Ecuria e ekonomisë kineze 2024, objektivat dhe pritshmëritë
Më 5 mars në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin, kryeministri kinez Li Qiang paraqiti Raportin e punës së qeverisë, duke vënë në dukje se ekonomia e vendit gjatë vitit të kaluar u rimëkëmb dhe pati një prirje pozitive.
Më 5 mars në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin, kryeministri kinez Li Qiang paraqiti Raportin e punës së qeverisë, duke vënë në dukje se ekonomia e vendit gjatë vitit të kaluar përgjithësisht u rimëkëmb dhe pati një prirje pozitive. Produkti i brendshëm bruto (PBB) i Kinës i kaloi 126 trilionë juanët, duke u rritur me 5.2 % dhe duke u radhitur në vendin e parë ndër ekonomitë kryesore të botës. Ky Raport, që prezantoi objektivat e ekonomisë kineze në vitin 2024 ka ngjallur interes të veçantë jo vetëm brenda vendit, por dhe në nivel global. Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, Dr. Enriko Ceko komenton gjerësisht Raportin e punës së qeverisë kineze
Dr. Enriko Ceko në intervistë për CMG
CMG: Raporti i punës i qeverisë kineze për vitin 2024 u paraqit nga kryeministri i vendit Li Qiang më 5 mars në kuadër të Dy Sesioneve, duke parashtruar objektivat kryesore të ecurisë së ekonomisë së dytë të botës, me rëndësi të posaçme jo vetëm për Kinën, por dhe me ndikim global. Opinioni juaj për këtë raport
Dr. Enriko Ceko: Të paktën 10 vitet e fundit “Dy Sesionet”, të cilat mblidhen zakonisht në fund të shkurtit dhe fillim të marsit, janë ngjarjet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale jo vetëm për Kinën, por edhe për pjesën tjetër të botës. Çeshtjet që trajtohen në këto Dy Sesione nuk janë të thjeshta dhe për të cilat mund të merren vendime “me një të rënë të lapsit”, por janë vendime të rëndësishme të cilat ndikojnë në balancat globale. Në këtë aspekt drejtuesit e këtyre Dy Sesioneve përpiqen që vendimet të cilat janë të rëndësishme për brenda Kinës, të mos dëmtojnë balancat ndërkombëtare.
Dr. Enriko Ceko
CMG: Kina ka vendosur një objektiv ambicioz të rritjes ekonomike prej “rreth 5%” për vitin 2024, pasi udhëheqësit e saj u zotuan të “transformojnë modelin e rritjes” përballë sfidave të rëndësishme me të cilat përballet zhvillimi i saj. Shifra e ngjashme me objektivin e rritjes së vitit të kaluar u njoftua nga kryeministri kinez Li Qiang të martën në hapjen e mbledhjes vjetore të Asamblesë Kombëtare Popullore,apo siç mund ta thjeshtësojmë Parlamentit të Kinës, ku morën pjesë rreth 3,000 delegatë në takimin njëjavor në Pekin. Komenti juaj për këtë objektiv
Dr. Enriko Ceko: Ne e kemi diskutuar këtë çeshtje, madje dhe pyetjes së madhe të analistëve perëndimorë nëse Kina do të kishte një rritje prej 5 për qind, i jemi përgjigjur se rritja ekonomike e Kinës do të jetë diku rreth sshifrës nga 5.2-5.6%.
Kryeministri kinez Li Qiang (Foto CMG)
Nëse do t’i referohemi të dhënave të Byrosë Kombëtare të Statistikave të Kinës, PBB-ja e Kinës është 5.2% , por çfarë ka përtej këtij prodhimi? Të ardhurat për person janë rritur në 5.7% dhe nga ana tjetër dhe produktiviteti për punëtorë është rritur në më shumë se 5.5-6% në varësi të sektorit. Kjo rritje e qendrueshme ekonomike vërtet është në shifra relative 5.2% , por në shifra absolute është disa herë më e madhe se rritja ekonomike e Kinës në shifrën 10 % para 10 vjetëve.
Kujtojmë se para 10 vjetëve rritja ekonomike e Kinës ka qenë 10 për qind, kurse tani thuhet se ka shkuar 5 për qind.
CMG: Ndoshta për këtë ka komente pesimiste sa i përket rritjes ekonomike?
