Qeverisja globale dhe nevoja për zhvillim e reformim

Çfarë ofron dhe çfarë promovon Kina për rendin aktual


Nga Dr. Marsela Musabelliu

Në kohët tona ndryshimet po shpalosen në mënyra si kurrë më parë. Deficitet në paqe, zhvillim, siguri dhe qeverisje po rriten. Njerëzimi është në një udhëkryq dhe përballë një zgjedhjeje konsekuente për të ardhmen e tij. Ndërkohë që multipolariteti botëror dhe globalizimi ekonomik vazhdojnë të evoluojnë, pabarazia në rendin ndërkombëtar vazhdon të jetë tema qendrore. Ky nuk është një fenomen i ri, por një çështje e vazhdueshme e rrënjosur thellë në dinamikat historike, politike dhe ekonomike të njerëzimit. Rrënjët e thella të padrejtësisë në rendin ndërkombëtar janë të mbështetura në trashëgimitë historike, disbalancat e pushtetit dhe pabarazitë sistematike.


Selia e OKB-së, Nju Jork (Foto: VCG)

Themelet e rendit të sotëm ndërkombëtar u hodhën gjatë periudhave të ekspansionit kolonial dhe dominimit perandorak. Fuqitë evropiane, të nxitura nga nocionet e epërsisë gdhendën botën, duke shfrytëzuar burimet dhe popullsitë për përfitimet e tyre. Trashëgimia e kolonizimit vazhdon në formën e strukturave të pabarabarta të pushtetit, varësisë ekonomike dhe hegjemonisë kulturore. Shtetet post-koloniale vazhdojnë të përballen me pasojat e kufijve arbitrarë, sistemeve të qeverisjes së imponuar dhe pabarazive të qëndrueshme socio-ekonomike.

Gjeopolitika, gjeoekonomia dhe rendi i të fuqishmëve

Në zemër të padrejtësisë bashkëkohore në rendin ndërkombëtar qëndron shpërndarja e pabarabartë e pushtetit ndërmjet kombeve. Kjo asimetri e pushtetit është e dukshme në proceset e vendimmarrjes, ku zërat e kombeve të margjinalizuara shpesh anashkalohen ose injorohen, duke çuar në politika që përkeqësojnë, në vend që të lehtësojnë pabarazitë globale. Nga ana tjetër, sistemi ekonomik ndërkombëtar, i karakterizuar nga politika neoliberale dhe ideologjia e tregut të lirë, përforcon pabarazitë ekzistuese dhe përjetëson padrejtësinë. Programet e rregullimit strukturor të imponuara nga institucionet financiare ndërkombëtare i kanë detyruar vendet në zhvillim të kenë prioritet ripagimin e borxhit mbi shpenzimet sociale, duke shtuar varfërinë dhe duke zgjeruar hendekun midis të pasurve dhe të varfërve.

“Doktrina e shokut: Ngritja e kapitalizmit të fatkeqësive” një libër nga Naomi Klein, eksploron sesi politikat neoliberale janë imponuar mbi kombet e cenueshme në kohë krize, duke thelluar pabarazinë dhe duke gërryer demokracinë. Mënyrat në të cilat krizat prodhohen dhe shfrytëzohen nga klasa sunduese për të forcuar më tej fuqinë dhe privilegjin e tyre, janë tashmë të dukshme dhe të prekshme.


Foto:VCG

Elitat politike dhe ekonomike shfrytëzojnë momentet e krizës për të çuar përpara agjendën e tyre të papenguar. Mjafton të vihet re se si në kohë krize, kur njerëzit janë më të cenueshëm dhe të çorientuar, ata që përfitojnë janë gjithmonë të njëjtë, qofshin këto shtete ose korporata. Një nga aspektet më rrënqethëse të argumentit të Klein-it është mënyra në të cilën fatkeqësitë nuk shihen thjesht si ngjarje fatkeqe për t’u përgjigjur, por më tepër si mundësi për fitim dhe akumulim fuqie.

