Sejko me homologun italian, Panetta: Bashkëpunim për sistemin e pagesave TIPS

Guvernatori Gent Sejko kryesoi delegacionin e nivelit të lartë nga Banka e Shqipërisë, në një vizitë zyrtare pranë Bankës së Italisë


Guvernatori Gent Sejko kryesoi delegacionin e nivelit të lartë nga Banka e Shqipërisë, në një vizitë zyrtare pranë Bankës së Italisë, në kuadër të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy bankave qendrore dhe zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit teknik në fusha të ndryshme.

Gjatë vizitës, Guvernatori Sejko u prit nga Guvernatori i Bankës së Italisë, Fabio Panetta, si dhe zhvilloi takime të rëndësishme me drejtues të tjerë të këtij institucioni, si Patrizio Pagano, Drejtues i Sekretariatit të Këshillit Drejtues dhe Luigi Cannari, Drejtor i Përgjithshëm për Tregjet dhe Sistemet e Pagesave. Bisedimet u përqendruan kryesisht në marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, në ecurinë e sistemit bankar shqiptar, si dhe në zhvillimet më të fundit në Eurozonë.

Fillimisht, Guvernatori Sejko e uroi homologun Panetta për marrjen e detyrës së re të Guvernatorit në krye të Bankës së Italisë dhe u shpreh besimplotë se bashkëpunimi midis dy institucioneve do të vijojë të forcohet edhe më tej.

Guvernatori u shpreh se aktiviteti i Bankës së Shqipërisë është orientuar nga përmbushja e misionit dhe detyrave ligjore, si dhe nga jetësimi i angazhimeve të marra në strategjinë afatmesme të zhvillimit. Një ndër objektivat strategjikë të Bankës së Shqipërisë është modernizimi i sistemeve të pagesave dhe më konkretisht anëtarësimi në Tregun Unik të Pagesave në Euro, njohur ndryshe si SEPA, dhe zbatimi i projektit për pagesat e shpejta (Instant Payment), për të cilin Banka e Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me Bankën e Italisë dhe Bankën Qendrore Evropiane.

Ai theksoi se përtej modernizimit të sistemit të pagesave në vetvete dhe standardizimit me praktikat evropiane, integrimi në një treg më të gjerë evropian, do të sjellë përfitime për ekonominë reale vendase. Pjesëmarrja në SEPA mundëson kryerjen e pagesave ndërkufitare më eficiente në terma të kostos, kohës dhe sigurisë. Nisur nga rëndësia që ka për Shqipërinë anëtarësimi në SEPA, në kuadër edhe të procesit të integrimit evropian të vendit, ai përbën prioritet për Bankën e Shqipërisë, e cila ka përmbushur me sukses të gjitha kërkesat ligjore e rregullatore dhe është plotësisht e angazhuar për të finalizuar procesin e aplikimit brenda muajit qershor 2024.

Gjithashtu, Guvernatori Sejko shtoi se implementimi me sukses i projektit për pagesat e shpejta do të krijojë kushtet për integrimin e sistemit të pagesave në vend me sistemin evropian TIPS (TARGET Instant Payment Settlement), si dhe mund të shërbejë potencialisht si një zgjidhje shembull dhe për vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Më konkretisht, ky sistem do të jetë një kopje e sistemit TIPS që operon Eurosistemi për pagesat e shpejta dhe do të ketë të njëjtat funksionalitete dhe ndërfaqe me të, duke bërë të mundur që në të ardhmen, sistemi lokal të integrohet lehtësisht me sistemin TIPS.

Banka e Shqipërisë do të përfitojë nga mbështetja teknike e Bankës së Italisë, ekspertiza dhe roli i saj i rëndësishëm si një nga bankat anëtare të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore.

Guvernatori Panetta vlerësoi kontributin dhe rolin e rëndësishëm të Bankës së Shqipërisë në sigurimin e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit. Në këtë drejtim, Guvernatori italian u shpreh se mbështetja dhe asistenca e Bankës së Italisë është dhe do të jetë maksimale për zbatimin e suksesshëm të projektit të modernizimit të sistemeve të pagesave dhe ofrimit të klonit të TIPS.

Ofrimi i klonit të TIPS është një projekt me rëndësi për Bankën e Italisë, i cili përfshin përfitime konkrete për Bankën e Shqipërisë në dy drejtime. Së pari, ky projekt i jep tregut dhe ekonomisë shqiptare një infrastrukturë pagesash të shpejta, në përputhje me standardet evropiane sipas SEPA-s, dhe në një hap zhvillimesh e përmirësimesh me vetë infrastrukturën evropiane TIPS. Së dyti, përgatit tregun e ofruesve të pagesave me një infrastrukturë (kloni i Tips) identike me atë të përdorur nga vendet e Bashkimit Evropian (TIPS). Kjo lehtëson integrimin e mëtejshëm të tregut në momentin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe aksesin në infrastrukturat evropiane të pagesave me lehtësi e me kosto minimale. (ATSH(

Udhëzim për miratimin e licencave për ripërdorimin e të dhënave të hapura

Ministri i MEKI, Blendi Gonxhja, dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi…

Global 360

Marrëveshja trepalëshe me Shqipërinë dhe Emiratet, Meloni: Projekt ambicioz, ndërlidhje e re energjetike

Meloni theksoi se është e gëzuar që të nënshkruajë kuadrin e partneritetit strategjik me Kryeministrin Rama për të nisur një…

Diplovista

Hetimet e SPAK-ut, Rama: I qetë e i vendosur që të vijojë beteja ndaj pandëshkueshmërisë

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri bën një bilanc të zhvillimeve kryesore të vendit, që nga përparimi në…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Udhëzim për miratimin e licencave për ripërdorimin e të dhënave të hapura

Ministri i MEKI, Blendi Gonxhja, dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi…