Ministrat e Jashtëm të FPP: T’i jepet fund persekutimit sistematik gjinor në Afganistan
Shqipëria u përfaqësua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Rrjeti për Politikë të Jashtme Feministe (FPP), ku bën pjesë edhe Shqipëria, përmes një deklarate dënon shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut, ndaj grave dhe vajzave në Afganistan, ndërsa bën thirrje që t’i jepet fund persekutimit sistematik gjinor.
Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të FPP u mblodhën gjatë punimeve të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku theksuan se shkelja e të drejtave të njeriut në Afghanistan mund të jenë krime kundër njerëzimit.
Më poshtë deklarata e vendeve të rrjetit të Politikës së Jashtme Feministe, në të cilin Shqipëria u përfaqësua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Deklaratë e Ministrave të Jashtëm të vendeve të rrjetit për Politikë të Jashtme Feministe (FFP)
Sot, në Konferencën e Sigurisë të Mynihut 2024, ne, Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Andorës, Belgjikës, Bullgarisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Kosovës, Lihtenshtajnit, Mongolisë, Holandës dhe Rumanisë shprehim shqetësimin tonë më të thellë për shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut, ndaj grave dhe vajzave në Afganistan, dhe u bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse që t’i japin fund persekutimit sistematik gjinor, i cili mund të çojë në krime kundër njerëzimit. Këtu përmendim edhe valën e fundit të ndalimeve të grave dhe vajzave në Afganistan nga talebanët.
Ne kërkojmë lirimin e tyre të menjëhershëm dhe rikonfirmojmw angazhimin tonë të palëkundur ndaj të drejtave themelore të grave dhe vajzave në Afganistan. Që nga takimi ynë i fundit në Konferencën e Sigurisë së Mynihut në vitin 2023, talebanët nuk kanë bërë asnjë përparim në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Afganistan, veçanërisht të drejtat themelore të grave dhe vajzave në të gjithë diversitetin e tyre, përkundrazi: Talebanët janë përgjegjës për një nga situatat më të rënda dhe më të tmerrshme të të drejtave të njeriut në mbarë botën.
Duke eliminuar gjysmën e popullsisë afgane nga jeta publike dhe vendimmarrja politike, ata kanë vënë në rrezik të ardhmen e Afganistanit. Ndalimi i arsimit të mesëm dhe universitar për vajzat dhe gratë, si dhe ndalimi i grave që punojnë në OJF dhe organizata të OKB-së janë shembuj konkretë për diskriminimin sistemik dhe sistematik. Rregullat e rrepta, të cilat cwnojnë lirinë e lëvizjes së grave dhe përjashtojnë gratë dhe vajzat nga hapësirat publike, ndalimet arbitrare të grave dhe rastet e martesave të detyruara, janë një mohim i hapur i të drejtave themelore të grave dhe vajzave.
Ne u bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse që të respektojnë plotësisht ligjin ndërkombëtar, në veçanti ligjin për të drejtat e njeriut, të mbrojnë të drejtat themelore të të gjithë afganëve, duke përfshirë pakicat etnike dhe fetare, dhe të revokojnë të gjitha vendimet që kufizojnë të drejtat themelore të grave dhe vajzave në një formë të tillë, që nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës.
Në veçanti, ne u bëjmë thirrje talebanëve që të lejojnë vajzat afgane të ndjekin arsimin e mesëm në përputhje me standardet ndërkombëtare. Komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të përqendrojë vëmendjen e tij në të drejtat e njeriut të grave dhe vajzave në Afganistan. Komuniteti ndërkombëtar duhet të përforcojë përpjekjet e tij për të përdorur instrumentet ligjore që ka në dispozicion në mbështetje të tyre, për t’i dhënë fund shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë dispozitat e konventave ndërkombëtare në të cilat Afganistani është palë.
Ne jemi të vetëdijshëm për nevojën për të adresuar sfidat e shumta që përfshijnë shtetin e Afganistanit dhe rajonin më gjerë, p.sh. luftën kundër terrorizmit dhe trafikut të drogës.
Ne theksojmë mirëkuptimin e përbashkët të komunitetit ndërkombëtar se respektimi i detyrimeve ndërkombëtare të Afganistanit nga autoritetet përgjegjëse, veçanërisht në lidhje me të drejtat e njeriut, mbetet një nga parakushtet kryesore për riintegrimin e shtetit të Afganistanit në sistemin ndërkombëtar.