Në të njëjtën linjë, Yanis Varoufakis, ish-ministri i Financave i Greqisë, është i njohur për kritikat e tij ndaj kapitalizmit modern, veçanërisht atë që ai e quan “turbo-kapitalizëm”. Ky koncept i referohet një forme të intensifikuar të kapitalizmit të karakterizuar nga financimi ekstrem, përshpejtimi teknologjik dhe një hendek në rritje të pasurisë midis vendeve. Varoufakis argumenton se turbo-kapitalizmi është shfaqur si rezultat i konvergjencës së disa tendencave kryesore. Së pari dhe më kryesorja është financiarizimi, ku fuqia dhe ndikimi i sektorit financiar janë zgjeruar në mënyrë eksponenciale, shpesh në kurriz të sektorëve prodhues të ekonomisë, dhe rrjedhimisht të mirëqenies ekonomike të individit. Kjo ka çuar në një situatë ku instrumentet financiare dhe spekulimet dominojnë aktivitetin ekonomik, pa marrë parasysh pasojat e botës reale. Sipas tij, turbo-kapitalizmi është në thelb i paqëndrueshëm dhe i prirur për kriza.

Ndjekja e pamëshirshme e fitimeve afatshkurtra dhe përhapja e instrumenteve komplekse financiare kanë krijuar një sistem që është gjithnjë e më i shkëputur nga ekonomia reale. Kjo u ilustrua qartë nga kriza financiare e vitit 2008, e cila ekspozoi brishtësinë e sistemit global dhe rezultoi në vështirësi të gjera ekonomike. Argumenti kyresor qendron në zhvillimin me trajta më demokratike dhe gjithëpërfshirëse të globalizimit, ku interesat e njerëzve merren parasysh në mënyrtë të barabartë me ato të kapitalit.

Me pak fjalë, qeverisja globale ka mangësi dhe njëanshmëri, për më të fuqishmit, më të pasurit, dhe për pakicën e popullsisë së botë. Në këtë situatë nuk kuptohet ku mbaron politika dhe ku fillon ekonomia, pasi të dyja janë në shërbim të pakicës së fuqishme.

Çfarë ofron dhe çfarë promovon Kina për rendin aktual


Presidenti kinez me liderë të vendeve të tjera që marrin pjesë në Forumin e Bashkëpunimit “Një brez, një rrugë”, 18 tetor 2023, Pekin (Foto: Xinhua)

Ka probleme, ka deficite por ka edhe zgjidhje. Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur ku sfidat globale i kapërcejnë kufijtë, bashkëpunimi ndërmjet kombeve bëhet imperativ. Kina, si një nga fuqitë kryesore të botës, ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm duke prezantuar disa nisma kryesore globale që synojnë nxitjen e bashkëpunimit, rritjen e sigurisë, promovimin e zhvillimit dhe edukimin e një qytetërimi të përbashkët global. Këto nisma mishërojnë angazhimin e Kinës për të ndërtuar një botë më paqësore, më të begatë dhe harmonike.

Për shembull, Nisma Globale e Sigurisë (GSI) kryeson përpjekjet për të adresuar sfidat urgjente të sigurisë me të cilat përballet bota sot. Kina pranon se siguria nuk ka të bëjë vetëm me fuqinë ushtarake, por përfshin një spektër të gjerë çështjesh, si terrorizmin, kërcënimet kibernetike, ndryshimet klimatike dhe pandemitë. Nëpërmjet GSI, Kina mbron multilateralizmin, dialogun dhe bashkëpunimin si mjete thelbësore për zgjidhjen e konflikteve dhe ruajtjen e stabilitetit. Një nga vlerat primare të GSI-së është theksi i saj në gjithëpërfshirjen dhe respektimin e sovranitetit. Ndryshe nga qasjet tradicionale të sigurisë që shpesh u japin përparësi interesave të disa vendeve të fuqishme, iniciativa e Kinës kërkon të përfshijë të gjithë aktorët në diskutime dhe procese vendimmarrëse. Duke respektuar sovranitetin e çdo kombi, GSI nxit besimin dhe bashkëpunimin midis vendeve, duke hedhur bazat për zgjidhje të qëndrueshme të sigurisë.

