Raporti i OKB-së: Shqipëria renditet në kategorinë e lartë të zhvillimit njerëzor
Shqipërinë renditet në vendin e 74-t nga 193 shtete dhe territore
Vlera e Indeksit të Zhvillimit Njerëzor për Shqipërinë për vitin 2022 është 0.789 vlerë që e pozicionon vendin në kategorinë e Lartë të zhvillimit njerëzor duke e renditur Shqipërinë në vendin e 74-t nga 193 shtete dhe territore, sipas raportit të ri të publikuar sot nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Raporti i Zhvillimit Njerëzor (HDR) 2023/24, i titulluar “Gjetja e rrugëdaljes nga bllokimi: Rikonceptimi i bashkëpunimit në një botë të polarizuar”, shfaq Indeksin e Zhvillimit Njerëzor (HDI), që pasqyron të Ardhurat Kombëtare Bruto (AKB) për frymë, arsimin dhe jetëgjatësinë e pritshme të një shteti
“Zgjerimi i hendekut të zhvillimit njerëzor që konstatohet nga raporti, tregon se tendenca e uljes së qëndrueshme të pabarazive ndërmjet kombeve të pasura dhe të varfra, e cila ekzistonte prej dy dekadash, tashmë ka ndryshuar drejtim. Duhet të shfrytëzojmë ndërvarësinë dhe kapacitetet tona për të trajtuar sfidat e përbashkëta dhe ekzistenciale, si dhe për të garantuar përmbushjen e aspiratave të njerëzve”, është shprehur Achim Steiner, Administratori i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim.
Raporti thekson faktin se deglobalizimi nuk është diçka e mundshme ose realiste në botën e sotme dhe se ndërvarësia ekonomike vazhdon të mbetet e lartë. Ai nënvizon se asnjë rajon nuk është pranë arritjes së vetëplotësimit të nevojave, pasi çdo rajon varet nga importet nga rajone të tjera për të siguruar 25% ose më tepër të të paktën një lloji malli ose shërbimi kryesor.
Raporti nënvizon mënyrën se si po rikonfigurohen ndërvarësitë globale dhe bën thirrje për një prodhim të ri të të mirave publike globale. Raporti propozon katër fusha ku nevojitet veprim i menjëhershëm: të mira publike për zhvillimin e planetit, për të arritur qëndrueshmëri klimatike, në një kohë kur përballemi me sfidat e paprecedente të epokës së Antropocenit; të mira publike globale dixhitale, për të arritur barazi më të lartë në shfrytëzimin e teknologjive të reja me qëllim zhvillimin njerëzor të barabartë; mekanizma financimi të rinj dhe të zgjeruar, duke përfshirë një drejtim të ri të bashkëpunimit ndërkombëtar që plotëson asistencën humanitare dhe ndihmën tradicionale për zhvillim për vendet me të ardhura të ulëta; dhe zbutja e polarizimit politik përmes qasjeve të reja të qeverisjes, fokusi i të cilave është t’u japin njerëzve më tepër zë gjatë konsultimeve formale, si dhe përmes parandalimit të keqinformimit.
Raporti evidenton ndër të tjera se; në vitin 2023, të 38 vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) arritën rezultate më të larta të Indeksit të Zhvillimit Njerëzor (HDI) krahasuar me nivelet e vitit 2019.
Ndër 35 vendet më pak të zhvilluara (LDC) që përjetuan një rënie të HDI-së së tyre në vitin 2020 dhe/ose 2021, më tepër se gjysma (18 vende) nuk janë rikthyer ende në nivelet e zhvillimit ekonomik të vitit 2019.
Ndikimi i humbjeve të zhvillimit njerëzor është veçanërisht i dukshëm në Afganistan dhe Ukrainë. HDI-ja e Afganistanit ka pësuar rënie të ndjeshme duke u kthyer në nivelet e para dhjetë viteve, ndërsa HDI-ja e Ukrainës ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 2004.
(Marrë nga ATSH(