Celibashi: Ndryshimet në Kodin Zgjedhor të bëhen sa më shpejt!
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, zhvilloi sot një konferencë lidhur me zgjedhjet e 14 majit 2023
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi zhvilloi sot një konferencë për mediet, lidhur me zgjedhjet e 14 majit 2023, duke nxjerrë statistikat për pjesëmarrjen në to.
Sipas kreut të KQZ, pjesëmarrja e përgjithshme në këto zgjedhje ka qenë 38.24%, ndërsa në ato të vitit 2021, pjesëmarrja totale ka qenë 46.32%.
Bashkia me pjesëmarrjen më të lartë në votime ka qenë ajo e Fushë Arrëzit me 52.8%, ndërsa me pjesëmarrje më të ulët ka qenë bashkia Vlorë me 24.7%, u shpreh ai.
I pyetur për Reformën Zgjedhore dhe nëse ndikon në zgjedhjet e ardhshme vonesa në kryerjen e kësaj reforme, Celibashi tha se “nëse do të duhet të bëjmë ndryshime në ligjin zgjedhor ato duhet të datojnë jo më vonë se 1 vit, ose në rastin më ekstrem 6 muaj përpara ditës së zgjedhjeve”.
“Nëse do të ngelet ky kod zgjedhor që është në fuqi, natyrisht që zgjedhjet do të bëhen. Nuk di të them se çfarë ndikimi do të ketë në lidhje me standardin teknik të organizimit të zgjedhjeve të ardhshme, por duket që qoftë faktori politik, por dhe ai institucional kanë pranuar nevojën për të bërë ndryshime në kodin zgjedhor, të paktën në disa aspekte të këtij kodi apo procesi zgjedhor. Do të ishte mirë që partitë politike, shumica qeverisëse dhe opozita të angazhohen për t’i realizuar këto ndryshime sa më shpejt që të jetë e mundur”, u shpreh ai.
I pyetur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për heqjen e herësit në listat zgjedhore, Celibashi tha se, “ka qenë një rregull ligjor të cilin Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar. Logjikisht do të thotë që duhet të plotësohet kjo mangësi, e cila është krijuar për shkak të urdhërimit të Gjykatës Kushtetuese”.
Ai shtoi se, “është mirë që Kuvendi, partitë politike ta adresojnë këtë çështje, pasi në një mënyrë ose një tjetër do të jetë një çështje që mund të prodhojë problematika dhe pasiguri në administrimin e procesit zgjedhor. Edhe pse Kushtetuta e ka një përcaktim në lidhje me këtë. Por do të duhet që Kodi Zgjedhor ta detajojë këtë përcaktim të Gjykatës Kushtetuese”.
I pyetur nëse mund të bëhet vota e emigrantëve me këtë kod zgjedhor, Celibashi tha se, “nëse Kuvendi nuk plotëson atë urdhërim të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të zhvillohet votimi nga jashtë. Nuk është përgjegjësi e KQZ-së me këtë kuadër rregullator kushtetues dhe ligjor për të nxjerrë akte nënligjore, të cilat do të mundësojnë votimin nga jashtë”.
I pyetur nëse do të jetë e mundur të mundësohet votimi elektronik të paktën në 5 qarqe në rast vonese nga Komisioni i Reformës Zgjedhore, Celibashi tha se, “do të jetë thuajse e pamundur nëse partitë politikë dhe qeveria nuk disponojnë në lidhje me këtë rekomandim të KQZ-së brenda një periudhe që ne e kemi llogaritur fundin e muajit shkurt”.
“Eksperienca e deritanishme e KQZ-së në lidhje me votimin elektronik ka treguar që ky proces në këto 5 qarqe që ne kemi rekomanduar është mjaft impenjativ nga pikëpamja e resurseve njerëzore që duhet të angazhojmë por edhe sistemit elektronik nga pikëpamja teknike. Kemi nevojë për të paktën 1 vit kohë për ta përgatitur këtë proces, nëse duam që ky proces të mos marrë asnjë lloj kritike nga askush në përfundim të zgjedhjeve të vitit 2025”, u shpreh ai.
(Marrë nga KQZ)