Dr. Enriko Ceko: Në vlerë absolute në para, apo në dollarë 5 % i vitit 2023 është 3-4 herë më i lartë se 10 % e 10 viteve më parë. Nëse flasim për shifrën 10 për qind të vitit 2003 për shembull, ai ishte 6 mijë dollarë për frymë, por nëse flasim për 10% të vitit 2013 ishte rreth 12 mijë dollarë për frymë. Ndërsa aktualisht flasim për 18 mijë dollarë për frymë. Bëhet fjalë për të ardhura reale dhe të arrish shifrën 18 mijë dollarë me 5 % është shumë më shumë se sa të arrish shifrën 6 mijë dollarë me 10%.
Modernizimi i Kinës (Foto China Daily)
CMG: Në Raportin e punës së qeverisë të paraqitur nga kryeministri kinez Li Qiang të shifrës 5 për qind, ai shtoi se nuk do të jetë shumë e lehtë arritja e saj. Ju si e komentoni këtë?
Dr. Enriko Ceko: Po, sepse sa më shumë zhvillohet ekonomia, aq më e vështirë bëhet të kesh rritje ekonomike me shifra të larta. Aq më tepër kur flasim për një vend me një popullsi prej 1 miliard e 400 milionë banorësh. Le të bëjmë një krahasim me Danimarkën. Në vitet 60-të ky vend e kishte rritje ekonomike 6%, por të ardhurat e një qytetari danez ishin rreth 6 mijë dollarë në vit pra të ardhura në 360 dollarë. Ndërsa në 3-4 vitet e fundit Danimarka i ka të ardhurat për frymë 50 mijë dollarë, ndërsa rritjen ekonomike e ka 0.5 për qind.
1 për qindshi i 50 mijës bën 500 dollarë, ndërsa 6 përqindshi i viteve 60-të bënte 360 dollarë. Ndaj në këto përllogaritje analistët duhet të kenë kujdes kur flasin me shifra absolute dhe relative.
CMG: Institucionet ndërkombëtare si FMN dhe të tjera si e kanë vlerësuar parashikimin për rritjen ekonomike 5% të Kinës për vitin 2024?
Punimet e 2 Sesioneve në Kinë (Foto China Daily)
Dr. Enriko Ceko: Unë i referohem Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili ka marrë një vendim shumë të rëndësishëm vitin e kaluar që monedhën kineze RMB e futi në shportën e monedhave të forta ndërkombëtare. Ky vendim e mbyll të gjithë debatin se sa e fortë është ekonomia kineze.
Në gjykimin tim ekonomia kineze është e fortë por ka një dallim shumë të madh me ekonomitë rreth saj, por dhe ato perëndimore, sepse ajo ka 4 karakteristika kryesore. Kjo ekonomi ecën e sigurtë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ekonomia e Kinës është e qendrueshme dhe këtë e tregon rritja ekonomike ndër vite, por përveç qendrueshmërisë, ky stabilitet është në rritje. Nga ana tjetër besimi i publikut brenda vendit te ekonomia është shumë herë më i lartë se besimi i publikut në ekonominë europiane. Kjo është pjesa më e rëndësishme për një ekonomi. Nëse do t’i referohemi ekonomisë shqiptare, guvernatori i Bankës së Shqipërisë del në publik dy herë në vit për të treguar besueshmërinë e qytetarëve ndaj sektorëve të ekonomisë.Pra është e njejta gjë. Aq më tepër për një ekonomi të madhe.
Unë besoj që edhe vitin tjetër rritja ekonomike e Kinës do të jetë tek 6 %. Kjo sepse Kina në 5 vitet e fundit ka bërë një ndryshim rrënjësor në aspektin e fuqisë punëtore. Në Kinë ka rreth 740 milion forca pune, nga të cilët 470 milionë forca pune urbane, pra që nuk punojnë në bujqësi, por në industri. Rritja që sjell industria reflektohet menjëherë në rritjen ekonomike të vendit. Nëse sektori i industrisë rritet me 2%, kjo reflektohet në rritjen ekonomike me 1 %. Nëse sektori i bujqësisë rritet me 6%, kjo reflektohet me 1 % në rritjen ekonomike. Dikur Kina kishte më shumë forca pune që punonin në fshat, në bujqësi, por tani në sajë të migrimit të brendshëm pozitiv dhe shëndetshëm, kemi një ndikim të drejtpërdrejtë në fluksin e rritjes ekonomike që vjen nga industria.
