Kushner, dhëndri i Trumpit, projekt turistik për Sazanin
Kompania amerikane Affinity Partners, e sipërmarrësit amerikan Jared Kushner, synon të realizojë dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri.
Kompania amerikane Affinity Partners, e sipërmarrësit amerikan Jared Kushner, dhëndri i ish presidentit Donald Trump, synon të realizojë dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri, së bashku me një tjetër në Beograd, vlera e përbashkët e të cilëve mund të kalojë 1 miliard dollarët.
Sipas një artikulli të botuar sot nga Bloomberg News, kompania e investimeve e zotit Kushner me qendër në Majemi, planifikon të transformojë ishullin e Sazanit, i përdorur deri më vetëm si një baze ushtarake, në një eko-resort luksoz të markës Aman. Ai tha për Bloomberg-un, se “ishulli i Sazanit është një nga vijat bregdetare më të pacënuara dhe unike që kam parë parë kudo në botë”.
Kompania e tij Affinity kërkon gjithashtu të zhvillojë zonën e Zvërnecit, pranë Vlorës, duke planifikuar ndërtimin e disa resorteve me afro 10 mijë dhoma hotelesh dhe vila.
Për Bloomberg-un, zoti Kushner ka shpjeguar se duke hulumtuar me miqtë e tij Richard Grenell, i cili shërbeu si ambasador i SHBA në Gjermani gjatë administratës Trump, dhe Asher Abehsera, partner i tij biznesi, ai u tërhoq nga një nga zonat turistike me rritje më të shpejtë në botë.
Projekti i tij i tretë në Beograd, synon transformimin e tre blloqeve të braktisura, në zemër të kryeqytetit serb, në një hotel luksoz me hapësirë komerciale dhe më shumë se 1,500 rezidenca. Zona historike ka qenë e zbrazët që nga bombardimi i NATO-s në prill 1999 ndaj ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes të ish-qeverisë së atëhershme.
Zoti Kushner ka shërbyer si këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë. Pasi la punën e tij në qeveri, ai krijoi kompaninë Affinity Partners, e cila, sipas Bloomberg-ut, zotëron asete prej 3.1 miliardë dollarësh. Kompania pati mbështetjen e investitorëve nga vendet e Lindjes së Mesme, duke përfshirë rreth 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite. Ai po shikon gjithashtu mundësi për të investuar në energjinë e rinovueshme, qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale.
Lidhur me projektet e tij në Shqipëri, Ministria shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit i tha Zërit të Amerikës se kompania e zotit Kushner ka paraqitur një aplikim pranë Agjencisë së Zhvillimit të investimeve “për një projekt turistik në ishullin e Sazanit, si shumë aplikime që bëhen nga investitorë të huaj, dhe lajmi i mirë është që tanimë turizmi ka hyrë në sektorët e interesit të investitorëve të huaj, jo vetëm të shqiptarëve. Por sipas ligjit, projekti duhet të kalojë në disa shkallë shqyrtimesh, para se të merren vendime, por gjithsesi, deri sot, një projekt i tillë nuk ka ardhur ende në Ministrinë e Turizmit dhe të Mjedisit”.
Në shpjegimin e saj, Ministria shprehet se “ka pasur edhe më parë interesime e kërkesa për zhvillim turistik në ishullin e Sazanit, çka padiskutim përkon në parim me ambicien tonë për ta kthyer ishullin në një xhevahir të kurorës së turizmit mesdhetar, por i kemi refuzuar, sepse objektivat zhvillimore të të interesuarve nuk i kemi konsideruar në perputhje me vizionin e një turizmi miqësor me mjedisin dhe natyrën, ekuilibër i domosdoshëm për Shqipërinë turistike të vizionit 2030”.
Për rastin e Zvërnecit, ministria tha se nuk ka dijeni për një projekt të tillë, duke shtuar se “çdo propozim e përpjekje për të investuar në Shqipëri është i mirësardhur. Qeveria shqiptare nuk e ka fshehur ambicien për nxitjen dhe lehtësimin e investimeve cilësore në turizmin e ekselencës dhe të hotelerisë me 5 yje, me standarte ndërkombëtare. Çdo investitor serioz që vjen, për më tepër nga vende aleate strategjike të Shqipërisë siç janë edhe SHBA-të, e ka derën të hapur për të kontribuar në rritjen cilësore të turizmit dhe të standarteve të larta në këtë sektor jetik për ekonominë e vendit”.