Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.


Ibrahim Kodra është emri i një piktori të madh, që lindi në një vend të vogël si Shqipëria, por që talenti, jeta dhe arti i tij, kapërceu kontinente. Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, që përkon me datën 7 shkurt të vitit 2006, vjen ky portret për Ibrahim Kodrën, piktorin që kurrë nuk e hoqi penelin nga dora. Një rrëfim që tenton të zbardhë disa nga momentet më domethënëse të jetës së tij, ato që formuan shpirtin e artistit të ardhshëm e njëkohësisht forcuan bindjen e personaliteteve të kohës për aftësinë e madhe artistike të piktorit shqiptar.

Ibrahim Kodra u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare, në Milano, qytetin ku kaloi vitet më të rëndësishme të karrierës së tij. Pas mjeshtrit të madh të penelit, pas miqësive të jashtëzakonshme me njerëz që i dhanë frymëmarrje artit në ato vite, pas sportistit dhe dëshirës për të kënduar muzikën tradicionale të vendit të tij, pas mashkullit elegant dhe pasionant, qëndronte një djalosh mjaft i talentuar, që lindi (1918) në një fshat të vogël të Durrësit (Ishëm) dhe që si gjithë njerëzit kurajoz që besojnë tek vetja, la jetën idilike të fshatit, për tu bërë një nga artistët më të mëdhenj të arteve figurative, me famë ndërkombëtare.

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të. Portretin e sheh nëna mbretëreshë, e ëma e mbretit Zog, e cila e habitur nga mjeshtëria e piktorit të vogël i kërkon të birit (mbretit Zog) t’i akordonte një bursë për të ndjekur studimet në Tiranë. I riu Kodra dërgohet të ndjekë studimet në shkollën e mesme teknike “Harry Fultz”.

Ndërkohë ai ndjek kursin e pikturës së mjeshtrit Odise Paskali. Aftësitë e tij artistike nuk mund të kalonin pa u vënë re e për këtë pavarësisht se ishte i ri ai dizenjoi kopertinën e botimit të parë të librit të Haki Stërmillit, “Sikur të isha djalë” si dhe pikturonte posterat e filmave që shfaqeshin në atë kohë në kinematë e Tiranës.

Por krahas pasionit për pikturën, Kodra ishte një sportist shumë i mirë. Gjatë viteve të shkollës, ai shpallet kampion i vendit në hedhjen e diskut dhe ngritjen e peshave. Dëshira për t’u marrë me sport nuk do t’i ndahej Kodrës deri pak muaj para se të mbyllte sytë.

Ndërsa fiton bursën e studimit të akorduar nga mbretëresha e Shqipërisë ai niset drejt Italisë. Nën sugjerimin e konsullit italian në Tiranë autoritetet e vendit fqinjë i akordojnë një tjetër bursë studimi dhe regjistrohet në Akademinë e Arteve të Brerës.

Një vit pas përfundimit të studimeve në Akademinë e Arteve të Breras në vitin 1944, hapi studion vetjake në Milano.

Në Akademinë e Brerës nën udhëheqjen e profesorit të tij dhe një prej piktorëve më të mëdhenj futuristë italianë, Carlo Carra, piktori shqiptar do të krijonte origjinalitetin e tij artistik që shfaqet në etapa të ndryshme të krijimtarisë së tij, kur ai rroku rryma të ndryshme si abstraksionizmin, artin informal, surrealizmin, kubizmin, periudhën fondomarino e për ta mbyllur me atë që përfaqëson Kodrën origjinal, “Totemin kodrian”.

Piktori i ri shqiptar nis udhëtimin e tij në kërkim të njohjes, e cila më pas do ta kalonte çdo skemë dhe formulë.

Që prej atij viti deri në ndarjen nga jeta, ai ka krijuar dhe ekspozuar në Itali dhe në vende të tjera të Europës dhe të Amerikës, përkrah artistëve më të shquar të pikturës botërore.