Duke kaluar në Nismën e Zhvillimit Global (GDI), me të cilën Kina demonstron angazhimin e saj për të nxitur zhvillimin gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm në shkallë globale. Duke pranuar se varfëria, mungesa e zhvillimit dhe pabarazia nuk kufizohen në rajone specifike, por janë sfida të përbashkëta që kërkojnë veprim kolektiv, GDI synon të promovojë rritjen ekonomike, përparimin social dhe qëndrueshmërinë mjedisore për të gjitha kombet. Në zemër të GDI qëndron parimi i përfitimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit të favorshëm. Përvoja e Kinës për nxjerrjen e miliona njerëzve nga varfëria nëpërmjet modelit të saj të zhvillimit shërben si frymëzim për përpjekjet e saj për zhvillim global. Duke ndarë njohuritë, ekspertizën dhe burimet me vendet në zhvillim, Kina kontribuon në ndërtimin e kapaciteteve të tyre dhe fuqizimin ekonomik, duke nxitur një rend ndërkombëtar më të barabartë.

Për më tepër, ajo i jep përparësi zhvillimit të infrastrukturës, lidhjes dhe lehtësimit të tregtisë si shtytësit kryesorë të rritjes dhe zhvillimit ekonomik. Nëpërmjet nismave të tilla dhe një tjetër nisme si “Një brez, një rrugë”, Kina investon në ndërtimin e rrjeteve të infrastrukturës që lidhin rajonet, rrisin flukset tregtare dhe promovojnë integrimin ekonomik.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Nisma e Qytetërimit Global (GCI) nënvizon vizionin e Kinës për ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin ajo thekson rëndësinë e dialogut, mësimit të ndërsjellë dhe shkëmbimit kulturor në promovimin e mirëkuptimit dhe harmonisë midis qytetërimeve. Një nga vlerat kryesore të GCI është promovimi i diversitetit kulturor dhe gjithëpërfshirës. Duke pranuar se dallimet kulturore duhet të celebrohen dhe jo të stigmatizohen, Kina mbron dialogun dhe shkëmbimin mes qytetërimeve për të promovuar respektin dhe tolerancën reciproke.


Ushtarë paqeruajtës kinezë në misionin e OKB-së në Mali, 2022(Foto:VCG)

Për më tepër, ajo vë theks të madh në rolin e arsimit, shkencës dhe teknologjisë në formësimin e një të ardhmeje të përbashkët për njerëzimin. Duke investuar në arsim, duke promovuar kërkimin shkencor dhe duke lehtësuar transferimin e teknologjisë, Kina fuqizon individët dhe kombet që të shfrytëzojnë përfitimet e përparimit teknologjik për të mirën e përbashkët. Nëpërmjet nismave të tilla si Bursat e Rrugës së Mëndafshit dhe Fondi i Shkencës së Rrugës së Mëndafshit, mbështet bashkëpunimin akademik dhe shkencor, duke nxitur inovacionin dhe kreativitetin në të gjithë kulturat.

Nismat globale të Kinës mishërojnë vlerat e bashkëpunimit, gjithëpërfshirjes dhe përfitimit reciprok. Duke promovuar dialogun, bashkëpunimin dhe përgjegjësinë e përbashkët ato ofrojnë një rrugë drejt një bote më paqësore, më të begatë dhe harmonike. Ndërsa lundrojmë në kompleksitetin e shekullit të 21-të, përqafimi i nismave të Kinës mund të hapë rrugën për një të ardhme më të ndritshme për njerëzimin, ku kombet punojnë së bashku për të kapërcyer sfidat dhe për të ndërtuar një botë më të mirë për të gjithë.