Paralelisht po punohet për zhvillimin rural dhe industrializimin e bujqësisë që të kompensohen forcat e punës. Bujqësia kineze më parë ka qenë e natyrës ekstensive, ku qëllimi kryesor ishte të shfrytëzohej sa më shumë toka bujqësore. Tani kjo nuk mjafton dhe prodhimi bujqësor ka kaluar nga teknika e zgjerimit të sipërfaqes së tokës në rritjen e rendimentit në sipërfaqen ekzistuese. Kjo rritje e rendimentit bëhet me mekanikë bujqësore, me inovacion dhe teknologji të përparuar.
CMG: Kina do të shfrytëzojë rolin udhëheqës të inovacionit dhe do të nxisë risitë industriale nëpërmjet përparimeve tekniko-shkencore dhe industrializimit të ri, thuhet në raportin e punës së qeverisë kineze të vitit 2024, që u paraqit të martën për shqyrtim në sesionin vjetor të organit më të lartë ligjvënës të vendit. Sipas raportit, Kina do të përpiqet të modernizojë sistemin industrial dhe të zhvillojë forca të reja prodhuese cilësore me një ritëm më të shpejtë.
Dr. Enriko Ceko: Kjo lidhet drejtpërdrejt me atë që u deklarua në Kongresin e fundit të PKK-së se Kina do të drejtohet nga menaxhimi shkencor. Kjo do të thotë që të gjitha njohuritë dhe kompetencat të orientohen te krijueshmëria, inovacioni dhe standardet në periudhën e dixhitalizimit. Të gjitha këto bëjnë që fuqia punëtore të mos ketë më vetëm disa njohuri të thjeshta, por të jetë e mirëkualifikuar në mënyrë që proceset e punës, rregulloret dhe standardet të respektohen.
CMG: Një ndihmë të madhe në këtë proces jep dhe teknologjia
Dr. Enriko Ceko: Patjetër. Kur flasim për dixhitalizimin duhet të theksojmë se Kina ka bërë një hap shumë të madh në vendosjen e sensorëve në të gjitha proceset e prodhimit për t’i përmirësuar ato. Ky është menaxhimi shkencor.
CMG: Nëse do të ndalemi sërish te Raporti i punës së qeverisë për vitin 2024 aty përmendet hapja më e madhe e Kinës ndaj botës, duke iu referuar rritjes së investimeve të huaja në Kinë, por dhe shtimit të investimeve kineze në botë
Dr. Enriko Ceko:Thithjen e investimeve të huaja dhe thirrjen që u bëhet investitorëve kinezë për të investuar jashtë vendit Kina e ka bërë në një shkallë shumë të gjerë dhe si e tillë rezultatet e pritshme do të jenë të mëdha.
Lidhur me thirrjen e investitorëve të huaj për të shkuar në Kinë, ky vend ka premtuar që për vitin 2024 në sektorin industrial do të hiqen të gjitha barrierat. Kjo është shumë e rëndësishme sepse do të investohet në industri, ku do të përqendrohen dhe forcat e punës. Në zonat urbane të Kinës numri i të rinjve në moshë pune është në rritje dhe fuqia punëtore për investitorët e huaj ekziston.
CMG: Mungesa e fuqisë punëtore është një problem i mdh në ekonomitë europiane
Rritja ekonomike e Kinës 2024 (Foto China Daily)
Dr. Enriko Ceko: Po, është një problem ndërkombëtar ky. Nëse do t’i referohemi vitit 2023 të rinjtë që u futën për herë të parë në punë në zonat urbane të Kinës ishin rreth 14 milion.
CMG: Ndërsa objektivi i shtimit të vendeve të reja të punës, sipas raportit të qeverisë kineze për vitin 2024 ishte 12 milion
Dr. Enriko Ceko: Për sektorët e tjerë siç është ai i shërbimeve, i telekomunikacionit dhe dixhitalizimit do të ketë reduktim të barrierave për hyrjen e kompanive të huaja në tregun kinez. Ishte interesante në deklaratën e kryeministrit kinez, i cili tha se do të heqim dhe reduktojmë barrierat, për t’i bërë ato të barabarta me të gjithë tregun ndërkombëtar. Kjo do të thotë se Kina po plotëson një kërkesë të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT),ndërkohë që vendet e tjera nuk po e bëjnë këtë.
Intervistoi Eda Merepeza
Burimi: CRI.CN