“Grimca Nostalgjie” i Nikolla Zakës, një himn për durrsakët!
Me botimin e vëllimit poetik “Grimca Nostalgjie”, Nikolla Zaka iu thotë durrsakëve, se mbetem përjetësisht i juaji
Nga Bujar Qesja, Mjeshtër i Madh
Me porosi të Yllka Zaka-s, më ra në dorë libri me titull “Grimca Nostalgjie”. Autori i njohuri durrsak, masoviku i qytetarisë, i thjeshti dhe i pashpalluri ndër më aktivët dhe shkrimtari i panjohur Nikolla Zaka. Nuk jam i sigurtë dita, kur fati ma solli këtë libër të rëndë në ngarkesë shpirtërore, akoma më të rëndë në mall dhe nostalgji, por siguria është e patundur në merakun që kisha, për të vendosur njëra pas tjetërs rradhë për “grimca Nostalgjie”.
E kisha lënë librin në një vënd të dukshëm për dy arsyje:
E para: të mos e ndaja vëmëndjen për t’u marrë një ditë me të.
E dyta: për të parë fytyrën hyjnore, më shumë se të pashme, të një djaloshi që nuk e takova kurrë, por rrethanat ma kanë regjistruar në invenarin e asaj që quhet jeta ime. Emri i tij Nikolla Zaka.
Largimi nga jeta, që ende nuk e besoj se është ndodhur kështu, në orën 04.30 në mëngjesin e 6 prillit 2023, më “vrau” aq shumë, saqë ulem dhe mendoj si nuk ma solli rasti të takohem me Nikolla Zakën qoftë edhe njëherë të vetme, duke mos e parë nga fundi i viteve 50-të dhe fillimi i viteve 60-të. Me një fëmijëri disi të vështirë ky “Gjithmonë mes nesh Kola”, por me një finale më shumë se një kreshendo të një tenori të famshëm.
Kur mësova që nuk ishte mirë me shëndet, zemra, mushkëritë, i kërkova duke i shkruajtur që të ruhej dhe sa më parë të takoheshim, për të shuar mallin e afro 60 viteve pa u parë. Por isha shumë vonë. Nikolla Zaka, apo Kolja i jonë e ndali frymëmarrjen, në atë ditë që e shpreha. Por fatmirësisht na la një libër, që më preku, më dha ndjesinë e lapsit të ndihmuar fort nga nostalgjia dhe malli i pakonkuruar për Durrësin dhe durrsakët. Dhe menjëherë thashë:
-Jo Kola, nuk i ka mbyllur sytë, është i gjallë ndër të gjallët! Mbetet gjithmonë mes nesh.
I shtypur nga Botimet Jozef dhe nëpërmjet 255 faqeve, në “Grimca Nostalgjie” ky Nikolla Zaka u thotë durrsakëve, se mbetem përjetësisht i juaji dhe pranë jush, ashtu si më parë, i gjallë, i freskët, hokatar, me humor fin, i dashur dhe i çmuar për shoqërinë, i dehur me dashurinë, madje duke e sfiduar në mënyrën më të mirë, më joshëse, më të bukur, më romantike dhe më pikante.
Dhe atë jetë të larmishme që bëri, duke mbetur punëtori simpatik i fabrikës së gomës, por edhe shoku besnik i lagjes ku u rrit, pranë kinema “14 Nëntorit”. Mbeti shoqëruesi i preferuar ndër vajzat mikesha, por edhe djali i djegur nga malli për nënën, bashkshorti nga më të rrallët për Yllkën e tij, babai i sprovuar për fëmijët, i afërmi i veçantë, por shumë, shumë i shtrenjtë për durrsakët, miqtë dhe shokët që linte kokën. Diku me një gotë raki, e në raste të tjera me verën e kuqe përpara, ai trajtonte mezenë më të shijshmen në botë, miqësinë e pandryshkuar dhe që shkëlqente si metal inoksi.
Nikolla Zaka çfaqet bukur, thjeshtë dhe qartë në “Grimca Nostalgjie”, me kostumin e shtrenjtë dhe të shkëlqyer të nostalgjikut. Përmënd me emra ngjarje reale, por edhe me nënkuptime ato grimca jetësore, që e bënë të jetë kudo dhe vazhdimisht Nikolla Zaka, Nikolla i ëmbël i Durrësit, Nikolla i dashuruar pas durrsakëve në të gjitha qelizat e trupit të tij, pa lënë qoftë edhe një të vetme.
Nuk lexova Remarkun dhe Dymanë, as Kadarenë dhe Agollin, por zemrën e thellë dhe të ndjeshme të një durrsaku, me emrin tashmë të paharruar Nikolla Zaka.
Ese mund ti quash, por edhe tregime nga jeta personale dhe trille me fuqi jetësore.
35 rrëfime letrare dhe 13 poezi.
