“Nuk e kam shkelur kurrë ligjin dhe besimin e qytetarëve”

Kryebashkiaku i kryeqytetit: Drejtësia të bëjë punën e saj


Nga Erion Veliaj
Kryetari i Bashkisë Tiranë

Tituli: Veliaj: “Drejtësia të vazhdojë punën e saj; Nuk e kam shkelur kurrë ligjin dhe besimin e qytetarëve që më kanë votuar tre mandate”

Përshëndetje të gjithëve!

Jam këtu para jush, pasi kam parë, njësoj si ju, e dëgjuar, njësoj si ju, çfarë ka ndodhur me disa drejtorë e ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës, dhe pasi kam kaluar edhe një peripeci të vogël shëndetësore personale, për të cilët ju falenderoj për kujdesin.

Jam përpjekur të kuptoj, sa e kam pasur unë të mundur, se si janë zhvilluar ngjarjet që çuan në ngritjen e akuzave për këta zyrtarë të institucionit që unë drejtoj.

Po e nis nga vija e kuqe e Partisë Socialiste dhe e kryeministrit Rama: Çështjet që hap drejtësia e re, me këdoqoftë dhe kudoqoftë, në cilindo nivel të përgjegjësive ekzekutive dhe administrative, nuk janë për t’u komentuar në aspektin e tyre ligjor, por janë thjesht për t’ua besuar organeve të drejtësisë. Cilido individ që është përfshirë në këto çështje, duhet të përballet vetë me drejtësinë, i zhveshur nga çdo lloj mbrojtjeje tjetër, përveç mbrojtjes ligjore nga avokatët e vet.

Pra, unë s’kam asnjë koment për vërtetësinë e akuzave, për shkallën e përfshirjes ose jo të secilit në aktivitetin e paligjshëm për të cilin akuzohen, për fajësinë apo pafajësinë e tyre, që është ekskluzivisht tagër i gjykatës, nivelin e respektimit të së drejtës njerëzore e kushtetuese të prezumimit të pafajësisë në para-burgimin e tyre, e kështu me radhë.

Kjo vijë e kuqe ma bën të pamundur futjen në debat për faktet, me ata të cilët e shfrytëzojnë lirinë e fjalës në media për të bërë prokurorin, sigurimsin modern apo inkuizitorin mesjetar, duke më përfshirë edhe mua në të dënuarit pa gjyq, për sa ka ndodhur ose nuk ka ndodhur.

Por, nëse për faktet e kam të pamundur të hyj në debat sepse do të cenoja parimin e mosndërhyrjes në një çështje të drejtësisë, për pjesën time të përgjegjësisë dhe për rolin që kam me bekimin e qytetarëve të Tiranës, e kam të pamundur të mos shprehem.

Po! Nuk ka asnjë diskutim, që unë kam punuar dhe bashkëpunuar me këta njerëz dhe për sa më takon, e kam vlerësuar punën e tyre në bazë të rezultateve, që flasin vetë në çdo cep të qytetit, për këdo që do t’iu referohet arritjeve reale në sektorët që ata kanë drejtuar, në kohën që kanë punuar në Bashkinë e Tiranës.

Mariglen Qato ka drejtuar IMT-në nga shtatori 2018 gjer në shtator 2023. Falë punës së tij dhe asaj skuadre është bërë i mundur Bulevardi i Ri, çlirimi i Unazës tek Astiri, lirimi i Liqenit nga zaptimet në gjysmën e tij, hapja e terreneve në Kombinat dhe 5 Maji për lagjet e reja pas tërmetit. Teksa sot ecim në ato bulevarde, buzë Liqenit, apo përgjatë Unazës së Madhe, ne kuptojmë sa punë të dobishme ishin për qytetin, por edhe sa kundërshtarë politikë u ndërzyen ndaj IMT-së sepse kishin lidhur karrierën e tyre me bllokimin e këtyre kantiereve e sabotimin e Tiranës.

Redi Molla ka drejtuar UKT-në në vitet 2016-2020, ku e ktheu një ndërmarrje të falimentuar në të vetmin ujësjellës me bilanc pozitiv në vend, që sot financohet direkt nga bankat ndërkombëtare të zhvillimit dhe që e ktheu Tiranën e vogël nga 7 orë ujë në ditë, ku vaditej misri e thaheshin lagjet, në një qytet 25 herë më të madh në sipërfaqe, me 20 orë ujë mesatarisht, e në shumicën e zonave urbane me 24 orë ujë.

Taulant Tusha ka drejtuar punët publike në Bashkinë e Tiranës gjer vitin e kaluar. Me një përkushtim të jashtëzakonshëm ka ndjekur 24/7 projekte që Tirana i priste prej një shekulli – nga Sheshi Skënderbej, tek Pazari i Ri, nga Bulevardi Zogu I, tek Unaza e Vogël, nga Kalaja e Tiranës në qendër, tek ajo e Petrelës në periferi, nga zgjatimi i Lanës, e gjer tek Lumi i Tiranës, që përmbyste gjithë njësitë 4, 8, 9 e 11, e gjer tek 101 kopshte e çerdhe të rinovuara, e 40 shkolla të reja, nga ‘Kosova’ e ‘Samiu’, gjer tek ‘Partizani’ e ‘Çajupi’, ku çdo ditë ulen e rriten 200 mijë fëmijë të kryeqytetit në kushte optimale.