Lidershipi dhe nismat kineze në qeverisjen globale

Presidenti Xi, duke iu drejtuar Samitit të 15-të të BRICS, tha se zhvillimi është një e drejtë e patjetërsueshme e të gjitha vendeve, jo një privilegj i rezervuar për disa. Dhe në një tjetër takim me liderë evropianë në vitin 2019 presidenti kinez bëri thirrje për drejtësi dhe arsyeshmëri për të trajtuar deficitin e qeverisjes globale. Ai kërkoi avancimin aktiv të demokratizimit të rregullave të qeverisjes globale duke i dhënë fuqi të plotë rolit konstruktiv të mekanizmave shumëpalësh globalë dhe rajonalë. Xi përherë ka bërë thirrje për përpjekje të përbashkëta dhe ndihmë të ndërsjellë për të trajtuar deficitin e paqes. Është e këshillueshme që të mbështetet një vizion i ri i sigurisë së përbashkët, gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme, të hidhen poshtë mentalitetet e Luftës së Ftohtë dhe me shumën zero, të refuzohet ligji i xhunglës dhe të zgjidhen konfliktet përmes mënyrave paqësore, është shprehur ai.

Pikpamja e Kinës ndaj qeverisjes globale ka një mirëkuptim të thellë të çështjeve që kanë të bëjnë me globalizimin, të ardhmen e përbashkët të njerëzimit dhe është shumë largpamëse.

Sipas prof. Martin Albrow, një studiues i shquar britanik, udhëheqësit kinezë kanë një ide shumë të qartë mbi zhvillimin e globalizimit, një globalizim nga i cili përfiton mbarë bota. Nismat kineze plotësojnë trendin e kohës dhe në këtë aspekt Kina ka një mundësi të mrekullueshme për të marrë përsipër ndërtimin e një të e ardhmeje të përbashkët për njerëzimin. Ky rol lidershipi nuk ka kuptim ushtarak shprehet Albrow, por ka një kuptim moral, në vlera por edhe një kuptimin pragmatik. Këtu kapacitetet kineze për të arritur qëllimet e vendosura janë shumë të rëndësishme pasi i demonstrojnë pjesës tjetër të botës se si mund të arrihen objektivat kur të gjithë përfitojnë nga përfshirja në nisma të tilla.


Foto:VCG

Një nga mënyrat e rëndësishme të shtjellimit të problemeve bashkëkohore globale është fakti se në Kinë situatat trajtohen në terma projektesh e qëllimesh, dhe nismat kineze kanë të bëjnë me gjërat që mund të zbatohen bashkarisht për të tashmen e të ardhmen e rendit global që i shërben gjithë botës.

Shpalosja e këtyre nismave është zgjidhja kineze për të përmirësuar qeverisjen globale, dhe lidershipi i Kinës ka vendosmëri të madhe dhe këmbëngulje të paepur, duke ju qendruar besnike aspiratave të saj origjinale.

Së fundmi, unilateralizmi, proteksionizmi por edhe bullizmi, ende po cënojnë sovranitetin, interesat e sigurisë dhe zhvillimin e shumë vendeve. Përfaqësuesit kinezë shkojnë në tavolina bisedimesh dhe diskutimesh me ide të qarta, qëndrime koherente e propozime gjithëpërfshirëse.

Filozofia kineze, nismat e saj globale, aktivizmi i vendit në rang ndërkombëtar dhe angazhimi i pasosur për gjithëpërfshirje mund të përmblidhen qartësisht në fjalët e liderit kinez: “Kina do të ecë përpara së bashku me të gjitha forcat përparimtare të botës në udhëtimin e madh drejt një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, dhe gjithmonë do të jetë ndërtues i paqes botërore, kontribues në zhvillimin global, mbrojtës i rendit ndërkombëtar dhe ofrues i të mirave publike.”

Burimi: CRI.CN

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…