Në poezinë “Deti nga shtëpia ime” Zaka është shkrirë i tëri me detin plotësisht, që e ka pushtuar psikologjikisht edhe kur se ka pranë.
Nga oborri shikoj detin edhe pse deti nuk është.
Në horizont trageti larg lundron edhe pse deti nuk është.
E n’breg të detit luaj si fëmijë dhe pse fëmijë nuk jam.
Eci mbi rërën e ngrohtë t’oborrit tim me dëborë.
E ndërsa nata i shuan dritat e ditës,
Zhytem thellë në det dhe pse deti nuk është.
Sëmurë gjithnjë me diagnozën det.
Në poezinë “Një agim i ftohtë” tërheqin thellësia e mendimit poetik “unë strukem nën jakën e ngritur”, apo “mbështjellë në fletë buzëqeshjesh”.
Në vjershën “Atëherë” nënvizojmë vargjet:
Atëherë kur shiu do përzihet me lotët,
Atëherë kur të mbytemi n’sytë e njëri tjetrit,
Atëhere n’mes asaj shtrëngate ëmbëlsisht të tërbuar,
Atëherë do ndjej e ulërij n’heshtje.
Atëherë do kuptoj,
Unë jam i mbytur,
Se spirancën nuk e hedh tek ti…
Në vargjet e poezisë “Edhe 5 minuta”, Zaka shpalos më tërë pathosin e tij, duke himnizuar dashurinë e pastër dhe të sinqertë, atë që ndjen një i ri për punën, jetën dhe vajzën.
Do të doja ta puthja ëndërrën,
Por kam frikë se të zgjoj, dashuria ime.
Ti buzëqesh, vazhdo ëndërrën tënde të bukur…
Unë mund të pres.
Dhe tek “Nëse më pyet” lëshon afshin poetik:
Nëse më pyet , çështë dashuria,
Unë të përgjigjem:
Është ajo rreze dielli që përqafon hënën,
E më thotë: të dua!
Në esenë “Buona notte, ci vediamo a presto”, ka një ngacmim tërheqës figurativ. “….lagështira i kishte hyrë natës në palcë dhe e kishte mbështjellë si veladon murgu…” Me vlerë shoqërore, psikologjike dhe vërtetësi mbeten esetë “Alo”, “Prostituta”, “Sara”, “Vajza e Farit”, “Treni Durrës Tiranë”, “Një ditë plazhi ndryshe” e më tej.
Rrëfenja për shoferin dhe durrsakun “Lom Veliu”, “Intelektuali”, “Gjeli i Detit”,” Fletë Rrufe”, “Burgu i Modenës” e ndonjë tjetër, e vendos Nikolla Zakën në dëshmitarin aktiv dhe trajton realitetin ashtu siç i vjen, duke e lezetuar paksa me mjete artistike.
Nikolla Zaka! Pas largimit nga jeta i botohet libri “Grimca Nostalgjie”. Jo për lokalizëm, pasi Zaka mburr dhe ngren në qiell edhe miqësinë me tiranasit, lidhjet tradicionale ndërmjet Tiranës dhe Durrësit, por vendosja në pozicionin e durrsakut steril na i rrit të gjithëve karatët e krenarisë.
Në ato që Zaka trajton, në “Grimca Nostalgjie” të gjithëve nga pak u kujtohet jeta e tyre, miqësitë e vjetra dhe të reja, idilet e pastra të dashurisë ndaj bashkshortes së ardhshme, shakatë, por edhe faktet jetësore që shpalos veçanërisht në kohën e rinisë dhe para viteve 90-të.
Kola ynë ishte aktiv në rrëfenjat e përditshme, si në Itali ku jetonte vite4t e fundit, ashtu edhe në Durrës kur vinte për të shuar mallin e përvëluar. Themeloi adresën elektronike Anni’70, ku shpaloste nostalgjinë e skjashme për rininë e kohës, duke bërë edhe disidentin duke rrezikuar jo pak.
Ja kisha borxh Kolës edhe këtë shkrim. Ja kisha borxh për investimin qytetar dhe shpirtëror që bëri ndaj nesh, duke u përkushtuar i tëri me mish, me shpirt dhe me zemër, duke na dhanë një libër me vlera të pastra nostalgjie, për të mos harruar dhe patur besim tek ecuria e shoqërisë, tek civilizimi i saj dhe sidomos i durrsakëve.
Ky himn për durrsakët në përmbledhjen “Grimca Nostalgjie”, i meritonte këto rradhë dhe sidomos si kujtesë gjithnjë e pazbehur ndaj emrit të njohur, qytetarit aktiv dhe shembull Nikolla Zaka.
Dhe i sos këto rradhë, përsëri me shënimin e Yllka Zakës, gruas së tij të shtrenjtë:
“Gjithmonë mes nesh Kola”!
Bujar Qesja
Durrës: 30 janar 2024