Rama për vizitën e Blinken: Do të gjejë një aleat të angazhuar për bashkëpunimin e gjithanshëm në rajon

Gjatë vizitës në Tiranë, Blinken do të rikonfirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Shqipërinë


Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ardhja e një Sekretari të Shtetit në këto kohë kaq të trazuara për botën, si edhe zgjedhja për ta vizituar rajonin tonë duke u ndalur pikërisht në kryeqytetin tonë, kanë një vlerë të veçantë për Shqipërinë”.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka folur lidhur me vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë.

“E teksa përgatitemi për t’i uruar mirëseardhjen mikut të çmuar, dua të rinënvizoj angazhimin e plotë të Shqipërisë në partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara. Sekretari Blinken në Tiranë do të gjejë një vend aleat të angazhuar për paqen, stabilitetin demokratik dhe bashkëpunimin e gjithanshëm në rajonin tonë. Shqipëria i ka shtrirë dorën e miqësisë të gjithëve në rajon dhe mbështet pa asnjë rezervë përpjekjet e Bashkimit Europian e të Shteteve të Bashkuara për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, si një çelës i padiskutueshëm strategjik për sigurinë, zhvillimin dhe mirëqënien e bashkësisë së popujve tanë në zemër të Europës, ku e shkuara e mbushur me tragjedi, konflikte e prapambetje, duhet t’ia lerë njëherë e mirë vendin të ardhmes së mbushur me mundësi, partneritete e zhvillim”, thekson Rama.

Kreu i Ekzekutivit shton më tej se “ai do të gjejë një vend të përkushtuar të NATO-s, një anëtar të gatshëm të Aleancës Euro-Atlantike për të vazhduar investimet e gjithanshme për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Shqipëria është vijimësisht gati të angazhojë trupa dhe burime të reja, në kuadrin e angazhimit kolektiv të të gjitha vendeve anëtare për fuqizimin e NATO-s, në mbrojtje të vlerave të patjetërsueshme që mishërojnë vetë arsyen ekzistenciale të komunitetit tonë demokratik. Vendi ynë është në krah të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit e në kundërvënien ndaj çdo shembëlltyre të totalitarizmit dhe Sekretari i Shtetit do ta gjejë Shqipërinë të vendosur pa rezervë në mbështetjen e luftës së Ukrainës mike për lirinë dhe mbijetesën e saj”.

“Sekretari Blinken do të gjejë një Shqipëri mirënjohëse për miqësinë e pazëvendësueshme dhe për mbështetjen pa rezerva të Shteteve të Bashkuara në rrugën e transformimit tonë rrënjësor, e posaçërisht në këtë kohë një Shqipëri falënderuese për partneritetin e çmuar të Shteteve të Bashkuara në reformimin historik të sistemit të drejtësisë, ku qeveria që unë kam privilegjin të udhëheq mbetet vendosmërisht garante e pavarësisë së drejtësisë së re, në përpjekjen e madhe për zhbërjen e kulturës së vjetër të pandëshkueshmërisë. Rilindja e besimit të publikut tek drejtësia, falë disa goditjeve kuptimplota antikorrupsion në nivelet më të larta, është një arritje e parë kuptimplotë në rrugën e re të shtetbërjes demokratike, ku vendosja e sundimit të barabartë të ligjit përbën kushtin themelor të ndarjes epokale me të shkuarën njëqind e kusur vjeçare të pabarazisë para ligjit në këtë vend. Për të vazhduar me sukses në këtë rrugë tejet sfiduese, asistenca e pandërprerë e Shteteve të Bashkuara në rritjen e forcimin e kapaciteteve tona është pa dyshim, një ndër kushtet e patjetërsueshme të kësaj faze vendimtare për konsolidimin pa kthim të shtetit të së drejtës dhe për rifitimin e aq shumë kohe të humbur në të kaluarën e afërt, për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, deklaron kryeministri Rama.

Gjithashtu, Rama shton se “Sekretari i Shtetit do të gjejë një Shqipëri në punë, me rritje të vazhdueshme ekonomike e me vullnet të prekshëm transformues në sektorin publik dhe atë privat, por edhe me vetëdijen e plotë të boshllëqeve e të mangësive ende të shumta, të cilat duhen adresuar përmes thellimit të reformave që garantojnë mirëqeverisjen në çdo nivel, fuqizojnë komunitetet vendore, promovojnë barazinë gjinore, stimulojnë grupet e interesit, përshpejtojnë modernizimin, sigurojnë zhvillimin e qëndrueshëm”.

“Prandaj Sekretari Blinken do të gjejë në Shqipëri edhe ftesën tonë që ai dhe pala amerikane në tërësi, t’i inkurajojnë kompanitë e vendit mik të investojnë në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare, e po ashtu t’i nxisin edhe bashkëqytetarët e tyre të vizitojnë Shqipërinë turistike, e cila tanimë është ngjitur me plot meritë në ligën kryesore të turizmit mesdhetar. Mirësevini zoti Sekretar! Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Miqësia Juaj na nderon!”, përfundoi kryeministri Rama.

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka njoftuar më herët se Blinken do të udhëtojë në Tiranë dhe Mynih, Gjermani, nga 14-17 shkurt.

Gjatë vizitës në Tiranë, Blinken do të rikonfirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Shqipërinë, një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i fortë në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

(Marrë nga ATSH)

Lexo më shumë nga

Qose: Partneriteti me ambasadën e SHBA, shtyllë kyçe për modernizimin e sistemit penitenciar

Drejtori i përgjithshëm i Burgjeve Klevis Qose gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me…

Global 360

Marrëveshja trepalëshe me Shqipërinë dhe Emiratet, Meloni: Projekt ambicioz, ndërlidhje e re energjetike

Meloni theksoi se është e gëzuar që të nënshkruajë kuadrin e partneritetit strategjik me Kryeministrin Rama për të nisur një…

Diplovista

Hetimet e SPAK-ut, Rama: I qetë e i vendosur që të vijojë beteja ndaj pandëshkueshmërisë

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri bën një bilanc të zhvillimeve kryesore të vendit, që nga përparimi në…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Qose: Partneriteti me ambasadën e SHBA, shtyllë kyçe për modernizimin e sistemit penitenciar

Drejtori i përgjithshëm i Burgjeve Klevis Qose gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me…