimi në këtë luftë. Shekulli i ri nuk mund të ngrihet mbi dhunën e vrasjen, racizmin e shpërnguljen e popujve, por mbi dijen, mbi librin qofshin të shprehura këto edhe thjesht me marrëveshje.

Kjo ndodhi dëshmonte se edhe në kthinën shqiptare Poetët po zinin një vend gjithnjë e më të madh.

Ja tashmë jemi në kështjellë, në Rambuje. Fantazma është aty, e gënjeshtër dhe e vërtetë. Ajo mund të jetë Fatthënë apo më keq klithmë si në tablonë e Eduard Munch. Serbët në kthinën e tyre hanë e pinë e natën këndojnë. Kënga në errësirë kërkon të largojë frikën. Me këngë serbët kërkojnë të burrërohen.

Shqiptarët mendohen gjatë. Turfullojnë me vete, shtyhen dhe nxitohen. Mbi ta zërat janë ndryshe. As që bëhet fjalë për frikë. Dikush fërshëllen: “Mos e nënshkruani marrëveshjen. Historia do t’u ndëshkojë.”

Rrokullisja e orëve në Rambuje në pritje të firmosjes së marrëveshjes i ngjan përpjekjeve për të ngritur gurin e Sizifit. “Të rrallë janë shtetet, do të shkruajë Kadare, që kanë jetuar me një traktat të fshehtë pas shpinë. Shqipërisë i ra ky fat i zi… Ndoshta ka të tjerë që ende nuk e dinë.”

Ndërgjegjja e Poetit,krejtësisht e kulluar, shpejton e ndërton një letër për dërgatën shqiptare, letër që edhe botohet. Poeti kërkon peshën e vet të natyrshme në gjithë këtë histori. Krahasimi me Atlasin e lashtë nuk e ndihmon në dhimbjen e peshës. Atlasi peshën e kishte mbi shpinë, ndërsa ai brenda vetes, madje ishte vetë pjesë e kësaj peshe. As mund ta flakte, as mund ta rrokulliste. Ishte i detyruar të jetonte me të përjetësisht.

Kadare njeh mirë Kodin e Fshehtë të shqiptarëve. Di se sikur të kishte fituar urtësia e Poetit, tragjedia e Trojës, pendimi i madh i grekëve të lashtë, nuk do të fillonte me vargjet “Këndo o muzë zemërimin e Akilit…”, por “Këndo o muzë urtësinë e Poetit…” Tragjedia nuk do të ishte më e tillë.
Në kështjellë nuk hyri dot Kali i drunjtë. Aty nuk pati dhurata apo më mirë, nuk u përdorën dhuratat. Që aty, pa filluar lufta e vërtetë, shqiptarët kishin nisur të ndjenin fitoren dhe në këtë fitore Kadare kishte pjesën e vet.

Gjëma e Kosovës bëhet e të gjithëve. Të mbesin në mendje fjalët e këngëtares italiane me origjinë shqiptare Ana Oxa (Hoxha). Gjatë një vizitite të bërë vite më parë në Kosovë do të shprehet: “Diferenca mes serbëve dhe shqiptarëve më tmerroi, më krijoi përhtypjen se po jetoja holokaustin… qe një ferr. (Mos harroni se akoma nuk ka nisur lufta në Kosovë). Më poshtë rrëfimi vijon në formë pretence, “Një serb që thith informacion duhet të ketë kurajo të pohojë: Po, unë si serb provoj dhimbje për shqiptarët, por edhe dhimbje të madhe për njerëzit e gjakut tim. Kjo ishte e bukur të dëgjohej nga goja e një populli që është bërë nga mishi dhe kockat si gjithë të tjerët.”

Është çmenduri të mendosh dhe aq më keq të sillesh e veprosh ndryshe. Kujtesa kolektive dosjen, njollën serbe zor se do ta harrojë lehtë. Aq më shumë prej saj do të ndjejë turp vetë kombi serb. Dënimi që ka marë është peshë e rëndë të cilën do të duhet ta mbajë e mos gjejë prehje për shumë e shumë kohë.

Në moskuptimin e krimit serb qëndron tragjedia e sotme serbe. Këtë moskuptim serb bota e qytetëruar nuk arrin ta kuptojë. Por Perëndimi nuk kishte kohë për të humbur. Edhe nga ata që dënuan bombardimet krimin serb nuk e falën.

Në një koncert të dhënë nga “Pavaroti & Frend” ku kënduan këngëtarët më të mirë të kohës u mblodh një shumë e madhe të ardhurash për të ngritur një kamp për të dëbuarit nga Kosova. Në virgjilje të Mijëvjeçarit të ri akoma ngrihen kampe për të dëbuarit, të shpërngulurit me dhunë, me forcë nga dheu i tyre. Deri këtu shkoi çmenduria serbe me moskuptimin e saj çka po bënte. Ajo humbi çdo lloj arsyetimi. Në sytë e botës, asnjë lloj shfajësimi. Koncertet e paqes, gjuha universale e muzikës, dhe magjia e tingujve shkon për të ngritur Kampe Pritjeje për të dëbuarit nga vendi i tyre dhe asnjë serb nuk skuqet nga kjo. Ndokush ndjen habi, por shumëkush ndjen edhe frikë. Helmimi i këtij populli kishte shkuar shumë thellë: sa do të jetë në gjendje nesër ndërgjegjja serbe në drejtpeshimin e këtij krimi? Askush nuk mund ta thotë.