Kjo ishte një pasqyrë e përmbledhur e punës së tyre në bashki dhe e punës sime me ta, përpara se hienat që s’kanë prekur punë me dorë, të skërmisin dhëmbët me jargë për gjahun e rradhës.

Tani ka një pyetje, sa brutale aq edhe banale, që ngrihet rëndom nga inkuizitorët mesjetarë, sigurimsat modernë dhe prokurorët mediatikë nëpër banaqe televizionesh, kurdo që SPAKU vepron ndaj një zyrtari të caktuar: Si ka mundësi të mos i dinte këto Edi Rama dhe si mund të ndodhi që, deri edhe zëvendësi i tij, një person që sot është në kërkim nga drejtësia, t’i bëjë këto pisllëqet e mëdha për të cilat akuzohet, pa bekimin e kryeministrit?

Më falni! Po pse, në cilën pjesë të funksionit të tij të përcaktuar me Kushtetutë dhe dispozita ligjore, kryeministri duhet të përgjojë zëvendësin e tij apo cilindo zyrtar tjetër, me të cilin e lidh puna, kur këta të fundit e ushtrojnë influencën e postit dhe i përdorin lidhjet e tyre me X-in ose Y-in, për të përfituar në mënyrë të paligjshme?!

Si mund të jetë kaq e padiskutueshme, që një kryeministër, apo në rastin tim, një kryetar bashkie, të jetë në dijeni të çdo gjëje që s’ka të bëjë fare me funksionin e tij të përcaktuar me ligj apo me objektivat e me një mijë e një problemet e përditshme të punës së tij?!

Ku jemi këtu? Në komunizëm? Kur shoku Enver i vinte mbrapa një parti të tërë e një armatë të tërë me spiunë, të gjithë zyrtarëve të shtetit, deri tek vrima e çelësit e shtëpisë së tyre, që sot u dashka të arrestohet e të burgoset nga gjykata politiko-mediatike, titullari i institucionit, sapo SPAK-u nxjerr fletët e arrestit për një apo disa zyrtarë të institucionit disa mijëra vetash që ai drejton?!

I ngre këto pyetje retorike sepse në asnjë vend normal demokratik, nuk ndodh kjo gjueti shtrigash. Në parlamente, ekrane, portale, madje as në rrjetet sociale të Francës, Italisë, Greqisë e me radhë, nuk i shikon këto turra drush për të djegur të gjallë Presidentë, kryeministra, kryetarë bashkish, kur drejtësia thjesht po bën punën e saj në luftën kundër korrupsionit dhe ku gjykatat, në fund, e ndajnë shapin nga shqeri, të fajshmit nga të pafajshmit!

Këta gjahtarët profesionistë të shtrigave, që kanë një mandat deputeti të partive me vulë të humbur apo një kravatë moderatori dhe analisti në kolltuqet e spektakleve politike televizive të çdo mbrëmjeje, po që s’kanë asnjë respekt për dinjitetin njerëzor, për punën, për faktet, duan që populli ta harrojë këtë të vërtetë të madhe.

Veliaj: Le t’ia lëmë drejtësisë fjalën e fundit për ish-zyrtarët; Asnjë përfitim i paligjshëm personal, nuk më ka lidhur kurrë me askënd si shërbëtori numër një i Tiranës

Shqiptarët e kanë dëgjuar dhjetra, në mos qindra herë, nga goja e kryetarit tonë, Edi Ramës, se ne duam një drejtësi të drejtë, që të godasë djathtas e majtas dhe të shikojë e të ecë vetëm drejt, me shpatën e ligjit në dorë! Unë e di që për shumë njerëz politikanët janë njerëz që tjetër thonë, tjetër mendojnë dhe tjetër bëjnë, po pikërisht pse Edi Rama, kryeministër dhe kryetari ynë i Partisë Socialiste, dhe kjo parti e udhëhequr prej tij, janë ndryshe nga ky stereotip dhe Shqipëria sot është shumë më ndryshe se 10 vite më parë, edhe Tirana sot është më ndryshe se 10 vite më parë, edhe drejtësia sot është më ndryshe se 10 vite më parë!

Nga ana tjetër, kulmi fare këtu tek ne është se çfarë po ndodh sot në Shqipëri, ka nisur pikërisht nga vizioni, projekti dhe vullneti shtetndërtues i Edi Ramës, kryeministrit tonë, dhe Partisë Socialiste, pa të cilët SPAK-u as që do ekzistonte dhe kjo luftë kundër korrupsionit as që do imagjinohej. Eshtë një luftë që ne e kemi kërkuar, e bëjmë sa mundemi, prej ditës së parë në këto detyra, me reforma, shërbime digjitale, me masa për përmirësime të vazhdueshme procesesh administrative, por edhe auditime e largime nga puna për punonjës që shkelin rregullat apo denoncohen nga qytetarët.

