Digjitalizimi i shërbimeve, Myzyri: KPP ka marrë statusin e vëzhguesit në organet shqyrtuese të prokurimit të BE
Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) ka prezantuar dy manuale për dorëzimin dhe shqyrtimin e ankesave në fushën e prokurimit publik për autoritetet dhe operatorët ekonomikë.
Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) ka prezantuar dy manuale për dorëzimin dhe shqyrtimin e ankesave në fushën e prokurimit publik për autoritetet dhe operatorët ekonomikë. Për herë të parë në katërmbëdhjetë vite të themelimit të Komisionit të Prokurimit Publik, për ti ardhur në ndihmë operatorëve ekonomikë dhe autoriteteve dhe enteve kontraktore, KPP prezanton dy manuale për procedurat e ankimimit.
Në workshopin ku u bë prezantimi e manualeve mbi procedurat e ankesave për autoritetet kontraktore dhe operatorët ekonomikë në fushën e prokurimit publik, punuar nga Komisionit të Prokurimit Publik dhe me konsulencën e ekspertëve të Sigma OECD morën pjesë 292 përfaqësues të autoriteteve kontraktore dhe operatorëve ekonomikë si dhe 176 pjesëmarrës, të cilët zgjodhën ta ndjekin workshop-in online. Gjithashtu mbi 300 pjesëmarrës e ndoqën këtë workshop në kanalin Youtube.
Në fjalën e tij Kryetari i KPP, Jonaid Myzyri tha se sfidat shumëdimensionale të përballuara nga Komisioni i Prokurimit Publik në këtë rrugëtim 14-vjeçar nuk kanë qenë të ndryshme nga ato të vetë sistemit të prokurimit publik në Shqipëri.
“Nga shpejtësia në procesin e shqyrtimit të ankesave, në ligjshmërinë dhe qëndrueshmërinë e plotë në vendimmarrje, ankesat në rrugë shkresore në ato digjitale, janë disa prej momenteve që të gjithë ne së bashku si Komision dhe ju si grupe interesi kemi mësuar shumë nga njëri- tjetri dhe jemi përpjekur të përmirësohemi në proceset tona të punës, me një motiv të vetëm, përmirësimin e sistemit të rishikimit administrativ në prokurimin publik. Ndaj, sot falë bashkëpunimit tonë, kemi mundur të digjitalizojmë tërësisht procesin e ankimit administrativ, duke shndërruar në detyra digjitale çdo parashikim ligjor, nga dorëzimi, komunikimi dhe shqyrtimi i ankesave, duke iu kursyer operatorëve ekonomikë mbi 150 mijë kilometra rrugë në vit, radhë kilometrike në banka dhe shërbim postar, dyer që mbylleshin dhe mijëra faqe të printuara dhe letra dërguar institucioneve”, tha Myzyri.