Michael Jackson shkruan një këngë të titulluar “What more can I give” (Çfarë mund të jap më tepër), të cilën ia dedikon dramës së të dëbuarve nga Kosova. “Dëshiroj të shkoj atje, shprehet ai, dhe të përqafoj të gjithë këta fëmijë. Imazhet e tyre janë tmerrësisht rrënqethëse”.

Në njërin prej emisioneve të pafund që transmetonin mediat italiane foli edhe regjizori i njohur Franko Zefireli. “Ajo ç’ka më ka goditur më shumë, do të shprehet ai, janë sytë e të dëbuarve nga Kosova. Sy të shuar. Sy pa jetë. Ata sy më kanë tronditur thellë…”.

Në atë sy të shuar teleshikuesit ndjenin boshësinë që vjen pas një tmerri të vërtetë, atëhere kur organizimi sjell kundërpërgjigjen mbrojtëse për të mos ardhur verbimi. Në këtë traumatizim, ai i fëmijvë ka qenë më i tmerrshmi. Ata fëmijë me sy bojëqielli, sy që digjeshin si diej nën kurorën e flokëve kaçurelë, të bukur si fëmijët engjëj në afresket e Rafaelit.

“Sikur ta vijë veten në vendin e këtyre të dëbuarve, vijon pyetja e gazetarit italian për regjizorin e madh Zefireli, dhe ashtu si këtyre të dëbuarve, t’ju thonin, që largohuni për pesë minuta nga shtëpia, në të kundërt do t’ju vrasim, çfarë do të merrje me vete?”

“Është një pyetje e vështirë, ia kthen regjizori i zënë ngushtë, por më lini vetëm disa çaste të mendohem. Pason një heshtje e shkurtër, e rëndë ku mbi ballin e Zefirelit theksohen rrudhat, – Ja do të merrja një kasetë me këngë të cilat dikur ia kam dhuruar gruas ditën e njohjes sonë. Ose do të merrja si kujtim një fotografi të familjes… po, këtë do të merrja. Asgjë tjetër…”

Dramacitetin e atyre pesë minutave e jep një piktor kosovar i cili rrëfen, “Kisha në studion time mbi 120 piktura e grafika dhe më duhej që së paku gjysmën e tyre ta shpëtoja… ishte një përjetim i vdekjes për së gjalli…”

Përtej oqeanit regjizori me origjinë shqiptare Sten Dragoti, një ditë në kutinë e tij postare gjen disa foto të ardhura nga Kosova e largët. Në të paraqiten pamje të krimeve të sebëve. Fotot janë me ngjyra. Me të në dorë Dragoti drejtohet drejt laboratorit. I kthen fotot me ngjyra në bardh e zi.

Pamjet tjetërsohen, bëhen tepër ngjethëse. Ato më shumë duken si foto të marra nga arshivat naziste në kampet e përqendrimit sesa në Kosovë. Këto foto regjizori i boton ne numrin e parë të serisë informative, të disa mediave amerikane si “New York Times” dhe “Uashington Post” dhe tërheqin vëmendjen e lexuesve me pamjet ngjethëse që transmetojnë. Në njërën prej tyre dukeshin qartë fëmijë shqiptarë të vrarë dhe poshtë tyre shënimi: “Aushvic 1943, jo Kosova 1999…”

Një ditë më pas në një emision kushtuar Kosovës del një hebre e cila në rininë e saj kishte qenë e internuar në kampet e internimit. Në një moment merr në dorë mikrofonin dhe me një zë të dridhur, gati të shuar e si në një zhgjendërr thotë: “Kam një javë që kur kanë filluar masakrat në Kosovë që nuk fle dot. Më janë zgjuar makthet e kampit të përqendrimit, sikur jetoj ende në atë kohë, sikur ato ngjarje ndodhin sot, sikur jam përsëri e mbyllur… Çfarë tmerri…!”

Por komedia serbe mbaroi. Maska e vjetër sa bota kishte rënë – ai Kali i Trojës, i qullur nën shi, përditë, atje tej, i harruar mes baltovinave të kufirit, ndërsa nga zgripi i honeve të historisë po rilindte një popull, i cili hynte në mijëvjeçarin e ri si një popull biblik, që i kishte shpëtuar dëbimit, shfarosjes… kthimi maramendësh mbrapsh i shqiptarëve nga Kosova në po atë rrugë nga ishin dëbuar kishte madhështinë e qenies, dinjitetin e njeriut që kthehet në vetvete, kishte gëzimin e burrit, gruas, fëmijës…

Dosja Kosova e kishte shkruar faqen e saj të fundit ashtu si në një mbyllje filmi kur në ekran zënë e dalin titrat shoqëruar nga tingujt paqësorë, fotoreporterët e lodhur kishin mbyllur aparatet fotografikë, gazetarët, blloqet e shënimeve, reporterët hoqën kufjet nga veshët e politikanët kishin marë frymë të lehtësuar. Pas kishin lënë një prej “grehinave më të mëdha të krimit” një nga zezonat e rralla që ka tronditur këtë planet”, siç shprehet Kadare.

Dhjetor 1999

Lexo më shumë nga

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…