Por, nivelet ekzekutive të qeverisjes nuk janë as prokurori as gjykata, prandaj ne e shohim drejtësinë si aleate strategjike në këtë luftë dhe e mbështesim pa rezervë punën e saj, si një punë e domosdoshme për pastrimin e administratave tona nga elementët e korruptuar. Prandaj, edhe ekziston ndarja e pushteteve dhe e punëve në këtë sistem dhe prandaj, ligji ngarkon prokurorët e gjykatësit të bëjnë një punë që, as kryeministri, as ministrat, as kryetarët e bashkive, as mund ta bëjnë, as janë të lejuar me ligj që ta bëjnë.

Disa i bien shkurt: Po pse, nuk dëgjoni ju fjalë për njërin e për tjetrin? Patjetër që dëgjojmë edhe ne fjalë. Madje, më shumë se sa për të gjithë, për veten tonë! Po çfarë duhet të bëjmë, përveçse të pyesim veten apo të tjerët sa të vërteta janë këto fjalë! Dhe me veten e dimë çfarë është e vërtetë ose jo, ndërsa me të tjerët si ta verifikojmë deri në fund të vërtetën e fjalëve? T’u vëmë njerëz mbrapa? T’u fusim përgjues në makina dhe në shtëpi? T’i paraburgosim në një zyrë në bashki apo nëpër ministri, në bazë të dyshimeve dhe t’i mbajmë aty derisa të thonë të vërtetën?! T’i torturojmë? Këto janë të gjitha të pamendueshme, jo thjesht kriminale, në aspektin e ligjeve demokratike, të cilat fuqinë represive të shtetit ia njohin si ekskluzivitet organeve policore e gjyqësore, jo titullarëve të pushtetit ekzekutiv dhe politik!

Disa të tjerë thonë: Kur dëgjoni fjalë largojini menjëherë nga puna! Po nëse do të ndiqnim këtë kriter duhet të largonim veten nga puna çdo ditë nga gjithë thashethemet dhe fjalët, dhe nga ana tjetër, largimet nga puna të drejtuesve të administratës janë si në çdo vend europian edhe në Shqipëri, një përgjegjësi që me ligj nuk e ka asnjë titullar politik! E pra, punët janë të ndara, siç janë edhe përgjegjësitë e qëllimet tona publike nga përgjegjësia individuale e secilit para ligjit dhe nga qëllimet e erreta personale të kujtdo që përfiton në rrugë të paligjshme, duke abuzuar me detyrën, pas shpinës së institucionit e të atyre me të cilët e lidh puna e përbashkët.

Tani, padiskutim që mua nuk ka sesi të më vijë mirë, nëse akuzat e ngritura ndaj disa ish-drejtorëve e drejtorëve të Bashkisë Tiranës provohen të vërteta në gjykatë.

Përkundrazi, më vjen tmerrsisht keq, që krahas angazhimit në plot punë të mira të përbashkëta, disa zyrtarë të rëndësishëm të kësaj bashkie të jenë angazhuar në punë të pista për përfitime personale. Por, në pritje të fjalës së fundit të drejtësisë për ta, unë vetë nuk kam çfarë pres për t’ju parë të gjithëve në sy dhe për t’ju thënë se asnjë përfitim i paligjshëm personal, nuk më ka lidhur kurrë as me ta dhe as me askënd tjetër në detyrën time si shërbëtori numër një i Tiranës sonë.

Gabime mund të kem bërë edhe unë plot! S’kam asnjë dyshim! Po s’e kam bërë kurrë fajin që ta përdor firmën time, fjalën time, ndikimin tim, për çfarëdo lloj përfitimi personal të paligjshëm. Uroj që këtë ta vërtetojnë deri në fund edhe hetimet për inceneratorin e Tiranës, me të cilin e vetmja gjë që më ka lidhur ka qenë pastrimi i këtij qyteti, tanimë shembullor në pastërti, edhe hetimet për këtë çështjen e hapur së fundmi nga drejtësia.

Unë i trembem shkeljes së normave me të cilat jam edukuar që fëmijë në këtë qytet dhe e kam frikë ligjin përpara se sa të bëhem një subjekt i ndëshkimit të tij, kështu që nuk e kam shkelur kurrë as ligjin, as besimin e atyre që më kanë dhënë tre herë mandatin për të drejtuar Tiranën. Prandaj, drejtësia të vazhdojë punën e saj, s’ka nevojë t’ia them unë se çfarë duhet të bëjë, ndërsa unë do të vazhdoj punën time me skuadrën e transformimit të Tiranës, edhe me më shumë këmbëngulje për Tiranën e për bashkëqytetarët e mi, pas kësaj ngjarjeje që nuk më bën aspak krenar.

Faleminderit të gjithëve për mbështetjen, kurajon dhe forcën që më jepni çdo ditë!

Dumani: Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë

Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Dumani: Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë

Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.