Tafa: Përcaktim me ligj i kornizës ligjore për sigurinë kibernetike
Në drejtimin e kryetares Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në mbledhjen e tij të radhës online mori në shqyrtim dy projektligje.
Në drejtimin e kryetares Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në mbledhjen e tij të radhës online mori në shqyrtim dy projektligje.
Fillimisht në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi u shqyrtua projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, nismë e 12 deputetëve të Grupit Parlamentar të PS-së, i cili u prezantua nga deputeti Fadil Nasufi.
Gjatë prezantimit të nismës, Nasufi parashtroi se inicimi për ndryshimet në ligjin erdhi pas kërkesës së bërë nga disa kryetarë të bashkive, të cilët si administratorë vendorë të bashkive që kanë në territor zona të mbrojtura kanë ngritur shqetësimin dhe kërkojnë marrjen në konsideratë të ndryshimit të kuadrit ligjor, pasi është një ligj që krijon problematika në zbatim dhe privon qeverisjen vendore në administrimin e zonave të mbrojtura, zhvillimin e qëndrueshëm të tyre, përfitimin e komunitetit lokal, etj.
Më tej, Nasufi shpjegoi procedurën e ndjekur për konsultimin publik me shoqatat dhe grupet e interesit, marrjen e mendimit nga ministria e linjës, si dhe nënvizoi se qëllimi i nismës është përmirësimi i menaxhimit të zonave të mbrojtura; zgjidhja e disa problematikave konkrete në terren që lidhen me informalitetin dhe ndërtimet pa leje që janë kryer përgjatë viteve të tranzicionit brenda zonave të mbrojtura dhe që janë ende të patrajtuara për shkak të paqartësisë ligjore të kompetencave; harmonizim midis ligjit për zonat e mbrojtura me ato me përparësi zhvillimi që janë prioritet kombëtar, për të shmangur mbivendosjet dhe pasur një ecuri paralele mes instrumenteve të planifikimit dhe zhvillimit të planeve vendore, etj.
Deputeti Jurgis Çyrbja në cilësinë e relatorit vlerësoi rëndësinë e nismës për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe zgjidhjen e disa problematikave në terren të prezantuara nga përfaqësuesit e pushtetit vendor, kryesisht në bashkëpunimin mes pushtetit lokal, administratës së zonave të mbrojtura dhe komunitetit, por dhe nxitjen e ekonomisë së qëndrueshme. Duke vlerësuar kushtetueshmërinë dhe përputhshmërinë me Rregulloren dhe legjislacionin në fuqi, Çyrbja ftoi kolegët ta miratojnë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen me disa sugjerime për komisionin përgjegjës dhe në tërësi projektligjin në fjalë.
Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për sigurinë kibernetike”. Të ftuar për prezantimin e projektligjit ishin Igli Tafa, drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike të Shqipërisë (AKCESK), si dhe stafi teknik i AKCESK dhe Ministrisë së Financave.
Tafa bëri një prezantim të nevojës së sjelljes së projektligjit, si dhe rëndësisë së rritjes së kapaciteteve dhe sigurisë kibernetike në epokën digjitale, duke theksuar se qëllimi i këtij projektligji është përcaktimi i kornizës së nevojshme ligjore për sigurinë kibernetike, përafrimin me legjislacionin e BE-së dhe arritjen e një niveli të lartë të sigurisë kibernetike në nivel kombëtar, duke përcaktuar në mënyrë të qartë procedurat dhe masat e sigurisë.
Më tej, Tafa bëri një paraqitje të ndryshimeve që parashikon projektligji për ngritjen e infrastrukturës për sigurinë kibernetike, përcaktimin në mënyrë të qartë të autoritetit përgjegjës për sigurinë kibernetike; ngritjen e një strukture që bën monitorimin e sigurisë në nivel kombëtar – Qendra Kombëtare Operacionale e Sigurisë Kibernetike (SOC); – parashikimin në ligj të ngritjes së një strukture për trajtimin e situatave emergjente dhe gjendjes së krizës kibernetike – Ekipi i Përgjigjes ndaj Emergjencave të Sigurisë Kibernetike (CERT); etj.
Deputeti Plarent Ndreca, në cilësinë e relatorit vlerësoi kushtetueshmërinë dhe përputhshmërinë me Rregulloren e Kuvendit, si dhe paraqiti disa sugjerime të teknikës legjislative për riformulimin e disa neneve të caktuara. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen sipas propozimeve të relatorit, si dhe në tërësi projektligjin në fjalë.
Pika e fundit të rendit të ditës së komisionit ishte shqyrtimi i projektvendimit “Për propozimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik”. Bushka sqaroi se komisioni ka kryer të gjithë procedurën e nevojshme dhe ka zhvilluar dëgjesat me kandidaturat e propozuara nga Këshilli i Ministrave e më konkretisht: Nertila Mihali, Bledar Cengu dhe Gjergji Mersini.
Bushka sqaroi se të tre kandidatët plotësojnë kriteret dhe kushtet e parashikuara në ligji dhe se në dëgjesë kanë pasur performancë pozitive, duke propozuar që të tre kandidaturat ti kalojnë seancës plenare për të bërë përzgjedhjen e njërit prej kandidatëve.
(Marrë nga ATSH)