Emanuel Makron dhe imazhi golist
Ai ishte i vetmi lider europian që u ngritj kundër Putinit duke mos u përkulur para kërcënimeve të parreshtura të diktatorit të kuq
Nga Luan Rama
Emanuel Makron, ky ithtar i dikurshëm i « Shoqërisë së Hapur » të mësuesit të tij Paul Ricoeur, ky partizan i principeve themelore të demokracisë, Shtetit të së Drejtës, pluralizmit politik dhe ekonomisë liberale, tashmë ka shfaqur një imazh të ri të personalitetit të tij si lider politik : atë të një lideri golist që të tjerë presidentë francezë kanë dashur të jenë apo e kanë quajtur veten të tillë por që nuk e arritën këtë. Ky njeri që u shfaq me një guxim të habitshëm dhe bindje të thellë për tu bërë president shumë vite më parë, që në mandatin e parë u ndesh me problemin e reformimit të shoqërisë dhe të shtetit, çka nuk e ka bërë të tërhiqet edhe pse rezistenca ka qenë e madhe, veçanërisht në një spektër politik ku ekstremi i majtë dhe ekstremi i djathtë i bëjnë një luftë të ashpër, të prirë nga nacionalizmi, populizmi dhe fryma anti-europiane.
Ky njeri që në fillim të luftës në Ukrahinë besoi se lufta mund të shmangej përmes negociatave. Madje ndryshe nga liderët e tjerë europianë, ai guxoi të shkojë në Moskë, në « kullën » e diktatorit sovjetik Putin për ta bindur atë të hiqte dorë nga agresioni i një vendi sovran duke përdorur forcën siç kishte bërë në Ceçeni, Gjeorgji apo vende të tjera.
Ai ishte i vetmi lider europian që u ngrit pastaj kundër Putinit duke mos u përkulur para kërcënimeve të parreshtura të diktatorit të kuq përmes përdorimit të armëve bërthamore. Pikërisht në këtë çast, në peizazhin politik europian u shfaq imazhi golist i presidentit Makron duke përvijuar risinë e një gjenerali që hyri në historinë europiane e botërore i cili dhe i vetëm në fund të luftës së Dytë Botërore arriti ta vendoste Francën si një nga Fuqitë e Mëdha fitimtare.
Ishte Makron ai që kur Putini kërcënonte çdo ditë se do të hidhte bombat atomike për të shkatëruar kryeqytetet e botës demokratike, deklaroi se dhe Franca e Anglia, veç Amerikës, kanë bomba atomike dhe nuk i trëmben deklaratave luftënxitëse të një Rusie që kërkon të ngjallë kohën e diktaturës staliniane. Ai deklaroi se Franca do të mbrojë gjer në fund integritetin e një vendi si Ukrahina, luftën e saj çlirimtare madje dhe nëse do të duhej një ditë që trupa franceze do të shkonin në Ukrahinë, ide kjo që fillimthi ra ndesh me pikëpamje zyrtare të vendeve të tjera europiane por që tashmë ky guxim përshëndetet jo nga pak vende.
Pikërisht këto qëndrime të forta, edhe pse Moska e cilëson tashmë Makronin si një armik të Rusisë, i dhanë atij imazhin e një golisti modern që është në skalonin e parë të mbrojtjes së Europës dhe realizimit të Mbrojtjes Europiane aq e qenësishme kjo për popujt e Europës.
Ashtu si dikur gjenerali De Gaulle, edhe presidenti Makron është ngritur sot të mbrojë Francën e Europën në këto situata kaq të turbullta e të rrezikshme gjeopolitike dhe ekonomike kur një aleancë agresive është krijuar nga vende totalitare si Rusia, Kina, Korea e Veriut dhe Irani që kërkojnë të prishin ekuilibrin botëror të marrëdhënieve dhe të së drejtës ndërkombëtare duke krijuar gjithnjë e më shumë vartra tensioni e konflikte lufte çka e kanë tronditur sot OKB-në dhe institucionet onuziane.
Ja pse edhe sot, Franca i është kundërvenë Teheranit që duke financuar terrorizmin në Lindjen e Mesme dhe më gjerë, kërkon të shkatërrojë Izraelin dhe tê destabilizojë gjithë botën arabe, shkak ky në shpërthimin e konfliteve të reja botërore.
Si mund të jesh sot një golist modern, jo thjesht një golist i traditës apo i një diskursi politik që e gjen shpesh në debatet politike franceze por i një golist që ta vendosësh Francën në qëndër të debatit dhe të zgjidhjeve të mëdha gjeopolitike e gjeostrategjike dhe ku fjala e saj të ketë peshën e kombeve udhëheqëse. Ky është sot imazhi i ri që presidenti Makron i ka shfaqur botës së përparuar dhe asaj bote që zien nga konfliktet, luftrat dhe diktaturat e të gjitha ngjyrave. Ky është imazhi i liderit që guxon jo thjesht vetëm në interes të Francës dhe Europës solidare për mbrojtjen e lirisë dhe të pavarësisë por dhe në interes të progresit botëror për një botë më humane.