Temat historike e simbolike që gjenden në figurat e tablove “Muzikantët”, “Arkeologu”, “Shqipëria fantastike”, “Qyteti ideal”, kanë krijuar sistemin e tij të mëvonshëm, një zbulim “high-tech” në pikturën moderne, një eksplorim në sistemin e tij robotik.

E gjithë pasuria artistike që ka lënë pas në pikturë Ibrahim Kodra janë rreth 6 mijë vepra, të shpërndara nga muze privatë, koleksionistë dhe vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara.

“Kodra është zanafilla e një qytetërimi të ri”, ishte vlerësimi i poetit të madhë francez Pol Elyar, i befasuar me bukurinë e veprave të Kodrës.

Ndërkohë që përcaktimin tjetër të poetit Pol Elyar si “Një primitivist i një civilizimi të ri”, vetë Kodra e quan si përkufizimin më të saktë të stilit të tij krijues. Ndjesia mesdhetare dhe shpirti ballkanik, nëpërmjet brushës së mjeshtrit, i ka dhënë një nuancë të veçantë kubizmit në veprat e tij.

Piktori që kishte miqësi me artistët më të mëdhenj të epokës si Picasso, Matisse, Elyar, Heminguej, Montale, Moravia etj, nuk e harroi asnjëherë origjinën shqiptare. Nëna e tij dhe Shqipëria ishin gjërat më të shtrenjta për të.

Ndër vepra më e njohur që dëshmonë lidhjen e piktorit me atdheun është kompozimi “Shqipëria fantastike”. Eshtë një vepër që maestro Ibrahim Kodra e ka realizuar për një muaj. Ishte viti 1997 kur Shqipëria ndodhej në një moment të vështirë, ku mediat e huaja pasqyronin me kronika filmike apo fotografi revistash anarkinë që kishte pushtuar vendin… Kodra u mbyll për një muaj në studio dhe e realizoi këtë vepër, pas përfundimit të saj e publikoi në mediat italiane”. Ndonëse prej vitesh nuk kishte lidhje të ngushta më Shqipërinë, kjo vepër tregon më së miri se çfarë mendonte Kodra për vendin tonë. Për të, atdheu i tij nuk ishte tjetër veçse “Shqipëria fantastike”.

Vizatimet e para për nënën i ruajti gjatë gjithë jetës, ndërsa flamurin shqiptar e mbajti me vete edhe në shtratin e spitalit, ku mbylli sytë.

Varri i tij monumental gjendet në vendlindjen e tij, sipas amanetit që la, përballë hyrjes së kalasë së Ishmit, Durrës.

Ndërkohë që për të nderuar dhe njohur veprën e tij, është menduar të ndërtohet një muze ku do të ekspozohen vepra të Kodrës, bibliografia e plotë e tij, shumë nga rreth 8.000 fotot e piktorit, që dokumentojnë etapa të ndryshme të jetës dhe krijimtarisë, një pjesë e kostumeve të tij, veglat muzikore si kitara, mandolina, sazet etj që ai pëlqente shumë t’i binte, çmimet dhe titujt me të cilat është nderuar në vite, apo letërkëmbimi që ka pasur me personalitete shqiptare e të huaja. Nëse do të bëhet realitet, ai do të jetë muzeu i tretë për Kodrën, pas atij të Milanos në Itali dhe Luganos, Zvicër.

Ndërkohë Fondacioni “Ibrahim Kodra” ka në fondin e tij 101 tablo dhe vizatime të piktorit të famshëm, dy skulptura në bronz si dhe objekte në qeramikë të krijuara nga Kodra në periudha të ndryshme të krijimtarisë së tij, të cilat do të bëhen pjesë e muzeut.

Fatmirësisht publiku shqiptar ka mundur të shohë veprën origjinale të piktorit, në të gjallë të tij, kur në Galerinë Kombëtare të Arteve u ekspozua një pjesë e tyre dhe njëkohësisht vetë piktori ishte prezent.

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…